Të ndalohet puthja!

by

nga Loer Kume

Gjithçka erdhi me kamarierin. Me ardhjen e kamarierit për herë të tretë. Një kamarier nuk vjen kurrë për herë të tretë te një tryezë çifti. Ndërsa ai erdhi.
Deri në atë moment ishin mirë. Madje nxehtë.


Ishte takimi i parë dhe vrau shumë mendjen, derisa vendosi për atë lokal mistrec.
Midis skutave të ndryshme, njëri shumë banal, tjetri shumë i ftohte, tjetri i panjohur, tjetri mund të ishte dikush që njihte, vendosi pikërisht aty.
Një lokal i vockël i lezeçem, mu në mes të Tiranes. Casual, dhe shumë i fshehur, afër qëndrës, dhe intim. Në katin e tij te dytë, të veshur me dru.. Yesss!
Ajo e priste te pesëmbëdhjetë katëshi. Takim moskokçarës në dukje, edhe pse ajo e lyer kujdesshëm ëmbël, ai veshur kepucët e rasteve të veçanta.
Puthje në faqe, pak si shumë në faqe për herën e dytë që takoheshin në jetë, dhe herën e parë vetëm.
Nga i ftohti u ishin mpirë gishtat të dyve. Ai u kollit, ajo gjithashtu, e menjëhere u vendos për çaj.
– Unë dua dhe një konjak. Konjak dhe çaj. Faktikisht, po më pihet një kafe, por dhe caji po më pihet më shumë akoma. Çaji me konjak është shume i mire. Edhe pse fare pa lidhje në shije. Merre dhe ti.
– Jo jo, unë s’dua konjak! Aman, se jam e tmerruar nga pijet, u bënë tërë këto ditë të vitit të ri duke pirë, a thua se na ka detyruar njëri me zor, mbrëmë kemi qënë tapë fare dhe nuk më pihet më, unë zakonisht nuk pi perditë, pastaj, ç’them dhe unë, në Romë pimë, pimë aq shumë, po këtu jo, se, e ke parasysh, babi po të më shohë të dehur, por jo, në Romë është tjetër gjë, pimë gati çdo darkë, unë mbahem për të pirë, jam e tmerrshme, sfungjer më thërrasin, por jo, konjak nuk dua, vetëm një çaj.
Nje çaj të lutem, – i tha ajo kamarierit që po rrinte prej disa minutash në kembë duke pritur e rrotulluar kokën.
Ai ktheu kurrizin e zbriti shkallët pa folur fare. Ata të dy u panë në sy, e ia shkrepën të qeshurit.
– Ç’ke?
– Hiç! Ti ç’ke? Pse qesh me mua?
– Qesh se je kështu… – i preku majën e hundës.
– Si kështu? Si jam? … Ca ke te gusha? Ajo iu afrua.
– Ça është aty??
Mor… Mos kishte ndonjë shenjë në gushë dhe ajo dinake po afrohej ta shihte më mirë?
– Një push… push i bluzës. Hidhe fare ketë bluzën. Në moment vajza u step.
Si i thashe keshtu? Ç’dreq bluze! Jo jo, se mori për ters. Po qesh. Sa çilter që është! C’buze!…
– Është jelek. Mirë që më kujtove të heq xhupin se u hutova.
Asaj i janë skuqur faqet. Po më sheh në sy. Mos po më pret mua? Të afrohem? Tani? Mos!… Erdhi çaji. Mos! Dreq! Po tani? Ky kamarier vjen gjithmonë atëherë kur s’duhet!
– Më fal pak, – tha ajo, e u çua.
Ai e ndoqi nga pas me sy, hapat e veckël, prapanicën e mbledhur që tundej duke iu drejtuar tualetit të femrave. Pa këmbët e lakuara pakëz, gati gati të shtrembëra, dhe iu ndez deri në fiksim, dëshira të shtërngohej prej atyre këmbëve. Duhej të ndiheshe mirë, rehat, midis këmbëve të shtrembëra!
Hodhi sytë nëpër lokal. Asnjë njëri nuk njihte. Aty poshtë, një tavolinë me burra, në një tjetër nja tre gra, që duhet të kishin zyrat e punës aty rrotull. Po ata burrat ç’dreq duan këtu? Ky është lokal intim o vëlla! Ç’dreq doni këtu? Ato gratë shtyhen disi, japin klimë feminile, thashetheme, të teshtira lehtshëm, po ju derra ç’dreq doni këtu? Dhe shih ca kombinimi, dy janë veshur si zotërinj, me kostume, e tre janë si halabakë. Ec e merre vesh!
Lart, para dhe pas tavolinës së tyre ishin dhe dy çifte të tjera. Sa siklet ishte të puthte për herë të parë në një vend me njerëz!
Një aromë parfumi e njohur e mbështolli nga pas, ktheu kokën të shihte. Ajo më një levizje të shpejtë rrotulluese, u ul. Pse u ul shpejt? Për shaka? Për të mos më lejuar ti shihja siluetat e gjoksit të vockël që dukej më I vogël kur ishte në këmbë? Për të fshehur këmbët e shtrembëra?
Po e shihte me sytë e saj djallezore të bukur, me një buzëqeshje shpotitëse mbi buzë. Sikur po luante. Ç’i pjell mendja? Ç’truke të fshehta femërore sajon? Ahh… ja pse një orë në tualet. Qënka parfumosur mirë…
– Erdha!
– Shpejt moj se tu ftoh çaji!
Ajo mbërtheu me duart e vockla gotën e çajit, duke i ngrohur.
– Brrr! Nuk kishte ujë të ngrohtë në banjë.
– Ç’ne? Ky me demek është lokal i mirë. Përveç atyre bubuzhelëve të ulur aty poshtë, që nuk kanë kuptim aty, mua po më pëlqeka. Çdo gjë në vendin e vet. Vetëm që, jemi ulur këtu, mu në buzë të ballkonit… si ballkon qënka ky kati i dytë. Po të shkundësh cigaren, i bie tjetrit në filxhanin e kafesë poshtë.
– Uh, thuaj ç’më mungonte! një cigare! – tha ajo. Nisi te frynte tymin, në një qetesi të dukshme, duke tentuar të bënte rrathë.
More ti Fati, Fati i mirë, e njihke mirë këtë lokal ë? Hmm! Buzëqeshi dhelpërisht, – këtu i sjell vajzat ti per kafe? Sa vajza ke sjellë ketu deri tani? Ke pasur fat ti Fati këtu?
– Hahah! Epo, të vërtetën?
– Po të vërtetën more. Pse duhet të më gënjesh?
– Që të dukem çun i mirë e i urtë nuk thua? Epo, e vërteta është që kam sjellë… ok, ti je e treta. Me të parën më eci, me të dytën jo…
– Po pse more nuk të eci me të dytën?
– Epo, s’më eci me te dytën se ndryshe, nuk do kisha pasur mundësinë me qënë ketu, tani, me ty, fiks pas një jave.
– Hahha! i poshtër, ç’po thua? Dmth, e dyta ishte më e mirë se unë?
Joo! Thjesht, ‘F A T’ mirësisht, Fatit, me të dytën si eci! Hahah! E ke parasysh? Mosecja me atë, dhe takimi ynë sot, koincidencë rastësore, misterioze, punë energjish, punë lojrash të atij kalamanit me hark në dorë që qëllon andej këtej me shigjeta me majë zemre, dëshirat e fshehta të nënës Natyrë etj, etj…
– Ëëe! Po po, ëhë! … hë ti hë! Qeshi ajo.
…Ajo është harruar fare, është lëshuar, është gati… kur duhet ta puth? Sa bezdi e kam të më shohin këta mut njerëzish… jemi dhe këtu, mu në cep të katit të dytë, kot nuk u ula te ai kolltuku aty, afër nargjilesë, kënd i kuq ai, kënd erotik, ai po, qenka cep shumë intim, por… Bah! Ca buzësh… si kumbulla të vockla te kuqe, shkelqyese, te mira, tere leng, hmm! I lepiu, I njomi! shiih! o zot! Buzë të lagura… i janë fryrë, ç’… si i lëvizin flegrat …
– Fssffss… kam ftot nga duart…
Ç’mos kesh ftohtë nga duart, të ka shkuar gjaku në gushë, buzë, gjoks… sa mendoj dhe unë, jam…
U afrua duke u dridhur me padurim, dukshëm, dhe i zuri duart.
Shumë të ftohta i ke… u afrua më shumë duke i ndjerë frymën… aroma e buzëve të lagura, përzier me aromën e parfumit, e shtynte të bëhej gjarpër që i rrëshqiste nën rroba asaj…tani…
Ndjeu buzët tërë tul të ëmbël, rrëshqitje, ohh, u hhhapën … lagështira e gjuhës së saj.., vibronte.., gjuha… spërdridhej bëshëm, vrullshem, epshëm, kërkuese nëpër gojën e tij.., i thithi buzët, u shkëputën

– Kjo ishtehh… – belbëzoi ajo e para.
Ishin skuqur, të dy, të paktën ajo po, por ai e ndjente që ishte skuqur e po avullonte…
Erdhën në vete, po mbanin akoma duart të njëri tjetrit pa lëvizur, sikur të ishin duar xhami. Ajo u përmend; – ti sikur do më ngrohje more mistrec! Përfitove nga një vajzë e pambrojtur…- pëshpëriti, duke luajtur me hundë me të.
– E pambjojtur posi… prit, – u afrua ai me një gjest duke fshirë cepin e buzës së saj,- të ka mbetur një cikë buzë imja aty…
– Maskara…
ai e ndjeu, ajo po e thithte me sy…
U afruan përsëri… ia mori kokën në duar, atë kokë të vockël me flokët aq të lemuar, qe i rane mbi fytyre, buzet e saj u happen serish, tani mbetej vetem, të shijonte… me gjuhë, buzët e saj, ti mbante buzën e poshtme midis dhëmbëve lehtë, e të ndjente rrahjet e forta të zemrës së saj duke i prekur brinjët… c’lëkurë.. ndjeu shtrëngimin e pantallonave, dhe muskujt që kontraktoheshin e dridheshin … i vinte ta zinte për beli, e ta hidhte në divanin e kuq aty tej, ajo i zuri kokën i shtrëngoi flokët, duke i kafshuar gjuhën fort, duke i thithur buzët, e ai luante me lakueshmërinë e belit të saj…
– Khhmmm! Më falni!
Kamarieri, sërish. Hera e tretë e mallkuar! Fare i qetë, e shpërfilles mbi kokën e tyre. Pa u ndier. Se kishin vënë re fare.
S’lëshon hije ky? Ah, po, jemi brënda… sa i qetë që është njëherë, shpërfillës fare… është mësuar këtu ky!
– Po? Ça kishe? Foli.
– Me falni… u kontraktua në sekondë kamarieri duke hedhur sytë poshtë, në kat të parë. Por..
– Fol pra…
– Më falni po ata zotërinjtë…
– Ça thua? Ai pa poshtë, e ndeshi vështrimet e tyre që ulën kokat menjëherë.
– Ça problemi ka? Foli ajo.
– Po jo, ata burrat, – foli tërë siklet kamarieri, – kanë bezdi që të ..
– Të ???
– Po ja, që ju afroheni aq shumë…
– Ca thua mor burre, spo marrim vesh gjë…
– Po, ja, kanë bezdi që ju putheni!
– Ç’ ç’ ca?
– Si more?
– Kanë bezdi që ju putheni në sy të tyre, në sy të gjithë lokalit. Kamarieri më në fund u çlirua.
– Ça thanë ata? Thanë gjë? Folën ata? Me ne e kishin ata? Pse puthemi ne? Si? Pse puthemi?
– Jo pse putheni, por nuk duhet të putheni sy tyre…
– Kuush?… ne? në kte lokal? Po ky është lokal çiftesh… këtu… ne? ça thua?
(Ju q… robt, motrat, gratë, kalamajtë, surretërit ,shtëpiat, pragun, të vdekurit, kafshë, b..q..ra, legena, plehra, mutër, qenër, pleq të rrjedhur, pisa, rrjepacukë, shkerdhata… ju vras me bukë në gojë)
…Ata aty? Ulëriti Fati i skuqur kokë e këmbë. Kamarieri u terhoq pas.
Të vijë njëri këtu,e të më thotë mua të mos puthem? – Vazhdoi ai të bërtiste. Ktheu kokën nga poshtë. Ata me kostum vazhdonin bisedën, sikur se kishin mendjen, tre të tjerët shihnin lart me vështrime nervoze.
Ata të më thonë mua të mos puthem? Ata? Si guxojnë?
– Si su vjen zor? Ne na shohin ata? Tha ajo.
– Hë moj Ana, ça tu thuash këtyre?
– Ky është lokal çiftesh pastaj, ç’duan ata këtu? Foli Ana. – Rinë e hapin sytë si ata përgjuesit nga liqeni? Si su vjen zor njëherë? Këtu ka vetem çifte!
– Ikk! Ik djali, ik! Foli nëpër dhëmbë ai.
Kamarieri zbriti shkallët e drurit si mace. Ata u panë në sy. U krijua një klimë e shpifur. Ai pa sërish poshtë.
– Ca gomarësh!
– Ata janë kurva të ndyra! Plehra! Qena! Atyre su ngrihet më. Nuk shkojnë më me grate! U vjen të hanë veten me dhëmbë si qenër që neve jemi të rinj, e jemi në qejf të puthemi e të bëjme ç’të duam! Ata janë bythëqira! Bëjne si burra me namuz! Ku kanë pikë burrërie ata? Fyen burri burrin kur tjetri është me femër i shoqëruar? Si guxuan njëherë? S’kanë faj! Nuk kanë faj fare! Janë në kryeqytet këta! Janë kurva kryeqyteti! Të ishin në anët e mia! Do u dridheshin këmbët të më shihnin në sy! Neve gjak bajraktarësh, ata gjak kurvash! Vijnë e më flasin kur unë po puth një femër! Si su vjen vështirë nga vetja? Ti vdes fare…
Ajo pa përreth, dy tavolinat e tjera që shihnin me cep të syrit.
S’ndihen ata se si sheh njeri. Ne jemi ne ballkon.
Pa Fatin, e fiksoi e habitur masseterin, si i lëvizte nga shtrëngimi i nofullave.
– Pa më shih pak? Më shih në sy? Harroje atë muhabet të lutem? Lëri ata. Janë injorantë. Pse më injorantët do merremi ne? Ata janë si bulldogër aty , të rinë, të plasin. Ja hajde këtu…
Ajo afroi buzët te ai. Ai e puthi, duke lepirë buzët e saj, duke kafshuar fort derisa ajo këlthiti. – Kafshë, më hëngre ! – qeshi.
Panë prapë poshtë. Njëri nga ata si halabakë porositi një xhiro tjetër. Uiski. Ti pështynte nga lart? Do bëhej skandal në lokal! Mos kishin gjë me vete ata pastaj! Po Anën ku dreq ta çonte?
– Dëgjo, ikim nga këtu? Dalim? S’po duroj më se më vjen tu pështyj. Ikim? Dalim.
O çun! Hajde lartt!
Pagoi, zbritën, hapi derën, ajo doli, ishte me kurriz, ai ktheu kokën dhe një herë nga tavolina me pesë burrat. Dy nga lloji halabak e panë dhe ata.
Të të përcjell deri te shpia.
Jo jo, se janë roje gratë e pallatit. Fillojnë flasin dhe… kot… lëre se këtu kthehem vetë!
Eh! Unë që kisha shpresë të ngjitesha sipër… e pa ai me cep të syrit, me djallëzi.
Hahah! More! As që bëhet llaf!
Ok ok, zemër, pafshim se flasim pastaj. Paçim!
U puthën sërish shkarazi.
– Këtu në rugë po, këtu me gjif men’ s’duhet të puthemi, jo atje.. – tha ajo duke qeshur.
Ai u nxi prapë.
– Lëre mos ma kujto!
– Paçim. Paçim. Puç!
Ajo eci me nxitim, kaloi rrugën e hyri në hyrje.
Vrap! Duhej të nxitonte!
Pas afër dhjetë minutash, me katër të tjerë, ndaluan e parkuan makinën, ndezur, me bagazhin drejtuar nga dera e klubit.
Hynë brënda. Burrat namuzqarë kishin ikur.
Sipas kamarierit, pasi ai kishte dalë nga lokali, ata ndenjën dhe pak, paguan shumë lekë, lanë bakshish shumë, e ikën me një touareg të zi, e një benz të fundit. Ai nuk i njihte.
– Çuni i turnit tjetër m ka thon iher që njoni nga ata, jo ata me kostum, ata t tjerët, njoni ka qen ne burg për vrasje.
– Po të ishim në anët e mia, grua do ishte bërë ai në burg.
Do behej grua, nuk do përgjonte njerëzit si puthen lokaleve. Bythëqiri! Po.
Të pesë djemtë dolën me supet lëshuar. Shoferi hipi në timon e rregulloi me kujdes dicka në kruskot.
– Hec pra! Na thinje!
– Prit pra të rregulloj këto se s’po rrija dot ul tamam ne sedilie. Ec, se do i shofim diku po hë. Ti mos u mërzit, – e gjuajti në krah Fatin ai. – Tirana e vogël është…

Tags: , , ,

28 Responses to “Të ndalohet puthja!”

  1. al Says:

    Tregim interesant.

  2. Marseda Says:

    Shkrimi ka nje rrjedhe te kendshme deri diku,pastaj ktheht i bajatshem edhe fort i merzitshem.
    Une personalisht perfundova se lexuari pa ndonje ndjese fort te mire.

  3. loer kume Says:

    🙂, marseda, falemnderit qe e lexove deri ne fund, por desha te di, si autori qe ka qelluar te jem😛, bajatshem dhe fort te mrzitshem ti cileson kontekstin apo menyren e te shkruarit te pjeses se dyte, ose fundit?

  4. el_faraone Says:

    how can i post smth here? an article for example!

  5. Marseda Says:

    Mendoj se shkrimi eshte ndare thellesisht ne dy pjese: pjesa e pare e ngjarjeve ne lokal eshte detajuar embel,ndersa pjesa pas kesaj shkruhet pothuajse zakonshem,me nje vel pothuajse banal.
    Duket situate e perjetuar (pa paragjykuar)prej autorit ose pare prej tij ne nje distance fort te afer.
    E gjitha eshte shkruar pa perpunuar,pa rikrijuar ( qe ne thelb eshte qellimi i letersise artistike te pakten).
    Gjithsesi per pjesen e pare ke bere pune te mire Loer!
    Kendshem kur lexon🙂

  6. Marseda Says:

    aa ..edhe dicka te fundit fare: Fotoja eshte jashte linjes se vendit ku ndodhet situata.Dallohet qarte qe personat jane aziatike,ndersa personazhet edhe situata raportohen diku afer qendres se Tiranes.
    Gjithsesi sdi ne e ke te qellimte,meqenese tematika (puthja e ndaluar) mund te jete objekt i normave morale e ligjore gjithandej.
    Edhe ktu perceptimi te takon ty!🙂

  7. dorinaB Says:

    Marseda fotografine nuk e ve autori ,fotografia me shume sherben si nje pasqyrim i ndjesive apo asaj qe percjell shkrimi si mesazh ose si gjendje dhe jo domosdoshmerisht duhet te shprehe me perpikmeri cka brenda ne shkrim ,fotot ne tc perdoren me shume si shpalosje idesh te strukura ne shkrim ose pasqyrim gjendje .

    Sa per pjesen e pare te shkrimit ,vete situata eshte e tille Marsede …e embel ,e kujdesshme …pjesa e dyte ty te eshte dhene e gjalle ,realiteti i ndyre .Pra mendoj une (nuk di cdo thoshte autori ne kete pike) jane dhene dy pasqyra krejt te ndryshme brenda se njejtes situate dhe

  8. dorinaB Says:

    nuk kishte si te trajtohej ndryshe nje situate e tille ,duke qene aq i papertypshem realiteti ,madje eshte bere enkas qe ti ne nje fare menyre te ndjesh situaten pa shume filozofira te kota te cilat do ngarkonin pjesen pa ndonje rezultat .

    Gjithnje kur lexohet nje shkrim ,mendoj personalisht s’eshte nevoja te hamendesohet nese eshte pervoje apo jo e autorit ,kjo ska rendesi .Cdo gje qe shkruhet ze fill nga diku edhe atehere kur fantazia eshte ajo qe e lind pjesen .

  9. L.Wotton Says:

    Shkrimi ecen, e dukshem s’eshte nder pjeset me te mira te autorit e them se ai e di kete, mbase dhe gabohem, por s’ka rendesi.
    Tani, edhe mund te flisja xhanem per qellimet e mosqellimet e letersise artistike per te deshmuar pse shkrimi s’eshte ndonje perle e rralle ose pse eshte perle e parralle, por s’e kam shume te qarte cilat qekan parimet baze e statike te letersise artistike te cilat mund t’i vringellojme te gjithe pa teklif ne ajer. Besoj se autori do me ndjeje qe po refuzoj t’i bej shkrimit te tij nje analize kritike sic u ka hije lexuesve te gjithditur qe s’e kapercejne ndonjehere kete prag…:D

  10. loer kume Says:

    po, marseda, dorina ka shprehur saktesisht ate c ka une desha te them. ndaj te pyeta ne fillim, e ke per permbajtjen apo per menyren e trajtimit. une kam dashur saktesisht te marr kete reagim nga lexuesi. duke vene perballe dy gjendje absolutisht te kunderta, brenda te njejtit njeri.
    nuk e paragjykoj fare ate tipin aty. ai ashtu eshte. dhe gjerat ndodhin, dhe gjerat shpesh nuk jane te bukura. gjerat jane ashtu si jane🙂
    nese ngjarjet ne art duhet ti zbukurojme apo jo, qe te na japin sens estetik, dhe ku bazohet ky modifikim estetik, dhe kush e thote cila forme e modifikimit eshte me e bukura, ky eshte nje debat me vete, qe na nxjerr perpara dilemave kthetrike te Lord Wotton🙂

    ajo qe dua te di, eshte, historia JO, apo trajtimi JO🙂

  11. Chanel n°5 Says:

    Parfumet e lira banalizojne dhe artin. Siç u be e qarte dhe ne kete rast. Sidoqofte, ndoshta faji s’eshte i autorit por i muzes te autorit. Estetika do shije dhe shija s’blihet ne pazarin e jevgve.

    Keto takimet virtuale jane nje frymezim me vete, duhet thene.

  12. loer kume Says:

    e para, e kam njohur chanel n’5 se eshte parfumi i preferuar i kusherires time qe eshte ne moshe goxha te pjekur, ne mesomoshe, ne ndryshim nga personazhi i mesiperm qe duket pak ne te njome, te pakten nga komenti🙂
    e dyta, “sic u be e qarte dhe ne kete rast” ku u be e qarte? nga kush? si?🙂
    e treta, ti e njeh muzen e autorit?😀
    e katerta, c fare ke kunder jevgjve? kane tradita, madje tradita shtrati te cilat tregojne per shije shume ” te prekshme”😀
    e pesta, takimet virtuale, po i propozon ndonjerit per takim virtual se s po e kuptoj mire kete pune🙂

    nese ke verejtje letrare te mirefillta, jam i deshiruar ti marr e ti bej te miat, por ju lutem pak seriozitet, jo mesazhe me cene nga germa e pare te e fundit.
    shih sa “puntini neri” dolen nga komenti i mesiperm?😛

  13. loer kume Says:

    PS. ALKETI

    ku perfundoi shkrimi i alketit? ore alket, se e di qe do e lexosh kete, po mire, ti si e mendon kete pune, meqe u dyshua mbi te verteten, ti hoqe shkrimin? keto jane sjellje impulsive qe nuk i shkojne nje njeriu qe kerkon te depertoje ne skutat e mendimit. me i ftohte alket. keshille dashamirese mos e merr per tendence.

  14. Chanel n°5 Says:

    Personazhi i mesiperm s’ka pasur nevoje te prese meso-moshen qe te tundet e shkundet ne molekulat e Numer Peses. Ah, po, kusherira jote, kusheriri im, kusheriret tane,…sa me pelqejne keto peremrat pronore.🙂

    E dyta, ligjet e interagimit social nuk bejne te mundur nje sjellje te tille mes dy njerezish ne mungese konfidence(takimi i dyte). Kjo me ben te konkludoj qe kemi te bejme me historiçkat virtuale qe kerkojne elementin e prekshem.

    E treta, jo, une s’njoh femra me kembe te shtrembta.:) Aq me pak femra qe ngjallin nje frymezim kaq te dobet. Pelqej njerez qe elementin ordiner e kthejne ne nje element te jashtzakonshem dhe jo te kunderten.

    E katerta, une me jevgjit s’kam asgje dhe ne fakt as traditat e tyre krevatore s’jua njoh mgjth…ti mire bere qe ndave eksperiencen tende dhe ne kete kend. Sa i shumanshem qe je.

    E pesta, takime virtuale? Hahahaha! Sa me pelqen humori i tille! E di si eshte puna, Loer? Disa kane lindur te propozojne dhe te tjere kane lindur te refuzojne.

    Se fundmi, kritikat letrare i bej me shume qejf. Sidomos kur shoh qe autori eshte i hapur ndaj tyre. Mgjth trust me, me kete postim you don’t wanna go down that road.😉

    PS. Te shoh çike te turbulluar nga gjithe ky kapsllek verbal qe te ka pushtuar. Pse valle dremisin ato male?🙂

  15. loer kume Says:

    edhe po te tentoja nje replike humoristike sarkastike ne kult te notave alkoolike te sotme, nuk do mund te beja me mire se komenti yt i mesiperm :):)

    jepi prape se jemi te tere kurioze te lexojme te tilla bebitas espirituosas😛

  16. Chanel n°5 Says:

    Ah te keqen, ke filluar t’ju dedikohesh fjaleve qe as mund t’i shqiptosh nen tingujt e alkolit?😀

    Ai qe mohon talentin tend duhet zhytur deri ne fyt ne dhe te kuq ne nje vend te harruar nga perendite, gjuajtur me gure deri ne asgjesim total, qe me pas trupi i tije te lihet ne siperfaqe e te kafshohet nga qente e eger. Ke nje sy per detaj per t’u admiruar: kap aromat dhe mendimet e personazheve ne ajer, nuancon situaten pa e lene te bjere ne nje patetizem amoresk neverites.😀

    Ne pritje te nje frymezimi me te mire…po ngre nje dolli. Hajde ne frymezimin tend!😉

  17. überdog Says:

    😀

  18. überdog Says:

    shkrimi shume i bukur, te pakten nga ana estetike se kritiken letrare po ia le ne dore specialistave siperfoles. suksese.

  19. Alket Bushi Says:

    Loer, kerkova qe shkrimi te hiqej vetem per faktin se duke kthyer pergjigje pa fund, qe nuk u rezistoj dot, po shkaterroja nervat. Instikti i veteruajtjes ma keshilloi kete. Kur je ne nje faze qe vetem do te japesh, çdo nderhyrje e jashtme te godet teper thelle dhe te plagos. Uroj te me kuptosh. Kam nje metode timen per shkrimet, te pallogaritur kuptohet, per te cilen po behem gjithnje e me i vetedijshem si funksionon. Dikush ka thene qe “autori duhet ta mbylle gojen kur libri i tij fillon te flase” dhe jam dakord me kete. Por une ende nuk e paskam ate force sa ta mbyll gojen. Gjithsesi falenderoj Darienin qe beri perjashtim per mua dhe e fshiu shkrimin dhe u kerkoj falje atyre qe e kane lexuar dhe kane komentuar aty, meqe e pranoj, nuk ishte etike. Loer, une jam vetmitar, s’bej dot ndryshe. Te pershendes!

  20. ehe... Says:

    Tregim i deshtuar, per mendimin tim. Nuk e kuptoj nga e merr vetembajtjen ne kembe ky tregim. Madje nuk ia shoh as patericat. Problemi eshte qe nuk ka bosht, ose eshte aq i rendomte sa nuk ia vlen te mbeshtillet nje mullar perreth.

    1. Zakonisht, kur zgjidhen personazhe tipa te tille (tipa debilash me nje fjale), atehere pjesa duhet te kete PATJETER nje moral, nje mesim, nje diçka qe te vere ne dukje anen qesharake te te qenurit debil. Dhe kjo, me sa shoh une, nuk eshte bere. Debili ne fjale paraqitet si nje pjese krejt normale e shoqerise, nderkohe qe dihet fort mire se debilat jane perjashtim dhe jo rregull.

    2. E dyta, gjuha e personazheve. Kur lexojme zhargonin e tij, ben mu qe ky tipi, debili ne fjale, nuk vjen nga nje familje bajraktaresh, por e shumta nga nje lagje e qelbur e ndonje qyteti mesatar apo te madh jugor apo dhe nga kryeqyteti. Kur rraset nje fjale ne tregim, “bajraktaresh” psh, duhet ditur mire perse rraset. Nuk leshohen fjalet si lopa bajgen. Ne letersi, çdo fjale ka simboliken dhe ngarkesen e vet. Sepse ai debili mund te thoshte dhe se e ka gjyshen amerikane nga Kosta Rika, por problemi eshte ç’lidhje ka kjo dhe ç’te re sjell ne rrefim.

    3. E treta, ngjarja ne vetvete fluturon shume perciptas personazheve, a thua se te dy keta idiotet (djali dhe vajza) jane aq perfaqesues te njohur te shoqerise sa nuk ka nevoje te thuhet asgje per ta. E kam fjalen ketu : nga e gjen burimin shperthimi i ketij idiotit nga dashuria medemek per kete debilen ne sharjet e tij bajate te klienteve te tjere ? Cfare kerkon te thote autori me kete qe idioti eshte nje rrugaç i rendomte porse edhe ai ka ndjenja dashurie per dike ? Po kjo dihet se edhe kafsha dashuron, por ama kjo dashuri nuk ka asgje sublime, asgje te vertete.
    _______

    Per mua, ngelet nje orvatje per tregim dhe jo tregim. Problemi, mendoj une, vjen nga nje lloj joshjeje qe moshat 18-20 vjeçare, pa piken e kultures dhe edukates, ushtrojne mbi nje dore “shkrimtaresh”, duke krijuar iluzionin e rreme te letersise “antikonformiste”. Nuk mendoj se te shkruash ca sharje mbare e mbrapsht te ben automatikisht pasues te Bukowskit apo tjetrit. Tjeterkund fle lepuri. Bukowski eshte bote, kurse kopjaci i keq eshte thjesht nje i hutuar pas nje drite llamburitese te kesaj bote. Autori, kur merr penen dhe ulet te shkruaje, ka paraprakisht nje vizion te tere te botes qe do ta shtrije ne leter, sepse perndryshe do te perfundoje ne thjesht ca tundime per te “tronditur” artificialisht.

  21. loer kume Says:

    hahahahah! vetem kaq me vjen, duke njohur midis rrjeshtave e menyres se shkrimit personin kritik serioz😀
    por kete e lexojne dhe njerez te tjere, ndaj me duhet te replikoj nja dy pika.
    degjo tani, keto jane te tera mendimet e tua, sepse personazhi sipas mendimit tim nuk eshte aspak debil, aq me teper vajza.
    e qe spektri i leximit tuaj mbyllet deri te bukowski sa here lexoni ndonje sharje letrare, nuk eshte as faji as problemi im🙂
    dhe fakti qe kerkoni moral te fabules, apo trajtim qesharak te personazheve, prape ky eshte problem i madh i joti, sepse keto teori kane ngordhur bashke me “rrofte mao ce dun” rrofte lenini, rrofte stalini, nena parti e keto gjera te vockla te realizmit socialist😀
    menyra e konceptimit te realitetit ne nje pjese letrare eshte zhvilluar shume qe atehere, kane rene klishete duke u zhvilluar bshke me realitetin qe na rrethon, te cilin s mund ta njohesh duke jetuar ne nje kuti xhami e duke lexuar flaubert e sonetet e shakespeares, dhe michelangelos🙂
    mund te kete pakez probleme verdalle neper tregim po qe ti nuk i ke kapur fare :))
    lexoje dhe nje here tregimin, e te pakten do kesh nje perballje me realitetin pa qene e shtrenguar ta jetosh e te rrezikosh te ndotesh nga 18 20 vjecaret e sotem🙂
    dhe keto ndodhnin ne kohen e brezit tone, se po te shkruaj per 18, 20 vjecaret e tanishem, ti do duhet te filloje xanax, e te merrje nje freskore, e nje gote uje (jo shume te ftohte se te ftoh,) per te marre veten nga tmerri😛

  22. Alfred Bushi' Says:

    Persa i perket tregimit eshte ne menyre diskrete i mire. Jam dakort ne disa kendveshtrime me ehe… por jo ne te gjitha.
    Per sa i perket vajzes sigurisht qe eshte debile(sipas mendimit tim). Dhe eshte per shume arsye. NJe prej atyre eshte fakti qe ajo ndodhet ne ate vend. Ndodhet me nje person te tille, dhe qe pas dy takimesh e le ta puthe. Ajo nuk e njeh aspak ate njeri. Per me teper nuk eshte as tipja e vajzes qe shkon me te parin sepse i pelqen te kete aventura te reja.

    Mendoj se krahasimet me ato “gjerat e vogla te socializmit” jane shume te ceketa. Socializmi eshte nej ideologji e shendoshte universale qe smund te shkelet me kembe sa her dikush kerkon te dale nga situata, e per me teper te thuhet qe jane gjera te vogla. “Prona nuk eshte vjedhje” – thoshte Prudhoni. Degradimi i letersise nis pikerisht ketu. Atehere kur x person qe shkruan dicka do te bej dhe kritikun e asaj qe shkruan nderkohe qe nuk ka asnje mundesi ta ndryshoje. Dhe pse deshira e tij do ishte te ndryshonte shume gjera. Kur dicka eshte hedhur diku mos pretendoni te jini pronare te padiskutueshem te saj, sepse interneti kete mekanizem ka. Te ben shkrimtar dhe kritik, dhe ne menyre paradoksale te ben te mos pranosh asnje kritike.

    Gjithe te mirat.

  23. loer kume Says:

    ah, alketi, me ty mund te diskutoj normalisht, sepse ti edhe pse e shtyn mendimin ne hapesira ku kembet dalin jashte mundesise per te qene te stabilizuara, prape ke talentin qe te absorbosh dhe filtrosh, dhe gjykosh bukur😀
    problemi i pare me diskutimin tend alket, eshte qe ti ngaterron socializmin si koncept, me realizmin socialit te mao ce dunit, leninit, stalinit, enverit dhe tere cunave te kesaj kategorie. dhe per tu thelluar shkon dhe citon personazhe qe s kane lidhje fare me filmin “slogans”😛
    problemi i dyte eshte ne konceptimin e mendimit tend. mendimi jot koncepton qe une po bej kritiken e pjeses time letrare. gje qe eshte e gabuar, une po bej kritiken e kritikes se tregimit tim letrar, sepse kritika ne vetvete eshte veper letrare😛 dhe kjo gje me argeton shume, sepse asnjeri nuk mund ta gjeje te verteten ne kete mes, perballen dy vepra letrare dhe rezultati anon nga krahu i asaj qe ka me shume “alcool” ose si i thone ndryshe, “shpirt” 😛

    e treta, as vajza as djali nuk jane debile. asaj i pelqen ai trimi, dhe i pelqen qe ai ti afrohet e ta puthe ne takimin e pare, e asaj i pelqen ti ferkohet kraheve, sepse nuk kane probleme serioze shendeti mendor, e dine qe nuk ka kohe te tepert verdalle, e duhet me u puth se ndryshe kushedi c ndodh? u iken qejfi, a vdesin ne nje aksident automobilistik, apo efekti serre u shpik ndonje karcinome te lekures, kush e di aman… e sa te rrine te merren me moralin e kohes, e shohin veten 75 vjec, e me nerva te shkaterruara nga overngarkesat hormonale qe sado perpiqen budistet ti kthejne ne “chi”, si zor se ia ka arritur njeri deri tani😀

    kritikt jane te mirepritura kur jane koincize, pa citime, mendime origjinale, pa mllefe personale, serioze, dhe me argumenta letrare.
    fakti eshte qe ne kete tregim, teorite e hemingway mbi letersine qe flasin per te shkruarit vetem te asaj qe di, bien poshte, sepse realiteti i pershkruar ne tregim, ose nuk perballohet mire nga lexuesit, ose nuk u pelqen. tani du gjera jane, ose une nuk kam ditur ta shkruaj si duhet me me metaforat, epitetet e krahasimet e duhura, ose na del ne siperfaqe nje teori e kadarese, se cilen une nuk kam dashur ta besoj, por qe me sa duket njeriu pasi lodhet e shtrydhet tere diten ne jeten e tij te perditshme dhe te zakonshme, pasi ulet ne kolltukun e tij te qetesise, nuk do te lexoje per ate qe ka lene jashte, po per superheronj qe bejne gjera qe ai si ben dot.
    po ta marresh nga nje ane, heroi im” debil” ben dicka qe asnje ketu s eben dot, shkon te qelloje personat qe i folen kur ai ishte me nje vajze i shoqeruar, po mbase ulur ne kolltuket tona te qetesise, ashtu bute bute, na duket mbase se mund ta bejme dhe ne kete gje, shume kollaj, dhe e anashkalojme duke e quajtur teper realiste :))

    dhe per tju argetuar, po ju dhuroj kete qe sipas darienit nuk ben😀

  24. loer kume Says:

    UPSS! mea culpa, kam bere gafe, madje gafe te madhe. alfred, me fal qe te kam ngeterruar me alketin dhe anasjelltas, sidoqofte kjo nuk nderhyn fare ne tere c kam shkruar, mjafton vetem t enderrohen emrat.
    me falni dhe njehere per ngaterresen, s ka justifikime ne kete rast!

  25. Alfred Bushi' Says:

    Ska gje.
    Je i falur per sa me perket mua.Meqe pohon qe sdo kishe ndryshuar komenti yt dhe nese do e kishe ditur qe ne fillim qe sjam Alketi atehere po pergjigjem.
    Ne te vertet ideja ime s’ishte te kundershtoja mbi ate pjese ku “banalizohen” shprehjet e mendimit popullore te tipit “rrofte Lenini” dhe “rrofte Lenini” dhe i cileson si arkaike. Sigurisht dhe faktin qe jane te cilesuara si te ngordhura. Ketu une e kam me teper me metoden e te argumentuarit sesa me gramatiken.
    Gjeja tjeter eshte pohimi yt mbi kritiken, kur thua qe sduhet te jete efekt mllefit perosnal. Jam plotsisht dakort mbi mllefin por nuk ke nga mbytesh pa e bere personale.Cdo kritike eshte kendveshtrim personal i asaj qe mendojme ose i asaj qe na kane bere te mendojme, efekti i objektit qe veshtron qe mund te jete pozitiv ose negativ.
    Nuk eshte fakti qe e ai shkon me u gjujt atyre djemve qe e ben debil personazhin tend por eshte ideja e vazhdueshme qe ka ne koke per te shku e me u gjujt.Pastaj nje akt i tille s’e ben te vecante aspak. E ben te ndryshem deri ne castin qe do te kujtohet qe ke bere/pare sherre ne shkollen e mesme.
    Nuk eshte as fakti i te berit letersi anti-heminguej apo alla Kadare qe duhet diskutur per te krahasuar ose kritikuar tregimin tend. NUk ka gje ne kete tregim sipas mendimit tim qe verteton ndonje psudoteori te tyren. Disi me i vertet eshte Heminguej.Ndersa Kadare eshte si nga njera ane ashtu nga tjetra,Ti mund te gjendesh, me sakte tregimi yt, dhe pse shume pak, ne nje nga tregimet e “Deborat e Kilimanxharos”, per sa i perket tragjedive te vogla njerezore, atyre sa hap e mbyll syte.

  26. loer kume Says:

    epo, jam pothuajse dakord me ty Alfred ne kete koment te fundit.
    prape nuk i them dot idiot personazhit sepse i tille do ishte nese do ishte trajtuar ne sy te lexuesve vetem moneti i obsesionit te tij, nderkohe qe ai ka disa momente ne tregim.
    e kush nga ne te tere nuk ka momentet e tij te lajthitjes?
    une i pari, jam nevrik patologjik ne raste te caktuara, edhe pse s para kam qejf te bej komente personale ne forum.

    PS. e thene midis nesh, e lexoj me kenaqesi mendimin tend personal racional🙂
    faleminderit.

  27. jeta Says:

    shkrim interesant!! p.s ai ballkoni ne kat te dyte mos eshte ish-klasiku te blloku?

  28. El_Perro Says:

    Jeta, po ti nga e di, mos me thuaj qe eshte historia jote kjo…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: