Ditë të humbura

by

Nga Dino Buxati

Disa ditë pasi u bë pronari i disa vilave luksoze, Ernest Kacira, ndërsa kthehej në shtëpi, vuri re një burrë me një arkë mbi shpinë, i cili doli nga dera e murit rrethues dhe ngarkoi arkën në një kamion. Nuk pati kohë ta kapte para se të nisej. Atëherë e ndoqi me makinë. Kamioni eci për një farë kohe të gjatë deri në fund të rrethinave të qytetit dhe qëndroi  buzë një lugine. Kaciera zbriti nga vetura dhe u afrua për të parë se c’bëhej. I panjohuri shkarkoi arkën dhe pasoi bëri disa hapa e hodhi në shtratin e një përroi të mbushur plot e përplot me mijra e mijra arka të tilla.

Iu përqas burrit dhe i tha: ” Të pashë që nxorre një arkë nga kopshti im. Cfarë ka brenda saj? Pastaj c’janë gjithë këto arka?

Tjetri e shikoi buzagaz dhe i tha: ” Në kamion kam plot të tjera që duhen hedhur. Ju nuk e dini se c’janë këto? Janë ditët.”

– Ditët?

– Po, ditët tuaja.

– Ditët e mija?

– Ditët tuaja të humbura. Nuk i pritnit ato, apo jo ? Ja ku erdhën. Shikojini ku janë, të paprekura, të plota. Tani…”

Kacira i shikoi. Kishte një sasi të madhe. Zbriti poshtë dhe hapi njërën.

Brenda ishte një rrugë vjeshtore dhe në fund ishte Graciela që po largohej përgjithmonë. Atij as që i kujtohej ajo.

Hapi një tjetër. Aty ishte një dhomë spitali. Në shtrat dergjej Xhozuesja, vëllai i tij i së sëmurë, i cili e priste. Po ai atë kohë ishte duke udhëtuar për cështje pune.

Hapi një të tretë. Pas shufrave të hekurta, atje te shtëpia e vjetër shkatarraqe, rrinte Duku, qeni besnik, i cili e priste që prej dy vjetësh. Kafsha ishte tretur e bërë rrasht e lëkurë. Kurse ai as që e mendonte të shkonte te ai.

Iu duk se dicka , si një punë ngërci, po ia shtrëngonte grykën e stomakut. Transportuesi rrinte në këmbë buzë luginës i heshtur, i shtangur si xhelat.

” Zotëri ” thirri Kaciera ” më dëgjoni. Më jep leje të marr të paktën këto tri ditë? Unë kam të holla, iu paguaj sa të doni…”

Bartësi bëri një lëvizje me dorën e djathtë për të treguar dicka që nuk mbërrihej dot dhe për të thënë se tani s’mund të bënte gjë, ishte shumë vonë. Pastaj u zhduk në ajër dhe në të njëjtën kohë u zhduk dhe grumbulli i stërmadh i arkave misterioze. Pas pak zbriti errësira e natës.

Tags:

31 Responses to “Ditë të humbura”

  1. ehe... Says:

    Kush eshte perkthyesi, te lutem ?
    ____

    Kam nje tjeter version te kesaj pjese, por e kam nga frengjishtja. Dmth perkthim perkthimi. Nuk jane larg njeri-tjetrit, thjesht gjera ndjeshmerie vetjake. Dikush nje fjale e dikush nje tjeter.

    Dorina, Borges thoshte : jam i lumtur qe nuk di persisht sepse keshtu kam pasur mundesine te lexoj nja 7-8 versione te perkthyera, ne anglisht, frengjisht, spanjisht e gjermanisht, dhe se gjithmone eshte kenaqur. Kjo, sa per te thene se nje liber eshte vertet nje diçka e papercaktuar, pa forme e pa destinacion. Nje shishe ne det, qe e gjen dikush dhe ia tregon nje shoku, dhe ky pastaj nje tjetri e keshtu me radhe. Te gjitha keto jane perkthime, interpretime. Kuptohet qe perkthimi i origjinalit eshte themelori. Por ne raste te veçanta, nuk ka asgje te keqe qe te kalohet nga nje gjuhe tjeter. Nejse, debat i koklavitur. Po te kesh deshire, mund ta postoj ketu ate perkthimin “alternativ”.
    ______

    Ne lidhje me kohen e humbur : kanceri eshte nje semundje e tmerrshme per faktin se te denon me vdekje. Te dish qe te eshte mbyllur dera e perjetesise, kjo eshte diçka skandaloze. Kete skandal e ben vetem natyra, mbase dhe Zoti, nese zbavitet nga kjo. Por ama, eshte fakt se gjithkush e mendon veten te perjetshem, te pakten sa kohe qe nuk eshte semure, qofte dhe me nje grip kalimtar. Vajtimi i kohes se humbur ka kuptim vetem ne rastin e nje kancerozi, te nje te denuari me vdekje apo dhe te njeriu te humbur ne shkretetire. Ndryshe, s’mund te kapet. Pershendetje.

  2. Arbi Says:

    Pershendetje,

    ne rradhe te pare doja t’ju pershendesja, duke qene se eshte komenti im i pare ne kete blog, edhe pse ate e ndjek prej kohesh. Ju pergezoj per punen qe beni dhe kohen e kushtuar.

    Persa i perket tregimit te Buxati, mendoj se ka shume per te permiresuar persa i perket perkthimit.

    Po jap ca shembuj:

    Origjinali:
    “Qualche giorno dopo aver preso possesso della sontuosa villa, Ernst Kazirra, rincasando,…”

    Perkthimi:
    “Disa ditë pasi u bë pronari i disa vilave luksoze,…”
    Shume lehte mund te vihet re qe kemi te bejme me nje vile dhe jo disa…

    Pastaj kur burri i panjohur i pergjigjet per arkat Kacires i drejtohet atij me TI dhe jo me JU, ne te njejten menyre qe i ishte drejtuar Kacira

    “Ne ho ancora sul camion, da buttare. Non sai? Sono i giorni.”

    Ndersa ne perkthim kemi perdorimin e te folures me JU:

    “Ju nuk e dini se c’janë këto? Janë ditët.”

    Kjo eshte shume e renesishme sepse Kacira kur hap dhe sheh se c’kane arkat po te njejtit njeri, tashme i drejtohet me JU. Ky kalim ne menyren e te folurit eshte shume i rendesishem. Po te shikojme origjinalin kemi:

    “Signore! – gridò Kazirra. – Mi ascolti. Lasci che mi porti via almeno questi tre giorni. La supplico. Almeno questi tre. Io sono ricco. Le darò tutto quello che vuole.”

    Po te shikojme perkthimin ky kalim ne nje menyre te foluri ne nje tjeter, nuk respektohet. Aty ne te njejtin dialog kalohet nga e folura me JU “me degjoni” tek veta e dyte njejes “me jep leje” pastaj prape te tek veta e dyte shumes “ju paguaj”

    ” Zotëri ” thirri Kaciera ” më dëgjoni. Më jep leje të marr të paktën këto tri ditë? Unë kam të holla, iu paguaj sa të doni…”

    Pak me siper ne perkthim kemi kete fjali:

    “Transportuesi rrinte në këmbë buzë luginës i heshtur, i shtangur si xhelat”

    Ndersa ne origjinal kemi:
    “Lo scaricatore stava diritto sul ciglio del vallone, immobile come un giustiziere.”
    Mendoj se fjala “i shtangur” nuk eshte e pershtatshme per kete rast dhe nuk i pergjigjej qendrimit te trasportuesit.

    Mendoj qe perkthimi ka nevoje te rishikohet me kujdes, sepse ka per mndimin tim edhe gabime te tjera (une permenda disa prej tyre).

  3. ehe... Says:

    Meqe Arbi ka miresine te diskutoje mbi perkthimet, duhet thene se me pelqen kjo, eshte vertet nje shkolle me vete, atehere po e sjell dhe une perkthimin tim, siç thashe nga frengjishtja. Teoria ime eshte kjo : nese une i jam permbajtur deri me nje perkthimit frengjisht, atehere Arbi mund te pikase ketu jo gabimet e mia por ç’pune ka bere perkthyesi freng me origjinalin. Ushtrim interesant, apo jo ? OK, ja pjesa, ashtu siç ka qene perkthyer qe prej 3 vjetesh tashme :

    __________

    DITET E HUMBURA

    Ca ditë pasi kishte marrë çelësat e vilës së tij madhështore, Ernst Kazirra, duke u kthyer në shtëpi, pa nga larg një njeri që po dilte, me një arkë në shpinë, nga një derë e dytë e murit rrethues, dhe që e ngarkoi arkën në një kamion.
    Nuk pati kohë ta kapte. Kështu që e ndoqi me makinë. Dhe kamioni eci gjatë, deri në të dalë të qytetit ku u ndal poshtë një lugine të vogël.
    Kazirra zbriti nga makina dhe shkoi të shohë. I panjohuri shkarkoi arkën, dhe pasi bëri ca hapa, e hodhi poshtë në rrëpirë, e cila ishte plot me mijëra e mijëra arka të tjera të njëjta.
    Iu afrua njeriut dhe e pyeti : « Të pashë duke e nxjerrë këtë arkë nga parku im. Ç’ka brenda ? Dhe ç’janë gjithë këto arka ?
    Tjetri e vështroi dhe buzëqeshi. « Kam dhe shumë të tjera në kamion, për t’i hedhur. Nuk e di ti ? Janë ditët e tua. »
    « Çfarë ditësh ? »
    « Ditët e tua. »
    « Ditët e mia ? »
    « Ditët e tua të humbura. Ato që ke humbur. Ti i prisje, apo jo ? Kanë ardhur. Ç’ke bërë me to ? Shikoji, të paprekura, ende të plota. Dhe tani… »
    Kazirra i pa. Ato formonin një grumbull të madh. Zbriti poshtë dhe hapi njërën.
    Brenda, kishte një rrugë vjeshte, dhe në fund të rrugës Graziella, e fejuara e tij, që ikte përgjithmonë. Dhe ai as që e thirrte.
    Hapi një tjetër. Ishte një dhomë spitali, dhe mbi shtrat vëllai i tij Josue, i sëmurë, që e priste. Por ai ishte në udhëtim biznesi.
    Hapi një të tretë. Pas hekurave të rrethimit të shtëpisë së vjetër dhe të mjerë qëndronte Duk, qeni i tij besnik që e priste prej dy vjetësh, kockë e lëkurë. Dhe ai nuk mendonte të rikthehej.
    Në stomak, diçka e kapte pick dhe e shtrëngonte. Njeriu ishte në këmbë në buzë të luginës, i palëvizshëm si një gjykatës.
    « Zotëri ! » thirri Kazirra. « Më dëgjoni pak. Më lini t’i marr të paktën këto tre ditë. Ju lutem, ju përgjërohem. Të paktën këto të trija. Jam i pasur. Do t’ju jap ç’të dëshironi. »
    Njeriu bëri një gjest me dorën e djathtë, siç për të treguar një pikë të paarritshme, siç për të thënë që ishte tepër vonë dhe që kishte marrë fund. Pastaj u avullua në ajër, dhe në të njëjtin çast u zhduk dhe grumbulli i stërmadh i arkave të mistershme. Dhe hija e natës zbriste.
    ___________

    ps : Kam ruajtur emrat dhe mbiemrat si ne origjinal ngaqe nuk e di mire shqiptimin e tyre ne italisht apo dhe shqiperimin e tyre.

    ps : Arbi, te lutem, çfare sheh ne kete perkthim ?

  4. loer kume Says:

    nje kuriozitet i vockel, dhe nje ceshtje;

    dite te humbura po e ben film me metrazh te shkurter nje miku im regjizor.

    mbiemrat, emrat, emrate vendeve, shkurt, emrat e pervecem, mendoj s eduhen dhene gjithmone ne origjinal. edhe nese egziston nje rregull i caktuar qe duhen shqiperuar, tani ai rregull duhet ndryshuar.
    sepse mund te te qelloje te lexosh empajer stejt billding, ose fejsbuk, ose majlls dejvis, ose xhonatan dejvis, ose mishel uellbek, ose salman rrushi, dhe nuk ka bir nene ti gjeje keta emra ne wiki per nje info me te gjere.

  5. alfred.b Says:

    Me gjithe rrepektin per perkthyesit, si Dorina ashtu dhe ehe qe e ka futur ne koment, mendoj se ky tregim duhej bere me nje seriozitet me te madh. Duket se e keni perkthyer sa per te thene qe ja ku e keni dicka te Bixatit ne shqip. MOs harroni se shumica e kane lexuar ne origjinal
    Ehe, paragrafi i pare eshte komplet gabim, Dorina e ka perkthyer me mire, dhe pse ka bere ca gabime.
    Duhet me teper impenjim dhe seriozitet e mbi te gjitha rrespek dhe rregull.

  6. ehe... Says:

    Alfred,

    Qe te ta ul menjehere zellin prej gjykatesi : une nuk e solla ketu per t’u futur ne gare, me duket se e ke kuptuar gabim. Kam respekt per perkthimin e Dorines, aq me teper qe e ka nga origjinali. E solla ketu per te nxjerre ne pah ca gjera te tjera qe kane lidhje me çeshtjet e perkthimit, dhe qe ti as nuk i ke nuhatur fare. Dekoratat, besoj une, nuk zbukurojne as gjoksin tim as te Dorines. Larg kesaj.

    Kur thua se eshte krejt gabim, jam shume dakort, a priori. Por a posteriori, a na sjell ndonje argument sesi duhej, çfare nuancash kane humbur dhe çfare nuk kemi kapur nga stili apo fryma e Buxatit ? Keto gjera jane me vlere e me interesojne, te tjerat jane pallavra.

  7. dorinaB Says:

    Nuk eshte perkthimi im, sapo te iki ne shtepi do e shkruaj kush e ka perkthyer. E mora nga permbledhja “Kolombreja” qe per te qene e sinqerte dhe pse nuk e kam lexuar origjinalin , kur e lexoj “s’me tingellon” mire. Kjo permbledhje nuk eshte ribotuar me( me aq sa kam informacion).Une e kam lexuar kur isha ne shkolle te mesme. Ka qene dhe nje permbledhje tjeter e titulluar ” Gruaja me flatra” , e kam lexuar edhe ate, por nuk e kam, ia kisha marre dikujt per ta lexuar, kam perdhtypjen ka pasur te njejtat tregime dhe pse dyshoj sepse ketu nuk gjej disa tregime qe me kishin ngele ne mendje dhe pse mbaj mend qe zysha atehere pati thene se qe i njejti liber.

  8. dorinaB Says:

    ah se mu kujtua, Gjergj Vlashi e ka perkthyer.

  9. flo Says:

    Permbledhjen me tregime “Gruaja me flatra” e ka perkthyer Dritan Cela ( nuk jeton me) i biri i Zija Celes dhe perkthimi eshte i shkelqyer

  10. alfed.b Says:

    “Ca ditë pasi kishte marrë çelësat e vilës së tij madhështore, Ernst Kazirra, duke u kthyer në shtëpi, pa nga larg një njeri që po dilte, me një arkë në shpinë, nga një derë e dytë e murit rrethues, dhe që e ngarkoi arkën në një kamion”

    Pas pjese qe flet per x qe po ktheje ne shtepi duhej vene pjesa kur ksihte nje arke ne shpine e me pas pjesa kur shikon x-in qe po dilte. ” dhe” eshte e pavend per mendimin tim.

    “..e cila ishte plot me mijëra e mijëra arka të tjera të njëjta.” – ketu besoj se e nuhat dhe ti se nuk eshte aspak terheqese fjalia.

    Nese do qe te flasim per tekniken e te perkthyerit ketu ka shume per te thene. Doktrinat jane te ndryshme e kete e di dhe vete meqe merresh me perkthime.
    Nese nje do dite do perkthesh nje poezi, ti apo kushdo tjeter, do kisha shume deshire te shikoja menyren se si do te behej. Nese do vihej dore apo jo ne interpretimin e saj. Sipas mendimit tim kete gje doe beje me siguri, ndryshe do dilte dicka kaq mekanike sa do humbiste dhe ate pak force emocionale qe i mbetet kur perpiqesh ta percjellesh ne nje tjeter gjuhe.
    Une jam i mendimit se emocionet qe shpreh nje x poezi ne gjuhen origjinale nuke e percjell dot kurre. Merr shembull poezine “Malle”. NJe poezi e paarritshme. Shume veta jane perpjekur ta perkthejne duke ia humbur valencen emocionale qe mbart.

    Per sa i perket tregimit jemi gati gati ne te njetin nivel interpretativ. Duhet sesben nje interpretim sa do i vogel, qe ti rikthehet ajo vlere te cilen ka dashur te percjelle autori. Shume fjale te huaja eshte veshtire te perkthehen, shume here mbiemri, ne letersine bashkohore, leviz sipas qejfit, po keshtu dhe pjese te tjera te fjalise. Nuk ka nje rregull mbi te cilin behet letersia, mbi te cilin dnertohet fjalia ne nje forme letrare sic eshte tregimi apo romani modern. Duhet sesben te interpretohet ndersa perkthehet. Duhet sesben te jesh shkrimatare qe ta besh nje gje te tille, ose nje njohes i mire, i perkryer i gjuhes tende.

    Une them qe ti ne perkthimin tend ehe ke qene shume mekanik dhe ajo qe ke percjellur, ne disa caste, eshte shume statike, per arsyet qe fola me siper.

    Une, pekundrazi, nuk doja t’u vija ne nje plan ty me Dorinen, flas ne nje plan komparativ e antagonist. Strukturat bipolare sbejne per sistemin tim. Mundohem dhe te mos them pallavra, por kur duhet te shnderrohem ne nje fallxhore skam se si te mos bie ne gracken e te thenurit te dickaje qe spelqehet.
    Le qe paskam menduar qe e ka perkthyer Dorina dhe ne fakt e paska perkthyer dikush tjeter. Nejse, gje ra qe ndodhin.

    Me teper nuk di cte them mbi te perkthimin.

  11. alfed.b Says:

    Po i rri gati vete i pari e po bej nje autokritike: e paskam dhi punen. Kekroj ndjese ehe-s. Paragrafin e pare e kam bere lemsh, ashtu sic e ke bere ti eshte e drejte dhe pse perseri fjalia e fundit me duket shume e dyshimte.

  12. ehe... Says:

    Mire, Alfred. Ke mendimin tend per anen mekanike. Madje, mbase dhe eshte i drejte. Mund te jete mekanik. Do te perpiqem te te them perse. Me sa kam vezhguar une, nga andej-kendej dhe tutje-tehu, me ka dale qe mania e pergjithshme e perkthyesve tane eshte “stolisja” e teksteve. E kam fjalen qe ata perpiqen te fusin se s’ben njefare interpretimi kur nderkohe askush nuk i ka therritur per te interpretuar. Perkthyesi, per mua, eshte thjesht nje “ndermjetes” : Demiri i thote Shukriut : Ma jep lapsin me gome t’ia kaloj Bedrijes. Dhe Demiri, meqe gjendet mes Shukriut dhe Bedrijes, e merr lapsin me gome dhe pa i bere asgje, ia kalon Bedrijes. Bedrija, e merr lapsin dhe i thote Shukriut : O Shukri, lapsi yt s’qenka gje.

    Tani ka mundesi qe Shukriu t’i thote Bedrijes : mbase i ka bere gje Demiri rruges. Mirepo, Demiri eshte shume strikt ne keto gjera dhe nuk i pret rraqet e huaja.

    Keshtu eshte puna, pak a shume.

    Ne lidhje me perkthimin e poezive : e vertete qe kjo eshte nje fushe e minuar. Ketu nuk ka perkthim, por ka rikrijim. Megjithate, mire eshte qe perkthyesi te jete aq i afte sa te kuptoje se kur nje figure letrare eshte “minore” (qe mund te fshihet apo sillet ndryshe) dhe kur eshte madhore (qe s’ben pa e kaluar ashtu siç eshte). Kjo s’do teorira te medha letrare, do PERVOJE. Nje perkthyes i mire eshte si nje zdrukthtar. E ke vene re si i thote ky i fundit te birit ? Fillon njehere t’i shpjegoje si e ku behet me mire, dhe pastaj thote : ehuuuuuu… s’di as vete te ta shpjegoj, me le ta bej vete me mire. Me nje fjale, artizan qe thjesht punon bukur porse nuk e di mire si mund te percillet zanati.
    ___________

    Dhe e fundit : nuk e di, nuk e kapi asnjeri, ka nje mosperputhje mes perkthimit tim dhe atij te Vlashit. Do te doja te di te verteten :

    Vlashi shkruan :

    – Ditët e mija?
    – Ditët tuaja të humbura. Nuk i pritnit ato, apo jo ? Ja ku erdhën. Shikojini ku janë, të paprekura, të plota. Tani…”

    Dhe une shkruaj :

    « Ditët e mia ? »
    « Ditët e tua të humbura. Ato që ke humbur. Ti i prisje, apo jo ? Kanë ardhur. Ç’ke bërë me to ? Shikoji, të paprekura, ende të plota. Dhe tani… »

    Duke lene menjane numrin njejes apo shumes, shikoni aty ku njeri thote “Nuk i pritnit ato, apo jo?” dhe tjetri shkruan : “Ti i prisje, apo jo ?”

    Ne kete variantin e dyte, une kam kapur kete : njeriu i thote Kazzires qe shiko, ti i prisje ditet, ato kane ardhur dhe ti s’ke ditur ç’te besh me to, me nje fjale, i kishe ne dore dhe i ke shpenzuar kot. Nuk jane ditet ato qe s’jane paraqitur, por je ti qe s’je paraqitur perballe thirrjes se diteve, ti s’ke mundur apo ditur t’i marresh persiper.

    Kush me sqaron, ç’ka dashur te thote Vlashi me kete “Ju nuk i pritnit, apo jo ?” (Apo dhe vete Buxati ? – nese une e kam kuptuar gabim…)

  13. Xixellonja Says:

    Ky njeriu me keto arkat eshte pakthimi apo jo? Pamundesia per tu kthyer e per te rregulluar gabimet e se kaluares, ndoshta ndergjegjia. Qe personazhi kryesor e ka pyetur pak gjate jetes se tij e mesa shoh vazhdon ta beje perderisa pretendon qe te shpetoje ca dite ne kembim te parave.

    Te dyja perkthimet kane pasaktesi por ai i pari pervec pasaktesive ka dhe interpretime vetiake te perkthyesit. Ka hequr gjera te tregimit origjinal e disa nga ato jane verejtur shume mire nga lartshkruesit. Nuk me duket gje serioze qe nje perkthyes profesionist mesa kuptova kur perkthen ia keput sipas deshires se vete. Versioni i ehe me duket me besnik origjinalit dhe pse perkthyer nga frengjishtja.

    @ehe : ke te drejte , “Nuk i pritnit ato, apo jo?” eshte nje delirizim i perkthyesit qe pervec vetave ka gabuar dhe formen e pyetjes qe ne te vertete eshte : “Ti i prisje, apo jo ?”
    Vecse ne fund te saj e keni perkthyer te dy jo ne forme pyetsore : Tani – Dhe tani … kur duhet te jete Po tani? e qe lidhet perfekt me idene tende qe ” Nuk jane ditet ato qe s’jane paraqitur, por je ti qe s’je paraqitur perballe thirrjes se diteve, ti s’ke mundur apo ditur t’i marresh persiper.”

  14. ehe... Says:

    Falemnderit, xixellonja. E mirepritur nderhyrja jote, vertet.

    Ne lidhje me “Dhe tani…”. Perkthimi freng nuk permbante pikepyetje, por eshte fjale per fjale keshtu : “Et maintenant…”.

    Kjo “Et maintenant…”, duhet lexuar keshtu (sipas mendimit tim) : Tre pikat e pezullimit, siç quhen, lene te duket njefare zeri zvarre, nje keqardhje qe nuk ka nevoje te shkoqitet me tej. Njeriu i thote Kazirres se meqe ti nuk ke vajtur ne takimin qe te kishin lene ditet, atehere ti nuk ke perse i pret me, tani ka marre fund, por kete nuk ia thote me njefare ngadhnjimi cinik qe do te ishte percjelle, psh, me nje fjali te tipit : “eh mire tani, ik fryj syte, mbaroi kjo pune”. Burri thjesht mundohet t’i afrohet ndjenjes se Kazirres si per t’i thene se do te kisha shume deshire te te ndihmoja, por eshte e pamundur.

    Keshtu e shoh une kete “Dhe tani…”

    Sidoqofte, perkthimi freng nuk permbante pikepyetje, nuk di nese Buzzati vete ka vene nje te tille. Ne kete rast, perkthyesi freng…

    ps : di te them se francezet kane goxha perkthyes te medhenj, ne krahasim psh me anglosaksonet. Nuk e di perse dhe si ka ndodhur, por perkthimi freng lulezon. Mbase nga vete pesha e perkthimeve ne France : ne France perkthehet rreth 10 here me shume se ne SHBA psh, me nje popullsi 6 here me te madhe se e Frances. Ose nje shifer tjeter : Franca perkthen per nje vit aq vepra sa ç’jane perkthyer ne historine e vet ne tere boten arabe. Shkurt, dua te ve ne dukje se kane pervoje te gjate dhe kjo eshte tejet e rendesishme ne fushen e perkthimit.

  15. tiranacalling Says:

    Meqe paska kaq shume njerez te interesuar per perkthim, ndoshta mund te bejme nje perkthim kolektiv, si thoni?

    Zgjedhim nje pjese, mundesisht te shkurter e qe nuk eshte perkthyer kurre ne shqip, bjeme dakord ta ndajme ne 4-5 pjesa, per sa njerez jemi, secili perkthen diçka e pastaj e botojme.

  16. ehe... Says:

    Tiranacalling,
    Meqe ra fjala, neser, kush te deshiroje, mund te me beje nje ze ne nje cep diku… dhe une do t’i jap, ne shqip, nje pjese te mire ose dhe te plote te fjalimit te Vargas Llosa ne Stockholm. Kuptohet qe kjo do te behet e mundur diku nga mesnata (duhen ca ore pune sidoqofte…). Kuptohet qe teksti nuk duhet te perdoret per qellimi perfitimi. Dmth, te mbahet per perdorim vetjak, per kenaqesine tuaj si lexues. E di mire se fjalimi do te dale pas nja 3-4 ditesh ne ndonje gazete shqiptare, por NUK DO TE JETE PERKTHIMI IM, ata kane perkthyesit e tyre qe i NDRISIN keto gjera. Shkurt, kete e bej per thjesht nje dore te ngushte amatoresh te letersise dhe vetem kaq.
    _________

    Ne lidhje me perkthime “kolektive” : di qe eshte nje projekt i veshtire, sepse kerkon nje bashkerendim dhe perputhje mes kendveshtrimeve dhe ndjesive te secilit perkthyes. Duhet nje njeri i cili MBIKQYR projektin, qe ka te drejten e afrimit te te gjitha pjeseve. Shkurt, kerkon nje mirekuptim total nga ana e te gjithe pjesemarresve. Sedrat duhen varur ne gozhde, tek dera, para se t’i futen kesaj pune. Dhe kjo, nga pervoja ime, eshte e veshtire.

    Megjithate, ta marrim si te mireqene : si mendon se mund te botohet ? Them se keto nisma jane te destinuara te mbeten “gazmore”, ne kuptimin qe behet mes nje dore shokesh pa kurrfare ambicje “serioziteti”. Dmth, eshte gje e bukur por thjesht per perdorim vetjak. Mbase eshte me me vend qe ju te Tiranacalling te formoni nje shoqate letrare, nese gjendeni ne nje vend dhe jo te shperndare andej-kendej. Kjo mund te sjelle me vone nisma te tjera si : krijimi i nje reviste, i nje çmimi apo tjeter.

    Ah, se mos harroj : eshte e domosdoshme qe ne grupin tuaj te kete nje pasanik te maaaaaaaadh dhe qe nuk e vret mendjen per gjera te veshtira, dmth thjesht te levize gishtat dhe te mos ia degjojme zerin mbi çeshtjet editoriale. Si thua ? Fola ca ashper, he ? Ehe… fole ca, fole.

  17. Post Spleen Says:

    Ehe, meqe ti je me i urti nder ne, dmth me i madhi ne moshe, meqe te ka dale dhe emri neper botime, po ta leme ty detyren e pasanikut🙂

  18. ehe... Says:

    Post Spleen, te te rrefenje diçka per te qeshur : qe thua ti, shkembeja ca emaile me dike, nje francez apo franceze, e ç’rendesi ka, ne France nuk e shohin gjinine, eh mire e bukur, i shkruaja gjate per nje problem qe une e njoh mire. E merr emaili ai apo ajo dhe me kthen nje pergjigje ku e pamundur te mos shquaja njefare droje. Thashe me vete, ç’ne ky apo kjo, perse kaq i apo e ndrojtur. Eh mire, i dergova prape nje email ku i sqaroja dhe pikat me te vockla te çeshtjes. Ketu, ai apo ajo u çorodit fare. Eh mire, ardhi koha qe ta takonja diku sepse çeshtja do te merrte vertet udhen e bashkepunimit. Kur ai apo ajo me pa, stepi fare. Wow ! wow ! wow ! Tre here. Thashe me vete, do kem dale pa krehur fare, ska mundesi, dhe shtanga dhe une (po ky apo kjo ç’ka keshtu). Kur me thote : uaaaaaaa sa i ri qe qenke ti ! Po pse, ia prita une, kush te ka thene se jam i vjeter ? Ai apo ajo me tha pastaj : e di si te mendonja ? Ndonje plak te rrjedhur fare, nja 60 tollumba te mire ne tepsi. Ou ? ia prita une, tani u fyeva une se ç’eshte e verteta, fyerje eshte. Po, me tha, me tere ato dituri qe ti ke ne koke, ty te mendonja ndonje aqademik nga ata te rrjedhurit fare, i fandaksur, i çatrafiluar. Bah ! ia prita, paksa me mburrje, jo jo, jam i ri por ç’te bej, di shume. Vertet, vazhdoi ai apo ajo, vertet qe di shume, nuk e mendonja kurre se nje njeri kaq i ri, kaq i bukur dhe kaq elegant, te dinte kaq shume sa asnjeri ne bote nuk di. Ketu, te them te verteten, e pashe se e teproi pak dhe me duhej ta qetesoja pak. I thashe : shiko, te mos zmadhojme gjerat, le te themi se jam i dyti ne bote per nga dituria, mençuria, bukuria dhe eleganca. Kam aq modesti sa te mos e pranoj vendin e pare, te lutem. Si perfundim, nderi im vajti ne vend sepse ai apo ajo e kishte mbushur miletin me fjale se une isha nja 76 vjeç, qe di nje biblioteke te tere, tip Arqile Boti, ndjese paste. Keshtu me kishte perfytyruar. Sa kemi qeshur ! Nejse, bashkepunimi vajti shume mire. Kjo ka rendesi, te tjerat jane gjepura, jo bukuria, jo zgjuarsia, jo eleganca, pallavra te gjitha.
    ______

    Per pasanikun, me kenaqesi e bej dhe kete, por ne fakt na duhet nje pasanik qe nuk te çan koken me idera, propozime, ultimatume, etj. etj. Duam dike qe thjesht jep leket, pastaj ulet diku ne nje cep dhe thote : une jam debili i bandes, s’marr vesh une, ju beni ç’eshte per te bere dhe une jap parate. Meqe ra fjala, eshte nje film i Jean-Paul Belmondos, “Sois belle et tais-toi” (Thjesht ji e bukur dhe qepe). E ke pare ? Ja keshtu duhet ta kemi pasanikun : “Thjesht ji i pasur dhe qepe”😀
    Salut.

  19. loer kume Says:

    pasha zotin e madh aty lart ne qiell me ka ndodh dhe mu ajo historia😀

  20. Post Spleen Says:

    Hahaha, jo Ehe ate filmin qe permend ti se’kam pare, por kam pare nje film tjeter qe quhet “Old men die faster” (burrat e vjeter vdesin me shpejt), interpreton Jack Nicholson, e qan ate rolin. Por nuk behet fjale per njerez te plakur prej verteti. Behet fjale per ata gernjaret, te fshehur pas maskes se cinizmit te kultivuar aspak me lehtesi, dhe aspak nga qejfi dhe qe poshte asaj maskes lekura e vertete fillon e vyshket e fishket nga mungesa e kontaktit me ajrin e paster. Eshte nje proces qe ze fill diku ne nje pike te parendesishme per te tjeret te kohes se dikujt, por qe kur ngulet ne trup, fillon e perhapet mbi lekure duke u bere lekure e pare mbi lekuren e vertete. Ajo mbetet ne dukje e pandryshueshme sepse s’eshte lekure e vertete, por nen te nuk frenohet asnje prej proceseve qe ajo mbilekura frenon ne dukje.
    Dhe keshtu, kur Jack-u po kerkonte ne cepin e majte te bidese njeren prej lenteve qe i kishte rene teksa frynte syte nga nje nate tjeter e gjate kerkimi formulash per riperteritjen e mbilekures, te cilen e kishte lene mbi divan, futet brenda e dashura e tij dhe sheh e llahtarisur jack-un e vertete, gati te dekompozuar dhe iku me vrap pa pritur qe t’ia thoshte qe s’ishte ai jack-u, qe ai ishte ai jack-u i padukshem qe s’e shihte njeri ai i poshte-lekures se eperme te kultivuar nga manite e krijesave te babezitura ne koken e tij, por ajo kishte ikur tashme. Epo, ajo s’ishte as protagoniste, keshtu qe s’beri ndonje ndryshim ne film…e Kshu lindi dhe jokeri…..
    Kshu pra Ehe, kshu ky muhabet.

  21. ehe... Says:

    Loer,

    Fakti qe kjo histori ka ndodhur dy here, tregon se ka nje moral nga prapa : ne jemi ne ende ne epoken e besimit se vetem i vjetri eshte i urte, i riu s’di asgje. Mirepo dija eshte demokratizuar aq shume saqe sot nuk mund te mbeshtetesh ne kete “aksiome”. Burimet e dijes jane te gjithanshme, çdokush ka hyrje ne te. Dikur, dija mbahej ne nje lloj autokracie, nuk shperndahej poshte, ishte pushtet. Kush di, ka diçka ne dore. Elitat e djeshme gjenden sot gati te shfronezuara me dhune. Eshte e njejta tablo si ne nje familje ku plaku nuk arrin me ta marre vesh jeten e te birit dhe mundohet deri ne grahmat e fundit qe te jape pershtypjen se ai i dinte te gjitha, deri ne fund. Kjo ka marre fund. Sot duhet thjesht vullnet dhe pasion.

    Morali i dyte i kesaj historie eshte se bota eshte sa nje katund, te gjithe paramendojne te njejtat gjera.

  22. Post Spleen Says:

    Ehe te kam borxh nje pergjigje neser per kete pjesen e fundit se tani eshte vone dhe sistemi i procesimit te shakave alla-barbare, qe mbeten ne lekuren e eperme te marresit si trup i huaj, dhe bejne reaksion me lenden, sikur s’funksionon si duhet pas kesaj ore.

  23. ehe... Says:

    Post Spleen, hmm… hmm…

    Ky Jack Nicholsoni, gjithçka e luan bukur. Dhe ketij i shkon goxha ky roli, besoj. Sepse duket sikur luan rolin e jetes se vet aty. Sesi me duket, shume i rrezikshem.

    Oh, eshte ca pa lidhje por po lajmeroj diçka : se shpejti do te dale ne qarkullim nje liber shume i bukur, ese gjysme-letrare gjysme-filozofike, i filozofit francez Alain Finkielkraut, ku flitet veçanerisht per fytyren. Siç mund ta dish dhe ti Post Spleen, filozofi i FYTYRES ka qene Emmanuel Levinas. Nejse, do te flas njehere tjeter per te, tani eshte vone per filozofira.

  24. loer kume Says:

    post spleeno, mendoj se s duhet te ankohesh, kush del ne kete ore ktu, duhet ti dale zot bisedes, jo te thote esht evone. vete e zgjodhi oren e hyrjes ne salle. sigurisht qe do kesh pas punera te medhara pake me perpara, por mos u anko. e njejta ceshtje me 00gentin lart.

  25. Arbi Says:

    Ehe, pershendetje. Me pelqeu goxh. Perkthimi edhe pse nga nje gjuhe e dyte, ka respektuar me se miri autorin dhe origjinalin. Gjithsesi po jap ca mendime te alternative per ca fjale edhe po te perball pak me origjinalin ne italisht.
    Ne origjinal kemi:
    …. fino all’estrema periferia della città, fermandosi sul ciglio di un vallone.
    Autori ketu ka perdorur fjalen “ciglio” qe ka kuptim “buze, cep, ane” pra ka kuptimin e nje bordure “bordo” ndersa ju e keni perkthyer “poshte nje lugine”
    Me poshtene origjinal kemi:
    – Ne ho ancora sul camion, da buttare. Non sai? Sono i giorni.
    Qe ketu eshte perkthyer
    “« Kam dhe shumë të tjera në kamion, për t’i hedhur. Nuk e di ti ? Janë ditët e tua”
    Une do hiqja “e tua” duke lene vetem “Jane ditet”. Sepse pastai Kazirra mernjehere ben pyetjen “Cfare ditesh?”
    Pastaj kemi
    “Kazirra i pa. Ato formonin një grumbull të madh.”
    Ne italisht kemi:
    Kazirra guardò. Formavano un mucchio immenso.
    Qe do te ishte:
    “Kazirra pa (ose shikoi). Ato formonin nje grumbull te mall”
    Edhe dicka ate fundit. Autori kur flet nga fundi I tregimit per njeriun e panjohur, perdor emrin “lo scaricatore”, ndersa ju e keni perkthyer njeriu. Nuk e di si eshte ne versionin frengjisht.
    Por ne total me pelqeu shume perkthimi, sepse e respektonte shume tekstin ne origjinal. Vecanerisht me pelqeu ne fund ku kemi:
    “Pastaj u avullua në ajër, dhe në të njëjtin çast u zhduk dhe grumbulli i stërmadh i arkave të mistershme. Dhe hija e natës zbriste.”
    Ndersa ne italisht kemi:
    Poi svanì nell’aria, e all’istante scomparve anche il gigantesco cumulo delle casse misteriose. E l’ombra della notte scendeva.
    Pra kemi lidhjen svanì-u avullua dhe “scomparve–u zhduk”, dallim te cilin versioni i Vlashit nuk e ben. Vlashi perdor vetem foljen “zhduk”.
    Pune te mbare

  26. ehe... Says:

    Falemnderit, Arbi. Me pelqen qasja jote (me falni per njejesin). Ka ca pika ku do te doja te ndalem :

    – Jam plotesisht dakort me verejtjen tende mbi “Jane ditet” dhe jo “jane ditet e tua”. Une nuk e kam ketu librin nga e kam perkthyer (e kam blere qekur por nuk e kam ketu ne vend…), por ka shume mundesi qe te kem gabuar une, dhe ky gabim duhet te jete thjesht nje gabim vizual. Po shpjegohem : frengu, per “Jane ditet” thote “Ce sont les jours”. Dhe per “Jane ditet e tua” thote “Ce sont tes jours”. Siç e sheh, ndryshon nje “l” qe behet “t” (les – tes). Dhe ka shume mundesi qe une te kem pare “tes” ne vend te “les”. Me ndodh kjo, nganjehere, mbase nga lodhja. Njehere kisha pare “poisson” (peshk) ne vend te “poison” (helm). Dhe vrisja mendjen se çfare djallin vjen te beje peshku ne kete mesele ! Nuk e shihja fare qe kishte vetem nje “s” dhe jo dy. Njelloj si ne shkolle kur benim nje derr ushtrimi te veshtrimi dhe ne fund na ngaterroheshin kembet ne 7+5=11. Dhe rrinim gjysme ore aty duke fryre syte. Keshtu qe them se perkthyesi freng e ka sjelle sakte por une e kam pare gabim ; megjithate kur ta kem librin ketu, do ta shoh per kureshtje.

    – Ne lidhje me “Kazirra pa” ne vend te “Kazirra i pa”, ky eshte nje problem gjuhe, besoj. Frengu, nga meraku i saktesise se skajshme (siç mund ta dish dhe ti, frengjishtja mbahet per gjuha me e shkoqitur, dmth qe mundohet te sqaroje çdo lloj hije apo dyshimi – racionalizmi kartezian), perdor pothuaj gjithmone kundrinoret. “Kazirra pa”, e thene keshtu pa kundrinor (kë pa ?), per frengun kuptohet si thjesht nje veti universale e njeriut : veshtrimi. Gati-gati, nje frengu i duket se deri atehere Kazirra nuk shihte (ishte qorr) dhe ne nje çast i erdhen syte. Nuk them se nuk e perdor nganjehere kete forme. Por e pergjithshmja eshte se frengu mundohet ta sqaroje ne fjali çfare pa. Ai thote : “Il les regarda” (Ai i veshtroi). Mbase italishtja eshte me e lirshme ne kete dhe e anashkalon kundrinorin. Ose eshte veti e Buxatit qe te shkruaje ne njefare stili disi “turbullues”.

    – Dhe e fundit, “njeriu” ne vend te “shkarkuesi”. Perseri, eshte nje veti e frengjishtes qe e perdor shpesh kete “njeriu” ne vend te profesionit qe ka dikush. Por kete nuk e ben me termin “grua”, qe do te thote se “homme” nuk do te nenkuptoje aq shume “burri” sa ç’mund te nenkuptoje “njeriu”. Megjithate, varet nga konteksti, perkthyesi qe e njeh mire letersine arrin te dalloje kur duhet burri e kur njeriu (frengu i thote te dyja me nje fjale : homme). Frengu perdor gjithashtu dhe “la jeune fille”, “le jeune homme” (vajza e re, djali i ri) qe nganjehere krijojne njefare peshtjellimi sepse me kete “djale i ri”, shqipja nenkupton nje person psh te moshes 20 vjeç, ndersa frengu mund ta shtrije kete deri ne 30-40 vjeç. Si duhet perkthyer atehere ? Ne shqip nuk i thua dot nje 35 vjeçari, djale i ri. Nje tjeter veçori e frengut eshte se ata perdorin emrin “fille” (vajze) edhe per nje grua psh 50 vjeçe. Psh : “Tu sais, je ne suis pas une fille facile” (Ti e di, nuk jam nje grua e lehte), dmth qe mund te epet lehte, dhe kete mund ta thote dhe nje grua psh 55 vjeçe. Shkurt, duhet konteksti, duhet dhe shkrirja e perkthyesit me gjuhen ne te cilen noton, madje, e kam bindje kete, duhet dhe qe perkthyesi te kete jetuar nje pjese te mire te jetes se vet ne vendin te cilit ia njeh gjuhen.

    Gjithsesi, falemnderit per kete ushtrim. Kjo me verteton ne disa mendime dhe ide qe i kam parashtruar nja dy here ne ndonje gazete shqiptare, kuptohet per aq fuqi sa ç’kane keto gazeta. Gjithashtu, me verteton ne idene se perkthimi IDEAL nuk ekziston. Madje, nuk ekziston as togfjaleshi “perkthim i mire”. Per mua, ekzistojne dy lloj perkthimesh :

    1. perkthimi
    2. perkthimi i keq.

    Kjo “perkthimi”, e ka te miren brenda. Nese themi “perkthim”, atehere nenkuptojme se eshte i mire. Ndersa “perkthimi i keq” eshte thjesht nje jo-perkthim.

    Po ta shtyj me tej kete ide, do te them : nen masken e “perkthimit” pervidhen dhe mjaft perkthime te keqija, dhe lexuesi nuk arrin te dalloje ndermjet nje perkthimi dhe nje perkthimi te keq. Aq sa nuk do te ishte keq te shkruhej keshtu : ne rast te nje perkthimi te mirefillte (dmth te mire) do te shkruanim : “Perkthyer nga Filan Fisteku”, ndersa per te keqin, te shkruanim “keqperkthyer nga…”.

    E bera lemsh, nejse. Falemnderit dhe pune te mbare per ty gjithashtu.

  27. alfred.b Says:

    Ti e ke perkthyer ehe nje liber(me duket i vetmi) te Finkelkraut ne shqip?
    Eshte interesant si ben filozofi ky njeri, me pelqen. Dhe pse temat qe trajton jane te shkelura me pare prej mendimtarve te tjere.

    Levinas – kam rrespekt per filozofine e tij mbi “fytyren” dhe “tjetrin” por nuk ben permua
    Duhet te perkthesh dicka te Martin Buber ndoshta, Nuk e di nese ke lexuar ndonje gje prej tij, Jane vertet te ngjashem me Levinas per nga rendesia qe i japin “tjetrit”. Buber ka nje sistem me te rregullt te filozofise se tij, e duke qene gjerman eshte normale, Ai pervecse i jep rendesi fytyres, tjetrit,ne te njetin cast i jep dhe jete sepse e fut ne marrdhenje me nje tjeter “fytyre”. Dicka e menjehershme, e paparashikuar.
    Duhet me pas nej vizion pozitiv mbi realitetin dhe njeriun per te lexuar keta dy personazhe, Gje qe mua me mungon.

  28. ehe... Says:

    Alfred,

    Nuk e kam perkthyer une librin qe thua. Nuk dua te paragjykoj, sepse nuk e kam pare kete perkthim, por me filozofet ndodh kjo : nje filozof perkthehet vetem e vetem nga dikush qe nuk e merr librin e tij si nje titull te veçante porse e sheh si pjese te nje se tere, dmth ai merret me tere vepren e filozofit dhe jo me nje titull te veçante qe ia kane porositur.

    Alain Finkielkraut… nuk di a kam kohe ketu qe te flas per te. E kam ndjekur dhe vazhdoj ta ndjek qe prej te pakten dhjete vjetesh. Dhe me e bukura eshte se shtysa e pare ka qene diçka krejt epidermike, dmth emocionale. Jo se kam rene ne dashuri me te, se ku nuk i shkon mendja njeriut, por emocionale ne kuptimin qe kishte te bente me vete qenien time si shqiptar : Alain Finkielkraut ka qene ne vitet 90 zv/presidenti i Komitetit Kosova ne Paris ! Ti e kupton tani perse me eshte i afert ky njeri. Por edhe sikur te mos ishte kjo, Finkielkraut eshte nje filozof tejet i zgjuar. Te shpjegohem pak : mbase nuk e di ti por Finkielkraut, nga formimi i pare, eshte nje LETRAR ! Dmth, eshte nje profesor letersie. Filozofia ka ardhur tek ai nepermjet letersise. Dhe per mua, kjo eshte rruga me e bukur. E kam fjalen se nje letrar qe ben filozofi apo nje filozof qe shtjellon mendimet e veta nepermjet letersise, eshte me te vertete diçka shume e kendshme per t’u lexuar. Le te themi se pas ketij titulli te pare (Urtesia e dashurise), nga Finkielkraut do te vije dhe nje titull tjeter ku ka plot 12 biseda te tij mbi letersine, biseda treshe (çdo here nje treshe e re) ku marrin pjese filozofe, shkrimtare, perkthyes : me te vertete nje lumturi letrare.

    Levinasi gjithashtu eshte nje filozof qe jam marre goxha gjate me te, kam dhe nga ky mjaft materiale te perkthyera qe presin nje dite me te mire per botim. Gjithsesi, vepra e tij madhore “Totalité et infini”, i mungon tmerresisht shqipes. Nder me te bukurat, te veshtirat, dhe me te thellat. Mbase libri filozofik me i madh ne 50 vjetet e fundit, dhe i dyti per nga rendesia pas Sein und Zeit te Heidegger. Do te flas dhe per te ne nje kohe me te pershtatshme.

    Martin Buberin e njoh, por e njoh nepermjet Levinasit, jo drejtperdrejt. Qe te dy keta, jane te ndikuar drejtperdrejt nga tradita çifute e Talmudit dhe Toras. Megjithate, Buberi dallohet nga Levinasi sepse tjetri per Buberin eshte ne reciprocitet me unin (peremrat une dhe ti jane te barazvlershem), kurse tek Levinasi tjetri e kapercen pafundesisht (le transcende) unin, ai ka perparesine ndaj meje.

    Nje dite tjeter, kur te jem ne te mira dhe disi i mundshem, do te flas me gjate per kete marredhenie mes meje dhe tjetrit. Gjithsesi, eseja e Finkielkrautit flet gjeresisht dhe eshte i ndertuar thelbesisht si nje KOMENTIM i vepres se Levinasit, e nderthurur kjo me citime dhe komentime veprash letrare – romane, novela. Shkurt, Finkielkraut ngelet nje perle qe duhet zbuluar nga cilido lexues shqiptar disi me sqime ne punet e leximit.

  29. ehe... Says:

    Kush deshiron te lexoje ca gjera, le te me pickoje pak tek ato “pikat” e bukura qe i terheq nga pas ngado qe shkoj…
    Bonne lecture.

  30. gta5steam.com Says:

    Hey there! Your websites are running slow in my situation, this kind of went on just like a moment to
    successfully load, I really do not know whether or not
    it’s entirely me or your web page however , twitter performed acceptable
    for me. Anyway, Thank you for writing an extraordinarily brilliant articles.
    I assume it really has become necessary to many individuals .

    I ought to mention that you have done brilliant work with this and also hope to check out even more awesome things
    through you. I already have you bookmarked to see
    blogs you post.

  31. Celeste Says:

    Hi there I am not sure whether it’s me or maybe your blog site but it is
    loading slow to me, it took me like a few moments to load although digg works perfectly
    to me. Well, I want to say thanks for including fantastic content.
    Nearly everybody who actually came to this site should have found
    this article honestly useful. I am hoping
    I will be able to get further incredible content and I should complement you
    simply by saying you have done remarkable writing.
    I have got your site book-marked to check out blog you publish.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: