Jolly!!!

by

nga Loer Kume

Po mpihem nga i ftohti. Era fryn nga të katër anët e këtij vagoni të mallkuar të këtij treni leshi që më la mendja të merrja. Ahhh, po! Edhe shiu duhej tani! Bjer o shi bjer! Ja dhe uji që futet për qejfin e tij në vagon e lag sediljet pa i marrë leje njeriu fare!
Dhe ky mut treni që ecën me një ritëm breshke!
Drejt Vlorës. Vetëm. Gjashtë orë rrugë. Aq janë kam përshtypjen.
Vagon interesant ky këtu. Tetë ndarje, nga dy kolltuke dysh secila.
Janë ulur në to një çift fshatarësh të trashë me vajzën e tyre po të trashë ma merr mendja, (megjithse e pashë me të tjera mendime, nuk e mohoj) dy vajza shumë të shëmtuara e të vrara nga jeta që udhëtonin me gjyshen e tyre dhe vetëm qeshnin e kukuriseshin tërë rrugës. Me ata dhëmbë të trashë e me lekurën tërë prenka e quka ato janë… vajza pa moshë! Vetëm kështu më vjen ti quaj.
Tre personat e tjerë janë një çift tjetër, aspak i rëndësishëm sepse tërë vëmëndjen po ma tërheq vajza e tyre e vogël! Me mëndjen time i jap nja 2 – 3 vjeçe.
Fëmijë fantastik! Rrezaton dritë! Si të rrallët njerëz që rezatojnë dritë, të tipit Sharon Stone e Meg Ryan. Flokë bjonde, sy blu të errët, (shenjë fisnikerie kjo) lëkura e bardhë si e mermertë ariane. Mbi të gjitha qeshja e saj diellore më bëjnë ta dashuroj menjëherë! C’fëmijë i lëvizshëm! Tërë jetë, gjallëri, nxitje, energji, ngrohtësi!
Po më shkund me themel nga zymtësia ime e dashur! Më vjen të ulem në gjunjë, ti flas, ta guxhulis, ta bëj të qeshë, qeshë pa pushim deri në shkrirje!
Dua të luaj me të aty ulur në tokë! Të hidhem, përplasem, eci, rrëzohem, vritem! Të qaj!
Dhe të tërë të hidhen përpjetë për të më shpëtuar nga vdekja e sigurtë e gërvishtjes së lehtë në gju!
Por… askush nuk e çan kokën për mua! Askush! Mbase atyre u pëlqen të shohin tek vuaj!
Po më lezeton shume kjo pozitë gati martire që po më vë përfund këto momente.
Në fund të fundit, ç’më duhet mua me këtë vagon ngjyrash e fytyrash VanGhogeske, e fshatarë me rroba të kuqe, jeshile, rozë e të verdhë!
Më ziejnë një buqete hallesh në kokë, të tërë spektrave hallore egzistente.
Tmerrsisht i mërzitur, stresuar, goditur, plagosur, gërricur, zymtuar!
Nuk më shtyhej as një sekondë më tepër në jetën time momentalisht gri në të zezë. Me këtë sfond gjithashtu gri në të errët resh e shiu!
Dhe vendosa tabelën “STOP” !
Mora trenin, pikërisht trenin dhe jo ndonjë mjet tjetër, për të zgjatur kohën e udhëtimit, dhe u nisa për në Vlorë.
Aty kam shkuar gjithmonë i ngarkuar e jam kthyer me forca. Mos është gjë klima? Joo! Po të banoja në Vlorë me siguri do të shkoja në…Durrës! Pa dyshim! Sa më larg! Dhe me det!
Nuk pushoka as ky dreq shiu! S’mjafton i ftohti! Mbeta duke ngritur jakën e ulur fundin e xhupit. Po ngordh nga i ftohti. Më pëlqeka kjo strukja në xhupin tim! Edhe ky shiu rrugës! Sa vjen e bëhet më i shtruar, i ngrohtë, i sjellshëm! Sikur të flet, të fton në një rrëfim valtzi të ëmbël, melankolik!
Ky shi i mallkuar! Ma shtoi melankolinë që më ka mbërthyer e s’po më lë tërë këto javë! Më ka marrë malli të shoh filma me kartona! Dua të shoh Ken Shiron, e të rrihem me kalamajtë e lagjes si të isha ai. (këtij gomarit këtu po i rrëmbushen sytë! Kështu bën sa herë është në këto ujra po është burrë ama, i mbylli sytë dhe i gëlltiti…)
Prapë të qeshura? Më vjen ti zë me shqelma këto kafshë të egra! Qeshin në atë injorancën e tyre! Banalitetin e tyre!
Hmm! Ajo e fejuara qënka e lezetshme! Paska forma të mira! Kofshë të plota! Gjoks…tërë ai lumë flokësh! Buzë mishtore! Ta marrë në dorë ndonjë qëndër estetike e bën njeri! Yll! Jo si ato verdhacuket kockëkryqtat kryeqytetase me dy kile bojë në fytyrë!
Ja ky. Syrratsalduari! Filloi të shohë shtrembër! Sikur do i ha gruan unë!
Po ku merr vesh ti o idiot nga hallet! Ti s’ke parë femër me sy! Tani më në fund u fejove! Do pish edhe ti nga kupa e shenjtë!
Prapë një e qeshur. Mrekulli! Vajza e vogël po qesh. Një e qeshur fëmije baraz me një zanë e re e sapolindur. Apo jo Piter Pan? Haha!
Një fëmijë të tille imagjinoj për vete! Do ta doja sa tre vetvete bashkë! Ëngjëll i prapë!
Akoma në errësirë? Ahh! Tuneli! Po!
E fundit gjë që pashë në dritë ishin sytë blu e errët e fëmijës…

nuk e morem vesh ç’ishte, të paktën unë nuk e kuptova ç’ndodhi ato dy minuta tunel që kaluam. E qarë a e qeshur ishte ajo ulërimë e tejzgjatur! Në errësirë! Aty ndodhi diçka! Se paskam dëgjuar vetëm unë! Të tërë e paskan dëgjuar! Paskan mbetur si të shastisur! Dhe pse më shohin mua?
Kush qau-qeshi? Ndoshta vajza e vogël? Ajo edhe tani po buzëqesh.
Po unë? Sytë e lagur? …Uhh! Paska dalë dielli…
Joker! Asnjëri nuk kishte qeshur apo qarë. Ishte ai, dora vetë! Jolly! I lindur nga një gotë rakie, një frymë fyelli, një goditje tamburi! Nga një e qarë burri! Perëndia e të qeshurës! Ai kishte qeshur në tunel, lindur nga pështjellimet e mia. Si zoti që derdh gjakun e tij në kryq për mëkatet e të tjerëve, ai jep frymën e tij, të qeshurën e tij për të rrëmbyer marazet e njerëzve.
Gjithçka zgjidhet me një të qeshur! Probleme? Do të ikësh nga to? Do ti përballosh? Do ti zgjidhësh?
Hahhaha! C’idiotsi! Ke kohë? Ke kohë të merresh me problemet e ti zgjidhësh? Nesër vdes o injorant i kohës tënde. Sot! Sot është dita për ty. Sot qesh! QESH! C’do të mbash mend pas jetës? Hallet? Lotët? Vuajtjen? Mendon se do ti zgjidhësh?
Hahahhahaha! Hahahhahaha! Vetëm të qeshurën e fëmijës do të kujtosh në të qintën e sekondës që të mbetet për të menduar kur të përplaset treni dhe ti të mos egsistosh më.
Qesh qesh se asgjë s’do ndjesh! Kjo është kënga e Jollit! Perëndisë së burrit në nevojë! Perëndisë që u duhet vërtet njerëzve! Perëndisë!
Më tha dikush diçka në vesh ndërsa me majat e dy gishtave tregues të shpirtit më vidhte tërë pakon e rëndë me fjongo melankolie që mbaja në zemër. Më këndoi një varg kënge që s’e mbaj mend mirë.
Hahaha! C’budallallëqe që mendoj e bëj! Sa turp! C’më kishte zënë? Si fëmijë qaraman, si femër e tradhëtuar për herë të parë! Ik mor!
Ti shuaj tërë ç’shkruaja më parë në copa letre. Ja! I grisa. Ti hedh më mirë nga dritarja.
U shkri lepurushja e vogël që hodha letrat une! Shih si qesh! I duken flutura!
Ku dreqin jam nisur kështu? C’do bëj poshtë në jug? Është dimër akoma. S’ka plazh o qyp! Do zbres në stacionin e parë të ndalesës të kthehem në shtëpi.
Deri atëherë… vajza, do bëjmë një lojë me letra?
Hahahaha!

Advertisements

Tags: , , , , ,

6 Responses to “Jolly!!!”

  1. un Says:

    Lozonjare, pjesa.

    Te udhetosh njehere me tren “Thalys” ose “TGV”, pastaj iu ke bere naften trenave te çafçufit te Vlores, se edhe ne parajse te shkosh me te, s’ia vlen. Ne udhetimin tim te fundit me tren, ne Shqiperi e kam fjalen, pata vene re diçka te habitshme : askush nuk ulej me prapanice ne ndenjese, por menderja ulej lart ne mbeshtetese dhe kepucte e qelbura viheshin mbi ndenjese. Shkurt, kishte nje si lloj ngritje ne pergjegjesi. Mbaj mend gjithashtu dhe hipjen lart, ne çati te trenit, si ne Bombay, diku ne Indi, ju e dini. Ata ishin me te lartet.

    Si i ri qe isha ahera, shihja fustanet e vajzave qe ngriheshin nga era qe futej tejpertej trenit, ngaqe pa asnje dritare. Vajzave iu pelqente qe i shikoja sepse prandaj kishin veshur fustan. Bente nxehte dhe djerset me kullonin… çurg, pikerisht, kjo eshte fjala qe lexoj tek 3 milion shqiptare kur duan te thone se kane djersitur shume : me shkonin djerset çurg.

    Ne nje nga keto udhetime, nje vajze e re po aq sa une, mbase me e re sepse asokohe dukesha plak, me drejtoi fjalen dhe me tha : sa eshte ora ? Ky eshte shkembimi i vetem qe kam pasur ne tren pergjate 12 vjeteve te fundit, duke perjashtuar ketu diten kur po shkoja ne Durres, ne plazh, kam biseduar gjate me nje vajze mbi Aventurat e Fatbardh Pikaloshit. Gjithsesi, po thosha se pasi iu pergjigja per oren, ajo as qe me tha “falemnderit”. Sa keq, ishte dhe e bukur por mbase kjo ka qene dhe arsyeja. Fundja, s’ia kisha ngene sepse po shkoja ne nje qytet verior te blija “Lahuten e malcise”. Bashke me nja dy kile duhan Sheldia.

    E vertete eshte se asokohe kishim shume halle, por te gjitha ishin te zgjidhme, sot kemi pak halle por per bese, asnje nuk zgjidhet. Mbaj mend gjithashtu se, kur treni futej ne ndonje tunel, te gjithe kruanin apo fshin hundet nga pluhuri. Asokohe ishte shume turp te fshije hundet ne publik, te quanin quarravec. Dhe ne ate moshe qe isha une, kjo ishte e palejueshme fare, perndryshe te “pushkatonin” nga shoqeria. Qurravecet, e kam vene re, asnje s’i do, as çupat. E habitshme. E megjithate, eshte nje qurravec ai qe me ka shpetuar jeten njehere, kur rashe padashje ne uje, ne nje liqen. Asnje nga keta bukuroshet nuk u hodh te me shpetoje, vetem qurraveci u hodh pa e menduar dy here. Po thosha se “tuneli” ishte nje çast i shumepritur nder udhetaret e asaj kohe. Ne pergjithesi, “tuneli” eshte nder vendet qe e bejne njeriun te harroje se ekziston, prandaj eshte aq i hareshem, sikur na shkarkon nga vetja, nuk jemi me perveçse nje ndergjegje qe degjon pipetima, nje lloj Zoti qorr qe vendos nje kaush letre ne vesh.

    Mbaj mend gjithashtu se nuk kam rene asnjehere ne dashuri ne nje tren : pas filmit “romance ne trenin orient-ekspres”, kisha kuptuar se dashuri te tilla ishin kot fare dhe pa te ardhme. Ne pergjithesi, nuk e humbas kohen me gjera te kota prandaj e permbaja veten. Por nga ana tjeter, nuk kam ndalur asnje vajze te binte ne dashuri me mua, qofte dhe per 6 ore deri ne Vlore. Ne fakt them keshtu sepse s’me ka rastisur asnjehere qe nje vajze te bjere ne dashuri me mua ne nje tren. Aq me teper ne nje tren vlonjat. Gjithsesi isha goxha mendjehapur dhe nuk ia privoja asnjeres kenaqesine qe te me admironte nja dy-tre ore. Por kjo ska ngjare asnjehere, aq me teper ne nje tren vlonjat. Teper e veshtire, kisha floke te dendur dhe era m’i shkalafiste keq, aq keq sa nuk ngjaja me asgje. Perfundimisht, kam kohe qe i kam lene trenat e Shqiperise, pelqej me teper ata te Parisit. Pa zhurme, me ndenjese te buta dhe ku s’pihet duhan. Njerezit flene, degjojne muzike ne vesh ose punojne ne kompjuter. Kontrollori na kontrollon sipas formes se kokes : koke banditi, “Biletat, ju lutem” ; koke e mire, “Bonjour”. Nuk di ç’te them me per trenat, pjesa me pelqeu, Loer, vertet qe me pelqeu dhe e lexova me kenaqesi.

  2. flo Says:

    A te vazhdoj me vrejtjet une?

  3. un Says:

    Sigurisht. Nje keshillke te vockel nga un : mos merrni asnjehere leje per te bere verejtje. Ne pergjithesi, sa here qe kerkon leje, te japin. Dhe pastaj te thone : po s’te ka pelqyer, mos e lexo, mos kliko, mos harro, mos dashuro e me radhe. Keshtu qe me mire te besh verejtje ne fillim, pa pyetur fare, dhe pastaj hallet zgjidhen rruges.

    Njehere, mora leje dhe une keshtu, ndaj nje shkrimtaruci te degjuar. Thashe me vete, po tregohem burre i sjellshem, po marr leje qe ta bej kritiken sa me te paqte. OK, pergjigja me erdhi : posi jo, je i lire. Edhe fillova une kritiken, ketu e ketu e ketu puna. Nje, dy, tre, me pika, si gangster letrash. Kur te me vjen pastaj ai shkrimtaruci : amon mer ti, une s’di pse m’lexo ti, pse mer ti, te katnaret njelem ne me mor mend apo si o puna ?

    Me nje fjale, u nisa per nje kritike alamet kritike edhe me nxoren fishek perjashte si katnar. Me nje fjale, s’ia vlen fare te marresh leje, bej punen tende ti edhe dil matane, katnar se katnar do te ngelesh.

    Kurse ne rastin e Kumes, me sa di une, deri tani eshte goxha i hapur ndaj kritikave, edhe kur ato jane ca si te ithta. Gje e mire kjo. Sepse ka dy mundesi :

    – ose kritika eshte e sakte, dhe atehere autori e lexon me vemendje
    – ose kritika eshte e pasakte, dhe atehere autori nuk ka pse nevrikoset se e ndjen veten ne rruge te mbare.

    Ne te dyja rastet, i fituar del.

  4. flo Says:

    Une vetem sa doja t’i nenvizoja Loerit vrejtjen time te perhershme: kujdes me zhargonin.
    Ka here, si aty kur autori monologon me veten, dhe ka goxha nerv aty, qe zhargoni eshte ne funksion.
    Por sipas meje, nuk mund te perdoret zhargoni edhe aty kur autori thjesht pershkruan, nje objekt, natyren etj si keto. Per mendimin tim pjeses i nevojitet perpunim.
    p.s.
    ashtu duket si i hapur ndaj vrejtjeve ky Loeri, por nuk eshte dhe aq ne fakt 😀
    p.s.1
    (komentuesja me dhembe tigri) 😀 edhe epitetet i ve ne lidhje me profesionin ky 😛
    ika tani perpara se te inatoset

  5. doriani Says:

    persh.Loer.Me pelqeu mbi te gjitha ne kete pjese tendenca serioze qe ke per te pershkruar dhe legjitimuar nje mini katharsis shpirterore.Kete tendence e kam vene re ne prozen e gjate e te shkurter ne keto 10 vjetet e fundit(sidomos ne ate europiane) dhe me vjen mire qe e gjej edhe tek ty,edhe pse jo ne format e saj me te arrira:))Per te qene i sinq

  6. doriani Says:

    ..per te qene i sinqerte,motivacionet e tua m’u duken jo shume bindese,ose mua te pakten nuk me binden per te mos shtuar qe edhe tonet jane thuajse deklamative.Une vete,pa i shpetuar semundjes se krijuesit,e “shtremberova” paksa subjektin tend,ose me sakte i dhashe nje ngjyrese tjeter detajeve ne tunel ,..e thene ndryshe,do kisha pelqyer qe ne tunel te vihej ne dyshim e qeshura e femijes,te gjithe te kishin frike se pas daljes ne drite nuk do ta shihnin te qeshte e te luante dhe kur me ne fund nuk pane ndryshim ne sjelljen e saj,atehere u qetesuan..dhe sejcili mbase ka menduar se e qeshura e nje femije eshte nje motiv i vlefshem per ta dasshur me shume jeten.E solla si shembull,per te thene se do parapelqeja nje motivim te ketij lloji qe do shpjegonte me qarte sipas meje shkalezimin pozitiv te gjendjes shpirterore te personazhit.

    per gjuhen ka shume per te folur,sipas meje fjalori eshte paksa i varfer dhe pershkrimet mbase ne linje me menyren sesi rrjedh narracioni,por qe sipas meje mund te ishin ndryshe,pa pretenduar te rrezatosh erudicion,por njekohesisht pa u bere njesh me zhargonin.Po e le me kaq..se po te vazhdoj nuk dihet se kur mbaroj:)))persh. e pune te mbare

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: