Masakra e Manastirit

by

nga L.Gërveshi

Pas përfundimit të revolucionit grek, ushtarët shqiptarë që ishin angazhuar me turqit u kthyen në fshatrat e lindjes duke shkaktuar trazira. Me pretekstin se nuk u ishin paguar rrogat ushtarëve, një varg komandantësh shqiptarë u larguan nga shërbimi zyrtar. Ndërkohë, Besëlidhja e Beratit  (krijuar më 1828) kishte mundur të tërhiqte në anën e vet edhe disa kapedanë grekë që qëndronin në krahinat e tyre për t’i mbrojtur nga dhuna osmane.

Por rradhët e saj u shtuan edhe me krerë të tjerë shqiptarë të pakënaqur nga Porta e Lartë, siç do shohim më pas. Në këto rrethana u krijua në sanxhakun e Janinës një gjendje e turbullt. Kryetarët  u akorduan për të krijuar një oligarki për të rivendosur rregullin, kryesia përbëhej nga tre persona: Iljaz Poda që komandonte Shqipërinë Qëndrore dhe kishte mbledhur rreth vetes trupat që kishin mbetur nga Ali Pasha, Veli Bej Laçe që mbante Janinën dhe pjesën tjetër të Epirit, i cili fshihte  ambicjet e tij duke pretenduar të përkrahte reformat e Portës, dhe Asllan Bej Puçe, një oficer i ri e
fisnik që përfaqësonte idetë kombëtare, dhe ishte më popullori nga të tre. Asllan Puçe ishte i biri i Ago Myhyrdarit, sekretari personal i  Ali Pashës, nga të tre ndoshta ishte ai që ishte me i rrezikshmi, jo nga pikëpamja ushtarake por nga ajo ideologjike, ishte poet edhe pse sot nuk ka ngelur asgjë nga krijimtaria e tij, lindur në 1807 e rritur në oborrin e Ali Pashës, kishin arritur tek ai idetë iluministe, kishte përfituar nga liria në oborrin e Aliut, ishte rritur pa pasur kurrë një turk mbi krye që t’i jepte urdhra, ishte vetëm njëzet e tre vjeç. Në të vërtetë një tjetër personazh fshihej mbrapa tyre dhe ky ishte Mustafa Pashë Bushati, më i rrezikshmi udhëheqës ushtarak ndër ata që kishin ngelur gjallë. Sulltani edhe pse e kuptonte paaftësinë e Mehmet Reshid Pashës, nuk ia hoqi menjëherë detyrat e valiut të Rumelisë dhe të vezirit të tre sanxhakëve të Shqipërisë Jugore, për të mos ia ulur autoritetin në sytë e shqiptarëve, por e largoi për në frontin ruso-turk, ngarkoi me detyrën e valiut të Rumelisë dhe të qeveritarit të sanxhakut të Tërhallës e të nazerit (mbikëqyrës, ministër), të derbendëve ish-Vezirin e Madh, Mehmet Selim pashën. Ndërsa në postin e qeveritarit të të tre sanxhakëve shqiptarë u emërua, me gradën e vezirit Mahmud Hamdi pasha, një nga vartësit e Mehmet Reshid pashës. Megjithatë, për të ulur hovin e lëvizjes në Shqipërinë Jugore dhe sidomos, për të nxitur më tej rivalitetin dhe armiqësitë midis krerëve kryesorë të kësaj lëvizjeje, sulltani kërkoi nga Mehmet Selim pasha që të thërriste Iljaz Podën në detyrën e myteselimit të sanxhakut të Tërhallës dhe të agait të derbendëve. Pas këtyre emërimeve, në vargun e feudalëve të rebeluar u përfshi edhe Asllan bej Puçeja,
ish-myteselim i sanxhakut të Tërhallës, një nga krerët më në zë të Shqipërisë Jugore, që mbeti pa ndonjë post zyrtar. I pakënaqur ishte edhe Ismail bej Qafëzezi i Kolonjës, të cilit Mehmet Reshid pasha i kishte premtuar myteselimllëkun e Tërhallës. Po ashtu, në këtë grup u radhit edhe Myslim Beu, vëllai i Veli bej Jaçes, komandant i Prevezës e i Artës, i cili ishte një tjetër feudal shqiptar po aq i fuqishëm sa Iljaz Poda ose Asllan Beu. Mehmet Reshid pasha i kishte premtuar Myslim Beut agallëkun e derbendëve, që nuk iu dha. Në këto kushte gjendja e turbullt u thellua në Shqipërinë Jugore dhe në të njëjtën kohë u shtuan armiqësitë dhe rivaliteti midis krerëve kryesorë. I braktisur nga një pjesë e mirë e komandantëve shqiptarë, veziri Mahmud Hamdi pasha u detyrua të thërriste në Janinë Veli bej Jaçen. Me këtë veprim Veli bej Jaçja, që konsiderohej ndër feudalët e fuqishëm shqiptarë, përveç Prevezës dhe Artës, vuri nën komandën e vet edhe kështjellën e Janinës, ndërsa veziri osmanlli u gjend në mëshirën e tij. Në këtë kohë edhe Vlora e rrethi i saj kishin rënë në duart e Beqir bej Vlorës, vëllait të Ismail Beut, ish-kryetarit të Besëlidhjes së Beratit, ndërsa qyteti i Beratit kishte rënë në duart e Tafil Buzit.


U mbëlodhë toskët Berat,

Me rebesh e me inat,

T’i bien kullës së kuqe,

Të nxjerin myhyrdar’ si nuse;

Me tridhjetë palë shkallë,

Të zën myhyrdar’ të gjallë…

-Le kalan’ e del si çupë,

Shqipëria s’do halldupë!

E njëjta gjendje ishte krijuar edhe në sanxhakun e Delvinës, ku Shahin bej Delvina, bejlerët e Gjirokastrës dhe ata të Çamërisë, vepronin me kokë të vet, pa pyetur për autoritetin e Mahmut Hamdi pashës. Meqenëse ky vezir nuk solli ndonjë shërbim, Porta e Lartë e hoqi dhe e dërgoi në frontin rus, ku Mehmet Reshid pasha po pësonte disfata mbas disfatash. Detyrën e qeverisjes së Shqipërisë Jugore Porta ia ngarkoi valiut të Rumelisë. Ky, me qëllim që të shtinte në dorë komandën e kështjellës së Janinës, kërkoi ndihmën e njërit prej feudalëve shqiptarë, Latif Efendiut. Ndërkaq, i premtoi komandantit të saj, Veli bej Jaçes, se do t’i paguante rrogat e ushtarëve nëse ky i largonte trupat e tij nga Janina. Por këto orvatje nuk patën sukses. E gjithë Shqipëria Jugore si dhe Tërhalla e derbendët, ranë në fakt në duart e feudalëve shqiptarë.
Pasi njohu pavarësinë e Greqisë (1830), Porta e Lartë u mor tërësisht me nënshtrimin e Shqipërisë. Pa u larguar akoma nga Edreneja, Veziri i Madh emëroi të birin, Emin Pashën, si qeveritar të Janinës, Mahmud Hamdi pashën si qeveritar të Tërhallës dhe si komandant të derbendëve, Iljaz Podën. Sipas mendimit të sulltanit, ai duhet ta emëronte këtë të fundit myteselim të sanxhakut të Vlorës me titullin “Kapëxhëbash (kryeportier) i Oborrit”, por kjo nuk pati efekt, sepse Iljaz Poda ishte kundërshtari kryesor i qeverisjes së Shqipërisë Jugore nga osmanët.
Nga Edreneja Mehmed Reshid pasha mbërriti në Manastir, ku ftoi krerët shqiptarë e sidomos Iljaz Podën, Asllan bej Puçen dhe Veli bej Jaçen etj., të paraqiteshin në selinë e tij për të biseduar për çështje të organizimit të ushtrisë dhe të pagesave të prapambetura.
Asllan bej Puçja pasi u takua me Veli bej Jaçen në Mecovë, vendosën të shkonin bashkërisht në Manastir të shoqëruar me kontingjente të forta ushtarësh, për të parandaluar ndonjë pabesi dhe për t’i shkëputur vezirit të drejtat që pretendonin.

Asllan beu me Veli benë,

në Meçov’ e bënë benë,

në Manastir do të venë,

të kërkojnë ylefenë.

-Po s’na e dhanë me të mirë,

do të djegëm Manastirë.

Ndërsa Asllan Beu e Veli Beu shkuan në Manastir, Iljaz Poda, që nuk i zuri besë Vezirit të Madh, u tërhoq në zonën e Dangëllisë dhe filloi përgatitjet për t’u mbrojtur në malin e Melesinit në rast se sulmohej nga forcat qeveritare, që mund të vinin kundër tij nga Korça ose Janina. Mehmed Reshid pasha nuk kishte aspak ndërmend të bisedonte me krerët shqiptarë që erdhën në Manastir, përkundrazi, ai kishte marrë masat për t’i likuiduar ata me pabesi. Pikërisht në këtë kohë ai i preu kokën në Berat Hasan bej Vrionit dhe vari në Manastir Shaban Gegën, që kishte zënë rob në Janinë.

Kur arriti në Manastir, Reshid pasha u soll gjoja sikur do shpallte një amnisti të përgjithshme, ftoi të gjithë krerët shqiptarë në një banket të madh për të festuar rivendosjen e marëdhenieve të mira me qeverinë qëndrore. Ftesa ishte pranuar nga krerët shqiptarë që kishin ardhur rreth 400-500 vetë, të udhëhequr nga Asllani dhe Veliu.

O Asllan e o Veli,

Bobo ç’jeni të këqi!

Veten e bëni beli:

Lëftoni me një vali,

Me një goxha Rumeli!…

Kur arritën veziri i priti me të gjitha nderimet, me mirësjellje e zemërbutësi, dhe u premtimtoi shumë gjëra të mëdha.

Veziri bëri gostinë,

thirri Asllan’ e Velinë.

Trima vet e trima beu,

sa hoqtë faqen e dheut!

Sadrazemi ç’u gënjeu,

ndë Monastir seç u preu
Kur arriti ora për të shkuar në banket, duhet të kalonin nëpër një shesh paradash, aty gjetën një trupë prej njëmijë vetash që po kryenin stërvitje, që ishin vendosur në të dy anët e sheshit, në mes të tyre do kalonin krerët shqiptarë. Kur pa këtë gjë Asllani ndjeu erë tradhtie dhe i thotë Veliut, “Hëngrëm m..”, por Veliu ia ktheu “Kjo është mënyra për të na nderuar”.

Tek i thirri me të parë,

Asllan beu tha një fjalë:

-Ec o Veli be me të parë,

se veziri të ka si djalë!

Veli beut i erdhi rëndë,

Tha:- O Asllan mos u trëmbë!

Menjëherë një breshëri plumbash u derdh mbi shqiptarët, e ndjekur nga bajonetat. Veli Beu dha shpirt menjëherë, por Asllani dhe të tjerët nuk u vranë, u tërhoqën në të djathtë, por një batare e dytë i griu gati të tërë. Nga e gjithë kjo shpëtoi vetëm Asllan beu i cili çau dhe po ikte me vrap.
Kur ra batare e parë,

Asllan beu lonte revanë,

kur ra batare e dytë

Asllan beu po hap sytë,

kur ra batare e tretë,

Asllan beu bëri përpjetë.
Por e diktuan, Ibrahim Pasha Qorri, një nga komandantët e Reshid Pashës ia hipi një kali të shpejtë dhe e ndoqi. E arriti pas tre miljesh , Asllani e hodhi nga kali, por nderkohë Ibrahim Pasha i kish ngulur shpatën në ijë.

-Ik, ik’ o çil’i shkretë,

se Qorr Pasha na vjen vetë!

A e shihni Qorr Pashanë

se si ka përveshur krahnë?

Marrë garginë mbë një anë,

për Velinë e për Asllanë
Kokat e tyre u prenë dhe u çuan në Stamboll.
O Asllan e o Veli,

Ç’u qan nëna në shtëpi:

-O të zest djemt e mi,

Ç’u erth koka në sini!

Në një vajtim për Abaz Thanën që u vra atë ditë thuhet:

Kush të mor të shkretat armë,

pisqollat e jataganë,

dhe atë dyfekun e larë?

Kush ta xhveshi fermelenë,

edhe kokën ta prenë?

Koka të mori Stambollë,

kurmi të mbeti Bitolë.

Kjo vlen për të gjithë ata që u vranë atë ditë.

Ndërkohë në Janinë gjendeshin vëllai i Asllan beut, Kapllan beu, dhe vëllai i Veli beut, Myslim beu. Reshid Pasha i dha urdhër djalit të tij Emin Pashës, që qeveriste sanxhakun e Janinës, t’i ftonte të dy bejlerët në kështjellën e Janinës dhe atje t’i vriste. Myslim beu ra në kurth dhe u vra, ndërsa Ethem beu nuk u gënjye, përkundrazi, me të marrë vesh vrasjen e shokut të tij, për të marrë hak, plaçkiti qytetin e Janinës me njerëzit e tij dhe u tërhoq në vendin e tij dhe Emin Pasha nuk qe në gjendje ta ndalonte dot. Reshid Pasha deshte të vriste edhe Aliko bej Lamçen, por ky i fundit u mbajt njëzet ditë me radhë në manastirin e Ostanicës, në krahinën e Pogoniamit dhe më në fund çau udhë midis trupave të vezirit të madh dhe iku në male. Reshit Pasha i ndërpreu veprimet luftarake në jug për shkak se veziri i Shkodrës, Mustafa Pashë Bushatlliu ngriti krye kundër qeverisë së Konstandinopojës, dhe Reshid Pasha, në mars 1831 u largua nga Janina për të marrë komandën e trupave që do niseshin kundër Mustafa Pashës.

Në kohën e këtyre ngjarjeve, djali i vezirit të madh, Emin Pasha, që babai e kishte lënë si guvernator në Janinë, luftonte kundër aleatëve të vezirit të Shkodrës në Shqipërinë jugore. Ai theu bejlerët e Çamërisë, që kishin sulmuar Janinën, pranë fshatit Velçisht, më 3 korrik 1831. Bejlerët u mbyllën në kalanë e Ajdonatit, pas një rrethimi prej dy muajsh, u detyruan t’i dorëzoheshin Emin Pashës. Kundër Iljas selihdar Podës, aleatit tjetër të vezirit të Shkodrës, që mbrohej në vendin e tij, në kalanë e Melesinit, veziri i madh dërgoi pashanë e Selanikut, Mahmud Pashën. Selihdar Pasha u mbajt për pesë muaj rresht me aq burrëri sa më në fund Mahmud Pasha u detyrua ta linte të largohej nga kalaja duke marrë me vete armët dhe plaçkën e tij.

Advertisements

Tags: , , , , ,

One Response to “Masakra e Manastirit”

  1. Fitili Says:

    Pershendetje

    Une kete pjese te historise nuk e njihja .

    Kam lexuar , komisioneri i festave te Ismail Kadarese , flet per vrasjen me pabesi te prijesve shqiptare qe i terheqin ne kurth duke e u thene se do bisedojne per paqen .

    Faleminderit per artikullin .

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: