Ismail Lesko Progonati

by

nga L.Gërveshi

Në vitin 2002 presidenti i Republikës u dha Medaljen e Artë të Shqiponjës disa figurave të shquara të kombit, ndërmjet tyre ishte dhe emri i Ismail Leskos nga Progonati. Jo shumëkush di se kush është Ismail Leskua, emri i tij nuk përmendet në librat e historisë, e megjithatë për këdo që njeh folklorin e Labërisë e i këndon këngët labe është e pamundur të mos ketë kënduar një këngë për të, edhe pa e ditur se për kë këndon.

Po vërtet kush ishte Ismail Lesko Progonati?

Kish lindur në Progonat nga mesi i gjysmës së dytë të shekullit të XIX. Progonati në atë periudhë ishte qendra e Kurveleshit, nga ai fshat ishin anëtarët e çetës së Birbilenjve, andej ishte kaçaku i famshëm Hamit Guga, e të tjera figura të shquara që e kishin bërë Progonatin qendër të rëndësishme në luftën për pavarësi. Në këtë mjedis kaq atdhedashës e trimërie u rrit dhe Ismail Leskua. Si mbaroi shkollën fillore në vendlindje, vazhdoi shkollën plotësuese në Gjirokastër. I dalluar për dhunti të veçanta, iu dha një bursë për një shkollë ushtarake në Stamboll që, si e mbaroi, filloi në Janinë punën si oficer karriere.  Si oficer burgu, krijoi lidhje të fshehta me të burgosurit politikë shqipëtarë, duke i trajtuar si shokë të idealeve shqiptare, duke u dhënë gazeta e libra shqip në fshehtësi nga autoritetet turke. Kur u dërgua nga valiu i Janinës për të asgjësuar çetën e Muharrem Rrushitit, në vend që ta luftonte u lidh fshehtas me të duke e furnizuar me armë në mbrojtje të trojeve Çame nga andartët grekë që mësynin ato anë duke përfituar dhe nga gjendja e perandorisë osmane që po jepte shpirt. E ndihmoi gjithashtu në rimëkëmbjen  e klubit “Vëllazëria” të Filatit, krahas armëve duhej zgjuar edhe dëshira për pavërësi, këto klube ishin të afta të kryenin më së miri këtë detyrë, pasi sillnin librat dhe gazetat shqip që botoheshin brenda dhe jashtë perandorisë.

Në Janinë u lidh me patriotë të shquar si Kadri Gjatën, Tefik Sulejmanin, Hysen Potomin, Hysen Zadrinën, sheh Kadri Prevezën e Ali Janinën, si dhe me patriotët çamë, Muharrem Rushiti, Rexhep Musa Demi etj. Në bashkëpunim me patriotin Kadri Gjata, ngritën klubin patriotik të Janinës, “Bashkimi” që për rolin e tij të madh u quajt qeveria e shqiptarëve. Në këtë qeveri, Ismail Lesko Progonati ishte “ministri” i Mbrojtjes dhe i Brendshëm i saj. Në Meçovë, po në vitin 1908, direkt me nismën e Ismail Leskos, u ngrit një klub patriotik, si dhe shkolla shqipe. Në lidhje me patriotët progonatas Shaqo Buxo, Hajredin Qendro, Zenel Mehmeti, Nuredin Islami etj., me frymëzimin e Ismail Leskos u ngrit në Progonat klubi “Arbëria” dhe u hap shkolla shqipe në një kohë kur po ngriheshin klubet e para patriotike në qytetet kryesore të Shqipërisë. Ismail Lesko e furnizoi klubin dhe shkollën e Progonatit me gazeta e libra shqip që patriotët kurveleshas i sillnin gjer në malet e larta, duke i fshehur në samarët e mushkave. Në këtë mision fisnik ndihmonte dhe baza patriotike, sepse në Progonat kishte filluar të mësuarit shqip fshehtas qysh në vitin 1902 dhe që në atë kohë këndoheshin vjershat e Naimit të madh. Të ndarë në grupe, fshehtas nga autoritetet turke, nën dritën e kandilit dhe të qiririt, nëpër shtëpi dhe shpella, mësonin të lexonin e të shkruanin shqip. Mësuesi i parë ishte patrioti i shquar progonatas, i shkolluar në Stamboll, Shaqo Buxo dhe gjirokastriti Neki Rezo. Më të zellshmit e më të përparuarit bëheshin mësues për grupe të tjerë dhe kështu të mësuarit shqip në Progonat mori përhapje të gjerë.

Fushë tjetër e veprimtarisë patriotike të Ismail Leskos, ishte ajo në mbrojtje të tërësisë së trojeve shqiptare në Jug, ku roli i tij qe parësor dhe i rëndësishëm. Kur fundi i Perandorisë Turke qe shfaqur në horizont, lakmitë e fqinjëvë e veçanërisht  grekëve në jug ishin bërë kërcënuese. Në shërbim të ideve të tyre grabitqare, kishin ngritur në Janinë “Bashkimin Epirotas”, ku rol luante metropolia dhe përfaqësuesit e qeverisë greke në Janinë, me veshje diplomati e prifti gëlonin oficerë grekë të shërbimit të fshehtë, me ëndrrën e çmendur të kahershme të “Vorio Epirit”. Në shërbim të këtij qëllimi, çetat e andartëve të krijuara prej tyre në trojet shqiptare të jugut, grabisnin, digjnin, vrisnin e përpiqeshin të organizonin revolta të brendshme. Në përgjigje të këtyre synimeve, Ismail Lesko dha kontributin e tij në formimin e “Komitetit të Mbrojtjes së Trojeve të Jugut”, me qendër në Janinë. Ai u bë forca e armatosur e këtij komiteti. Ismail Lesko Progonati, në krye të një batalioni ndjekjeje krejtësisht me shqiptarë, i ndoqi dhe i shpartalloi çetat e andartëve duke vënë disa herë jetën në rrezik. Në një hark kohor relativisht të shkurtër 10-vjeçar, la gjurmë të pashlyera, duke i kthyer në 10 vite kujtesë historie. Në Çamëri i këndojnë:

Smail Lesko Progonati,

Shtatë kandarë i bën ati,

Ati it osem floriri,

Ta kish zili vetë veziri,

Hop Smail e merr hordhinë,

të preç andarët që vijnë.

Në veprimtarinë e tij u ndodh në mes dy zjarreve, atij grek që kërkonte kokën e tij si dhe të administratës turke që shihte me dyshim çdo veprimtari patriotike të një njeriu të veshur me rrobën e tyre ushtarake. Turqit e rinj që erdhën në fuqi me ndihmën e shqiptarëve, mohuan premtimet e dhëna dhe klubet e shkollat shqipe i quajtën rrezik për perandorinë dhe filluan përndjekjet ndaj tyre. E dënuan me 15 vjet burg patriotin e patrembur. Aq i madh edhe i menjëhershëm ishte reagimi i patriotëve shqiptarë, sa gjykata e apelit u detyrua ta hiqte dënimin. Kur ai ndiqte çetat e andartëve grekë në krye të batalionit të ndjekjes, e hiqte petkun e oficerit të Turqisë dhe vishej me kostumin shqiptar të jugut, me fustanellë, për të treguar se ai vepronte si një shqiptar në mbrojtje të trojeve të atdheut të tij. Populli në këngët e tij të tillë do ta përjetësonte birin e vet të shquar:

Fustanella palë-palë

e gjitha me gjak e larë

Për rënien heroike të tij shkruan të gjitha gazetat shqiptare të kohës, duke vënë në dukje jo vetëm dhimbjen për këtë humbje, por edhe shërbimet e mëdha të tij ndaj çështjes kombëtare. Kënga popullore nga Çamëria në të gjithë Labërinë deri në Kosovë, ligjëroi e ligjëron për veprën e tij patriotike.

Në Çamëri:

Kur lëshohet si skifteri

Dridhej Jorgua si qeni

Kur lëshohej si Asllani

Lemeritej tërë Junani

Smail Lesko me pallë

i vjen vëndit vërdallë

Që të ruajë vatanë

Nga Hajdmi palo andarë.

Në Labëri:

Janina te rrapi i falë

Ja-Janino

e zeza Janinë

flaka moj Janinë

vjen muzika duke qarë

Ja-Janino

e zeza Janinë

flaka moj Janinë

vijnë shtatë pashallarë

Ja-Janino

e zeza Janinë

flaka moj Janinë

valiu me kumandarë

Ja-Janino

e zeza Janinë

flaka moj Janinë

bien një zabit të vrarë

Ja-Janino

e zeza Janinë

flaka moj Janinë

një zabit me tre nishanë

Ja-Janino

e zeza Janinë

flaka moj Janinë

‘Smail Lesko Progonanë

Ja-Janino

e zeza Janinë

flaka moj Janinë

shkuan nënës e i thanë

Ja-Janino

e zeza Janinë

flaka moj Janinë

se ‘Smail’ e kanë vrarë

Ja-Janino

e zeza Janinë

flaka moj Janinë

Lidhi duart zuri vajnë:

Ja-Janino

e zeza Janinë

flaka moj Janinë

Mos ma thoni këtë fjalë

Ja-Janino

e zeza Janinë

flaka moj Janinë

se Ismailë e kam të gjallë

Ja-Janino

e zeza Janinë

flaka moj Janinë.

Letrën dje e kam marrë,

Ja-Janino

e zeza Janinë

flaka moj Janinë.

po lufton me andarë.

Ja-Janino

e zeza Janinë

flaka moj Janinë.

Në Koshare të Kosovës:

Smail Yzbash Progonati, o mali me borë,

Seç të preu plumbi nuk shkove në Vlorë.

T’u desh veç një vit të prisje pamporrë,

Ismail Qemalit t’ja bëje me dorë.

Si Yzbash i madh sipër në Kaninë,

Roje e parë të ishe me Is Boletin.

Po përpiqem t’i bëj një koment të shkurtër këngës “Janinë te rrapi i falë”.

Kënga është e përbërë nga 14 vargje, në mënyrë simetrike flet për dy vende të ndryshme e dy ngjarje të ndryshme që i takojnë një personi të vetëm. Pjesa e parë tregon për atë që ndodhi në Janinë, ndërsa pjesa e dytë për atë që ndodhi në Progonat. Pjesa e parë fillon me vargun “Janinë te rrapi i falë” në tre fjalë përshkruhet vendi, pa u zgjatur, ata që e dëgjonin nuk e kishin vështirë të kuptonin përse bëhet fjalë, jemi në Janinë, qendra e vilajetit, e kish humbur shkëlqimin e dikurshëm që kish arritur nën Ali Pashanë, por megjithatë ishte ende qyteti më i rëndësishëm i kësaj ane të perandorisë osmane. Jo vetëm tregon qytetin, por edhe vendin në qytet, nën një rrap, poeti popullor për të mos e ngatërruar me ndonjë rrap tjetër e quan i falë, do të thotë që degët e tij i arrijnë në tokë e duket sikur rrapi po i falet Zotit, me këtë formë të degëve të tij. Por ndoshta kjo gjë nuk mjafton për të kuptuar se cili është ky rrap, kush dëgjon këngën e di që ky ishte rrapi i Birbilenjve, rrapi ku ata u varën, kjo i kujton atij të tjera ngjarje të mëdha e këngëtari tërheq vëmendjen e dëgjuesit duke përmendur këtë rrap, se ajo që po thotë  është një histori madhështore e tragjike, i duhet kushtuar vëmendje.

Vargu i dytë është paksa i çuditshëm, “vjen muzika duke qarë”, poeti popullor në mënyrë madhështore përshkruan atë që i kalon para syve, kalon një bandë muzikore që luan një marsh funebër në nderim të të vdekurit, kjo është një ceremoni vdekjeje e organizuar nga shteti, u bëhet ky nder vetëm personave të rëndësishëm, e rrit ngarkesën tragjike të asaj që po tregon, rritet rëndësia e këtij personi. Por ndoshta nuk ka dëgjuar ndonjëherë për banda e ceremoni vdekjeje të këtij lloji, e përshkruan në mënyrë të thjeshtë por tepër të qartë për atë që e dëgjon, në vend që të thotë po vjen një bandë muzikore që po luan një marsh funebër, thotë thjesht vjen muzika duke qarë.

Vargu i tretë thotë “vijnë shtatë pashallarë”, edhe njëherë tregon rëndësinë e këtij personi, për të vijnë të gjithë pashallarët t’a nderojnë, trimëria e vlera e tij duhet të ishte shumë e madhe, kaq e madhe sa që detyron të vijë edhe vet valiun (governatorin) i ndjekur nga të gjithë komandatët e luftës për ti bërë nderimet e fundit siç thuhet në vargun që vijon “valiu me kumandarë”. Në këto katër vargje përmend Janinën, rrapin e falë, një bandë muzikore, pashallarët, valiun, komandantët, duke rritur gjithnjë e më shumë intensitetin e përshkrimit. Tani kush e dëgjon thotë, me siguri që është ndonjë figurë e lartë, të paktën një pasha. Por vargu i pestë ndoshta e lë të zhgënjyer, “bien një zabit të vrarë”. Zabiti është grada e oficerit në ushtrinë osmane, i rëndësishëm, por jo sa ta nderojë gjithë vilajeti, ndaj poeti popullor shton “një zabit me tre nishanë”, jo sidokudo, por një zabit i cili në krahë mbante tre nishane, tre shenja që u jepen për merita të veçanta atyre që shquhen në fushën e betejës. Kush më shumë se ky oficer i meritonte këto nderime, kish luftuar duke udhëhequr një batalion kufiri kundër çetave  të andartëve deri sa ishte vrarë. Më në fund i thotë dhe emrin “’Smail Lesko Progonanë”, emër e mbiemër por edhe  vendin e lindjes, vatër trimash. Edhe kush nuk e ka dëgjuar emrin e tij tani e di që ishte trim i madh e kish luftuar për atdhe. Këtu përfundon pjesa e parë e këngës, ku flitet për Janinën, ngjarjet e pjesës së dytë zhvillohen në Progonat, në vendlindje, personazh është nëna e tij.

Vargu i tetë thotë “shkuan nënës e i thanë”, i çuan asaj lajmin e keq, e ajo si të gjitha nënat e Labërisë “lidhi duart zuri vajnë”. Zuri vajin siç ishte zakon në ato anë, vaj me ligje, duart të lidhura me njëra tjetrën sikur të mbanin njëra tjetrën, u përgjigjet atyre që i çuan lajmin e kobshëm “Mos ma thoni këtë fjalë/se ‘Smail’ e kam të gjallë”, nënes nuk i besohet që i biri i saj të ketë vdekur, nuk mund të jetë e vërtetë, ishte i ri, plot jetë e shëndet, nuk mund të ndodhte ajo që thoshin ata. E i ngjan kështu nënës së Çelo Mezanit kur i çuan lajmine vdekjes së  të birit, e shumë nëna të atyre djemve që u vranë për mbrojtjen e trojve shqiptare, një fat që i lidh këto nëna me një zinxhir të padukshëm në altarin e kombit, i flijuan bijtë e tyre për këtë vend e për ne. Më tej si dëshmi të asaj që thotë nxjerr letrën që i ka dërguar i biri “dje letrën e kam marrë”, i kish arritur letra një ditë më përpara se ti arrinte lajmi i lig. Në atë kohë letrat arrinin me javë me vonesë, “po lufton me andarë”, kështu i shkruante, që po luftonin me banditë grekë që sulmonin fshatrat këtej kufirit për të destabilizuar gjendjen e të merrnin ato troje për vete të tyre, si do bënin dy vjet më vonë. Kështu përfundon kjo këngë tragjike me të ëmën që nuk e beson vdekjen e djalit të saj, e kush e dëgjon i mbetet ngashërimi, e kur këngëtari thotë për herë të fundit “e zeza Janinë/flaka moj Janinë” nxjerr një shami nga xhepi e i vë flakën në shenjë zie, siç digjet kjo shami u djegsh edhe ti moj Janinë, se na hëngre lulen  e djalërisë.

Vdekja do ta arrinte në 1911, në prag të pavarësisë. Andartët i kishin organizuar një pritë për ta eliminuar, por përpjekjet e tij nuk shkuan dëm krejtësisht, edhe pse Janina, qendra e veprimtarisë së tij patriotike mbeti jashtë shtetit shqiptar. Edhe pse nuk ishte Ismail Leskua, progonatasit dërguan përfaqësuesit e tyre në Vlorë:

Progonatasit në Vlorë

Me Çafa e Çelo Milorë

Me flamur të kuq në dorë.

Me dhimbje të madhe u përcoll rënia e tij në vendlindje, në Progonat. Motra e Ismail Leskos përsëriti mitin e hershëm të dashurisë së motrës për vëllanë. Aq e madhe ishte dhimbja e motrës, sa vdiq duke qarë për vëllanë e saj.

Kur nëna e Ismail Lesko Progonatit, mori vesh vdekjen e tij, nxori nga shpirti vajin të denjë për një Shekspir, i cili mbërriti në ditët tona:

Ç’është kjo e madhe gjëmë?

Smail s’mendove për nënë.

Kur ikje si vetëtimë,

I thoshje të ligës primë!


Nëse artikulli ju pëlqen ndajeni me miqtë tuaj në Facebook

Tags: , ,

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: