Mbi provincializmin e pak tema të tjera ( reklama, snobizëm, art )

by

nga Darien Levani
Jetojmë kohën që jetojmë dhe kush dëshiron tashmë e ka kuptuar : ajo që shet më shumë nuk është cilësia e një prodhimi/shërbimi por mënyra se si ky të ofrohet. Deri këtu asgjë e re nën diell : në blejmë, ata gjejnë mënyra të reja reklamimi për tu futur në kokën tonë, në bindemi e vazhdojmë të bëjmë pune që nuk na pëlqejnë për të blere gjera që nuk na duhen e të tjera e të tjera. Ndryshimi thelbësor me duket se është ky ; që nëse në të kaluarën konsumimi ishte thjesht një mjet me të cilin mund të përmirësojë jetën tënde duke blerë gjëra materiale,  sot konsumimi është bërë vetë jeta jote. Të konsumosh s’është më mënyre për të arritur diçka, por është vetë diçkaja që dëshiron të arrish. Produkti zëvëndëson nevojshmërinë e tij, thjesht kaq. Nuk është për tu habitur pra fakti që shumë nga reklamat e sotme s’kanë të bëjnë aq shume me cilësinë e produktit në fjale se sa me faktin që shumë njerëz të tjerë kanë përdorur të njëjtin produkt. Këtu qëndron edhe magjia e zezë e shpirtit tregtar, duke qënë se reklamat arrijnë në një farë mënyrë të të bindin që duke blerë një produkt që përdoret nga masa, ti do tregosh se je unik. Mendoj për kompjuterin tim, që ndonjë gjeni komunikimi ka quajtur personal computer. Personal, pra i imi. E s’ka gjë që në botë ekzistojnë edhe ca mijëra të tjerë identik, janë të gjithë personal.

Në këtë pikë, si shumë faktorë të tjerë, edhe provincializmi ka pjesën e tij të fajit. Keqkuptimi lind më së shumti nga fakti që me sa duket rrënja e fjalës “provincializëm” është tamam “provincë” , fjalë që sipas fjalorit tregon një zonë “larg kryeqytetit, zakonisht e prapambetur (për vendet e tjera)” Dakord deri këtu, po të mos ishte kjo dreq “për vendet e tjera”. Tani, s’besoj se më duhet të harxhoj ndonjë rresht më shumë për t’ju bindur që çdo gjë është provincë e ndonjë gjëje tjetër, e kjo e fundit provincë e diçkaje tjetër. Sidomos sot kur psh gjithmonë e më shumë e njëjta borgjezi që kishte lënë fshatin për të themeluar qytetin nuk po e pëlqen më dhe po kthehet në fshat i cili nga provincë bëhet qendër ndërsa qyteti bëhet provincë e kështu me radhë. Ka një rivlerësim, edhe te rizbulimi i prov. vintage në rroba a fotografi të vjetra. Provincializmi, të paktën në mënyrë sipërfaqësore, nuk është aq shume prapambetje kulturore  sa është prapambetje sociale a psikologjike. Unë mund të mburrem me faktin që “ jam shumë cool meqë banoj mrena unazës” deri në pikën në të cilën bashkëfolësit e mi janë të gatshëm t’a pranojnë këtë fakt si provë. Provincializmi nuk jam unë në raport me ta, por ata në raport me mua. Kështu që prov. më i shfrenuar nuk është ai që jeton në skajet e filan shteti, por ai që jeton në skajet e jo-stimës së filan personi.

Si në shumë sporte të tjera, edhe në këtë kam përshtypjen që në shqiptarët nuk jemi keq.

Brenda mundësive së kohës – e sidomos së xhepit – ndjek gjithmonë me interes forma të ndryshme arti, sa në atdhe aq edhe jashtë. Dhe mund t’ju them me bindje të plotë që në Shqipëri kam parë e vazhdoj të shoh ekspozime të kryera nga artistë të huaj që marrin një vëmendje të jashtëzakonshme, më të madhe se sa ajo që ( duhet të ) marrin shqiptarët ( bëhet fjale, gjithmonë, kur kanë të njëjtën vlerë.)  Lajmet p.sh kur flasin mbi këto e nisin zakonisht kështu “ Ai është një artist amerikan i cili jeton në Manhattan e ndodhet në Tiranë për të prezantuar bla bla blanë e tij të fundit…”

Ndodh i njëjti fenomen edhe me shqiptaret që jetojnë jashtë në krahasim me ata që jetojnë brenda. Këta të dytët mund të bëjnë një mijë gjëra, e do kalojnë gjithmonë pak si nën rrogoz ndërsa të dytët, thjesht për faktin që vijnë nga Roma, Parisi a Berlini trumbetohet edhe vetëm për një vepër, qoftë kjo pikture, këngë, ça dreqin të doni. Ka një deformim që mund të quajmë “koefiçent gjeografik”. Nga një anë, një shumëzim për njëmijë, e nga ana tjetër një pjesëtim për njëmijë. S’është e drejtë.

Nuk më intereson në këtë pike të përmend as emra e as mbiemra, kështu që nëse jeni në pritje të këtyre edhe mund të ndërroni faqe. Ajo që heroikisht denoncohet në këto shënime është një mënyrë konceptimi përtej rasteve konkrete. E këtu hyn në lojë edhe reklama për të cilën po ju flisja më sipër.  Ka një formulë që përdoret rëndomtë nëpër promovime, e tingëllon kështu “ Dhe tani për ju, me turin e tij që ka prekur qytete si Madridi, New York, Barcelonë e Milano, vjen në Tiranë Filan Fisteku…” apo “ Libri bestseller në Amerikë, Angli e Francë, më në fund përkthyer në shqip, Filan Fisteku me librin e tij Bla bla bla.”

Asnjë nga këto reklama nuk thotë vetëm atë që lexojmë, mesazhi i vërtetë në fakt është pak më i fshehur. Po, në mësojmë që artisti paska qënë në Milano e nesër do shkojë në Berlin, por neve aq na bën për tu informuar mbi itinerarin e tij. Ajo që në fakt dëgjojmë është “ Shikoni se ky njeri që po ju sjellim është nga ata që xhiron kudo, që e kanë vlerësuar në gjithë botën që merr vesh nga vlerësimit, e kështu që nëse dëshironi të mos braktiseni në atë Shqipërinë/Tiranen tuaj të vogël, edhe ju keni mundësi të futeni në këtë vorbull, me kusht që të blini biletën/diskun/librin, e në nuk do ju lëmë mbrapa...” Ndodh që gjeografia zëvendëson njeriun e detyrimisht edhe forma zëvendëson përmbajtjen.  Është një fare snobizmi mbrapsht.

Pse Darien pse, të lutem na trego se pse?

Pse ndodh kjo? Nga ta nis e nga ta lë? Nga një anë (sh)frenimi komunist – s’jemi në sot nipër a fëmijë të atyre që dëgjonin fshehurazi artistë tip Celentano e festivale tip Sanremo? – solli në fillimin e viteve 90 fenomenin e vetëm që mund të sillte ; një rivlerësim të të gjitha vlerave tona artistike e një mbivlerësim të gjithçkaje që arrinte nga përtej kufijve kombëtarë. Këto janë ca gjëra të cilat nuk mund ti kontrollosh e ja që rivlerësimi i virtyteve tona në fakt ishte ajo që teknikisht quhet “fundosje”, e sa më e madhe e e ashpër që kjo, simetrikisht aq e lartë ishte “vlera” e “gjërave të jashtme”. Jemi akoma në të njëjtin proces, edhe pse kemi ecur ndonjë hap para.  Tani, s’është e thënë të jetë detyrimisht diçka e keqe, duke qënë se në fund të fundit kurioziteti është një ndër motorët që lëviz jetën tone. Pa kuriozitetin e një qyteti, të një libri a njeriu të ri nuk do kishte njohje, ndryshim e konflikt. E në vitin 1990 në nuk ishim thjesht kurioz, ishim të etur e të tharë. S’ka rëndësi se për ça :  rroba, çokollata, gazeta, çumçakiza a fjalë të huaja. Për më tepër, ndryshe nga popujt përballë, nuk kishim zhvilluar akoma antikorpe të denjë për të filtruar reklamat e dëmshme. Në vitet 90 pak televizione të huaj do  guxonin ti servirnin publikut të tyre reklama si “ KRONENBURG” apo ku e di unë, “ TOP-HAT”. Ne jo, në donim të na tregonin mënyrën amerikane të jetës pa pasur as mundësinë e as aftësinë ta analizonim. S’ndryshon shumë, besoj që edhe po të kishim këto (antikorpet) do ndryshonte pak fare, e për atë “pak fare” po flasim. Të paktën mund të kishim evituar tipa si Gazebo në festivalin tonë të këngës, apo një italian tjetër ( Festivali i Këngës 2007 apo 2008 ) që ishte i famshëm sepse paskësh qënë mik i Gian Maria Volonté, një tip që për ne është i famshëm se ka bërë ata filmat me sherifa bashkë me Clint Eastwood.

Arsye të tjera? Mund të ketë edhe arsye të tjera, po është e kotë me e zgjat. Në fund të fundit, të gjitha këto janë vetëm mënyra më të lakuara për të thëne të vërtetën : që jemi provincë e Ballkanit që është provincë e Evropës.

Ka një mënyre matematike për të vërifikuar këtë, e janë artikujt e shumtë që qarkullojnë lart e poshtë e vazhdojnë të pohojnë rendomtë që nuk jemi të tillë.  Ndonjëherë, hapi i pare drejt rrëfimit të fajit është mohimi i tij.  Askush nëpër qytet e rëndësishme nuk krijon një debat ku pyet nëse janë bërë provincial apo jo( përjashto ndonjë diskutim underground shkrimtarësh prepostpost modern ) . Nga një anë sepse nuk kanë nevojë për diskutime sterile, e, nga ana tjetër, meqë e dinë mirë që nuk janë të tillë.  Edhe e dinë që s’janë të tillë sepse nuk e pohojnë që janë të tille. E kundërta e asaj që ndodh këtej nga ne, ku, fakti që me argumente patetike pohohet që nuk jemi provincial = detyrimisht s’do jemi të tille. Por në momentin e saktë në të cilin justifikon jo prov. tënde, ai është edhe momenti në të cilin e konfirmon.

One Response to “Mbi provincializmin e pak tema të tjera ( reklama, snobizëm, art )”

  1. Dorina.B Says:

    pra ne menyre tranzitive jemi provinca e Evropes ( duke mbajtur parasysh qe jemi province e ballkanit njehere dhe ballkani province e Evropes sic e the ti darien )
    Nuk leviz as nje presje nga fjalet qe ke shkruar ,te pakten ka disa njerez qe e kuptojne qartazi kete fakt dhe pse pak ,por duhet thene te pakten ka .

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: