Bardhyli dhe flamuri bardhë e blu

by

nga Darien Levani

Ka ca ditë në Tiranë të cilat papritmas të ngarkojnë të gjithë peshën e qytetin mbi shpatulla. Miq që i kishe harruar të marrin në telefon për atë muhabetin që ti s’mban mend fare, femra që deri dje nuk të shikonin me sy të ftojnë për një kafe” Bardhylo, ke humb fare, po mo, kafe te blloku lal, të lej numrin e telefonit…ë?, e ke numrin? …po ke atë të vjetrin ti, kam ndërru numër se ata të rripnin…, dhe ndërkohë Tirana blen aq shumë lojtarë saqë e ke të pamundur ti analizosh të gjithë.

Po marr një kafe në një lokal në qëndër dhe është pak a shumë mesditë. Jemi buzë rrugës dhe makinat kalojnë shpejt por jo sepse kanë ndonjë punë, vetëm për të ngritur pluhur kundër meje. Pendohem gjithmonë kur ulem në lokale buzë rrugës sepse zakonisht çohem si një raft i papastruar që nga viti 1945. Por ulem gjithmonë, dua të shikoj se si ndryshon qyteti im, të imagjinoj histori të bukura me femrat e bukura që kalojnë rrugës e histori të shëmtuara me ato të shëmtuarat. Përballë kam një pikë bastesh, një pastiçeri dhe një dyqan që shet pllaka. Një zhurmë që dikush quan muzikë arrin deri këtu por edhe mushkonjat që të vijnë në kokë kur fle gjumë kanë më shumë ritëm se sa muzika që del prej andej. S’e di se pse në këtë vend këngëtarët kanë filluar të marrin emra popullorë apo emra modern. Klodi i Rremes, Gjymi i Gimit, Goni i Shpetimit, Soni, Xheni, Xhoi. Mungojnë Xhejmsat e Bobat por do mbërrijnë edhe ata, qyteti jonë ka nevojë për xhejmsa e për boba.

Në këtë qytet, kur të kërkojnë, të kërkojnë të gjithë. Kështu që nga një anë arrin një mesazh nga një mikeshe që më fton për drekë ndërsa nga ana tjetër shfletoj gazetën dhe lexoj “Kërkojmë shtëpi serioze, pa humbje kohe 113 metër katror. Kontakt i menjëhershëm, jo e-mail.”

Natyrisht që nuk ka asnjë adresë e-maili, është një mesazh i fshehur dhe duhet të shkoj në një pallat luksoz në qëndër. Në një kuti poste ka një mesazh për mua. Një tavolinë më tej një vajzë e një djalë zihen me shumë edukatë.

Në një rast tjetër do hidhesha përpjetë nga çudia sepse është e rralle që ata të më kërkojnë dhe duhet të ketë ndodhur diçka shumë e rëndë, por për momentin përtoj. Do doja të porosisja një kafe tjetër, do doja të rrija këtu deri sa bobat e xhejmsat të dalin e të zhduken e derisa Durrësi të bashkohet me Tiranën.

<< Po të mos flisje me të tjerët e të më doje seriozisht nuk do shkoje me shokët e tu tamam për përvjetorin tonë. Nesër mbushim një muaj nga hera e parë që kemi dalë bashkë…>> thotë vajza.

<< Po po të mos shkoja do bëhesha ai lloj njeriu që urrej, ai që braktis shokët. >>

Tani kanë ngritur zërin dhe dëgjoj çfarë thonë. Vajza është e lezetshme por ka një zë gati histerik, sikur nga momenti në moment do fillojë të qajë. Të gjithë në Tiranë kanë dy lloj fytyrash: sikur janë gati të qajnë apo sikur po shkojnë në luftë. Dakord, s’është shumë e saktë po ama tingullon mirë. Vë bast me veten që nëse muhabeti bëhet i rrezikshem vajza do qajë. Është menyra më e mirë për ta bindur që të mos shkojë me shokët, por kur e shikoj përsëri kuptoj që ajo s’do ketë nevojë për këtë truk, do e bindi shumë më shpejt. Anulloj bastin e mëparshëm dhe vë bast me veten time që vajza do fitojë pa qarë fare.

<< Por nëse për ty është më e rendesishme që të shkosh me ta…>> thotë me një keqardhje të shtirur.

Sikur t’a dija. Ky po që është kundërsulm model, jo si ata që bën Tirana kohët e fundit që edhe një sulmus i joni kundër një mbrojtësi kundërshtar arrin të dali në jashtëlojë, Z-ti vetëm e di se si.

<< Për mua s’është e rëndësishme të shkoj me ta. Nëse do që të rrimë bashkë…>>

Ka ndeshje në të cilat e di që nuk do fitojmë sepse nuk do shënojmë edhe sikur të bashkohet qielli me tokën. Atëherë lë stadiumin ca minuta para dhe pres të dalin tifozët e tjerë. Studioj zhgënjimin e tyre dhe bashkohem me ta. Edhe tani e di si do mbarojë ndaj paguaj dhe dal. S’do shkojë me shokët, mirë ti bëhet. Boll halle kam vetë. Arrij pallatin në pak minuta dhe gjej çelësin e kutisë nën qylym. Më vonë do kujtohem që çelësi nuk ndodhej tamam aty ku duhej të ndodhet. Është pak më anash po për momentin nuk e vë re. Hap kutinë dhe gjej një makinë fotografike nga këto të rejat. Kërkoj më tej e gjej një copë letër gjysëm të grisur. Jam me fat sepse sapo marr letrën ikin dritat dhe si gjithmonë në këto raste veshi kap zhurma që më parë nuk do i kapte. Kaloj disa sekonda në errësirë pastaj dëgjoj dikë që merr frymë shumë afër, pak metra sipër meje. Është normale që të më përgjojnë, por s’është hiç normale zhurma metalike që dëgjoj një sekond më vonë. Truri im punon me dyfishin e shpejtësisë. Zhurma, metali, ushtria, policia, TT, duhet hequr gjithmone siguresa. Një sekond para se të dëgjoj të shtënën e parë hidhem përtokë nga ana e daljes që është akoma hapur. Aroma e barutit sikur më zgjon, nga jashtë shtyj portën me këmbë dhe filloj të vrapoj me aparatin në një dorë e me letrën në tjetrën. E mbaj vrapin shumë larg nga pallati, në një treg afër dhe gjëja e para që bërtas është Robt motrën robt motrën roooooooooooooobt.

S’më flet njeri, vetëm dikush më shikon shtrembët por kur i kthej shikimin ul kokën. Ndoshta mendojnë që po flas me celular. Celularët e vegjël na kanë shpëtuar neve, s’na quan më njeri të çmendur. Rrasem në cep të një dyqani, bëj radhen me të tjerët që të jem i mbuluar dhe lexoj letrën. Është e grisur dhe lexohen vetëm dy rreshta : Nisu tani! Dhërmi ose Himarë. Shko dh!

<< Ça djathi do? >> më pyet shitësi. Shikoj me çudi pastaj kuptoj që jam i pari i radhës. << Kemi djath Berati, djath grek e Gjirokastre. >>

Pjesa 2

Nëse më parë nuk e dinin se kush duhet të tërhiqtë letrën, tani e dinë. Për momentin kanë vetëm një fytyrë, fytyrën time, por s’kanë akoma emër e mbiemër. Kanë edhe një plumb më pak dhe duhet të jenë komlet të shkalluar sepse s’mund tu qëllosh njerëzve kështu, ndërsa janë duke punuar. Duhet të shkoj në Dhërmi apo në Himarë, por jo me makinën time. Ndoshta ishin aty tamam për mua e jo për letrën, kështu që dinë gjithçka, emër, mbiemër, numër këpuce. Jo me autobuz, njohin fytyrën time tashmë. Jo me makinë jo me autobuz. T’a marrë dreqi, s’dua të fus Oltin në këtë muhabet.

Mendoj këto gjëra ndërsa shikoj flokët e mi tek bjen përtoke. S’kam asnjë kontakt me ta, i njoh pak. S’mund të kem kontakt me këtë punëdhënës, i kam takuar rrallë dhe në errësirë. Kam garanci që bëjnë gjëra që nuk shkojnë kundër ndërgjegjes sime, por s’e di se kush janë. Dedektiv trapi, dedektiv i këtij timit, mendoj. Po tani, do presësh të dali gazeta nesër a pasnesër?

E shaj veten, e bëj për një lecke po nuk ndihem më mirë. Okej. As që më rref fare të shkoj në Dhërmi-Himarë. Në Dhërmi apo në Himarë pastaj, hajde merr vesh. Por nëse nuk e bëj ndoshta s’do e marr vesh kurrë për ça bëhet fjalë. Aq më mirë, bëhet fjalë për njerëz që gjuajnë e vrasin. Nëse nuk e marr vesh se ça po ndodh do jetoj shumë kohë me frikën se dikush më qëllon nga një moment në tjetrin. Diku në ndonjë lagje të errët apo ndonjë aksident. Një makinë që ecte shumë shpejt, aksident. Ndodhin përditë. Duhet të shkoj. Pikë.

<< Dymi e pesëqind lek.>> thotë berberi dhe sikur më zgjon nga gjumi.

<< Po. >>

Ora një, ndoshta po më ndjekin edhe tani. Dreqi ta marrë. Dreqi ta marrë. Duhet të vendos. Unë do shkoj, e di që do shkoj. Por duhet vetëm të jem i qartë me Oltin, në këtë histori mund të rrezikojë shumë. I telefonoj nga një kabinë afër postës, në mes skambistëve.

<< Po >> përgjigjet. << Avokat Shehu. >>

<< A kemi rënë dakord që kur përgjigjemi duhet të themi avokat e hetues? >>

<< Ti je? Ça do? >>

<< Olto, do të çoje lali jot me pushime. Sa herë ke thënë ti që do me shku në Himarë a në Sarandë? >>

<< Ë? >>

<< Erdhi edhe dita jote. >>

Mendohet pak, nuhat zërin tim pastaj pyet.

<< Ku është e futmja? >>

I shpjegoj ku është e futmja kur takohemi, pak më vonë. Ai ngadalëson dhe unë hipi në makinë afër 21-dhjetorit. Ashtu si e kam këshilluar në telefon nuk e ndal fare makinën. Kam frikë, kam vërtet frikë kësaj here.

Në fillim Olti qesh kur më sheh me flokë të qethura e me mjekërr të rruar mirë. Qesh, më shikon, qesh përsëri.

<< Ç‘ne që ke fillu me e rrujt? >> më pyet.

Nuk qesh më kur i shpjegoj sa ça më ka ndodhur. J’a them të gjitha, i them edhe se kush më ka futur në këtë telash. Është sekret. Normalisht s’do ja thoja askujt por edhe ai po vë kokën në rrezik, është e drejtë që ta dijë.

<< As vetë s’jam i sigurt se kush janë Olto. Por paguajnë mirë dhe kërkojnë të bëj punë që më pëlqejnë. Si t’a them, nuk besoj se janë shërbimet sekrete, edhe pse ndonjëri prej tyre mund të jetë. Ndonjë tjetër mund të jetë profesor apo politikan. Le të themi që më thërrasin kur duhet të bëj punë që një shtet s’mund të bëjë, për arsye diplomatike, kupton? >>

<< Jo, s’po kuptoj asgje. >>

<< As unë. Nuk e di mirë, nejse. >>

Nuk i kërkoj gjë, s’është e thënë që të më ndjeki. Më duhet vetëm makina, s’dua të përdor timen e as të marr autobuzin. Thotë që do vijë me mua, unë refuzoj e ndërkohe nisemi. Dreka bëhet mbasdite pastaj mbasditja bëhet mbrëmje e ne po zihemi akoma nëse ai mund të vijë apo jo. Në fakt besoj se edhe kur më thotë që jemi në Himarë po bërtas akoma, po i them që s’duhet të vijë me mua kësaj here.

<< Edhe sikur të vije, plani im parashikonte që të mos paraqiteshim bashkë këtu. >> i them sa për të nxjerrë inatin. << Do vija unë më para e mbas një apo dy ditësh ti. Po tani…>>

<< Po unë sikur s’do vija fare. >> përgjigjet.

<< Sikur të vije pra. S’do vije fare sot, do vije nesër a pasnesër. >>

<< Nëse e njoh pak këtë vend, >> thotë ai << edhe sikur të vija mbas një jave do e merrnin vesh që jemi bashkë. Nuk është as sezon plazhi, ti e unë jemi gjëja më interesante që ndodh këtë muaj. >>

<< Jo tamam. Shiko atje. >> I bëj më dorë një shtëpi nga e cila valëvitet një flamur. Jemi në të hyrë të qytetit apo të fshatit, s’e kuptoj mirë se çfarë është. Poshtë nesh shikoj flamurin dhe më kap hidhërimi.

<< I vetmi flamur bardhë e blu që duhet të valëvitet në këtë shtet është ai i Tiranës.>> vendos unë. Mundohem të fsheh hidhërimin me këtë gjysëm batute por nuk ndryshon asgjë. Të lodhur nga rruga ulemi sipër makinës dhe në gjysëm errësirë shikojmë flamurin si të hipnotizuar. Dua të qaj, mundohem të qaj. Ndoshta lotët do zgjojnë Gjon e Gjergj Kastriotin, Azem e Shote Galicen, Mustafa Gjinishtin apo Mujo Ulqinakun. T’i sjell këtu të shohin, të më vijë turp para Ismail Qemal beut e para Bajram Currit. Të mos duroj dot vështrimin qortues të Luigj Gurakuqit, të ul sytë para gjakut të Avni Rustimeti e Adem Jasharit.

<< Sa poshtë kemi rënë? >> pyes Oltin.

<< Shumë. >> thotë.

Shikojmë flamurin. S’kam qënë kurrë patriot por në këtë moment ndihem i vogël e pa vlerë para burrave që ndërtuan këtë vënd.

<< Shumë, shumë. >> përsërit Olti.

Drita e fotografisë sime çan errësirën dhe i çon një mesazh kujtdo që po priste një mesazh. Bardhyli ka ardhur dhe po ju pret.

<< Po tani? >>pyet Olti.

<< Ki durim, >>përgjigjem << nëse kam pak talent, besoj se tani janë çuar. Kanë parë dritën dhe po na prisnin. Të paktën, shpresoj të jetë kështu. E ndjej që është kështu. Tani po vendosin. Tani po veshin pantallona, këmisha e këpucë e pas pak do jenë këtu. Nëse nuk vijnë atëherë do provojmë në qytetin tjetër. Nëse s’ndodh asgjë kthehemi në Tiranë. Po na presin, jam i sigurt. >>

Por s’është e nevojshme të ndërrojmë qytet. Jemi ndalur në një tip kodre të vogël dhe shikojmë tek na afrohet një grup. Ecin shpejt por para se të ngjiten te ne ndalin e ndahen. Arrij të dalloj se si dy fshihen mbas një shtëpije, janë vetëm hije por i shikoj shumë qartë. Ecën vetëm njëri. Ashtu si e parashikoja ka këmishë të bardhë, moshe e thyer dhe ecen me hap të shpejtë e të vendosur ashtu si ecin vetëm ata që kanë kaluar jetën nëpër ara. Arrin deri te ne dhe ndalet.

Pjesa 3

<< Erdhët? >> thotë

<< Siç e sheh. >> përgjigjem unë

<< Mirë se ju gjetëm>>thotë Olti

<< Kristo.>>dhe zgjat dorën.

<< Bardhyli. Olti. >> them unë.

<< Shyqyr që erdhët. >> thotë ai por nuk e mendon, duket që nuk e mendon. << Po ju prisnim. Nesër kemi manifestimin dhe na duhen dy krahë më shumë. >>

<< Për çfarë jemi këtu? >>pyet Olti.

<< E dini se për çfarë jeni këtu. >>thotë duke qeshur.

<< Si t’a thonë emrin tamam? >>pyes. << Jo si të thërrasin tani po si të thërrisnin më para? >>

<< Kjo s’ka rëndësi. >>

<< Për pisqollat e bacë Isës, ky nuk e di kodin. >>i them Oltit<<Po humbasim kohë. >>

Në fakt nuk ka asnjë kod po ai nuk e di. As unë nuk e di kështu që dua vetëm t’a provokoj. Kristo heziton.

<< Olto ky s’di asnjë gjë. >>bërtas me zë të lartë. <<Ka ardhur kot. >>

Bërtas sepse dua të di emrin e tij të vërtetë por jo vetëm për këtë. Mbas nesh dikush po zvarritet dhe nuk është njeri i Kristos. Është dikush tjetër që ndalet kur unë mbaroj së bërtituri. E kam mbuluar deri diku, tani le të rrijë e të dëgjojë aty, s’kam besim nëse afrohet më shumë dhe nuk e di se çfarë do. Nga mënyra se si lëviz mund të jetë vetëm një burre ose një hardhucë gjigande, por le të dëgjojë.

<< Ikim Olto. >> them unë.

<< Dakord dakord. Qazim. >>

<< Qazim. >>qesh Olti.

<< Ai qeka. Në rregull. >> them unë kot fare. <<Tani Qazim, na trego planin.>>

Sheh me dyshim rreth e rrotull dhe kam frikë se mos e ka dëgjuar edhe ai spiunin tonë. Por pas pak fillon të flasi dhe kuptoj që nuk dyshon asgjë.

<< Nesër kemi dimostratën. Tani do shkojmë tek shpia ime e do flemë ca orë. Në mëngjes pastaj kemi punë. Ju do ecni vetëm me mua, do bëni ça t’ju them unë. Ata që ju kanë dërguar duan që demostrata të zhvillohet në mënyrë demokratike, pa incidente. Ndaj na duheni ju. Po tani më mirë të ikim.>> thotë duke na kthyer shpinën.

<< Si të dush ti mër babë.>> i përgjigjem.

Mbyllim makinën dhe e ndjekim. Kur Qazimi nuk më sheh përfitoj dhe kthej sytë nga Olti. Tund kokën për të thënë që jo dhe edhe ai ul kokën për të thënë që e ka kuptuar. Ndoshta është një kurth por nuk kemi zgjedhje. Ecim deri te shtëpia e tij dhe dy hijet na ndjekin disa qindra metra, pastaj në fillim njëri e pastaj tjetri ndalen. Besoj se po shkojnë secili në shtëpi dhe marr frymë i qetë, më në fund.

Shtëpia e Qazimit është e vogël dhe pis. Na tregon një dhomë dhe na sjell çarçafë. Thotë që ai do flejë në korridor. Unë mundohem të marr ndonjë lajm tjetër por kyçet si kasafortë. Përsërit vetëm që duhet t’a ndihmojmë sepse demostrata është e rëndësishme dhe demokratike, pastaj shtrihet dhe gërhet. Nuk besoj se po fle. Në dhomë gjej gazeta, ca shqiptare e ca në gjuhë të huaj. Dreqi t’a marrë, ça po bëj këtu? Dua të flas me Oltin por ia ka futur gjumit i lodhur nga rruga. Shtrihem dhe mendoj. Tani në korridor Qazja nuk gërhet më por është akoma aty. Afrohem te dera pa bërë zhurmë dhe dëgjoj që edhe ai është nga ana tjetër e derës, po na përgjon. Asnjë nga të dy s’lëviz për disa minuta. Qazja ka një frymëmarrje të rëndë dhe kushedi se sa kohë do rrijë aty sikur Olti të mos fillojë të gërhasi. Atëherë shkëputet dhe e dëgjoj tek vishet. Pas pak minutash ka dalë. Unë jam i veshur, hidhem nga dritarja pa bërë zhurmë dhe këmbët më gjakatosen sipër gurëve. Në nxitim e sipër s’marr këpucët, pendohem po do ishte e rrezikshme, preferoj të mos bëj zhurmë. Kështu mund t’a ndjek Qazen pa rënë në sy dhe përsëri është e rrezikshme. Ai e njeh këtë qytet si xhepat e tij, unë thjesht duhet ta ndjek pa ditur se ku shkon. Për ca minuta zhduket në një tip kasolleje afër shtëpisë dhe une e pres jashtë. Del me diçka në dorë pastaj niset. Dëgjohen vetëm zhurmat e natës derisa ai bashkohet me dy hijet. Dëgjoj përshëndetjet pastaj Qazimin që shpjegon diçka. Janë ndalur ndaj përfitoj, afrohem edhe pak. Qazimi heq diçka nga shpina dhe ja kalon njërit prej miqve. Objekti është i mbështjellë me rrecka dhe s’kuptoj se ça është por miku i tij e hedh në krahë tamam sikur të ishte një pushkë.

<< …heronj të mëdhenj. >>thotë Qazimi.

<< Duhej, kjo duhej. >> i përgjigjet dikush.

<< Fat i rënë nga qielli. >>vazhdon Qazimi. <<Po tani duhet të ikim, jemi vonë.>>

Ecin me nxitim dhe i ndjek për më shumë se një orë. I humbas shumë herë dhe gjithmonë kam frikë se s’do i gjej më e do sillem rreth e rrotull gjithë natën. Plani im po shkon për kurva, tamam për kurva. Mendoja t’i ndiqja e të kthehesha në dhomë para Qazimit po tani kam humbur rrugën e sikur të dua s’kthehem dot as në shtëpi. Kontrolloj orën, ka kaluar ora katër dhe ata ecin akoma. Nuk bëjnë asnjë pushim ndërsa unë shpohem e gërrvicem në këmbët e zbathura. Çorapet janë copë, ndjej gura që më futen mes gishtave e më çajnë por eci. Ndalen pas nja një ore e gjysëm në majë të një kodre çuditërisht të ndriçuar. Shpresoj që të jenë duke zbritur nga ana tjetër dhe mbas shumë vitesh lutem. Ishalla janë duke zbritur, them, ndryshe do gjendemi ballë për ballë.

Pastaj ngjitem edhe unë, të dali si të dali.

Pjesa 4-

Del që janë duke zbritur. Unë ndalem në majë të kodrës dhe i shikoj në rrëzë të saj tek zbresin me vrap. Poshtë është një si fushë e vogël ku janë ndalur pesë apo gjashtë autobuza me drita ndezur. Duhet të kenë udhëtuar gjithë natën. Shikoj që autobuzet janë akoma plot me njerëz që flenë ndërsa të tjerë presin jashtë. Pinë cigare, ecin lart e poshtë pastaj kthejnë sytë nga Qazimi. Era më sjell deri këtu copa diskutimesh dhe jo, nuk flasin shqip. Qazimi dhe dy miqtë e tij zbresin nen shikimin e të gjithëve dhe ndalin para një burri që duhet të jetë shefi. Ndërkohë kam nxjerrë makinën dhe filloj të fotografoj. Shyqyr Z-tit kujtohem që ti heq dritën. Shefi ndalet para miqve të mi dhe u bërtet diçka ndërsa këta rrinë me kokë ulur. Nuk dëgjoj gjë por besoj se po i shan sepse kanë arritur me vonesë. Pasagjerët e tjerë shikojnë pa folur, dëgjojnë të bërtiturat që nuk pushojnë më. Mbas dhjetë minutash apo një çerek ore një nga miqtë e Qazimit thotë diçka. Më mirë t’a kishte mbajtur gojën mbyllur. Shefi afrohet dhe i gjuan me të dyja duart në të dyja faqet. Profesori im këtë e quante sanduiç shqiptar dhe të dhemb shumë. Hija nuk flet më. Për pak minuta rrinë në heshtje pastaj Qazimi merr guxim dhe fillon të shpjegojë diçka. Shefi e dëgjon pastaj qesh. Qeshin të gjithë, edhe ai që ka ngrënë shpulla. Qazimi i bën me dorë nga pushka dhe vazhdojnë qeshin. Kushedi ça ndodh. Mërzitem e vendos që mund të pi një cigare. Nëse era e çon tymin deri aty, edhe ata do jenë duke pirë dhe nuk do e dëgjojnë. Është rrezik por po më çahen hundët.

Ndez cigaren e shikoj rreth e rrotull, derisa kuptoj që nuk jam i vetëm. Me qindra metra larg meje një dritë tjetër fiket e ndizet. Mirë mirë, jemi dy sot. Besoj se është Hardhuca Gjigande që po na përgjonte më para. Nëse është aq i pakujdesshëm sa të mos vëri dorën para cigares kur e thith mund të më krijojë veç probleme. Pres. Pret Hardhuca, presin pasagjerët poshtë.

Organizohen mbas një ore. Mbushin autobuzin e parë dhe Qazimi hip te vendi i shoferit për ti futur në qytet ndërsa unë vazhdoj të fotografoj. Niset me drita fikur dhe kthehet mbas nja gjysëm ore, me autobuzin bosh. E ngarkon përsëri dhe niset. Pres deri kur niset autobuzi i parafundit dhe pastaj zbres e kapem mbas tij. Qazimi është i detyruar të eci ngadale sepse mban dritat fikur. Kur merr kthesa të rrezikshme lëshohem nga autobuzi e eci në këmbë. Para se të futet në qytet ndalet e shkarkon pasagjerët. Këtu i marrin dy miqtë e tij dhe i shpërndajnë nëpër shtëpi, lënë ca këtu e ca atje kurse Qazimi kthehet mbrapsht. Buzëqeshni, po dilni në resme, mendoj. Jam gati të bashkohem me ta por do ishte shumë e rrezikshme. Atëherë sillem nëpër qytet për të gjetur shtëpinë por nuk ja dal mbare. Mendoj të marr Oltin në telefon por do ishte e kote, as ai nuk e di se ku ndodhet. Jam akoma në xhiro kur zbardh agimi dhe s’është ide e mirë të vazhdoj pa këpucë . Për momentin s’ka akoma njeri por se shpejti do mbushet plot. Një i dehur më del perballe dhe mezi mbahet në këmbë , më shikon dhe bën të më afrohet duke më parë në sy. Tamam atëherë dëgjojmë zëra që vijnë nga një pallat afër. Janë shumë burra dhe po zbresin, pas pak sekondash do dalin. Unë largohem shpejt derisa shikoj një kafe në qender. Futem në një cep ku nuk më duken këmbët dhe pres kamarierin. Është ora shtate e gjysëm dhe kam gjumë. Duhet të shkoj në banjo të laj gjakun nga këmbët e sakatosura po për fat të keq lokali fillon mbushet dhe nuk lëviz dot.

<< Ti je me Kriston? >>më pyet dikush.

<< Po. >>

Ulet pa më kërkuar leje.

<< Unë jam Sandri. >> thotë . <<Jam mësues në gjimnaz. Edhe ti për demonstratën? >>

<< Po, natyrisht.>>

<< Sot do u’a tregojmë se kush jemi.>>

Sandri duhet të jetvërtet rreth 35 vjeç dhe është një çun vërtet i bukur. Por ka një lloj bukurije që urrej, ajo që të jep të drejtën të sillesh keq me të tjerët. Ndoshta kur ka qënë i ri femrat linin kokën mbas tij, ndërsa tani e lënë gjimnazistet. Edhe ai si mua ka sytë e fryrë, duket që nuk ka fjetur shumë.

<< Ça lënde jep? >> pyes sa për të pyetur diçka. Meqë Qazimi do që ky Sandri të më ruajë, pse të mos e mbaj me muhabet.

<< Gjuhe-letërsi. >>shpjegon. Pastaj kthehet nga baristi dhe bërtet . <<Malaka. Kafe pra. Ka ardhur miku nga Tirana. >>

<< Erdha. >>

<< Dëgjo Sandro…se mua më doli gjumi e dola shpejt për të pire një kafe. Gjeta këtë barin po nuk e di tamam se ku jam e shoku im është te shtëpia e Kristos. Ja shpjegon pak si të vije?>>

I jap telefonin tim dhe ai zgjon Oltin. I shpjegon si të na arrijë dhe pastaj më kthen celularin.

<< E sheh atë Bencin jashtë? >> pyet Sandri. Kërkoj me sy dhe e shikoj.

<< E shoh. >>

<< Është imi. >> thotë me kënaqësi. Pres të vazhdojë fjalinë po ka mbaruar më duket, kaq ishte. E di se kështu kam Lymin unë në Tiranë. Lymi vetëm këtë muhabet ka. E shita Fordin Bardhylo bleva një Benc, makine gjermane më, e shita edhe Bencin pastaj, bleva nja Ford.

<<Ëhë, po pastaj Sandro? >>

<< Kaq mo. Është makina ime. Kap 170 pa problem, e ha rrugën. Djeg shumë benzinë ama. >>

<< Po mirë o Sandro, makinë është. Edhe unë kam këtë çakmakun këtu po s’mburrem. E di ça i puno benzinës ky, e bo shkrumb. Po s’është puna me u mburr tani.>>

<< Jo mo, kot. >>

<< Duhet ti çoj një mesazh gruas. >> them duke marrë celularin. Nuk jam shumë i shpejt për të shkruar mesazhe por arrij të shkruaj lal merr kpucet e mia para se të vish. pa të parë njeri. Ja nis dhe shpresoj që të mi sjelli. S’mund të më zbulojnë pa këpucë, mund të kuptojnë gjithçka. Dhe pastaj, sinqerisht, mbas asaj që kam fotografuar do ishte turp sikur të më zbulojnë sepse s’kam këpucë.

Mbërrijnë kafet dhe mbërrijnë edhe klientë të rinj shoqëruar nga Qazimi. Përfitoj nga fakti që Sandri përshëndet ca të njohur për të derdhur një gote uji nën tavolinë dhe i ve këmbët sipër. Më në fund pak paqe. Pastaj shikoj Qazimin e miqtë e tij. Edhe dhjetë metra larg duket që nuk janë shqiptarë. Qazimi u sillet rreth e rrotull si qeni para kockës, futet mbas banakut për të bërë frape dhe ua çon në tavolinë, pastaj më shikon mua.

<< Miku im.>> bërtet para se të ulet me ne. << Më fal, sot dola herët në mëngjes e mendova të mos të zgjoj.>>

<< S’ka problem. Ja edhe unë sa u zgjova e erdha për të pirë një kafe. >>

<< Olti? >> pyet.

<< Po vjen tani. >>

<< S’ke fjetur mirë ? >>thotë duke më parë me dyshim.<<I ke sytë pak të fryrë.>>

<< Dhëmballa Qazim, dhëmballa. Më lë pa gjumë. >>

<< Edhe sonte? >> pyet. << Ça bërë, dole? >>

<< Jo mo ça të dilja. Shtri në krevat, duke menduar për misteret e jetës edhe të dhëmbëve. Ja, shiko këtu. >> Hap gojën dhe i tregoj një dhëmb kot. < <E shikon? >>

<< Po po, e shikoj. Po mos më thërrit më Qazim. >>

<< Dakord Qazo.>>

Sandri qesh pak, shumë pak dhe Qazimi nuk e sheh.

<< Ne duhet të flasim, >> më thotë Qazja. << Jashtë prej ketej. Sapo të mundemi.>>

<< Dakord, dalim. >> them unë dhe i tregoj cigaren akoma në gjysëm . Duhet të mbaroj cigaren, normalisht. Jam në kurth, jam përsëri në kurth. S’mund të çohem sepse do më shikoje zbathur dhe do e kuptoje. Kap filxhanin e kafes, është akoma në gjysëm dhe po mbaron, gjithçka mund të mbaroje nga një moment në tjetrin.

Të bertitura në gjuhë të huaj, kthejmë kokën andej. Një vizitator i ri plaset tek tavolina e grekeve dhe rrezon gjithçka në toke. Gota që thyhen dhe i ardhuri i ri që ecen duke u tundur. Qazimi vrapon atje ndërsa i dehuri drejtohet nga tavolina jone.

<< Është i dehur. >>më thotë Sandri, << mos ja var e iken vete ai. >>

<< Jo mo, unë s’ja var >>.

<< Unë jam Gjergji. >>thotë i dehuri duke mu ulur përballe. <<Gjergji si Gjergj Kastrioti Skenderbeu. Ke noj problem ti? >>

<< Jo. >> përgjigjet Sandi.

<< Mirë. O çuno, sill pra një raki. >>

Qazimi vazhdon të rehatoje miqtë e tij ndërsa Gjergji kthen goten e parë.

<<Për demostraten? >>më pyet.

Bej me shenjë që po.

<< Nga dheu dilni ju kur ka demostrate që dheu ju hongert. Se nga vini s’e di? >>

Unë e di, e di shumë mirë, e kam edhe prova por s’mund t’ja them.

<< O çuno, sill edhe një tjetër.>>

As Gjergji s’ka fjetur. Duket sikur këtë natë këtu s’ka fjetur asnjë, përveç Oltit që futet duke hapur gojën. E shoh me kujdes, nuk ka këpucë të fshehura në xhakete. Ta marrë dreqi ta marrë. Ulet në tavolinë me mua dhe e shikoj me inat po s’ma var fare. Ndoshta i ka lënë këpucët jashtë dhe ka ndonjë plan djallezor që të mos zbulohemi. Normal, kështu duhet të jetë .

<< Më jep një sekond celularin Olto se s’kam lek te imi.>>

<< Patjeter. >> thotë duke ma zgjatur. Një mesazh i palexuar. Nga Bardhyli, domethene nga mua. Shpresa ime e fundit shkon për kurva.

<< Duhet të dalim. >> thotë Qazimi. Është në këmbë afër tavolinës tonë dhe pret që unë të çohem.

– Pjesa 5 –

<< Po po, ty po të prisja. >> përgjigjem duke u menduar. Të porosis edhe një kafe tjetër? Duke u mendiuar lëviz këmbët dhe has diçka të forte. S’është kemba e tavolinës, janë këpucët e dikujt. I ve këmbët sipër dhe janë bosh. Falenderoj Z-tin dhe kollitem fort. Trupi im merr forma të çuditshme dhe arrij të fus këmbën në një këpucë pastaj në tjetren.

<< Dalim. >> them duke u çuar. << U be çerek ore që po të pres. >>

Nuk shkojmë shumë larg, ndalemi mbrapa lokalit ku nuk kalon asnjeri. Në fillim jemi vetëm unë e Qazimi po pastaj vijnë të tjerë , dy hijet e tij. Jam i mbështetur mbas murit, i rrethuar nga ta.

<< Erdhi edhe dita jone. >> thotë Qazja. <<Do nisemi mbas nja një ore. Thjesht një xhiro në qytet, nga ora tetë deri në ora nëntë e gjysëm . Në fakt më vjen keq, mendoja që do kisha nevojë për ty po tani s’kam. >>

<< Domethene? >> e pyes me gjakun e ngrire.

<< Domethene që organizuam gjithçka vete. >>flet njëri nga hijet. <<Mendonim se ti do na ndihmojë, ndaj edhe të nisen këtu po ja që ja dolem mbare. >>

<< Ah, dakord, >> them unë .

<< Ti dukesh që je çun i zgjuar e që të hane duart po do kesh raste të tjera, mos u merzit. >> më ngushellon hija duke më rënë lehte në shpatull.

<<Shpresoj. >>përgjigjem. << Kisha bërë gjithë atë rrugë për këtë demostrate po, ca ti besh? >>

<< Kaq kisha. >> përfundon Qazimi.

<< Kur nisemi? >> e pyes.

<< Për një ore. A je gati, a je i forte? >>më pyet duke qeshur e duke më qelluar në shpatull sikur do të më japi zemer. Është shumë simpatik biri i kurves.

<<Gati jam. >> them duke mbledhur grushtet e duke treguar muskujt.

<< Mirë ateherë. Takohemi më vonë.>>

Ikin pa kthyer kokën mbrapa por të qeshurat e tyre më vertiten në kokë për shumë kohë. Unë futem përsëri në lokal dhe ulem me miqtë e mi. Olti e Gjergji po diskutojnë për diçka ndërsa Sandri dëgjon me vemendje. Heq këpucët dhe i le aty ku i gjeta. Por plani im prishet përsëri kur Olti më thotë që nuk i ka celesat e shtëpisë së Qazimit. Mbreterinë time për një pale këpucë , mendoj.

Nuk besoj se në Himarë e kanë zakon që të lënë këpucë nen tavolinë kështu që duhet të marr një vendim. Por s’kalon shumë dhe na bertasin që duhet të dalim, po fillon ngjarja që të gjithë në prisnim. Qazimi vjen e na ngre gati me forcë. Ndjekim kontingjentin grek që ishte në tavolinën afër, ndërsa Sandri e Gjergji rrinë akoma ulur. Djelli i mengjesit më godet papritmas dhe ve dorën mbi sy për të parë më mirë . Jemi me dhjetëra veta, shumica kanë flamuj dhe parrulla greke.

Deshe dasem Bardhylo, mendoj, hajde, kerce tani.

Para se të dalim dëgjoj që më bje telefoni. Shikoj ekranin. Ime më që më merr ne këtë ore nuk është normale dhe vendos të mos pergjigjem. Çështja është që ime më ka shume talente. Një ndër këto është që më merr në telefon në momentet më te papërshtatshme. Acarohem nga zilja e shëmtuar që kam – cerr, cerr, cerr, – dhe përgjigjem.

<< Alo. >>

<< Alo, bir. >>

<< Ë ma? >>

<< E di pse te morra? >>

<< Jo. >>

<< Si je? >>

<< Mirë ma, mirë jam. >>

<< Se të pashë në ëndërr ndaj. >>

<< Ëhë. >>

<< E thashë mos kishte ndodhur ndonjë gjë. >>

<< Jo ma, mirë jam. >>

<< Po s’e di, se si ta pashë në ëndërr. Sikur ishe në një pyll edhe ishe vetëm ti. >>

<< Ëhë. >>

<< Edhe s’e di po po ndodhte diçka. Pastaj u zgjova. A je mirë mo bir? >>

<< Mirë jam o ma, shëndosh si molla. >>

<< Po ku je? >>

<< Po ku jam, hë? >>

<< Ë? >>

<< Në Tiranë jam o ma, ku do jem? >>

<< E mirë mirë se mbaroi kjo e mallkuar. >>

<< Hë se do kaloj nesër nga shpia. Mirë? >>

<< Mirë po ki kujdes. >>

<< Po ma, mirup…>>

M’a mbyll telefonin te p-ja.

<< …afshim. >> them duke dalë.

Demostrata fillon jashtë lokalit. Jemi të pakten nja tridhjet e ca veta, udhëhequr nga Qazimi që flet me të gjithë. Afrohen të tjerë dhe askush nuk flet shqip, vetëm femijeve. Ka shumë femije, sikur të isha në Tiranë do i kisha kapur të gjithë me shpulla e do i kisha nisur në shtëpi .

<< Miqte e mi. >> na bërtet Qazimi. <<Hajdeni hajdeni.>>

<< Shkojmë. >>thotë Olti.

Afrohemi te Qazimi që na përqafon të dyve. Pastaj kush e di se nga ngre një gramofon dhe flet. S’e kuptoj se çfarë thotë po besoj se po u shpjegon rrugën miqve. Ata rrinë bashkë, diku mes tyre duhet të jetë edhe shefi që i keputi në shpulla. Do doja ti jepja dorën e ti thoja që ja ka bërë mirë po nuk e kam idene se kush është nga gjithë ata njerëz.

<< Nisemi.>> urdheron Qazimi. Dhe nisemi.

Nuk e di se pse unë e Olti gjendemi në rresht të parë, anash Qazimit dhe anash miqve të tij. Bejmë të kthehemi mbrapa por na ndal. Keni bërë gjithë atë rrugë, thotë , e meritoni vendin e parë. Pastaj dalim në rrugën kryesore dhe na ndjekin. Unë e Olti jemi në fillim të turmes, rrethuar nga Qazimi dhe miku i tij nuk ka lëshojnë.Por duke qeshur, gjithmone duke qeshur e duke na folur për rendesinë e demostrates. Mbrapa na shtyjnë ndërsa hija tjetër zhduket. Ka diçka që nuk shkon, ka diçka që nuk shkon fare.Jemi të rrethuar nga policia shqiptare por nuk nderhyjnë, nuk komentojnë, s’bëjnë asgjë. Janë të armatosur por duken si kukulla, nuk lëvizin fare. Ndonjëri na shikon me inat, sidomos mua, Oltin e Qazimit që udhëheqim turmën . Kthej kokën mbrapa dhe shikoj që nuk jemi pak, tani jemi me qindra. Edhe pse shumë janë çilimij prape jemi shumë , tepër. Në televizor do duket sikur jemi me mijera.

Televizori, gazetat, ku janë? Këtu s’ka asnjë njeri.

<< Sheh ndonjë gazetar ti Olto? >>

<< Asnjë. Është e çuditshme. >>

Qazimi merr gramafonin dhe thotë diçka po jo në shqip. S’më duhet shumë kohë për ta kuptuar se ça ka thënë: ata mbrapa nesh fillojnë të provokojnë policinë, i shajnë dhe i shtyne. Tamam në atë moment ndryshojmë rrugë dhe shikoj se ku po drejtohemi: Rajoni i Policisë. Është një godinë dy kateshe e rrethuar nga policia. Pse dreqin po shkojmë atje? Pse atje?

Policet dhe koleget e mi të minorances na shtyjnë para e mbrapa, jemi si një dallge që lëviz me ritëm të shpejte e përplasemi te njëri tjetri. Qazimi më largohet dhe hija e tij më shikon duke qeshur. Tani unë e Olti jemi të rrethuar vetëm nga femije, më i madhi është një meter. Qazimi është disa metra larg dhe më shikon në sy, kësaj herë me të keq, me një shikim të mbushur me urrejtje. Më shikon sikur s’ka më nevojë të sillet mirë me mua, sikur tani loja ka mbaruar edhe s’duhet të shtiret më . Kur kthen sytë nga godina e policisë kuptoj se çfarë po ndodh. Kap Oltin dhe e shtyj me forcë. Rrezoj ca kalamaj por arrijmë që të dalim nga fillimi e të përfundojmë në cep të turmes. Fus dorën në xhepin e xhaketes, makina s’është më aty. Qazimi biri i kurves, kur më përqafoi apo kur po më shtynte.

<< Tani vrapo. >> i them Oltit. << Tani vrapo. >>

Dhe vrapojmë. Marr frymë vetëm kur kalojmë kthesen. Ndalemi një sekond por s’mund të humbasim kohë. Vrapojmë deri te makina dhe Olti kërkon shpjegime por i them të vrapojë nëse e do kokën . Unë vrapoj duke bertitur, më duket sikur po eci mbi zjarr dhe këmbët më dhembin e më therin. Hipim në makinë dhe e ve në motorr. Sapo i jap gaz mijera thika më ngulen në të gjithë trupit por i duroj. Eci shpejt derisa dalim nga qyteti dhe vazhdoj me të njëjten shpejtesi për nja katër a pesë kilometra të tjera, pastaj dorezohem. Nderroj vendin me Oltin dhe më në fund heq këpucët . Gjej një shishe uji në sedilen mbrapa dhe laj këmbët .

<< Po tani? >> pyet Olti.

<< Tani ec vetëm drejt. >>

<< Drejt ku? >>

<< A kemi benzinë? >>

<< Plot. Bera dje para të futeshim në qytet.>>

<< Bukur. Tani këtë makinën duhet ta fikesh në Tiranë. >>

<< Pse? >>

<< Bo bo, të gjitha unë duhet të ti shpjegoj. Dakord. Ti jepi makinës unë flas. >>

Qendroj pak në heshtje për të lidhur të gjitha detajat pastaj filloj ti shpjegoj.

– Pjesa 6 –

<< Ata s’do më çonin kurrë për të organizuar budalliqe si këto manifestime pa logjike. Po unë s’e dija. Domethene, e dija po nuk isha i sigurt. Ata më lane letrën e aparatin. Por para se të arrija aty dikush, një mik që s’na do të miren hapi posten e nderroi mesazhin. Mesazhi thoshte diçka të tipit ” Nisu tani! Dhërmi-Himarë. Shiko ku të mblidhet milet dhe fotografo. Na sill provat se si këta të minorances në fakt vijnë të gjithë nga jashtë Shqipërisë. Pastaj eja me ato foto dhe dorezoji direkt nëpër gazeta.” >>

Marr frymë, hedh përsëri uje në këmbë dhe shikoj Oltin. Më bën shenjë që të vazhdojë.

<< Në fakt s’jam i sigurt që mesazhi ishte tamam kesthtu, po është e vetmja gjë që ka logjike. Dinin që po organizohej diçka në një nga këtë qytete, po nuk e dinin ku dhe kur. Shkoj për të marrë letren por dikush arrin aty pak para meje. Ndoshta po lexonte akoma mesazhin kur unë isha jashtë duke hapur derën. Në nxitim e sipër gris pjesen e dyte të mesazhit. Detyra e tij ishte të më bllokonte. Besoj se duhej të shkruante një leter që thoshte pak a shumë “anullim loje, mesazhi në gazetë ishte gabim” dhe duhet ta linte aty. Nuk e vuri dot sepse mberrita tamam në atë moment. Kur morra mesazhin vendosi që duhet të më frikesonte. Nuk gjuajti për të vrare, thjesht për të më thënë që s’duhet të fusja hundet në këtë muhabet. Besonin se mbas asaj të shtëne unë do futesha në ndonjë strucë për ca muaj, po nuk ndodhi kështu. Ky ishte gabimi i vetëm që bënë, por ai që hapi letrën s’kishte kohë, duhet të vepronte shpejt. Mendoi që duke më frikesuar do më evitonte. Po kjo nuk ndodhi e unë e ti erdhem këtu, duhet të merreshin me ne. Por ata e dinin që unë s’e dija tamam se pse ndodhesha këtu, kupton? Në këtë pike futet në lojë Qazimi. >>

<< Kristo. >>

<< Kristo i sat’eme. Qazim e ka. Qazimi e di se ça mesazhi kam unë dhe mendon se mund të na manovrojë fare lehte. Po niset për të marrë miqtë kur shikon dritën e fotografisë. Kthehet te ne dhe na heq qafe duke na çuar në shtëpi. Pastaj shtrihet dhe përpunon një plan. Na thotë atë gjënë, që duhet të ndihmojmë për të organizuar demostraten e më the të thashë. Sikur të kishte më shumë kohë besoj se do na e mbushte mendjen, por ai s’kishte kohë. Qazimi nuk ishte kontakti jone. Nga ana tjetër Gjergji dinte apo dyshonte diçka. Erdhi mbrëmë kur po prisnim te makina por kur pa që ishte Qazimi nuk mund të dilte. Qazimi nga ana tjetër duhet t’na hiqte qafe dhe na çoi për të fjetur gjumë, pastaj doli për të marrë demostruesit e për ti futur në qytet natën që të mos i shikonte njeri. Ndaj nuk kishte gazetarë, nuk i kanë thirrur sepse do shikonin autobuzat plot. Gjithça ishte sekret. >>

<< Ça autobuzazh? >> pyet Olti.

<< Sonte, kur ti flije Qazimi u vesh për të dalë dhe unë e ndoqa. Morri autobuzat mbushur plot me grek dhe i futi në qytet natën. Bëra foto, u bëra fotografi të gjitheve. Edhe ndërsa po i fuste në qytet kontakti jone ishte aty, pinte cigare afër meje, por nuk më pa. Ah, unë isha pa këpucë ? >>

<< Ça? >>

<< Isha pa këpucë . U hodha nga dritarja për të ndjekur Qazen dhe mendova që s’do vonohej. Ai i mallkuar më nxorri xhiro nëpër male e më beri këmbët copë. Ndaj të kam nisur edhe një mesazh. Nejse. >>

<< Po tani ke këpucë . >>

<< Po, tani po. Nuk besoj se Gjergji është njeriu jone, po diçka kuptoi e diçka beri, edhe pse ai rrezikon më shumë se ne duke qënë se banon aty edhe e shikojnë të gjithë . S’mund të dilte haptaz. S’e di, ndoshta është thjesht një simpatizant i zgjuar që e kuptoi që isha nga e njëjta anë me të , ndaj më ndihmoi. Dje s’pati ku të më takonte sepse na morri Qazimi. Kur u ktheva në mëngjes më pa që isha zbathur dhe e kuptoi se çfarë kishte ndodhur. Donte të më takonte por kishte njerëz e s’ishte e mundur. Por më pa pa këpucë dhe e kuptoi ça kisha bërë. Ndaj mi solli në lokal. Ai është pijaneci i qytetit, s’ja var njeri. S’do e ketë të vështirë të shkojë deri në shtëpi pa terhequr vemendjen. Se di si do ja kisha bërë pa të . >>

<< Ne ishim këtu për fotot? >> pyet Olti.

<< Po, bëra me qindra foto. E dimë të gjithë se kush merr pjesa në këto tubime, e dimë se nga vijnë por deri më sot s’kemi pasur asnjë provë, kupton. Fotot ishin prova që kerkonim. Duhet ti çonim nëpër gazeta e telviziona. Ky ishte qëllimi. Ata që më kanë nisur janë vërtet patriotë. Vetëm se edhe mes tyre duhet të ketë një tradhëtar. Ndoshta i njëjti që më priste te kutia e postes. Qazimi nuk dyshonte shumë. Ishim vetëm dy budallenj nga Tirana, kupton. Ky ishte roli që kam luajtur gjithmone me Qazimin, nuk doja të kuptonin gjë. Ti nga ana tjetër s’kishe nevojë të luaje fare rol. Mund të kishim zbritur në qytet pa lajmëruar njeri por kështu s’kishim asnjë shprese, besoj se do na gjenin menjëherë. Ndërsa duke bërë foton i thashe tamam : shiko, ne jemi dy trapa që kanë nevojë për udhëzime, hajdeni e na udhëhiqni. Jemi aq trapa saqe bejmë foto e ju themi që jemi këtu. Kaq. Sikur të ishim treguar pak më budallenj do e kishte kuptuar që po shtireshim. E sikur të ishim treguar pak më të dyshimtë, e njëjta gjë. Ndaj u solla ashtu. Edhe unë edhe ai loznim lojën tonë por ai kujtonte se unë s’kisha kuptuar asgjë. Mendonte se ne do duronim edhe pak. Punë minutash e do bëheshim heronj, do bëheshim kufoma! >>

<< E? >> bërtet Olti i lemerisur dhe humbet kontrollin e makinës. << Kufoma? >>

<< Kufoma që do behemi po të mos i japesh me kujdes makinës. Po të thoja, Qazimi largohet nga shtëpia ku jemi ne dhe përpunon një plan, një plan shumë të bukur. Ky plani parashikon që unë e ti të bëhemi mish për top. Rrugës i jep një pushkë njërit prej zagarëve të tij. Plani është i thjesht dhe i bukur. Ne jemi në rresht të parë, jemi dy simpatizues që janë nisur nga Tirana për të bërë një demostrate paqesore. Kur i afrohemi rajonit ata fillojnë provokojnë policinë. Rremuje, grushta, të shtyra. Në rremuje e sipër zagari i tij që është në një pallat afër gjuan. Kur u afruam Qazimi po kerkonte me sy dritaren apo ballkonin ku fshihej zagari i tij. Unë vdes, ti vdes. Besoj se sikur të na plagosnin do na vriste Qazja me duart e tija. Ndaj na u larguan të gjithë në atë moment. >>

<< Po, kishte vetëm femije. Domethene kemi shpetuar kot? >> pyet Olti.

<< Po. >>

<< Dhe më vonë. >> vazhdon Olti. << do thonin që policia diktatoriale ka vrare dy njerëz paqesor. Do merrnin kufomat tona, do na varrosnin mbeshtjelle me flamur bardhë e blu, do ngrinin zerin deri në komunitet evropian mbi gjendjen e degjeneruar të minorances në Shqipëri. Ky ishte plani i Qazimit. >>

<< Po, tamam. Besoj se plani ishte ky. >>

<< Do plaste një skandal. Një diskutim mbi çmimin e domateve në tregun e Himarës andej paraqitet si protestë paqësore e mbytur në dhunë. Një protestë paqësore emigrantësh e mbytur në dhunë në tokë greke paraqitet si sherr banal te tregu i peshkut. >> vazhdon Olti

<< Tamam. >> përgjigjem. << Propagandv zemra. Por Qazimi kishte edhe një frikë tjetër. S’e dinte se ça fotosh kisha bërë ndaj kur më përqafoi apo kur po na shtynin në turmë më vodhi aparatin. >>

<< Ça? >>

<< Më vodhi aparatin dhe unë si peshk nuk e ndjeva fare. >>

<< Bir kurve. >> bërtet me nerva. Sapo gjen një vend për të kthyer makinën ndalet. Ndez një cigare për tu qetësuar por nuk i bën gjë sepse e fik menjëherë. Ndez një tjetër.

<< Ça do të besh? >> e pyes.

<< Duhet të kthehemi mbrapsh. >> përgjigjet dhe nis të ktheje makinën . << Duhet të kthehemi mbrapsh. Pa foto gjithçka është e kote. >>

<< Jo sot lal. Jo sot. >>

<< Tani! >>

<< Jo sot. Ti e di që unë nuk para bëj premtime, po të premtoj që do kthehemi. Vetëm, jo sot. >>

<< S’kemi asgjë Bardhylo. S’kemi prova, s’kemi deshmimtar, s’kemi aparatin. S’kemi asgjë. Pa fotografite që ke bërë është gjithçka e kote. Pastaj ndoshta po na ndjekin.>>

<< S’po na ndjekin. Tani jemi të panevojshem, aparatin e kanë ata. >>

<< Ne s’kemi asgjë. >> thotë duke ndezur motorrin. << Kapim Qazimin, do jetë akoma në turmë dhe i marrim aparatin. >>

<< Ndalu ndalu, kemi këtë. >> them duke futur dorën në xhepin e vogël. Ai ndalon ndërsa unë e nxjerr dhe ja tregoj. << Ti që je trendy Olti, si ja thonë kësaj? >>

Nuk përgjigjet, qesh. Qesh derisa i dalin lot nga sytë dhe filloj të qesh edhe unë . Është thejsht një menyre për të shkarkuar tensionin, dhe lotët ndoshta s’janë nga e qeshura por nga poshtërimi që na bënë e që vazhdojnë të na bëjnë ditë për ditë.

<< S’ka lindur akoma ai bir kurve që t’ja fusi Bardhylit. >> them unë.

<< Ndoshta ka lindur po është akoma çerr. >>

<< Hë pra, si i thonë kësaj se s’ja di emrin.>>

<< Memoria dixhitale. >>

<< Kjo i ka të gjitha fotot që kam bërë? >>

<< Po. >>

<< E ka bërë kaurri që të mos kesh nevojë për aparat? >>

<< Po. >>

Pushon se qeshuri dhe më shikon, tashmë serioz.

<< A e di që je shumë shkërdhatë? >>

Tund kokën në shenjë pohimi. E di.

<< Atëherë nëse s’ke punë. >> them unë. << kthehu drejt Tiranës se e di që të ka marrë malli. >>

<< Një ditë jashtë Tiranës është shumë për mua. >>

<< Shkojmë te të gjitha gazetat e televizionet e mundshme. Pastaj kapim një lokal, një nga ato ku njerëzit s’bërtasin e radio nuk jep muzikë vallëzimi. Pimë sa lek kemi në xhep. Nëse nuk ke punë?>>

<< Nuk ke kurrë punë ditën në të cilën mund të vdisje. >> përgjigjet me ton të rëndë duke kthyer makinën drejt Tiranës.

<< Vetëm etje. >>

Shkarko falas Vrasësi i qymyrit

Advertisements

Tags: , , , , , ,

3 Responses to “Bardhyli dhe flamuri bardhë e blu”

  1. mars Says:

    nuk e kisha pare gjatesine e tregimit para se ti futesha leximit:)
    por pastaj ishte shume vone e nuk ndalesha dot. ke nje stil te shkruarit qe te mban te mberthyer deri ne fund…e pastaj thu “si dreqin nuk ka shkruar me shume”! kam qeshur vertete ne pjesen e pare, pastaj tension, tension.
    si lexuese modeste po te them qe mua me pelqeu shume…me pelqeu intriga dhe zhvillimi i ngjarjeve njera pas tjetres…dhe koherenca gjate gjithe tregimit. ti ke talent, teper.

    p.s.: ke harruar nje fjale diku nga mesi i tregimit:p

  2. mars Says:

    tani pashe qe qenka pjese e librit…qe do jete gjeja e pare qe do lexoj sa te mbaroj sezonin:)

  3. rruga bardhyl Says:

    Darien,

    kete pseudonimin e kam perdorur ne blogun tuaj edhe para se te lexoja kete tregim fantastik.

    E ke shume, shume mire subjektin dhe ritmin: fillimi ne qytet eshte me i forte (si duket ne qytet je ne territorin tend), kurse pjesa me Himare nuk ka mjetet lokalizuese qe nuk te mugojne per pershkrimin e Tiranes. Dua e them se Himara del thjesht si nje platforme anonime ku ti zhvillon aksionin, por i mungojne shenja tipizuese qe do ta kishin bere po aq te gjalle sa Tirana ku nis tregimi me aq nerv. Gjithsesi kjo nuk ia heq fare lezetin tregimit. Do kisha qejf qe Bardhyli te ishte personazh edhe i nje dore tjeter tregimesh e t’i botoje ne nje liber.
    Ne dallim me tendencat provinciale te letrsise se sotme shqipe per hermetizem pseudomodernist demode, pra per ta kapur veshin duke kapercyer shalen e pastaj sqetullen, tregime si ky jane ato cka mbajne gjalle nje letersi normale. Per kete te pergezoj ketu pas nje pseudonimi, e ne ardhe dita, dua te te shtrengoj edhe doren. Nje keshille te vockel sa i perket drejtshkrimit duhet te ma degjosh edhe mua edhe lexuesve te tjere. Fajal vjen “ta” nuk shkruhet “t’a”, e as “ma” nuk shkruhet “m’a”: trajtat e shkurtra te bashkuara ndahen me apostrof vetem ne rastet me “u” e me “i” (m’i, t’i, t’u etj). Po keshtu iu-ja e vetes se trete nuk shkruhet j’u (ju eshte trajtye e vetes se dyte). Perdorimin e ë-ve fundore po ashtu kije pak kujdes, se ndonjehere e vendos dhe e heq aty ku nuk duhet. Keto gabime sot jane shume te perhapura dhe faji pateter eshte i mosperfshirjes se gjuhes shqipe ne formimin e metejshem pas shkolles tetevjecare, po sidomos faji i mbetet varferimit te komunikimit, prodhuar nga media e editoria shqiptare qe nuk ka me para te paguaje profesioniste apo redaktore gjuhesore si me pare.

    E kam lexuar dy here tregimin. Suksese.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: