Ëndërr jo-melodike

by

Nga Arbër Zaimi

Nën re
është një vend ku një djalë shkon
e përhumbet kur gjithë të tjerët
janë kah flenë

është një lumë
që rrjedh shpejt, dhe gurët rrokullisen përnën ujëra të tij
një lumë me dallgë, me vorbulla e ujëvara
që përmbys brigje, përmbyt fshatra

një lumë të turbullt me ujin e ngrohtë
që vjen nga mali e sjell me vete trungje
shtëpi, pallate, antena televizive
kafshë, njerëz, kafshë dhe njerëz
e gjithë ç’i ka dalë para

një lumë për t’i dhënë kuptim
jetës së kënetshme, pa rrymë e pa dallgë
qytetit që të mbyt ngadalë nëpër gropa
të baltosjes

është një këngë që dëgjon
një kitarë dhe një violinë
që bien kur të tjerët janë kah shkojnë

është një këngë
për një port
mbushur me marinarë, ushtarë
lypës edhe kurva, njerëz të veshur plot sqimë,
piratë, prindër, fëmijë, aktorë të dështuar
babadimra barkmëdhenj me pelerina purpuri kinez
e me thasët bosh
përreth truma truma fëmijë e trumcakë

është një këngë
për një pus
ku mbyllen sekrete lotësh e dashurish të pamundura
vajzash të vogla, fjongosh të kuqe
shishe të vogla parfumesh
për t’ia mbuluar kutërbimin
jetës së pluhurt, revoltës së vdekur
në qytetin e zhytur në sherbet sheqerzhuli
prej palëvizjes

është një flakë
që ndizet kur errësira arrin tmerrin

një dritë që në mes e pret terrin
dritë xixëllonjash, shkëndija e fundit e një zjarri të vjetër
shkëndija e parë e një flake të re
flakë që ndez mendje
diej, e shpirtra

flakë që s’ngroh, por djeg, përcëllon dhe përgjithmonë
lind qytetin feniks që s’ka për të vdekur më
përbaltjes, inercisë edhe mpirjes

përflaken
sytë e personazhit në fillimin e vjershës
që për vit të ri
i kërkon miqve si dhuratë
vetëm një lumë
një këngë
një flakë.

Tags: ,

One Response to “Ëndërr jo-melodike”

  1. jola Says:

    Pergezime Arber Zajmi, lexova poezine dhe ndjeva se stili narrativ poetik te kujton poemat amerikane te shek XX, te kujton te trishtin Tomas Eliot.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: