Re Puplore

by

 

nga Loer Kume

Jam një Re Puplore që fluturoj diku aty,sipër ëndërrave tokësore.
Rrezet e agimit tim të sotëm janë kretase, ato të mbrëmjes ndoshta kiliane, o mbase armene.
Nuk dihet ku jam krijuar. Nuk dihet ku do shkrihem e zhytem. Mjafton të çoni kokën lart në qiell e më shihni mua, një notë e lartë, akute kitare që tretet larg veshit… larg, afër, të bardhë, pa cepa, sa bukur, sa lart…
Forca e gravitetit, robëruesja e shpirtrave është larg, shumë larg të fërkuarit të këmbëve të mia. Unë jam e qiellit. Qielli është i pafund…
Jam një Re Puplore. Fluturoj lehtë, lehtë mbi tërë sipërfaqen e tokës… nga këtu lart shoh çdo gjë mbi tokën tuaj të shtrenjtë, çdo cep e skutë të botës…
Ju shoh habitshëm, sa shakatorë dukeni tek rrini aty poshtë, në këmbët e hijes sime, duke u rrahur, vrarë për toka, për para. Vrarë për mjekra, ideale, gurë të shenjtë, qytete të humbur, për bukë, ujë, naftë. Vrarë për gjak…
Për partitë, bindjet, atdheun, mëmëdheun, kombin… vrarë për gjeneralin, komandantin, udhëheqësin, Zotin…
Unë jam këtu lart… larg çdo gjëje tokësore… qesh me ju, me tokën aq të fryrë, të rrumbullt deri në plasje. Sa për të qeshur!
Unë Reja Puplore jam zoti. Plotësoj tërë kushtet; pa fillim, pa fund, ciklik, sipër, ëndërr! Cdo gjë, brënda çdo gjëje…
Nuk më duket se gjërat kanë aq rëndësi apo se ka gjëra të rëndësishme në këtë formë të qënies… madje asgjë s’ka rëndësi veç pluskimit tim… fluturimit tim, shpejtësisë… buzëqeshjes së dellit!
E rrezet e tij që tejshkojnë trupin tim të tretshëm prej puplimesh reje…
Gjërat nga këtu sipër janë aq të vogla, aq të parëndësishme, aq patetike… ju o njerëz, aq të përkohshëm e shkatërrues kohe!
Unë jam një Re Puplore. Hapësira pa kufi … aty fluturoj unë. Gjithë ç’ndjen qënësia ime prej reje më përket… pafundësia… ajri… era… dielli… hëna.. çdo gjë… toka, njerëzit, pemët, kafshët, makinat…
Mund të krijoj gravitet të fortë duke tërhequr tokën me tërë ç’ka sipër e poshtë saj në vallen time me erën…por do ishte një përgjegjësi, jo?… ç’ta dua?
Bota është e imja. Unë jam e botës… boh! Vërtet, nuk ka fare përkatësi në këtë mes
Unë jam një Re Puplore… nuk kam Memoiré, nuk kam kujtime… nuk mbaj gjë me vete… As shpirtin!
E ndërroj formën time në çdo gjë. Kur të dua. Sepse jam fluide. Ujë dhe erë. Dhe një ditë do të kthehem në det, për tu kthyer sërish në qiell.
Në finalen time të madhe shiu lag e bekon çdo gjë në tokë, prek çdo gjë, ju lë pasin të tërëve, duke shkuar drejt detit… nis gara në tërë tokën e shkelur, njerëz, kafshë, pyje, miza, pilivesa, zogj, re, male…kush shkon i pari drejt detit…e drejt qiellit përsëri…
Unë jam një Re Puplore. Era është perëndia ime. Braktisem në duart e saj, e lirë, e lehtë…
Në krahët e erës…ndërroj drejtim… pluskuese…fluturuese…ju zë diellin … ju ndihmoj ju, njerëz. Krijoj errësirën e domosdoshme për të liruar shpirtërat tuaj të fshehtë që dielli e drita ju pengojnë ti shfaqni…
Jam përkëdhelësja, mësonjësja e qënieve të etura për fluturim…për liri… me shiun tim, me hijen time, me pluskimin tim nëpër botë…
Unë jam ai njeriu shtrirë në plazhet e Acapulcos në hamakun e tij, duke pirë coctailin e tij, tymosur marihuanën e tij. Ai ka hedhur tej gjithçka dhe ka harruar emrin e tij.
Jam ai burri i vërtetë që sapo u emërua prokuror kuptoi që gjithçka donte të bënte ishte të kompozonte muzikë, dhe dogji kostumin e tij, harroi emrin e tij…
Jam ai mësuesi i latinishtes që u bë eksplorator, dhe fizikani që u bë pirat rruge me makinën e tij të dashur…
Jam mjekja e suksesshme që provoi të jetë prostitute e suksesshme. Ajo harroi emrin e saj…
Jam tërë pjaniket, të çmendurit që shohin ngjyra e botë ku ju shihni shkretëtira…
Oh… ja ku jam mbi shkretëtirë. Era luan me rërën poshtë nën hijen time. Re të tjera puplore në qiell nuk ka. Por koncepte të tilla si vetmia, mërzitja, humbja, vdekja për mua janë të huaja.
Dhe mbi të gjitha, unë, një Re Puplore jam e lirë nga ajo që ju e kërkoni dhe pësoni me aq ngulm, me aq verbëri, pa e kuptuar dhe vetë; Përkatësia!
E keni të rrenjosur. Që në embrion. Që në gjenëzë. Që në molekulat që i nënshtrohen rëndesës kur konceptojnë ADN tuaj.
Fëmija i përket nënës… gruaja i përket burrit, burri gruas, burri e gruaja i përkasin familjes së madhe… i dashuri e dashura, njëri tjetrit… punëtori i përket punës, dhe puna, pronarit… pronari një tjetri më të madh, deri te banka… bankieri parasë!
Të rënduar me valixhe, me bagazhe, të veshur, të mbathur… nuk shkelni tokën me këmbë, keni harruar se i përkisni asaj, ajo ju shtrëngon… ju mbërthen…
Kush është hapi i parë i fluturimit të lirë? Të ndalosh, të flakësh bagazhet, të zbathësh rroba e këpucë, të shkelësh tokën me këmbë të të mbushësh mushkërite me ajër…
Ju i përkisni tokës, unë bëj dashuri me erën. Ajo më vallëzon në tërë qënien time…lart… larg… shpejt… lehtë… fluturimisht ëmbël… si një pupël… rrjedh ajri, rrjedhshëm në grimcat e mia puplore…
Ndaloj sipër diku’je, pezull në suspansin e ajrit. Asgjë nuk pipëtin, këtu lart qetësi e madhe… muzika e heshtjes… është e ëmbël, ndaluar mbi ndonjë mal, a mbi ndonjë det të pafund…ngjyra të forta kudo, blu, gjelbër, verdhë, kurrize bizontesh të pyllit polak, barqe gri balenash në Arktik, dhe unë ndriçoj në bardhësine time qumështore, sytë tuaj zbardhen nga drita ime…
Ju ndjeni qetësinë, hijen time të voçkël, dielli i madh zot ju ngroh gjakun dhe mendjen, portokalli është ngjyra e botës, ngjyer me blu nën bardhësine time, dhe ju doni të bëni dashuri… në emrin tim… nën sytë e mi puplorë, shtrirë në lëndina, në rërë, në det, në tarraca pallatesh, në degët e pemës, në stolat e një lulishteje, te shkallët e trampolinës, aty mbi lëkurën e ariut mbi akull, shtrirë në mes të saharasë…
Ju prek kudo që jeni, kudo ku bëni dashuri nën hijen time… dhe unë, Re Puplore, drejt agapése me diellin e detin… lozonjare, ledhatare… dashuronjëse… E LIRE !


Nëse artikulli ju pëlqen na ndihmoni ta shpërndajmë, ndajeni me miqtë tuaj në Facebook

Advertisements

Tags: , , , ,

3 Responses to “Re Puplore”

  1. loer kume Says:

    kjo po qe ishte dhurate surprize! faleminderit!

  2. Nina Says:

    Kjo reja puplore duhet te humbe ca kile po deshi te vazhdoje te mbetet e tille e te mos ngatarrohet me forcen e gravitetit hihihihi 😀

  3. xhenius Says:

    fantastike!

    nuk e di ,po tashti qe e lexova,mu kujtuan kur kam qene e vogel,shpesh shihja endrra me fluturim,ndoshta ista e ndrydhur,doja te isha e lire….

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: