Sfidat e fituara të Teodor Kekos

by

nga Bardhyl Londo 

Në kujtim të shkrimtarit, në vjetorin e vdekjes.

Dori ishte nga ata njerëz që i ndjente thellë gozhdët e ngulura mbi kyçet dhe muskujt e tij. Megjithatë ai ishte shumë i bukur dhe unik në kryqëzimin e tij, mbi kryqin e përgjakur. Sfida e tij kishte me të vërtetë diçka të jashtëzakonshme

 

Një mëngjes të çuditshëm janari, në një hotel të Hagës, nga jashtë dëgjova që thërrisnin emrin tim. Natyrisht, nuk ishte emri i vërtetë, por emri që përdorte Dori sa herë ndodheshim bashkë. Në atë qetësi të qelqtë holandeze, dola në ballkon. Përpara hotelit ndodhej Dori, me dorën e vendosur mbi ballë si strehë për t’u mbrojtur nga dielli, ashtu siç veprojnë shpesh vetëm shqiptarët (vetë dielli ishte një çudi e madhe dhe tepër e rrallë në atë mëngjes holandez), me dorën tjetër mbështetur në hije dhe thërriste, duke sfiduar recepsionin e hotelit dhe të gjithë kalimtarët që mund të rastisnin aty. Ishte me të vërtetë një befasi e jashtëzakonshme. Zbrita poshtë dhe filluam muhabetin, sikur ishim në një nga mejhanet e zakonshme të Tiranës së dikurshme, pa pyetur për njerëzit e tjerë, pa pyetur për etikën që nganjëherë të duket sikur i ndrydh ato vende me teprimet e veta. Dori, megjithëse jetonte ditët e fundit të jetës së tij dhe këtë e dinte shumë mirë, ishte në një humor të jashtëzakonshëm. Ato çaste që qëndruam bashkë mbaj mend vetëm që kam mbajtur hijet me dorë nga të qeshurat. E vetmja gjë që mund të bëja, ishte të qeshja. Në fund e ftova për darkë dhe ishte i vetmi çast që humori i Dorit u lëkund disi. Një hije trishtimi kaloi në ballin e gjerë të tij, tashmë të çliruar plotësisht nga flokët. Nuk vij dot, më tha. Ti je me disa fytyra që nuk kam qejf t’i shikoj (unë isha me një grup deputetësh, por edhe sot e kësaj dite nuk e di për cilin apo cilët ishte fjala). I kërkova të takoheshim nesër. Jo, tha prerë, në kundërshtim me natyrën e tij. Nesër që në mëngjes nisem direkt nga Amsterdami për në Selanik dhe do të shtrohem në spital. Kam ardhur këtu sa të takoj djalin…

Kur Dori mbylli sytë, e kam kujtuar shpesh këtë takim. Ishte janar dhe në gusht të atij viti lajmi i humbjes së Dorit më gjeti përsëri në një vend të huaj. Në fillim e mora si një sfidë nga ato të zakonshmet dhe që isha mësuar prej kohësh t’i gjeja te Dori. Më vonë e kam kuptuar se kjo ishte natyra e vërtetë e tij: sfido atë që një natyrë e zakonshme njerëzore nuk e sfidon dot kurrë, sfido moralin dhe etikën që dikujt mund t’i duket e përkryer dhe e vendosur njëherë e përgjithmonë, sfido rregulla të ngurta, që ndonëse mund të duken të qytetëruara dhe mund t’i habisin snobët apo naivët, përsëri kanë nevojë për grasatim, ashtu siç ka nevojë edhe motori i makinës më të përkryer, dhe mbi të gjitha sfido veten, sfido jetën tënde, sfido vdekjen tënde. Gjithë jeta e Dorit ka qenë një sfidë e tillë. Dhe e rëndësishme është jo vetëm ta bësh sfidën, por edhe ta fitosh atë. Dhe Dori i fitoi këto sfida të jashtëzakonshme. Gjithmonë, duke kujtuar këtë skenë, më vjen ndër mend vargu i një poezie të Dorit, shkruar në vitin 1989, varg i cili është edhe sfida më e fortë që mund t’i bëjë njeriu të keqes sipërore, vdekjes: Vdekja ka shtënë dashuri me ne. Libri “Poezi” i Dorit është përsëri një sfidë më vete. Jo thjesht për poezitë e paraqitura në libër. Porse atje takohen dhe bashkëjetojnë me Dorin të afërm të tij të shtrenjtë, miq e shokë të tij, poetë e shkrimtarë të njohur, biznesmenë e artistë. Është me të vërtetë një libër unik në botë nga mënyra si është kompozuar dhe paraqitur te lexuesi: vetëm Dori mund t’i bashkonte kaq shumë njerëz bashkë, vetëm ai mund të thithte dhe të rrezatonte kaq shumë dashuri dhe respekt. Në vitin 1990, Dori midis shumë poezive të bukura, ka njërën me titull “I mundur”, të cilën dëshiroj ta citoj: Nuk kam kujt t’i shkruaj\kë të marr në telefon\Mjeran luaj me letra me vetminë\Ajo gjithmonë më mund, gjithmonë fiton\Ju ikët që të gjithë. Në fakt, kjo ka qenë edhe sfida më e tmerrshme e Dorit. Njeriu, shkrimtari dhe poeti që sfidoi vdekjen dhe jetën e tij, pranon vetëm një humbje: frikën e braktisjes nga njeriu, nga miqtë dhe shokët. Është një dhimbje me të vërtetë hyjnore. Por, për fat të mirë, jeta ka provuar dhe po provon se Dori e fitoi edhe këtë sfidë. Rrallëkush ka pasur dhe ka aq shumë miq e shokë sa Dori, askush nuk është i zoti të dojë dhe ta duan kaq shumë. Edhe këtë sfidë të përjetshme të njeriut, Dori e fitoi, tani u mbetet të gjallëve ta fitojnë këtë sfidë.

Jeta e njeriut më është dukur gjithmonë një Golgotë. Gjatë gjithë jetës së tij, duke ngjitur dhe zbritur orët e ditës dhe të natës, njeriu nuk bën tjetër, veçse ngjit dhe zbret shkallët e Golgotës së tij. Në një farë mënyre, njeriu sa lind dhe deri sa vdes, është i kryqëzuar, kush më shumë e kush më pak, mbi kryqin e tij, pavarësisht se dikush i ndjen më shumë gozhdët mbi trupin e tij, dikush i ndjen më pak. Dori ishte nga ata njerëz që i ndjente thellë gozhdët e ngulura mbi kyçet dhe muskujt e tij. Megjithatë ai ishte shumë i bukur dhe unik në kryqëzimin e tij, mbi kryqin e përgjakur. Sfida e tij kishte me të vërtetë diçka të jashtëzakonshme. Dikur, në vitin 1991, një poezi e tij fillon me vargjet paradoksale: Në vend të lindnim fëmijë\Ne lindëm çmendurisht perënditë. Ndërsa një vit më parë, në vitin 1990, poeti shkruan: Ishe e lumtur\Kaq duhej\Të të kryqëzojnë.

Në dy vargjet e dyta, sfida merr përmasa të tjera. Hapësira e saj shtrihet që nga perënditë dhe deri te njerëzit e zakonshëm dhe të rëndomtë. Dhe Dori e fitoi edhe këtë sfidë: fitoi mbi moralin e perëndive që fatkeqësisht nuk mund t’i provojnë gëzimet e njeriut të zakonshëm, por fitoi edhe mbi njeriun e zakonshëm, i cili nuk ka guxim të ëndërrojë të bëhet perëndi, të synojë lirinë që gëzojnë ato. Guximi i Dorit për të qenë i lirë ishte me të vërtetë i jashtëzakonshëm. Në ato vite, kur liria “ishte diçka më e rrallë se uraniumi”, siç thotë Kadareja, Dori guxonte të tentonte, guxonte të ëndërronte për të. Duke filluar që nga gjërat më të rëndomta të jetës së përditshme e duke mbaruar te sublimja: liria, ose më mirë të themi, guximi për të ëndërruar lirinë e mendimit dhe të krijimit. Në katin e dytë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve ndodheshin atëherë zyrat e gjithë udhëheqjes së Lidhjes. Në atë qetësi imponuese, Dori nxori një ditë një bilbil polici apo arbitri, dhe filloi t’i frynte me të gjitha bulçitë. Çdokush e mori për një shaka apo trill të zakonshëm. Në fakt ishte refleksi, ndoshta edhe i pandërgjegjshëm, për të thyer atë heshtje e qetësi shqiptare në dukje solemne, por që në brendësi ishte tepër e zymtë, tepër depresionuese. Në jetën politike Dori provoi dhe sfidat, por edhe zhgënjimet më të mëdha. Të gjitha partitë vepruan me Dorin ashtu siç kanë vepruar me shumë të tjerë, morën prej tij shumë dhe nuk i dhanë asgjë (ndoshta ky mund të jetë shkaku që Dori refuzoi darkën në Hagë: “Ti je me disa fytyra që nuk i shoh dot”). Në fund, poeti u kthye te vetja e vet. Me sa duket partitë shqiptare ishin dhe janë tepër të vogla për të pranuar në gjirin e tyre ëndrrën dhe guximin e Dorit për të ëndërruar dhe synuar lirinë e vërtetë, ishin dhe janë tepër strikte e të vjetruara për të pranuar moralin modern që kërkon liria. Edhe këtë sfidë Dori e fitoi. Humbësit dihen. Vetëm zhgënjimet e mëdha njerëzore, vetëm dhimbjet e një Golgote të tmerrshme morale, mund të lindnin dy vargje të tillë në fund të vjershës “Palltoja e vjetër”, shkruar në vitin 1995: O Zot, ne sendet vërtet na deshën\Që qemë pa shpirt e dimë mirë.

Kanë kaluar vite që kur Dori mbylli sytë. Nuk e di sa vite kanë kaluar dhe nuk dua ta di ndonjëherë. Sfida e tij vazhdon. Tani librat e tij vazhdojnë rrugën e nisur prej tij. Në një poezi, shkruar në vitin 1995 ( me sa duket ka qenë një vit dhimbjesh dhe zhgënjimesh të mëdha për poetin, përderisa ka shkruar aq shumë poezi të bukura), Dori shkruan: Lule për të vdekurit\Sharje për të gjallët\Jeta e tredhur\Vdekja e mbarsur. Jeta mund të jetë vërtetë kështu, madje kështu ka qenë qysh nga fillimi i njerëzimit. Mund të përsosen shkallët e Golgotës, mund të vishen, ta zëmë me mermer, por dhembja mbetet ajo që ka qenë. Mund të përsoset kryqi apo gozhdët që ngulen mbi kyçe, por njeriu përsëri mbetet i kryqëzuar dhe i pambrojtur nga kryqëzimi. E rëndësishme është t’i sfidosh të gjitha këto dhe t’i fitosh këto sfida, pavarësisht se çmimi mund të jetë i shtrenjtë. Dori është një sfidues dhe fitimtar unik, ashtu siç është edhe tragjik i paharruar.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Advertisements

Tags: , , , , ,

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: