Dëshirë, e fundit

by

 

nga Loer Kume

 

Bazuar në një histori të vërtetë,
klipi “Mary Jane’s Last Dance”, Tom Petty
 
 
Si gjithmonë orëve të para, isha vonë sërish. Po nxitoja si lepur duke menduar një justifikim të mundshëm… u prish autobusi, I vunë gjobë furgonit…kur pashë që të tjerët ishin mbledhur te dera e jashtme.

Na kishte premtuar pedagogu ynë që do na çonte në morg, dhe e mbajti fjalën. Nuk doja ta humbisja një mësim të tillë për asgjë. Dmth, për asgjë përvec atij gjumi të ëmbël të mëngjesit… ahh…

Nejse. Tanimë isha te dera. Një roje si xhuxhmaxhuxh me gishta të trashë e të kthyer nga artriti mbase i shkreti, na hapi derën e hekurit. Nëse do vijë njëri tjetër pas jush, ndonjë që është vonë, – tha,- do thërras njërin nga ju ta identifikojë. Më jepni një emër.

Hajde protokoll hajde… ia këputi njëri nga djemtë. Plasën të qeshurat. Roja që mbase se kuptoi as fjalën protokoll, na shihte më një sy shumë serioz derisa mbaroi punët “protokollare” me një nga vajzat.

Hymë brënda. Gati gati, një atmosferë kishe, tempulli, a laboratori eksperimentesh, bardhë, pastër, freskët, një erë e caktuar që të trashte hundën. Shshshhh! – Na frenoi doktori. Askush nuk pipetiu më. Aty kishte njerëz të vdekur ndaj u sollëm me dinjitet varrezash. Derisa prapë, një nga djemtë, s’më kujtohet kush, kapi nga kemba një vajzë nga ato të llojit syze-flokëlëshuar-libra në sqetull-xhup puplash deri në fund të këmbëve. Ajo ia dha ulërimes. Ne që pamë skenën se mbajtëm dot të qeshurën. Alfa-alfa, profesori që i ngrihej një qime në majë të kokës si personazhi legjendar Alfa alfa në një film të lashtë, u kthye, e me sytë e tij statikë pikasi vajzën. Ajo biba u skuq. Me falni profesor. Suspansi i krijuar … u pengova, dhe… u…

Nga të qeshurat deri dhe Alfa alfa vuri buzën në gaz. Boll tani! tha, – dhe na ktheu kurrizin.

Përmes korridoresh që të fusnin në kokë idenë e një piramide të bardhë spitalore, arritëm në një derë të madhe si derë frigoriferi. Dhe dorezën ashtu sikur e kishte.

Këtu do futemi. Mendohuni mirë. Kush do të dalë, le të ikë tani pa mungesë. Ndodh që studentët tronditen dhe ju të stomatologjisë nuk e keni me detyrim hyrjen këtu.

Dhe me ftohtësinë natyrale që kishte, Alfa alfa hapi derën.

Dhoma e sarkofagut të piramidës së bardhë,- mendova titullin e një tregimi të mundshëm. – Duhet ta shënoj.

Dhoma në qendër kishte një tryezë të madhe prej guri, me syprinë inoksi që shkëlqente në sintoni të plotë sidomos me Alfën. Në mur kishte një si dollap të madh gjigand, I tëri me dyer të vogla si kuti shahu, të tëra me doreza prej kasafortë. Ketu ne mbajmë të vdekurit që sjellin në morg. – Nisi Alfa. – Kjo është tryeza e autopsisë. Ja, më jep një palë doreza, – I tha një infermiereje mesogrua që kishte qenë aty tërë kohës e askush se kishte parë.

Ja, fantazma e mëndeshës së faraonit të piramidës së bardhë, mendova. Se braktis trupin e tij tërë përjetësinë.

Profesori veshi dorezat dhe hapi një nga dyert. – Pa të shohim ç’ka këtu? Ah po. Tërhoqi një si shtrat që flinte mbi shina rrëshqitëse. – Kjo është një plakë që është gjetur pas tre ditësh vdekur në shtëpinë e saj nga fqinjët. Nuk kishte njëri të interesohej për të. Do varroset me shpenzimet e shtetit. Ja, shihni njollat ne kurriz? Kush me thotë ç’janë këto njolla? Pooo, janë njollat që tregojnë krahun e mbështetur në pozicionin parësor të vdekjes. Vjen ngaqë likidet e trupit precipitojnë nën forcën e rendesës. Bravo. – Iu drejtua Alfa alfa djalit që foli. Një nga vajzat, që për më tepër ishte dhe shtatzanë u alivanos.

Po të thashë moj… c’janë këto gra shtatzana këtu? Po nxirreni more jashtë…

Sa gjynah e shkreta… – më tha shoqja që kisha në krah.

Me tërë mend. E tmerrshme, – thashë. – Të vdesësh vetëm, si qen, mos ta dijë njeri, dhe të varrosesh me shpenzimet e shtetit! … Megjithëse… Po vdiqe, varrosu me c’të duash!

Gjyshja dukej me tërë mend babaxhane. Duhet të gatuante mirë. Për kë?

Dakord, – vazhdoi profesori. Shohim ndonjë tjetër. Hapi një tjetër dollap, dhe doli një kufomë tjetër. Flokët e gjatë u lëshuan sikur me zor prisnin të hapej qefini. Një vajzë e re. Ai e tërhoqi trupin, dhe koka iu var nga pas.

Shiheni, po sheh Jonin, – tha dikush. Plasi e qeshura. Pusho more, mos u tall me të vdekurin, – tha një djalë.

Vërtet, ajo po më fiksonte. Ishte me sy hapur, shume të hapur. hunda mistrece, flokët e shkatërruar…buzët gjysëm të hapura, dhëmbët që dukeshin fshehtas, syte që me fiksonin, e tera kjo vinte si peshperime drejt meje. Ç’fshihte kjo pëshpërimë? Nuk ndjeja asgjë të frikshme nga ç’më sillte shprehja e syve dhe buzëve të saj. Nuk më vinte asgjë e tipit; sekreti i vdekjes sime… më ndjekin… dikush do flasë me tim shoq…

Shoqja ime e krahut, nxorri nje qese nga çanta me të shpejtë dhe ia dha vrapit. Pas saj dolën dhe dy të tjera.

Nderkohë, Alfa alfa nisi të shpjegonte që vajza ishte gjetur e vdekur rrugës që shkonte nga kullota për në shtëpi, në një fshat të bregut të jugut. Rrethanat nuk diheshin dhe nuk kishte asnjë gjurmë dhune në trup. Flokë të zeza, sy të zinj, qafë e bardhë esmere, bukuroshe… trup i vdekur bukurosh…

Fakt i çuditshëm është që kjo është e pastër nga shenjat e zakonshme të vdekjes, si duket …si e gjalle…tha Alfa alfa.

Vërtet, trupi i saj i bardhë, dukej sikur pulsonte akoma nga goditjet e zemrës. Ishte e bukur.. e gjallë do ketë qenë femra më e bukur… e gjallë ajo mund të më vdiste… ç’mëkat i tmerrshëm..pse të kishte vdekur vallë?

E kishin gjetur familjaret shpejt ë? Domosdo, fis xheloz… per pakëz vonesë kanë dalë ta kerkonin, se mos ia dridhte burrit që la pas në stan.. po ndaj ka vdekur kjo… nga mërzia.. kjo femër e re.. e bukur…ça tmerri! Sa keq! Kjo nuk duket si e vdekur. Shih si sheh! Ça habie! Ç’do të thotë që sheh ashtu? Unë jam çmendur, – shkunda kokën. Po mendoj se një kufome do të më flasë.

Po ti projektosh sytë a del vallë skena e fundit që ka parë? Duket tamam sikur po me sheh mua. Po çka menduar ato kohë që ka jetuar? Sa ishte tha ky? 19 vjece?

Ç’mund të mendojë një 19 vjecare e degdisur në një fshat të harruar, e martuar ndoshta që 15? Pa parë asgjë në botë? Ç’ka menduar? Ç’ka ëndërruar duke parë detin magjik të jugut?

Këto mendoja, dhe syte ndiqnin linjat e saj. Gjoksi… pulpët e lakuara ëmbël.. ato pulpë ishin forcuar duke ngjitur kodrat, ato janë bërë për të kërcyer… ka kërcyer vallë?

A ëndërronte për të kërcyer kur i kthente kurrizin burrit? A ka dashur të kërcente kur ai, i djersitur e i larget, shkeputej nga ajo pa e parë ne sy, darkave verore? Kur ishte e çliruar nga dëshirat e mishit?

Ajo shihte diku, fiks në sytë e mi. Mu bë sikur vetullat iu lakuan, sikur lutej per dicka me kembengulje. Me insistim.

Ajo do të kercejë. Ç’farë do të kercejë ajo? Po po… ajo kërkon… e si kërkon? Ku po e kuptoj unë që ajo kërkon dicka? E shkreta, ça ka dashur ajo? Vetëm të vejë këmbët në përdorim. Ato këmbë të bukura, në një kercim… në një tango mbase? C’do të kërcesh? Ajo sikur më thërriska.. mendova. E habitshme. Ajo sikur të tërheq me sy…

Nderkohë, fjalimi monoton ritmik i profesorit u ndërpre. Erdha në vete sërish.

Ai rregulloi kufomën dhe shtyu shtratin e inoksit në shina.

Do shohim prapë? Apo do ikni? – Tha.

S’foli njeri.

Në rregull. E shoh që nuk ua ka më qejfi. Kaq e patët tërë kuriozitetin more? Jeni të lirë të dilni, por pa pikën e zhurmës, dëgjuat? Shihemi nesër në leksion.

Isha nga të fundit që dola. Dyshime më ngacmonin në kokë. Doja ti thoja të shikonim dhe një herë vajzën, por … punë që s’behej.

Dolëm të tërë, drejt e në kafe.

Sa e mirë ishte ajo ore! Tha njeri.

Pusho mor nekrofil, – I thashë.

Ajo donte të kercente. Për këtë jam i sigurtë. Madje do ketë ëndërruar të bëhej balerinë.

Hahhaa! Po ti more si ia bere për ta marë vesh? – Thanë cunat.

Ajo i foli me sy, – tha miku im i ngushtë në fakultet asokohe, që e dinte shumë mirë si funksiononte truri im. Qeshëm.

Vazhduan biseda të tjera por mua, idea e vajzës që s’kishte kërcyer kurrë në jetën e saj mu fiksua. Ajo duhej të kërcente. Ajo duhet të kërcejë tani mbase. – Mendova.

Në një sekondë e pashë veten duke e udhehequr në një salsa e pastaj në tango.

Po mirë moj zemër e vogël, – mendova, me imazhin e salsa – tangos, akoma të fiksuar në sy. – Ku di une të kërcej? Pastaj, si mund të të nxirrja nga morgu? Të të coja të kërceje mu në bregun e detit të Qeparoit?

Do kërcenim nën diellin e perëndimit, sa të dilte hëna, pastaj do të të lagia këmbët në ujë e do të të ktheja në morg. Kështu do vdisje rehat.

Ça kryevepre…?!

E pamundur.

U nisa vëtem për leksionin tjetër. Askush nuk donte të hynte në mesim.

Po ecja, dhe rruga për te aula kalonte sërish nga morgu. Mos vallë kjo ishte shenjë që unë kaloja sërish me këto mendime në kokë para saj?

Nuk mund të bëhet që unë të kërcej me të në morg. – Mendova. Është çmenduri. Askush nuk … Po sikur po?

Në çast mendja më krijoi një skenar tjetër. Po sikur ti thoja Alfa alfës që isha piktor amator dhe doja të pikturoja vajzën? Bashkë me vëllain tim?

Ishim të dy piktorë dhe nuk kishim modele dhe donim të pikturonim vajzën. Po po! Për tiparet mos e ki problem, – do i thoja, – se do i ndërroj. Askush nuk do ta kuptojë ndonjëherë që është ajo…

Ajo duhet të kërcejë se s’bën para se të varroset. Ajo lutej! Unë e pashë! Unë vetëm! Jam i vetmi njeri në botë që mendoj diçka të tillë për atë vajzë. Pse vallë? Pse unë të mendoj këtë gjë? Ka një arsye. Asgjë nuk ndodh kot. Çdo detaj, fiksimi im me këmbët e saj, shprehja e saj e fytyrës, syte e saj që më zgjodhën mua… aq rastësisht midis gjithë studentëve… vetëm unë i kam mbetur tani. Te tere i kane kthyer kurrizin. E braktisën, sapo vdiq e s’panë më asnjë interes te ajo vajzë. Ajo nuk ka njeri tjetër të gjallë të mendojë për deshirën e saj. Duhet ta bëj këtë gjë.çmënduri, po, por ka vlerë. Nëse nuk i plotësohet kërkesa asaj, dmth që bota nuk shkon ashtu si duhet. E pse? Se unë qënkam frikacak neglizhent. Po sikur të isha unë në vënd të saj?

Ia vlen pak minuta kërcim me të në krahë. Ndryshe nuk do vdesë!

Ktheva hapat si duke u zvarritur nga drejtoria e mjekësise ligjore. – Ç’do ti them? Ku e ha atë ai. Do më marrë për budalla… Mos e merr keq, me fikson dhe ec e të marrësh provimin pastaj?

U nisa me hap të nxituar për në zyrën e Alfes para se të më ndërrohej mëndja. E konsiderova veten si të pirë, në fund të fundit ishte justifikimi natyror i çdo mashkulli, dhe ashtu isha i clirët.

Pse doje të më takoje? Më tha Alfa i lajmëruar me parë nga sekretarja.

Profesor, i thashë. Kam një kërkesë. Një kërkesë të vockël. Disi absurde në pamje të parë, por që është e justifikueshme. Po ta kerkoj në menyre sportive. Mos mendo për keq dhe të lutem të ma plotësosh.

Ai mi nguli syte e ftohtë. Dhe lëkurën dukej sikur e ishte të ftohtë, sikur i kishin depërtuar tërë vitet e morgut, të vdekurve, frigoriferëve, inokseve në gjak. Ai është si reptil, mendova. Dhe sigurisht që s’ka per të me lënë kurrë.

Po hë pra. – Tha. C’do me kerkoje? Pse e humbe?

Ai shfaqi emocion. Kuriozitet! Aty, unë kuptova që ai ishte në qejf. Ose më saktë, kisha qëlluar në ditët e tij humane.

Unë …unë dhe vëllai im jemi piktorë. Amatorë. E kemi të trashëguar nga babai. Dhe… pikturojmë..kryesisht njerëz, portrete… trupa…pak a shumë stil rilindjeje… adhurojmë Mikelangelon… dhe…do donim, duke pare sot… dhe doja që me vellain tim……

Dëgjo profesor se po e stërholloj shumë. – Ai shqeu sytë. – Kam qejf që të pikturoj kufoma në sallën frigoriferike, në morg. Dua te hap një ekspozite dhe nuk kam më modele frymëzimi. Me imagjinatë nuk behet gjë art. Doja leje shuuumë konfidenciale nga ju që të mund të vizitoja bashkë me vëllain dhe një herë morgun. Është çmenduri,e di, por, ju jap fjalën që nuk do e diskutojmë ndonjëherë faktin konkret. Nuk duam që të mendojnë keq per ne. Por, pasioni ky është… jemi në gjëndje të vështirë. Na ndihmoni.

Ai ishte si i llahtarisur. Duhet të dilja nga situata. Dukej që kishte një mal me emocione që varej si do kanalizoheshin.

Ju siguroj që nuk do marrim asnjë me vete. I thashë.

Ai, kaloi një sekondë, dhe ia dha të qeshurit. Mendova se e bera të qeshte, po jo.

Ai qeshi me atë që kishte menduar vetë.. – more, po mos u marrin ata me vete, – tha.

Nga frika ju pushon zemra.

Ça humori idiot…

Hahahha! Jo se jemi trima ne. I thashë.

Dëgjo more djalë, më tha. Po ik more bëji piktura shoqeve të tua. Nuk ke shoqe ti?

Kam, po ajo nuk do, – I thashë. Thotë që piktura të vjedh një copë shpirt. Të vdekurit nuk kanë shpirt apo jo?

Shpirt? Tha i habitur. Shpirti është koncept idiot. Mori frymë si në siklet.

Po mirë more, po aman, a je i ndërgjegjshëm per sa më kërkon? Si more të të lë une ty të pikturosh njerëz të vdekur në dorëzimin tim…

Po në ekspozitë ti as ke për ti njohur, I thashë unë, për të devijuar bisedën aty ku e doja, aty ku do i fryja sedrën atij në një farë mënyre të fshehtë, dhe njëkohësisht duke e bërë si fakt të kryer.

Dhe për arsye të pashpjegueshme akoma dhe sot nga shkenca jo e saktë e arsyetimit, Alfa alfa, profesori ynë reptil, njeriu më i akullt në tërë fakultetin, më dha leje.

– Jo më shumë se 20 minuta. Pas mësimit, dhe pas orës 6, kur nuk ka njerëz vërdallë.

Tani jam i bindur që ai nuk e ka menduar fare atë punë, dhe i ka rënë shkurt për të mos u çmëndur nga kërkesa, duke ma plotësuar. Më pas, korridoreve bënte sikur nuk më mbante mënd fare. Në provim erdhi e më kapi me kopje.

Dola nga zyrat sikur kisha fituar një mbretëri. Aq i gezuar isha, sa harrova ç’do bëja në morg. Pasi isha qetësuar nga vala e parë, më zuri e dyta e lumturisë.

Vajza do të varrosej e qetë. Ajo do kërcente.

Po muzika? Po mund të kërcenim dhe pa muzikë..

Poo! Unë në telefon kisha këngë nga Gotan Project. Do shkoja të merrja dhe një tjetër në internet kafe, me pak tango, më salsa, ose mambo, dhe ja…

Po unë s’dija të kërceja!

Punë që zgjidhej… as ajo nuk dinte, nuk kishte kërcyer kurrë dhe nuk do të merrte dot vesh mangësitë e mia në hapa. Pastaj, ajo ishte femra. Une do udhëhiqja ashtu si dija unë. do më ndiqte se s’bën.

Pastaj, atë do ta mbash ti more trushkulur, – I thashë vetes. – Ajo nuk është e gjallë!

II

Shtyva derën e rëndë të sallës frigoriferike. Zemra më rrihte fort fort. Normalisht duhet të isha i trëmbur, jashtë errësirë, ora 6.30 e një pasdite nëntori,, dhe isha vetëm, në një sallë me kufoma. Me dhjetra filma horror thonin që tani duhet të ndodhte dicka e keqe, po çuditerisht nuk ma ndjente fare.

Me zor prisja, tamam me gezimin e dehur të Bakusit, të çmëndurit hyjnor, të bëja atë që kisha për të bërë. Po kenaqesha shumë. Do ti plotesoja dëshiren një të vdekure të pavarrosur që donte vetëm të kërcente.

Ku ta vija telefonin? Duhet të mbështesja në fillim telefonin diku, pastaj të nxirrja vajzën. Në fillim i ula volumin. Po të dëgjonte roja që unë kisha vënë muzikë në sallën frigorifer të të vdekurve, nuk kishte cmenduri piktorësh të më justifikonte.

Imagjino pak ti thoja atij tipit që po krijoj klimën e duhur për të pikturuar?

Nderkohë i kisha thënë që do vinte dhe një djalë tjetër, vëllai im, sa per të krijuar një gënjështer të besueshme, dhe ai priste nga casti në çast ti hapte derën e jashtme të oborrit.

Mbështeta letrat e piktorit të rremë ku kisha vizatuar ca skica kufomash që në klasë, i mbështeta te tryeza e gurtë me siperfaqe inoksi. Mu në cep. Sigurisht që aty në cep nuk kishte pasur ndonjëherë ndonjë zhvillim të papastër autopsie për të shqetësuar sqimën time prej ariu maniak. Mbi të vendosa telefonin dhe e bëra gati. Mjafton të shtypje play

Po tani? po më shtrëngonin zorrët. më vinte të përpëlitesha. Ça heshtje… po sikur të dëgjoheshin hapa të ngadaltë ritmike nëpër korridore… ?

Mjaft! Duhet të qetësohesha e të gjeja trupin e vajzës. Si nuk e kisha fiksuar dollapin e saj në mëngjes?

Kujt ia kishte prerë mëndja njëherë, që do realizoja diçka të tillë! Dëshirën e një trupi, dëshirën e syve të tij, do ta plotësoja unë!

Mendova që isha vërtet njeri special. Ndjeva një gëzim e një vrull të brëndshem. Kisha kapur dëshirën e saj, që notonte në ajër nga këmbët, pulpat e saj, supet e saj, dhe kisha realizuar të pamundurën. Isha aty ta plotësoja. Dëshirën e një askushi, që askush nuk kishte për ta kuptuar…

Hapa disa dollape. Ishin bosh. Gjeta të parën atë plakën e shkretë dhe nga ajo u orientova.

Hapa dollapin e saj. Tërhoqa shtratin në shina. Hoqa mbulesën. Ja ku ishte! Magjike! Syte shihnin diku lart, buzët gysëm të hapura, të plota, mishtore, dhëmbët pakëz të dukshëm nën buzën e sipërme që u shpërvol në një moment duke zbuluar një dhemb anësor të nxjerrë katarosh. i rregullova buzën duke ndjerë një të ftohtë të çuditshëm.

E hoqa fare mbulesën. Pashë sërish me përqëndrim këmbët e saj. Ajo mund të mos kishte kërcyer kurrë, e unë nuk kisha për të qënë kurrë ekspert balerinësh, por, ajo vajzë kishte lindur për të kërcyer.

Esmere, flokëgjatë, të zinj, sytë e zinj, format e mbushura të trupit, gjoksi I vogel i ngjeshur e i plotë, mjekra e rrumbullakët me majuc, ajo ishte balerinë.

E imagjinova veshur me një fustan të kuq, me pika të zeza, një milonga, pista e drunjtë, coctails, një lule karafil në flokë, këmbët e zbathura rrotulloheshin në drurin e parketit…

Ajo ishte e gabuar këtu. Universi, të cilit i besoja, mos kishte bërë gjë gabim?

Ajo duhej të ishte gjëndur e vdekur në një lagje portuale të ndonjë Lisbone, Buenos Ayres, apo Rio, apo Caracas… Vrarë në një krizë xhelozie e sipër…

Jo këtu, në këtë spital të lodhur, në këtë mënyrë… pa ditur pse vdiq, e gjetur majë një kodre…

ose minimumi, ta kishin gjetur në breg të detit me këmbët që ia lagte dallga, veshur me këmishë, vdekur nga të ftohtit e natës duke pritur të dashurin e saj skafist të humbur dy ditë më parë . Jo keshtu…

Ajo ishte heroinë! Jo kësi farë viktime! E mbetur peng e vullnetit të mirë të një të panjohuri për ti plotësuar dëshirën e fundit…

Moss! Sa shkoi ora? Mjaft ëndërrove, – I thashë vetes. Kisha vetëm një çerek ore ose njëzet minuta kohë, dhe deri tani kishin kaluar pesë. Asaj nuk i duheshin fantazimet e mia, donte vetëm të kërcente. Në kujtim të atyre dashurive të panjohura, në emër të dëshirave mistrece e lozonjare të qënies së saj femërore.

Si ta zbrisja? Duhej ta terhiqja nga shtrati që, për më tepër lëkundej në shina dhe nuk qëndronte fiks.

Ku ta kapja, ku ta kapja? I futa përfundimisht duart nën sqetulla, duke e tërhequr, dhe akoma sot kujtoj me rrëqethje ftohtësinë e sqetullave të saj. Aty ku është një nga qoshet më të ngrohta të trupit, aty buronte ftohtësi! Atëherë, unë kuptova vendosmërisht që ajo thjesht, nuk ishte e gjallë.

Ishte shumë e rëndë. Më keputi krahët. Asgjë në trupin e saj nuk rrinte si duhet. Krahët i vura në qafën time. Ato vareshin nga pas. I majti më rrëshqiti në sup e ra sërish. Në atë pozicion dukej sikur kërcente me tangërllëk adoleshenti që me një dorë mban të dashurën e me tjetrën cigaren.

I sistemova krahët rreth qafës, kokën me sytë e saj që shihnin ëndërrues diku siper meje, ia mbështeta në supin tim. Floket më mbështollën gjoksin, dhe me një dorë mbaja belin e saj peshë për të komanduar këmbët e mos t’ja lënë të zvarriteshin. Nuk e di as vetë se si e sistemova atë trup jo të gjallë në duart e mia, duke e mbështetur në trupin tim.

Më vinte keq që ishte e zhveshur. Doja ti vishja trekuartin tim, por nuk kisha kohë. Kështu, ja ku ishim, statikë, unë dhe ajo, e varur në krahët e mi, shpina e saj herë me çmeriste me mosqëndrimin në pozicion normal, herë më mahniste me shkëlqimin e saj të butë e të embël nën dritat e sallës. Po shtrëngohesha e sforcohesha ta mbaja në kembe. Ishte dhe e gjate! Koka saj te supi im!

Me një gisht, me levizje milimetrike shtypa play në telefon. Filloi ‘Una Musica Brutal” e Gotan Project. E kisha përzgjedhur me kujdes, dhe ishin dhe dy këngë të tjera për tu kërcyer. Në fillim mendova të kërceja vetëm një këngë, por mu duk sikur do ia hidhja asaj, do bëja një gjë sa për të larë ndërgjegjen… ajo donte të kërcente, dhe një këngë nuk është e kërcyer, edhe pse tango…

Fillova të udhëhiqja. Po lëkundesha lehtë lehtë, nën tingujt e tangos së përpunuar.

Lëkundesha, lëvizja, ngadalë, doja të kontrolloja dy trupat… isha i teri i kontraktuar. Ajo ishte e rëndë. E lëshuar e tëra. Dhe duhet të bëja kujdes në lëvizje mos të prishja pozicionin që kisha krijuar.

Nisa të dërsija. Po më këputeshin krahët. Ishte si të kërceje me një thes çimento në duar, duke e mbajtur në pozicionin më të keq. Djersa po më rridhte në shpinë, dhe në ballë.

Duart e mia po mbanin atë në sup dhe në dorën rreth belit, duke i shtrënguar fundshpinën në vijen që nis në fillimin e të pasmeve.

Nuk jam I bindur as sot, por ajo më duket se u ngroh. Po po! U ngroh! Mbase nga nxehtësia që çliroja unë. trupi i saj filloi të më ngrohte duart. Apo duart e mia trupin e saj? Njësoj ishte, pa pikë rëndësie si e qysh, ajo po ngrohej.

Dhe ç’koinçidencë, kur dëgjova shumë më pas fjalët e këngës! thonin pikërisht, “…damme el tuo calor… ” më erdhi keq që nuk e dija atëherë kur kërceva me të, pikërisht në momentin që ajo po ngrohej…

Në një moment kuptova që nuk po sillesha ashtu si duhej, dhe ajo po merzitej. Unë po mendoja, nuk po kërceja. Po bëja detyrën, nuk po shijoja.

Atëherë, vendosa ta çoja atë gjë dëri në fund. U zhyta në muzikë, braktisa çdo lloj kontrolli dhe lëviza si me vinte nga muzika. Fillova të ecja me hap të prerë…1.. 2.. 3.. 4… tërheqje… u perpoqa ta shihja në sy, po koka ishte mbështetur në supin tim. Kur fillova katër hapëshin e dytë, leviza më me energji

Ajo u hallakat, krahët rrëshkitën nga supet e mia dhe ndjeva një liri të paparë në lëvizje. Koka i ra pas, dhe filloi një kërcim, që, në çdo hap të tij shfaqte pasion. Përpiqesha ti lexoja dëshiren në sy, dhe ndiqja mendjen e saj me hapat e mi. Dhe, njëkohësisht e shtrëngoja fort në supe dhe fundshpinë, ku kishte filluar të ngrohej… tango mbaroi. Unë finalizova në pozicionin klasik, me femren shtrirë me duart vetëm në shpinë. Flokët e saj prekën tokën, koka iu var, krahët gjithashtu, dhe një pikë djerse ra mbi faqen e saj.

Tani duhet të fillonte kënga e dytë. “Mysterious ways”, U2. I pershtatej jo? Dëshira e saj vinte te une në rrugë misterioze, dhe unë e riprodhoja sa të mundesha duke e kënaqur esmeren me hapat e mia të ngathta e frymëmarrjen e rënduar. Isha gati në këputje me Krahët e mpirë, dhe sekondat që bënë ndërrimin e këngës mu dukën si gjumë! Gjumë! I vura forca vetes dhe nisa të hidhja hapa duke gjetur forcën në muzikën sugjestionuese.

Nuk mund tu shpjegoj hapat e kërcimit, po rri e kujtoj me vete si e mbaja nga një dorë, rrëshkisja në gjunjë,” …get on your knees boy…” çohesha, largohesha, kërceja rockun misterioz, afrohesha sërish, dhe e bëja atë të rotullohej, të më rrihte me flokë, dhe buzët e saj sikur buzëqeshnin…e unë që kërceja për të, duke u sperdredhur sikur beja stre ep..!

Mbaroi dhe kënga e U2. Tani ishte e fundit, më e ndjera. E mora atë hopa, e shtrëngova fort, derisa kockat e saj të ndjenin forcën që e mbante dhe i jepte nxehtësi. Ajo ishte pakëz më e ngrohtë tani…(per të qënë i sinqertë, u mbështeta dhe unë te ajo. duhet të mbahesha diku, ashtu i rraskapitur si isha..)

Filloi “Historia De Un Amor” e një Guadalupe Pineda. Zëri i saj i ndjerë, i ëmbël, gjithëpërshkues më bëri të shtrëngoja trupin dhe më fort…

Dua të fiksosh në kokën tënde këtë moment, dhe të ndihesh mirë, – I flisja me vete duke lëvizur këmbët në një lento, pa mbajtur mend rradhën e hapave. – Mbase jo deri në përjetësi, se mund të kesh kujtime më domethënëse të regjistruara në kokën tënde, por, sidoqoftë, fute në një kuti këtë moment, dhe ruaje për ditë të errta, vetmuara si kjo e sotmja, ose të tjera që do vijnë, se sot nuk je vetëm… dora e saj më ra në faqe. Një dorë e brishtë, pak si mavi, me gishta aq të gjatë, pak si të shtrëmbëruar…

U keputëm të dy në tokë… nuk kisha me fuqi, dhe doja të shijoja këtë ndarje aty, në gjunjë, me të në supe. Më fal që nuk të ndjek dot më në vallëzim, – I fola me mendje, po le të dëgjojmë… lehtë lehtë, për aq sa mund të dëgjohej nga stereofonia e një celulari, tingujt gurgullues të kitarës na kridheshin ëmbël në veshë, dhe unë kuptova, nga sytë e saj, që ndoshta ishte e kenaqur…

Ora ishte 6.57. e shtriva, e mbulova. Trupi i saj i bindur ishte qetësuar. Nuk ishte më dëshira. Të paktën, jo dëshira që mund ti plotësoja unë. atje tej do kishte të tjerë mbase për të… I përkëdhela flokët, i pashë sytë për herë të fundit… e habitshme por po më vinte keq të ndahesha prej saj… të afeksionoheshe me një kadavër? Njëriu qenka i çuditshem… me keqardhje… e shtyva.

He mo, s’erdhi vëllai e? më tha roja. Nuk e di, po më bëri merak, i thashë. Do dal ta kërkoj se s’i përgjigjet as telefonit. Faleminderit dhe natën e mirë. Më fal për shqetësimin.

Roja, mbase i prekur nga kjo mirësjellje që, edhe pse i veshur me pushtetin e mjekësise ligjore, nuk para ia jepnin, më pa me sy të shqetësuar.

Ishallah është duke pirë me ndonjë shok, – tha.

Faleminderit, – i thashë, duke e justifikuar egzagjerimin e merakut të tij me vendin e punës.

Ika duke nxituar, e pas kurrizit e dija që kisha lënë një kujtim.

A marrë një kujtim?

Advertisements

Tags: , , ,

12 Responses to “Dëshirë, e fundit”

  1. dorinaB Says:

    Pertej asaj cka nje ambjent morgu mund te ofroje …bardh e gri (keshtu e perfytyrova une ) ,e bukura qendron aty …pikerisht aty ku mbizoterojne keto ngjyra te ftohta sepse nuk eshte e thene qe dicka e ngrohte s’mund te linde ,perkundrazi mund te linde me furishem nga normalja .
    ….
    “Mbaroi dhe kënga e U2. Tani ishte e fundit, më e ndjera. E mora atë hopa, e shtrëngova fort, derisa kockat e saj të ndjenin forcën që e mbante dhe i jepte nxehtësi. Ajo ishte pakëz më e ngrohtë tani…(per të qënë i sinqertë, u mbështeta dhe unë te ajo. duhet të mbahesha diku, ashtu i rraskapitur si isha…)”

    Dy bote te shkeputura nga njera tjetra perfundimisht ndoshta….,qe nuk gjendet as nje fije sado e holle t’i beje te takohen (dhe nese do qe e kunderta kjo fije do kishte vetem konturet ,por brenda do qe boshe ) e qe vetem fizikja (ketu ,trupi i vajzes) i bashkon …ajo qe eshte e bukur apo qe percjell nje mbeshtjelle ndjesish(etiketojeni si te doni) te kjo pjese eshte se si “jeta ” afeksionohet dhe terhiqet drejt “se pa jetes ” per nje arsye te lindur ne menyre te pandergjeshme ,menjehere e pakuptuar,e ne fakt jo duke shkuar drejt saj ,por shpesh duke u perpjekur t’i jape jete nga “vetja”(duke e ngrohur )dhe kontakti (mendimi im) me i ngushte “mes ketyre dy boteve” po e konsideroj ,
    eshte detaji i “djerses” qe bie mbi faqen e saj e krijon ambiguitet ne kete pjese .Kjo eshte ajo qe shpreh te gjithe afeksionin e krijuar papritur te djali ,mundimii madh (kuptohet nga levizjet e tij )per ta bere ate te lumtur per here te fundit ndoshta … se ai e ndjente ,e kishte pare nga syte e saj kete kerkese (i bukur ky detaj ) komunikim me ane te ndjesive …

    Anyway ky shkrim te fut ne analiza me shume dimensione ,ka hapesire shume ne kete shkrim.
    Mua me pelqeu e gjitha kjo ,me pelqeu cdo dimension i saj 🙂

  2. Carnal Says:

    Deshire qe e kapercen kushtin njerezor te te gjallit – ku trupi eshte vetem forma e enes qe mban perberjen e ekzistences se pavdekshme – e prandaj e vdekura eshte e vdekur per te vene ne pah transhendencen e te ndjerit. Asgje fizike, asgje e prekshme e ne kete rast trupi i nje te vdekure te bukur qe s’perjeton e s’ngjall asgje eshte simboli perfekt e deshires se fundit (ultimate desire) – qe s’eshte e fundit ne radhe, por eshte ajo me sublimja.

  3. Darien Says:

    Eu, sa me ka habit! E me ka pelqy. Po jam pa fjale komplet tani.

  4. loer kume Says:

    dorina, tani e besoj qe te ka pelqyer, me kete analize… :))
    carnal, fjalet e tua jane ato cka une s kam shkruar, ato qe mungojne ne njefare menyre ne shkrim, krejtesisht i/e intonuar… faleminderit!
    darien, hahah, e pabesueshme, ti qe arrin te nxjerresh nga goja fjale pelqimi? :P:P mos fol me pra 😛

  5. yummania Says:

    ky esh nje nga shkrimet me te bukura te Loerit per mendimin tim.

  6. loer kume Says:

    1. eni komentoi.
    2. eni u kujtua per mua.
    3. eni komenton pa buzeqeshje around.
    enoo? po me shqeteson vertet! mirese te degjova 🙂 me shume en plssss :))

  7. Alket Bushi Says:

    Kryevepër!

  8. loer kume Says:

    faleminderit Alket qe pate durimin ta lexoje, 🙂 Deri ne fund 😛

  9. el_faraone Says:

    te perpika si nje dallge fantazie…
    dhe nuk perpiqesh te thuash “kaq ishte”?…
    Kaq mjaftonte…
    Kryeveper
    (ku gjendet e plote?)

  10. alfred.b Says:

    Une skam lexu as cerekun e asaj qe eshte shkruajtur ketu e sot lexova kete pjese qe me duket e shkruajtur vertet mire.

    Mungojne shume gjera per ta bere kete shkrim shume me teper interesant nga c’eshte ne vete vete. Ideja eshte e perkryer. Pjesa e celularit sme pelqeu aspak. Sduhet ti thuash me doemos te gjitha. MUnd dhe ta lije mister mjetin me te cilin do behej muzika.
    “… të afeksionoheshe me një kadavër? ” – kjo eshte e gjitha ne gjuhe te huaj e sme pelqen.

    Ne pergjithesi urime per tregimin. Suksese te metejshme.

  11. loer kume Says:

    obrigado 🙂

  12. Nje kalimtar jo i rastesishem Says:

    Komentin e Dorines mund ta mirekuptoj,nga germa e pare deri ne fund;pa me keqkuptue ajo per anashkalimin e ndergjegjshem qe i bej.Tani,qe ky te jete shkrimi me i bukur i Loerit,Eni,nuk mund ta them.por ama mund te them qe kam lexue gjana ehd e ma te bukura…
    A mund te thote Darien fjale- “ti qe arrin te nxjerresh nga goja fjale pelqimi?”-Sigurisht qe po!!!Mund te kete kendveshtrimin e tij,por kjo nuk do te thote qe nuk perpiqet te jete i qarte dhe i vertete ne mend gjykimin e tij.

    Sigurisht qe i shkova deri ne fund Loer!!!Me pak ma teper perpjekje se sa duhet,mgjtht i shkova deri ne fund…A ma shuen kureshtjen e me thue kur u shkruejt ky tregim?

    Bush,alfredi dhe jo Alketi sa ddakort jam me ty kur thue se kjo asht gjuhe e huej…shume huazime o njerez.ma teper nga c’duhet…

    kam nja dy tregime e nji novele qe i perkasin periudhes para 18 vjecare,po mendoj ti hedh ne word sa nuk jane shkri shkronjat e nuk jan ba fjalet nji lamsh bojnash i pa tjerrshem,ndoshta pse nuk kam noj gja te re me prue ketu ne T.C

    VERTETE DARIEN KE MBET PA FJALE???

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: