Cigare

by

Para

C’è un uomo a letto con una donna, è disteso,  lei è sopra di lui,
lei dice
Con chi sei stato stanotte, con una nuova?

Massimo Volume – Meglio di uno specchio

nga Darien Levani

Ajo përkulet pak, aq sa mjafton për të tërhequr një album fotografish nga dyshemeja.
Ai mendon se e di se çfarë do ndodhi. E ka parë disa here, i njëjti pozicion, e njëjta dhomë gjumi, vetëm femrat sipër tij ndryshonin.
<< Ky je ti. >> hakmerret ajo duke i mëshuar një foto ne trup << Këtu është mali këtu është dëbora. Kjo është fytyra jote. Këto janë pantallonat e tua. Kjo është dora jote, këta janë flokët e tu. >>

Merr  frymë.
Rëndë.
<< E mban mend, këtë foto e ka bërë një vajzë suedeze, i kërkuam që të na e bënte në anglisht por nuk kuptonte, atëherë unë fola me të në spanjisht… dhe ajo kishte aq ftohte saqë dridhej dhe shiko, duket edhe ne foto, por kishte dale jashtë për të parë borë. E mban mend? >>
Burri që është shtrirë shikon fotografinë, hunda e tij prek hundën e tij në  letrën e plastifikuar dhe mendon që  bënte ftohtë, që nuk mban mend asnjë suedeze, por që bënte ftohtë këtë po, këtë e mban mend.
Nuk i lejonin që të pinin cigare brenda ambienteve te hotelit kështu që ishte i detyruar të dilte jashtë. Studionte avullin e bardhe që dilte nga goja e tij. Studionte dëborën e mënyrën se si kjo kishte ndryshuar panoramën. Mendonte për gruan që është shtrire sipër tij e cila e priste shtrirë në dhomën e ngrohtë, rishikonte në kokë se si sytë e saj e shikonin me keqardhje sa herë që ai dilte. Kishte qënë një budallallëk, tani ajo e dinte. Kishte menduar që duke prenotuar një dhomë për jo duhanxhinj do e ndihmonte të linte cigaren. Por kishte harruar t’ja thoshte, ajo kishte harruar. Nuk ishin zënë, ishte e pamundur te ziheshe me burrin që ishte shtrirë. Kishte hedhur një pjatë nga dritarja, në mënyrë simbolike. E kishte parë se si pjata fundosej në borë. Ishte zhdukur për pak sekonda. Ditën tjetër e kishin kërkuar pa e gjetur. Bora kishte fshehur pjatën e tyre.
Ajo i kishte provuar të gjitha mënyrat e mundshme. Pa asnjë rezultat.
Burri që është shtrirë kishte refuzuar qoftë mëshirën e saj mbi cigaren, qoftë dëshirën patetike për të ndrequr pushimet e tyre.
1-    Kishte refuzuar ofertën e saj për pirje cigare në dhomë.  E kishte bërë duke përdorur fjalët e saj ( jo, nëse të jep bezdi nuk dua që të të shqetësoj më kot, po dal jashtë. ( Por mua nuk me bezdis) ) plus arsye personale që kishin të bënin me respektin e rregullave. Kishte thëne që do i dukej sikur po tradhtonte besimin e dhomës që u kishin dhënë. I kishte shpjeguar se sa keq do ndihej sikur ndonjëri nga përgjegjësit e hotelit ta kritikonte për faktin që pinin cigare në një dhome për jo duhanxhinj.
–    Askush s’do na trajtojë keq. – ishte munduar ajo.
–    Ai do thotë “ Çfarë njerëzish, mjafton të kishin thënë që donin një dhomë ku pihej duhani, ça problemi ka xhanëm?
Nuk do ua thoshte atyre, jo. Me ta do tregohej i sjellshëm sepse ishte puna e tij të tregohej i sjellshëm. Por burri që ishte shtrirë e imagjinonte tek zbriste ashensorin e futej ne kuzhine ku ndodheshin kamerieret e thoshte “ Ça njerëzish!”Sepse ai donte t’ua tregonte, por akoma më shume donte që ta pyesin. Dhe do e pyesnin. Do ti duhej ndoshta të përsëriste disa here “ça njerëzish?” duke ecur nervoz lart e poshtë derisa ta pyesnin se ku ishte problemi, e atëherë do e thoshte. Edhe gruaja sipër tij ishte bërë pjesë e këtij vizioni. Nuk e kuptonte deri në fund, por e dinte që kishte diçka tmerrësisht të gabuar në atë që kishte bërë.

2-    Kishte refuzuar kërkesën e saj për te kërkuar një dhomë tjetër. Gruaja qe ishte sipër tij kursente sa me shume qe te ishte e mundur. Kësaj here ishte gati e hiqte dore, te paguanin edhe dy dhoma njëkohësisht nëse ishte e nevojshme, mjaftonte qe ai te pinte cigare. Kishte refuzuar edhe këtë, edhe kësaj here me fjalët e saj. Ne arkivin e kokës kishte plot fjale te shkëputura qe ajo kishte shqiptuar gjate gjithë javëve te fundit. I mjaftonte te kërkonte fjalët e saj e t’ja kthente mbrapsht.
3-    Kishte refuzuar edhe kërkesën e saj për falje, jo si kërkesë ne vetvete por si motivime nga te cilat kjo lindte. Sa herë qe niste ti shpjegonte se pse kishte vendosur që të merrte një dhomë ku s’pihej duhan, ai e ndjente që pas pak minutash diskutimi do përfundonte me “më vjen keq!” E ndërpriste në kohë. I thoshte që kishte bërë shumë mirë, që ishte ide shumë e bukur, që ishte vetëm faji i tij që nuk kishte mjaft vullnet.

Pastaj çohej e dilte për të pirë një cigare. E dinte mire se sa asaj i dhembte edhe mundohej të dilte tamam në momentin më të papërshtatshëm. Ndodhte kur ishin në krevat e ajo fillonte te strukej  në krahët e tij ndërsa i hiqte rrobat. E puthte, e përkëdhelte e pastaj kishte nevojë për një cigare. Ajo e njihte fuqinë e saj ndaj tij. Ajo e dinte se, ashtu si me shume meshkuj te tjera, i mjaftonte ti tundte gjokset a vaginën para hundës e ai do dorëzohej.  Por tani cigarja ishte mes tyre e rregullat e vjetra nuk vlenin më.

Nuk kishte pirë kurrë kaq shumë duhan në jetën e tij, dhe as nuk do pinte me. Urrente gishtat ( këta janë gishtat e tu, kjo është dore jote ). Kalonte kohë të gjatë në banjo për ta hequr erën e keqe por ajo s’ikte. Gishtat bëheshin me viza nga lagështira e gjate, e i urrente, por aroma nuk largohej. Mbasi mbaronte së lari duart vishej e zbriste për te tymosur. Në gojë kishte gjithmonë të njëjtën shije, një përzierje midis rërës e vajgurit, kolinozi i bardhë nuk ndihmonte. E megjithatë e gjithë kjo nuk kishte rëndësi. E dinte shumë mirë që në momentin e parë kur ajo afrohej ai do vishej e do zbriste.

Burri qe është shtrirë dëshironte të ftohej. Ëndërronte një bronkopneumoni apo te paktën  temperaturë të lartë. Kur çohej duke qeshur hidhte xhupin mbi kanotierë e nuk vishte as pantallona të gjata. Kishte vetëm një qellim: donte të sëmurej e donte që asaj ti vinte turp nga ai, nga ky tipi që zbret jashtë me pantallona të shkurtra, është në kat të dytë, e keni vënë re?- ndërsa të tjerët bënin ski. Donte që hakmarrja e tij të ishte fantastike, donte që efektet e gabimit të saj të shumëfishoheshin në pafundësi.

Mbasi kishte hapur derën e hotelit i hidhte një shikim te fundit. Zakonisht në këtë moment ajo i lutej që të mos ikte. Si përgjigje ai mbështetej mbas derës në mënyrë që kjo të mos mbyllej, e shikonte të shtrire e të mbuluar në krevat e ngrinte dorën me cigare ndërsa buzëqeshte. Nuk fliste, nuk thoshte që po dilte jashtë sepse ajo kishte prenotuar dhomën e gabuar, e as që tani duhet te kishte ftohte ndërsa ajo rrinte me jorganin e tërhequr deri në hunde. Do kishte qënë e tepërt e banale, s’e bënte. Qeshte deri në momentin kur dera mbyllej.
<< Jo. >> përgjigjet. << Nuk mbaj mend asnjë suedeze. >>

Game overr.

Tags: , ,

One Response to “Cigare”

  1. kritika Says:

    non male !

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: