Pritje

by

nga Arti Lushi

Kruarjet e shpeshta që kam prej dregëzave të kokës s’kanë të sosur. Meqë lapsi nuk e kreu dhe aq mirë këtë punë, tash kam marrë celësat e shtëpisë dhe po vazhdoj të kruaj, si pjesën e përparme, po ashtu edhe atë anësore gjer në rrëze të veshit. Thellë dhe vrazhdë, kështu e do qelbësira. Dy banjo rresht dhe ende s’kam gjetur rehat.
Dëgjoj cezmën të pikojë, ndërsa cigares në tavëll po i digjet filtri. Përtoj t’i ndreq. Përtoj të marr frymë.
Shoh orën: Më kanë mbetur edhe 2 orë e 47 minuta jetë. Si t’i shfrytezoj? Për cfarë dhe për kë? Nuk kam asnjë keqardhje apo pendesë në vecanti. Ndërgjegjen e kam të qetë, sic duhet ta kem patur castin kur rastësisht gjeta ditarin e një studenti homoseksual, ose sic do ta kisha pasnesër gjatë flirtit miqësor më bashkëshorten e kolegut; më mirë po them, sic e lyp ekzistenca e duhur, por prapëseprapë mungon dicka, shumëcka. Asgjë mangut, ndjeheh bosh. Ne thellësinë intime të qenies sime dua të qaj dhe nuk e di pse, megjithatë s’ka lidhje fare me vdekjen time të afërt.
Ja ku filloi edhe shiu. C’ironi!? As rasti im nuk i shpëtoi dot kontekstit patetik. Ankth.
Shoh orën: Më kanë mbetur edhe 2 orë e 36 minuta jetë. Dua të qaj dhe pikë. Vetëm kështu gjendja mund të marrë një tjetër ngjyrim, së paku. Po ta mendoj hollë-hollë nuk ndjej kurrfarë keqardhje as per gjërat që nuk kam bërë. Këtu edhe e qara e humb tharmin emocional dhe, si tek gjithkush, ky proces, ose është i parakohshëm, ose i vonuar. Para disa vjetesh, kur rastiste të gjendesha fillikat në shtëpi, zhvishesha krejt lakuriq, dhe ashtu, cullak i bëja të gjitha: lexoja, gatuaja, degjoja muzikë… mendoja. Them ta provoj prapë. Nuk kam cfarë të humb, as cfarë të fitoj, dua dhe duhet vetem te arratisem nga vetja. Televizorin e mbaj te fikur per shume arsye, mbi të gjitha sepse, edhe tani, jam i mendimit se e kundërta e mencurisë nuk është injoranca por adhurimi i saj.
Më mirë po ia fus gjumit. Të fle sa të fle, të dalë ku të dalë, mjafton të përshpejtoj kohën. Maezallah. Gjumi nuk më zë. Fyti më është tharë dhe sytë më djegin. Mbasi i hedh një grusht ujë syve, zvarritem drejt raftit të librave. Rileximi i disa poezive të zemrës me siguri do m’i njehsojë barrierat e brendshme. Dhe kështu bëj.
Shoh orën: Më kanë mbetur edhe 2 orë e 3 minuta jetë. Mos. Dreqi e mori, e kam të pamundur të rri edhe dy orë të tjera mes katër muresh. Vishem. Kisha ndër mend të vdisja ashtu sic më ka bërë nëna, por s’qenka e thënë. Dal. Të paktën shtëpinë e lashë të pastër dhe të rregullt. Cigaren e vetëshuar në tavëll e flaka nga dritarja dhe rubinetin e cezmës e shtrëngova fort. Letër lamtumire nuk shkruajta, për shumë arsye, mbi të githa sepse, rrallëhere, rrallëkund, kam dashur t’i jap rëndësi vetes; pastaj, a s’është vdekja një cështje krejtësisht vetjake!?
Tek zbres shkallët shkembehem me fqinjin e katit te trete. Natyrisht qe e respektoj. Nder te tjera, ai me llomotit dicka rreth krizës financiare të Wall Street-it, të drejtën e studimit që i ka dalë të bijës në Padova, bën një koment bajat për politikën dhe, duke u shfajësuar sa për sy e faqe, me citon një nga ato aforizmat e Oscar Wilde-it. Përderisa nuk ia kam prishur terezinë askujt me parë, nuk kam pse të ndryshoj sjellje pikërisht tani. Megjithë pasionin e tij për filozofët gjermanë, as fqinji nuk ka si ta dije që copën e fundit të mishit e kam lënë në frigorifer. Ja ku e hoqa qafe edhe fqinjin.
Mendova se jashtë bente ftohtë, përkundrazi, të gjitha shqisat e mia ndijojne një lloj lagështire ekzotike të përbërë prej teprica endrrash. Ajri’. Thuhet se ecja të bën mirë në cdo rrethanë. Mjerisht paskam ngecur. Nuk di nga t’ia mbath. Zona ku banoj me duket e huaj. I huaj zgjatimi i degës së fikut, e huaj pesha e gurickave të hapërdara nëpër rrugë, i huaj pigmenti i casteve, i huaj…(.) Nderkohë ende s’kam lëvizur. Symbyllur ndjej rrotullimin e tokës; zhurmërimen e ujërave të nëndheshme, kalbëzimin e gjetheve. Oh, dekompozimin! Qëndroj në vend sikur po përpiqem ta filtroj ajrin me mendje para se ta kaloj në mushkëri. Gjymtyrët më janë mpirë. Shpirti ma kërkoj edhe një kafe të fundit. S’kam si t’ia prish. Ulem.
Shoh orën: Më kanë mbetur edhe 1 orë e 8 minuta jetë. Gjithcka përreth është ne harmoni të përkyer: zhurma e ekspresit të kafesë, avulli që vesh porcelanin, kendvështrimi naiv i banakieres për dashurinë, parketi, kolesteroli i lartë në gjakun e këngëtarit që interpreton në radio; madje nga ky i fundit arrij të përkthej një pjesë të tekstit:

”Ne ishim dy vise gjumi
që lidheshim prej shkallëve të gurta
ku derdhej uji i tejdukshëm i një ëndrre
që grumbullohej orë e cast, copëtohej orë e cast”

Matanë të ndarës së banakut shoh një dhomëz të sajuar, dera e të cilës është e paputhitur. Fasha e dritës që hyn prej andej vë në dukje gjithë papastërtine e ngrohtë të lokalit. Një mendje më thotë se aty engjejt i rrefejne barsaleta sho-shoqit, ose perralla zgjimi, kushedi. Gjithcka vazhdon te mbajë ritmin e absurdit; dhe unë nuk dua ta prish assesi harmoninë e përkryer të gjithë sa është, ka qenë e do të jeteë. Cdo send i pranishëm, cdo lëvizje që ndodh përreth, transhendohet me veten, me pjesën tjeter, me perceptimin tim, pastaj serish me veten, dhe përhere jep të njëjtin përfundim: Ekzistencë.

U krye! Më në fund mbaroi: shpirti doli nga entropia. Tani që u bëra njësh me jashtësine edhe vdekja u ripërtëri brenda natyrës së vet, në rastin më të keq, u zhbë.
Orën nuk po e shoh këtë herë: e di që është ceshtje minutash, sekondash. Di, gjithashtu, se diku, ndoshta në një kapak libri, kam shkruar me stilolaps hungarez: ”Nga lindja deri në vdekje- një frymë; Nga casti në cast- një dimension”. Po, ende i përmbahem këtij parimi. Po pres…

Tags: ,

4 Responses to “Pritje”

  1. marsel lela Says:

    e bukur. struktura artistike e fjalive eshte ne nje nivel te larte

  2. Miss Germs Says:

    yjet e mija skan piken e vleres,por ******************************

  3. bubikacurrel Says:

    interesante

  4. Tweets that mention Pritje « Tirana Calling -- Topsy.com Says:

    […] This post was mentioned on Twitter by Blog Shqip. Blog Shqip said: [Blog] http://port.al/s/2vh Pritje #shqiperia […]

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: