Origjinaliteti në muzikën shqiptare : disa shënime – rivizatuar –

by

Si çdo i pasionuar pak i sëmure mbas shprehjeve artistike, kam disa mënyra vlerësimi kundrejt çdo forme Arti, qofshin këto filma, piktura apo edhe vizatime nëpër rrugë. Duke u ndalur te muzika, apo te një këngë, nëse duam ti zbërthejmë mund t’a bëjmë pak a shumë duke i ndarë në :
-tekst ( mënyra e së kënduarit )
-ana teknike, pra profesionalizimi i muzikantëve ( mënyra e së kënduarit )
-ndërthurja e këtyre dy elementëve, që në fund të fundit është ura qe i lidh, ndonjëherë e fortë dhe e bukur si mermer, ndonjëherë gati duke u rrëzuar

Ka grupe të vlefshëm që kanë vetëm një nga këto elementë dhe mund të mos më pëlqejnë, apo të më pëlqejnë gjithmonë pjesërisht. Ka grupe a muzikantë qe i kanë të dyja ( tekste dhe teknikën e duhur ) por nuk arrijnë të ndërthurin. E ndërthurja s’është gjë e lehte : një këngë është një shpërthim tingujsh, po, por në thelb është edhe matematikë e (al)kimi, nga soul te grunge, në fund çdo gjë është e llogaritur, e ndërthurur. Është tamam kjo ndërthurje qe e bën një këngë një simbol.
Dëshiroj, këtë mëngjes, të ndalem pak tek elementi i pari, tek tekstet, a më saktë, në një aspekt që më shqetëson shumë kohet e fundit, një çelës për interpretimin e muzikës. Flasim për atë që anglezet quajnë “authenticiy”, e që në shqip po e përkthej si “origjinaliteti”. Që përkthyer në shqip-shqip i bie të jetë pak a shumë masa në të cilën këngëtari është i përfshirë në atë që këndon. Na pëlqen apo jo, një artist, ashtu si një opinionist, deri diku shet edhe veten e tij, prestigjin e tij personal, të kaluarën, flokët. Në të shumtin e rasteve në art nuk është e mundur të ndash Krijuesin nga Krijesa.
Shpesh herë kur dëgjojmë një këngë, kemi përshtypjen që është fallco, tregtare do thoshim ne shqip, e herë të tjera na duket tmerrësisht e vërtetë, arrin të na flasë e të na komunikojë një ndjenjë intime. Janë ndjenja që më se shumti vijnë nuk dihet se nga, i ndjejmë pa e kuptuar që po i ndjejmë, mendimi formohet thellë në shijet tona estetike e na vjen i kryer kur shprehim një gjykim.

Një shembull. Edhe pse nuk është ndër këngëtarët e mi të preferuar, mallëngjehem gjithmonë kur dëgjoj “Se kënduam Let it be” të Sherif Merdanit, për te mos u futur pastaj në atë kryevepër që është Jon nga Ardit Gjebrea. Secili prej nesh, secili në mënyrën e tij duke njohur e me njohjet mbi historinë e Merdanit, mund të ndjejë mbas kësaj kënge prangat e ftohta të Spaçit ku u persekutua këngëtari, shtypjen mizore të çdo forme arti, fundin famëkeq të Festivalit të 11. Në sfond, nëse e dëgjoni mirë do ndjeni të ftohtin e burgut, do dëgjoni ca pranga që përplasen me njëra tjetrën. Jo, jo në këngë, dëgjohen në kokën tuaj nëse e njihni të kaluarën tone. Se kënduam Let it be, ndaj do rronim të mallkuar. Muzikisht është një këngë shumë e thjeshtë, në mos mediokre, e mbahet në këmbë nga teksti e nga e kaluara jonë. Nuk po vazhdoj më shumë në interpretimin e tekstit, edhe pse mund ta bëja. Ajo që dua të them është që ky është origjinaliteti i artit. Fillon nga këngët popullore, një ndër pasuritë më të mëdhaja kulturore që na kanë lënë paraardhësit tanë. Kur dëgjojmë Te rrapi ne Mashkullore apo Përtej urës se qabesë ajo që na godet – pavarësisht nëse e kuptojmë apo jo –  është në radhë të parë fakti që, dreqi ta hajë, kush i ka shkruar ka qënë aty afër, ndoshta ka parë vetë rrethimin e Mashkullorës apo ka varrosur mikun përtej Urës së Qabesë. Ka një raport të drejtpërdrejtë e nuk ka burrë nëne ti prishi këto këngë, edhe pse shumë po përpiqen me mund e me punë sistematike, duke i kënduar në version rock, dance, house a çdo mënyrë tjetër që u vjen ndër mend në ato pesë minutat në të cilat misioni i vetëm është shkatërrimi i disa shekujve antologji.

E gjithë kjo vetëm në Shqipëri, natyrisht. Muzika botërore është plot me shembuj të tillë e me artistë që kanë vënë jetën e tyre në shërbim të artit, apo anasjelltas, s’është shumë e qartë. Nga blues i Robert Johnson e deri te Curt Cobain, pastaj Lennon që me Mother, tmerrësisht autobiografike të dhemb, të dhemb vërtet, Cohen kur këndon Nancy apo Famous blue raincot, KLF në mënyrën e tyre, Nat King Cole që këndonte për sëmundjen qe po e hante, lista është e pafund. Por le të kthehemi te kufijtë tonë, për sa kohë janë akoma të sigurtë. Në Shqipëri, për një koincidencë absurde, origjinaliteti ka qënë gjithmonë baza e parë e një këngë, e po e rizbulojmë e po e rihumbasim ditë për ditë. Ndoshta s’do ishte keq të ktheheshim në atë formulën që përdorte festivali i këngës që zakonisht tingëllonte kështu “interpreton filan fisteku”. Më pëlqente shumë sepse arrinte ta ndante interpretuesin nga krijuesi e evitonte ca keqkuptime të bezdisshme.

Nga krahu tjetër, të gjithë, here me dashje e herë pa dashje ( po me shumë pa dashje ) kemi dëgjuar të paktën ca këngë rapi kënduar në shqip. Edhe po ti dëgjoni në mënyrë të rastësishme do vini re që pjesa më e madhe tregojnë se si do shesin droge, se sa do vrasin sot e sa do vrasin nesër e sa miliona lek do fitojnë. E di, të flasësh keq për rapin është pak a shumë si të flasësh keq për shtetin shqiptar, argumentet nuk mungojnë kurrë. Por po flas vetëm për origjinalitetin. Vërtet këta njerëz trafikojnë e vrasin? A ka një raport historia personale me këngën? Nuk besoj se e bëjnë të gjithë, e, nga ana tjetër, nuk kam dëgjuar ndonjëherë që Al Kapone bje fjala të futej ne studio e të tregonte se si po i shkonte aktiviteti. Ja që këngëtaret bëhen interpretues të asaj që do donin të ishin.
Nëse deri këtu duket e thjeshte, bëjmë një hap përpara duke ndërruar kontinent. Ka një problem tjetër, po ta them direkt, e lind kur disa njerëz, më së shumti artisti gjigant marrin një këngë dhe e këndojnë duke na e hedhur. The mercy seat p.sh është një këngë e bukur e shkruar nga Nick Cave. Janë mendimet e një të dënuari për vdekje ndërsa po pret ekzekutimin. Është një këngë deri diku fallco, shkruar nga një australian që ndoshta dëshironte të lindte në Amerikën e para disa shekujve, një baladë e zezë. Mbas shume vitesh këndohet nga Johnny Cash. Cash gati gjithë jetën e tij ka pasur një hije kalorësi të jashtëligjshëm. Realisht ka kaluar vetëm pak netë në burg për një zënke banale, por koncertet nëpër burgje e një kurim maniakal i imazhit te tij i kanë dhuruar këtë imagjinatë në publikun e gjerë. Kur Cash këndon The mercy seat këngës i ndodh diçka, nuk e se di se çfarë. Merr një dinjitet tjetër, bëhet më e vërtetë, duket sikur e ka shkruar ai edhe pse e dimë shumë mirë që është thjesht një këngë e rimarrë. I njëjti fenomen ndodh me Toxic të Britney Spear që bëhet një këngë e bukur dhe e vërtetë kur e këndojnë Local H.

Kthehemi në Shqipëri. Kapim, se di,  Te rrapi ne Mashkullore kënduar nga Bojken Lako, këngë që humbet shume, tepër. Dhe po flasim për një nga talentet më të mëdhenj të muzikës shqiptare. Sado që mundohet ti japi një interpretim personal, nuk arrin ta ngrejë dot sipër kufirit të “ gati e pranueshme.”

Sidoqoftë më mirë se Dashnor Diko që në dy minuta arrin të shkatërroje Vitori tu bëftë nëna apo një ushtri e tërë “interpretuesish” që vazhdojnë ditë për ditë betejën e tyre personale me muzikën tonë.

Advertisements

Tags: , , , , ,


%d bloggers like this: