Mëndimtari

by
 
nga Boris Vian
rktheu në shqip  Urim Nerguti

 

I

Ditën e njëmbëdhjetë pranverave, djali i vogël Urodonal Carrier pa befas ekzistencën e Zotit: në fakt, Hyjnia i zbuloi papritur gjendjen e tij prej mendimtari dhe po të kemi parasysh se deri në atë pikë, ai ishte shquar si idiot në gjithçka, e kemi të vështirë të besojmë se Perëndia nuk kishte gisht në këtë shndërrim kaq të papritur.

Banorët e La-Houspignole-sur-Côtés do të më kundërshtojnë padyshim, me atë keqbesimin që e kanë veti të tyren, duke më folur për atë rënien me kokë të vogëlushit Urodonal, një natë më parë, dhe për nëntë nallanet e dhëna falas, në mëngjesin e ditëlindjes, nga xhaxhai i vet i mirë, i kapur në befasi duke vështruar nga mjaft afër nëse shërbëtorja i kishte ndërruar çarçafët për çdo tre javë siç ia kërkonte i ati. Por kjo qytezë është plot me ateistë, të qetësuar në mëkatin e tyre nga ligjërimet fajtore të një mësuesi të shkollës së vjetër, dhe prifti dehet tapë për çdo të shtunë, gjë kjo që i jep më pak peshë fjalës së tij të shenjtë. Megjithatë, nëse nuk jemi mësuar me këtë, nuk bëhemi dot mendimtar pa qenë të tunduar për t’ia mveshur përgjegjësinë një Forcë Eprore, dhe më e mira në këtë rast ishte që të falenderohej Zoti.

Kjo ndodhi fare thjesht. Zotëri Prifti, esëll krejt rastësisht, gjatë tërheqjes që paraprin komunionin, e pyeti Urodonalin:

– Nga ka ardhur rënia e Adamit dhe e Evës?

Askush nuk diti të përgjigjet sepse, në fshat, dashuria nuk është më një mëkat. Por Urodonali ngriti gishtin:

– E di ti? e pyeti prifti.

– Po, zotni prifti, tha Urodonali. Ishte një gabim i Gjenezës.

Prifti ndjeu duke kaluar flatrën e Shpirtit të Shenjtë dhe mbylli jakën, nga frika mos merrte ndonjë ftohmë. I dha leje djalit të largohet dhe u ul të meditojë. Tre muaj më vonë, duke medituar ende, e braktisi fshatin dhe u bë endacak.

 

II

Fama e Urodonalit si mendimtar u vendos që nga ajo ditë, me një forcë të shënuar në tërë La-Houspignolen. Ia përgjonin dhe fjalën më të vogël: duhet thënë se Shpirti nuk po shfaqej fare. Megjithatë, një ditë në orën e fizikës, mësuesi e pyeti në lidhje me rrymën elektrike:

– Çfarë nënkupton pra shmangia e gjilpërës së galvanometrit?

– Se ka rrymë… u përgjigj Urodonali.

Por kjo s’ishte gjë. Sepse ai vazhdoi:

– Ose ka rrymë, ose galvanometri ka dalë mendsh… me siguri që ka një mi brenda.

E kështu, Urodonalit të vogël asokohe katërmbëdhjetë vjeç ia paguan një bursë, dhe i mbaroi studimet pa menduar asgjë të re; por të gjithë e dinin për çfarë ishte i aftë.

Nga fundi i studimeve, ripushtoi një lavdi të shkëlqyer në orën e filozofisë.

– Do t’ju lexoj një mendim të Epiktetit, kishte thënë profesori.

Dhe lexoi:

«Nëse do të përparosh në studimin e urtësisë, mos refuzo fare që, mbi gjërat e jashtme, të kalosh për një idiot dhe një i trashë.»

– Dhe anasjelltas… tha butësisht Urodonali.

Profesori u përkul para tij.

– Fëmija im i dashur, tha ai, nuk kam më asgjë ç’tju mësoj.

Meqë Urodonali u ngrit dhe doli duke e lënë derën gjysmë të hapur, profesori e thirri miqësisht:

– Urodonal… kujtohuni… dera duhet të jetë ose e hapur ose e mbyllur…

– Duhet, tha Urodonali, të jetë ose e hapur ose e mbyllur, ose të tregohet se është e ngutshme që të ndreqet brava.

Pastaj Urodonali u largua dhe mori trenin për Paris, domethënë të pushtojë kryeqytetin.

 

III

Në Paris, Urodonali mendoi në fillim se era e metrosë Montmartre i kujtonte erën e haleve të fshatit, por e ruajti për vete këtë vërejtje, duke e gjykuar pa ndonjë interes për Parizianët. Pastaj u mundua të gjejë një punë.

U mendua gjatë para se ta ndajë mendjen për veprimtarinë së cilës dëshironte t’i përkushtohej. Meqë në La-Houspignole kishte bërë pjesë në fanfarën komunale si trompetist i dytë, deshi t’i futet muzikës.

Megjithatë, duhej një justifikim: me gjeninë e tij të zakonshme, e gjeti shumë shpejt. – Muzika, tha me vete ai, i zbut doket. – Mirëpo, doket e ashpra janë të domosdoshme për çdo njeri të mirë; dhe pra, do të ishte diçka e keqe që të jesh muzikant. Megjithatë, banorët e kësaj Babilonie nuk kanë asnjë moral: për rrjedhojë, muzika nuk paraqet asnjë rrezik për ta.

Shihet qartë se studimet e kishin mprehur aq shumë shpirtin kritik të Urodonalit saqë kjo mund të gjykohej si turbulluese. Por këtu nuk bëhej fjalë për një njeri normal, dhe organizmi i tij ishte mjaft i fuqishëm për të duruar një tru të jashtëzakonshëm.

Muzika i linte mjaft kohë të lirë Urodonalit, dhe kështu vendosi ta kërkojë udhën e vet në letërsi.

Disa orvatje të pafrytshme, larg së thari gjeninë e tij, ia frymëzuan këtë epigramë:

– Suksesi i një autori, iu tha miqve të vet, varet nga aftësia e tij pak a shumë e madhe që ta vërë veten, në letër, në lëkurën e një idioti.

Në jetën e tij dashurore, Urodonali ishte po aq i mrekullueshëm.

– Të thuash: ti nuk më do më, i tha ai Marinujës, mikeshës së vet xheloze, është njëlloj si të thuash: nuk besoj më se më do; këtë, si mund ta dish ti?

Dhe këtu, Marinuja ngeli gojëhapur.

Megjithatë, një tip kaq madhështor si Urodonali nuk mund të kënaqej me ekzistencën e rëndomtë ndërmjet Marinujës dhe trompetës.

– Të jetosh rrezikshëm… përsëriste nganjëherë, dhe ca dritëza të egra ia përshkonin vështrimin e panënshtrueshëm.

Dhe pastaj një ditë, Marinuja e gjeti të vdekur në shtrat. Që prej ca kohësh, ai kishte lidhur ca marrëdhënie fajtore me një djalë të ri keqbërës me sjellje zhvatëse, i arratisur nga një birucë ku po kryente tre muaj burg për vrasjen e dymbëdhjetë vetëve.

Megjithatë, Urodonali nuk kishte asgjë prej një djali të keq; por shpjegimin e fundit të tij të trishtë e gjetën në një përmbledhje mendimesh të pabotuara, e cila përmbante vetëm një, në faqen e parë.

– E çfarë ka më të rrezikshme sesa të vrasësh veten? kishte shkruar Urodonali.

Dhe përnjëmend, shumë e vërtetë.

 

Tags: , , , , ,

4 Responses to “Mëndimtari”

  1. a.b.road Says:

    Shume e bukur.
    Ne te shikoj tre gjerat qe gjithnje kan influencuar jeten time, qekur nisa te mendoj mbi ate qe jam ne realitet, e besoj jeten e secilit prej nesh.
    Zoti, dija, dhe vdekja.
    Duket dhe sikur personazhi ska jetuar fare. Sikur ka pasur nje jete te cuar dem ose te jetuar me nje fryme.

  2. un Says:

    OK.

    Meqe e kam ndare mendjen te mos shkarravis me neper mure halesh, po i them dy fjale ketu qe e mbaj per vend goxha te paster.

    Tregimi eshte nje nga tregimthet e veckla, siç thone korçaret, te Boris Vianit te cilin, populli i ndritur dhe i lavdishem shqiptar nuk ia njeh as emrin as mbiemrin. As racen, as fene. As si ka jetuar dhe as si ka vdekur. Populli i ndritur shqiptar bie mbi nje tregim te tij dhe pasi i kalon syte neper te, ia fut nje sentence gjykatore te llojit… te llojit.

    Boris Vian eshte nje nder shkrimtaret me te çuditshem franceze, nje personazh nga me terheqesit. Shkrimtar, poet, autor kengesh, xhazist, trompetist, dramaturg, aktor e ç’te duash ti. Ne CV-ne e tij mund te futesh dhe faktin qe kishte nje vrime ne zemer.

    Siç mund ta keni pare ne tregim, fryma vianiane eshte nje fryme komike, shpotitese, dhe tejet lozonjare. Kjo vrima ne zemer nuk u permend kot sepse eshte kjo vrime qe ia ka marre shpirtin ne moshen 39 vjeçare. Ne fakt, Boris Vian ka qene dikush i denuar me vdekje. Mjeket i kishin thene se nuk do te jetoje gjate, dhe madje kete e dinte qe ne rini. Me nje fjale, jeta e tij ishte : nje dite me teper, eshte tashme fitore. Per kete arsye, Viani e pati rregulluar jeten e tij ne ate forme qe te mos flinte fare : jete me 300 km/h. Ska pushim per te : jete nate, jete shkrimesh, lodhje fizike e tmerrshme. Duke e ditur se do te vdiste shpejt dhe se nuk do te behej plak asnjehere, Viani donte te provokonte ne çdo çast, gjithçka : zakone e doke e mendesi, gjithçka ishte objekt talljeje. Me me deshire, tallej me kleriket. Harrova t’ju them, Boris Vian ka vdekur 39 vjeç ne vitin 1959, ne skene. Ka qene duke pare premieren e nje filmi mbi bazen e nje libri te tij, film te cilin nuk e kishte miratuar si ftillim, dhe kur eshte ngritur ne kembe mes karrikeve, zemra e ka leshuarne vend. Jacques Prevert ka qene me te deri para pak minutash. Ishin shoke te ngushte, Jacques i thote se po kthehet ne shtepi. Kur futet brenda, hap radion, dhe degjon se Boris Vian ka vdekur. Shume bukur.

    Te vijme tek fjalite e Vianit. Nese ndonje nuk e ka marre vesh, Viani ka perdorur ketu nje ironi te dukshme, tejet te dukshme, kastile per te shkaktuar te qeshura dhe jo te nenqeshura. Kur thote se ky mendimtari ishte shoqeruar (ne menyre dashurore, kuptohet) me nje individ me prirje zhvatese dhe i arratisur nga nje biruce ku vuante nje denim prej 4 muajsh per vrasjen e 12 veteve, ketu merret vesh lehte se hiperbola ka vajtur ne qiell. Kur vret 12 vete, nuk ben kater muaj burg por nja 40 vjet. Plus asaj, disa fjali jane tejet absurde, thjesht per te krijuar turbullim tek lexuesi. Kur ky djali i thote profesorit te filozofise “… dhe anasjelltas”, ketu s’merret vesh per çfare e ka : e anasjellta e “idiot dhe i trashe” (dmth i trashe dhe idiot), apo e anasjellta e “po te duash te ecesh ne urtesi, sillu si idiot dhe i trashe” (dmth, sillu si idiot dhe i trashe nese deshiron te ecesh ne urtesi).

    Gjithashtu, ne piken kur i thote dashnores se “ti, nga mund ta dish kete”, ketu ia mbeshtjell kot me kot sepse vete dashnorja rri me gojehapur ngaqe s’merr vesh gje, njelloj si lexuesi.

    Problemi i perkthimit te gjerave te tilla eshte nje problem qe ka te beje me kulturen e lexuesit dhe jo me aftesine e perkthyesit. Sepse, nese jemi mesuar te lexojme gjithmone broçkulla, e sigurte qe sapo te biem ne nje kopil te tipit Boris Vian, do te na vije mendja verdalle. Kjo eshte arsyeja qe tipa te tille si Boris Vian nuk jane te pershtatshem per lexues SHQIPTARE te llojit “populli ne feste”. Per kete popull, duhen romane te shekullit te 19-te, me fjali te tipit : “edhe pastaj shkoi dhe e gjeti tek dera, ia keputi nje te puthur dhe iku me vrap, vajza e ndoqi me sy dhe syte iu mbushen me lot, dhe pastaj tha me vete : oh, dashuria, çfare ndjenje e mrekullueshme !”. Ja keshtu, eshte mire qe populli i ndritur shqiptar te ndalet ne shekullin e 19-te dhe te mos kaloje as ne te 20-in as ne te 21-tin sepse, qe besa e burrave, kendej ka vetem kopila qe ta hedhin hap e mbyll syte.

    Per te shkuar pak me tutje, LEXIMI SHQIPTAR, MENYRA E LEXIMIT SHQIPTAR, INTONACIONI APO FRYMEMARRJA E LEXUESIT SHQIPTAR kane mbetur ne piken zero para Jezu Krishtit. Me kesi lexuesish, une jam gati te ve bast se do te thyejne hundet shkrimtaret me te mire ne bote. Te gjithe do te kalojne ne sapun dhe do te cilesohen si shkrimtare kauçuku nga lexuesi yne i pershkendritur. Hidhni syte ngado perreth jush, ne shoqeri, ne autobus, ne pune, ne parlament e ne TV : gjithandej e njejta menyre llomotitjeje, me te njejtat presje qe vihen HISTORIKISHT ne nje vend, me te njejten FRYRJE qe historikisht arrin ne nje pike te caktuar, dhe me te njejten mungese refleksioni mbi ate çfare u lexua. Lexuesi shqiptar eshte mbase lexuesi me i qelbur ne bote.

    Ai nuk lexon asnjehere çfare eshte shkruar ne leter, por çfare do te kishte dashur te shkruaje ai !! Ne procesin e leximit te nje lexuesi shqiptar rrezellites ka nje proces te menjehershem, te çastesishem HAJDUTERIE. Lexuesi lexon ne tekst si t’i doje menderja, njelloj sikur ta kishte shkruar vete. Nese autori apo perkthyesi ka vene fjalen “mal”, lexuesi shqiptar e zevendeson menjehere me fjalen “koder” sepse mali i duket shume i lodhshem per t’u ngjitur. Sakatimi i tekstit eshte monumental ne trurin e lexuesit. Rralle kam ndeshur ne nje lexues qe lexon vertet ç’eshte shkruar ne tekst. Dhe shume mire qe ekzistojne sepse perndryshe s’ia vlen fare. Por ne pergjithesi, nder shqiptare, ne kemi rreth 4 milione shkrimtare, perkthyes qe s’ia leshojne vendin askujt. Le te vije ketu me i bukuri i botes, me gangsteri nder shkrimtaret e medhenj boterore, po nuk doli i bere bajat nga ndonje studio apo forum shqiptar, atehere s’ditkam gje. Sepse nuk ben fajde asgje me kete lexues : po tha shkrimtari “Vajta ne shtepi”, ngrihet tjetri dhe ia mbeshtjell pa piken e turpit dhe i thote se s’di te shkruash sepse me mire eshte “shkova ne folene time te ngrohte”. Shkurt, eshte me te vertete nje torture te shkruash per lexues shqiptare. Duhet te jesh mazohist i madh qe te punosh per ta. Ska rruge tjeter.

    Nejse, i thashe keto fjale sepse i thashe. Tungatjeta, gezuar vitin e ri.

    ps : a.b.road, mendoj se Vian e ka pasur kete tregimth per ndonje personazh real te atyre viteve. Me sa e kam ndjekur une Vianin, ishte nga ata tipa qe te bente t’ia lije shpirtin ne dore sepse pickonte fort. Por per shoket e vet, ishte tejet i shoqerueshem, tejet i mire dhe bujar. Dhe tmerresisht i talentuar. Romani i tij me i permendur mbahet “Shkuma e diteve”. Le ta perktheje ndonjeri se ia vlen. Pershendetje gjithashtu.

  3. Xixellonja Says:

    Ka nje poezi te tij Nuk dua te vdes a dicka e ngjashme me duket, eshte e bukur, kam pershtypjen se kish krijuar aq siguri (apo mendjemadhesi?) sa te sfidonte vdekjen, sikur e donte dhe nuk e donte ne te njejten kohe. E kam Shkuma e diteve (jo ne shqip kuptohet), do ta lexoj kur te me bjere inati nga deklaratat qe thoshte per L.Armstrong. Ka shume lojera fjalesh, neologjizma duhet te paguajne dyfish per te perkthyer dicka te tille ne shqip, dyshoj se do ta bejne.

  4. un Says:

    Ajo vjersha mbyllet keshtu (dhe titullohet : nuk do te doja te ngordh, ose katunarçe : s’du me cofë qashtu)

    Nuk do të doja të ngordh
    Jo zotëri jo zonjë
    Para se të kem prekur
    Shijen që më mundon
    Shijen më të fortë
    Nuk do të doja të ngordh
    Para se të kem shijuar
    Aromën e vdekjes…
    ___________

    Problemi, xixellonja, eshte se semundja qe kishte, nga te gjitha statistikat, dilte se nuk e kalonte njefare moshe, dhe ky e dinte kete pune. Ia kishin thene qe shoket e vet vdisnin te rinj me kete semundje. Dhe ky e dinte se nga dite ne dite, plluf ! keputet peri. Prandaj dhe ç’nuki ka bere sa qe gjalle : muzike, romane, poezi, teater, aktor, trompetist, klub nate, shkurt : nuk flinte pothuaj fare. Njihet tere jeten e nates pariziane. Me nje fjale, vetedjegie.

    Lojerat e fjaleve i ka qejf, madje ne pjesen me lart, ajo Marinuja shkruhet Marinouille. Dhe kete “nouille”, mbase e di ti, iu thone atyre makaronave te holla kineze, ose figurativisht, nje cope mishi me dy sy.

    Urodonal eshte emer ilaçi, ec e merre vesh ç’lidhje ka. Carrier, mbase per karriere. Houspignole (uspinjol), jam i sigurte se eshte nje fjale per te qeshur, duhet ta kem degjuar nga ndonje fshatar francez por s’me kujtohet ne ç’kontekst.

    Bon, OK, ata s’po japin minimumin e minimumit e jo me te japin dyfishin. Aty e lene te ngordhe Vianin, sot e 700 vjet, me mire botojne “Zemer e perveluar” ose “Shoping ne Karavasta” ose dhe “Dy dashnore per nje zemer”. Gzuur.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: