Duar

by

Nga Arti Lushi

Këto fruta janë me të vërtetë të mrekullueshme- i thashë teksa i vura dorën mbi te sajën.

Brenda atij çasti e ndjeva të tërën. Në mish dhe në shpirt. Digjej njësoj.

Dhe krejt mospërfilles, shtova: ‘A thua janë mbjellë në tokat e të parëve të tu’

Po- tha prerë- i kam vjelë me duart e mia.

Kruajti ballin, u mat të thoshte dicka por thjesht shtrëngoi vëthin në veshin e padukshëm për sytë e mi, dhe doli nga oda.

Pashë gjeometrinë e ngjyrave të një qilimi jo-persian, numerova orenditë, ujditë e tyre të fshehta, mora frymë thellë, disa herë, madje belbëzova edhe një verset kur’anor. Asgjë nuk ma fashiti parandjenjën.

Ajo hyri nga po ajo derë që doli. Po aq grua. Në njërën dorë mbante një kovë me ujë të vakët, në dorën tjetër, sapunmbajtësen me disa petale a gjethe me aromë ëndrrash dhe një peshqir të butë, taksur për foshnjën që s’pati kurrë. Këmbët m’i lau me ngadalësinë më të ngrohtë, pa m’i shqitur sytë fare. Largoi menjanë kovën, qiti nga gjiri një esencë vajore dhe me të më fërkoi shputat e këmbëve dhe thembrat. Lejova që parzmi i saj të ngjeshej tek unë, ndërsa duart i rrëmuan diku, në një qoshk të errët prapa meje, prej ku tërhoqi një palë çorape nga të bashkëshortit. Të leshta dhe me rombe. M’i veshi. U largua.

Kur u kthye, vura re që kishte ndryshuar, pa mundur ta rrok çfarë, pothuajse sic do të ndodhë kur të shohim një të njohurin tonë në jetën e përtejme.

I shtoi dru zjarrit. Pastaj, ajo çka ndodhi, edhe pse jo spontane, qe e pritshme. Më puthi, ëmbël dhe me përdhunë njëherësh. Ngjethja e fundit e trupit të saj përkoi me shembjen e një ure zjarri. Një cifel thëngjilli po digjte natën. Dhe bash aty, përbri oxhakut, më kaploi gjumi.

Në mëngjes, di vetëm që nga ai krah që rashë, nga ai u çova. Endrrave, që kam fatin t’u mos u kushtoj rëndësi, për dreq nisën të më kujtoheshin fill e për pe, veçse radhën e ngatërrova.

Në një kafene që shkoj shpesh, në cilësinë e maxhordomit, derën ma hap Borges, dhe gjithë qortim e përzemërsi, më thotë, ‘Kjo nuk është ëndërr’. E di- i përgjigjem- dhe ulem. Pa ndezur ende cigaren, dy xhuxha hyjnë duke qeshur në kafene. I afrohen tryezës ku është ulur një bionde e bukur. Njëri prej tyre, më i shkurtri, e kap prej flokësh dhe e shtrin përdhe’. Tjetri e përçudnon me një send metalik të padëshifrueshëm. Askush nuk i vjen në ndihmë biondes. As unë.

Diku, ngjashëm me një rrugicë të lagjes sime të vjetër, disa çerra e gjuajnë me çok nga prapa një sfinks dhe ky i fundit duhet të gjejë kush e goditi. Bzzzzzz…Bzzzz…..Bzzzzzzzzzzz. I ndjellur nga skutheria e kësaj loje, i bashkohem edhe unë grupit të çapaçulave. Sa behem gati të godas sfinksin, ai kthehet dhe më shpraz ndër këmbë mijëra çelësa të artë. Në ëndrrën e fundit qendroj lakuriq, në një gjendje palëvizshmërie, ndanë një lumi, rrjedha e të cilit thjesht me kall datën.

U zgjova me kundërmimin e këndshëm të frutave që po më çanin flegrat e hundës. As kafe, as caj, as qumësht nuk pashë mbi tryezë. As edhe nje ‘si u gdhive?’ nuk mora prej saj. Ndenjëm të ulur aty, për më shumë se dy orë, pa shkëmbyer asnjë fjalë.

U vesha dhe dola. Më shoqëroi deri diku.

A do te kthehesh ndonjëherë?- më pyeti.

Po, – i thashë.

A do të kthehesh ndonjëherë?- më pyeti sërish.

I thashë që gjithmonë kështu përgjigjem.

Tags: , , ,

One Response to “Duar”

  1. un Says:

    Arti Lushi,
    Qe ke shkruar diçka te kendueshme ketu, kete e mora vesh, e nuhata. Problemi eshte se nuk e kapa tejpertej. M’u duk goxha e ngjeshur, me plot te pathena. Mbase eshte qellimisht keshtu. Po sikur te ma kishe dhene nje fill diku, pastaj do ta kisha shpeshtjelle pak. Ndonjeri qe e ka zhbiriluar deri ne fund, a mund te na thote dy fjale, perse behet fjale pikerisht ?

    Pjese te tilla, mendoj une, jane ngushtesisht te lidhura me jeten e autorit. Perfundimisht, Marcel Proust ia fuste malit e shpatit dhe Sainte-Beuve e ka “rrahur” paq.

    Falemnderit.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: