Ka gjithmonë dicka elegante në ndezjen e cigares me shkrepëse

by

Nga Arti Lushi

Dy mace, ateiste dhe të uritura sigurisht, dhe ndërmjet tyre rruga njëkalimshe e një lagjeje, banorët e të cilës u bënë vite që i kane halë në sy jabanxhinjtë…Sidoqoftë është verë dhe kampionati botëror i futbollit është pothuajse në kulmin e vet.
Bukur fort. Kjo i bën njerëzit ta duan më shumë sho-shoqin, veten pra, ndoshta ngaqë nuk e urrejnë. Jabanxhiu, të paktën për 90 minuta nuk është më jabanxhi: ai është sportdashës kryesëpari, kundërshtar sportiv së dyti, meqë shijet janë shije dhe pikërisht kjo le hapësirë për diskutim, dhe së fundi, njeri, po të gjejmë kurajon të kujtohemi, ashtu sic mund të na ndërmendet me pak sforcim golashënuesi më i mire i kampionatit botëror të para tetë apo dymbëdhjetë vjetësh. Dashuria nuk është identitet, ndonëse krijon të tilla (sa të hanë qentë, thuhet në zhargon). Dhe njerëzit, që të flasin sërish vetëm një gjuhë duhet të mblidhen e të ndërtojnë një Babel. Në këtë aspekt, sporti është një tullë. Guri i qoshes për këtë qytetërim zor se gjihet. Ani.
Bën vapë, e thashë më duket. Qielli qenka si një përzierje metaforash. Furra e bukës qëndron hapur, edhe për ata që duan të blejnë bukë. Përbri furrës, shitorja dhe shitësja, më e vogla ndër tri motrat(?), jo gjoksmadhja por brunja, ajo që të thotë gjithhere ”faleminderit, mirupafshim” edhe kur nuk ndihesh i bukur; shitësja pra, ka dalë jashtë, është ulur me kaq femersi në karrige dhe freskon këmbët, deri te pulpat e hajthme, me një shishe uji, tapa e të cilës është shpuar në mënyrë artizanale nja pesë a gjashtë herë me gozhdë, ose me gozhdë të ndryshkur.
Bën një vapë e zezë dhe mbrëmja është akoma larg.
Sipër furrës së bukës, në katin e katërt, vajza e virgjër e një familjeje ku gatuhen gjellë tradicionale, shkon te rafti i librave, zgjat dorën, tërheq një, krejt rastësisht, ashtu sic do të veprojë edhe më të dashurin e parë, librin e hap aty ku faqja 92 është përthyer jo estetikisht dhe lexon ”Kushtoji, o shpirt i ciltër, vëmendjen e duhur cmendurisë…” Vajza mbushet me frymë. ”…Të vetmes gjë të ndaluar për Zotin dhe të lejuar për njeriun: Endërro”
Fill mbas leximit të fjalisë atë e shkund shpërthimi i papërmbajtshëm i vëllait të madh dhe të atit njëherësh. 1 me 0 për Gjermaninë. Buzëqesh. Kthehet drejt raftit. Tashmë libri peshon ëmbëlsisht më rëndë në duart inteligjente të një gruaje që përpara e pret një jetë e saktë. Diktatura e castit lyp intimitet, kësisoj ajo ndjen domosdoshmërinë instinktive të bëjë një banjo cliruese. Për fat, thonjtë i ka prerë qysh parëmbrëmë dhe manikyri nuk e ka humbur aspak shkëlqimin e gjaktë naiv. Ndërkohe macet nuk e dinë që sot është e Dielë. Ato, ashtu sikurse njerëzit, e kanë më të lehtë të dinë c’mund të ndodhë nesër sesa atë cka nuk ndodhi dje. Dhe ja, Anglia pëson golin e dytë, njëra nga macet kapërcen rrugën njëkalimshme, dikush, diku, porosit prapë birrë dhe jeta rrjedh, e mirë, totale, pa jashtëqendërsi.

Tags: ,

5 Responses to “Ka gjithmonë dicka elegante në ndezjen e cigares me shkrepëse”

  1. desaparacidos Says:

    Sublime…

  2. mars Says:

    YYYYYY m’pelqeu!
    edhe fotoja natyrisht. jam fan.

  3. Nina Says:

    E lehte si hapat e nje balerine qe ecen ne maje te gishtave ne nje lendine ku here pas here has ndonje drize shpuese…

  4. dieYllka Says:

    mua me shume se teksti me pelqen titulli: fantastik!!!
    artikulli meriton pese yje vetem per titullin *****

  5. el_faraone Says:

    chapeau…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: