Vrasësi pa viktimë

by

nga Alket Bushi

(Dramatizim i frymëzuar mbi një tregim të Karel Çapek)

Personazhet:

Marko Biaxhivrasës

Ahetues

B – hetues

Viktima viktima e Markos

(Ngjarja zhvillohet në një zyrë hetuesie.)

(Hapet perdja)

(Në mes të skenës ndodhet një tavolinë dhe tre karrige. Mbi tavolinë ndodhet një telefon dhe sende zyre. Pas disa çastesh në skenë hyn A. i cili mban Markon për krahu. Ky i fundit është i veshur me rroba të burgosuri dhe i ka duart e prangosura nga pas.)

A – Ulu këtu!

(Marko ulet në karrigen e mesit. A. qëndron në këmbë në të djathtë të Markos, merr ca shkresa nga tavolina dhe i lexon në heshje.)

A (duke lënë shkresat mbi tavolinë) – Atëherë, fillojmë?

Marko – Po.

A – Sipas dëshmive të policëve të patrullës, ju, me datën njëzet e tetë tetor, rreth orës nëntë të mbrëmjes, jeni parë duke ecur me hap të shpejtë në parkun e qytetit. Gjithashtu në dorë mbanit një thikë të përgjakur. Kjo thikë ka qenë arsyeja që ju kanë arrestuar. A i pranoni këto dëshmi?

Marko – I pranoj.

A – Shumë mirë!… Sipas analizave të ekspertizës doli që gjaku i cili përlyente thikën është i një njeriu të cilin ju të paktën e keni plagosur apo të shumtën e keni vrarë. Po këtë e pranoni dhe nëse po e keni vrarë atë njeri apo vetëm e keni plagosur?

Marko – E kam vrarë… besoj!

A – Atëherë a mund të më thoni se kë keni vrarë dhe për ç’motiv?

Marko (i trembur) – Këtë jo!… Këtë s’mund ta them!… Jo!…

A (i habitur) – Pse s’mund ta thoni?

Marko – Sepse… sepse po e bëra këtë do u sillja shumë fatkeqësi njerëzve të tjerë… Jam penduar thellësisht për krimin e shëmtuar që kam bërë dhe kërkoj dënimin e merituar, por… më vjen keq! Nuk mund ta them se kë kam vrarë.

A –  (me ironi) Ju ardhka keq?!… (si më parë) Policia është vënë në kërkim dhe viktima juaj herët a vonë do të gjendet. Ç’ndryshim do të kishte po të na e thonit vetë vendin ku e keni kryer krimin dhe emrin e viktimës, meqë e pranoni akuzën?

Marko (i vendosur) – Sido që të shkojë puna unë s’mund t’ua them as emrin, as vendin e krimit sikur ta di se do ma rrjepin lëkurën për të gjallë!

A (duke ngritur zërin) – Këtë do ta shohim!… E dini që nëse i tregoni të gjitha vetë mund të shpëtoni nga dënimi me vdekje edhe pse duket qartë se keni kryer një vrasje me paramendim? Mbase ky fakt ua zbut zemrat gjykatësve dhe të japin burgim të përjetshëm apo akoma më mirë, të dënojnë me njëzet a njëzet e pesë vjet… Hë, si thoni?

Marko – Për mua pak rëndësi ka vendimi i gjykatësve. (duke theksuar çdo fjalë) Nuk them asgjë më tepër edhe sikur ta di se do më lini të lirë.

A (duke tundur kokën i zhgënjyer) – Po i bini vetes në qafë!… Nejse, ju e dini! Ne punën tonë do ta bëjmë.

(Dëgjohet hapja e një dere. Në skenë hyn B. Hedh një shikim drejt Markos, pastaj i jep dorën A-së.)

B – Si po ecën?

A – Edhe mirë edhe keq bashkë. Po nga ty kemi ndonjë të re?

(B e merr A-në për krahu dhe të dy dalin në paraskenë.)

B (me zë të ulët) – Viktimën s’po e gjejmë, ta hajë dreqi! S’kemi lënë vend të mundshëm pa kërkuar dhe njeri pa pyetur. Më e keqja është se s’kemi asnjë dëshmitar dhe asnjë kallzim për vrasje. Kjo punë mua si hetues s’më ka ndodhur ndonjëherë. Me plot gojën mund të them se kemi të bëjmë me një vrasës pa viktimë. Kështu që duam apo s’duam jemi të detyruar ta lirojmë.

A – Ta lirojmë?! Kurrë!… E di që sot kërkoi vetë të paraqitet në hetuesi? Është penduar dhe e pranon krimin. Veç nuk tregon se kë dhe ku e ka vrarë, sepse, siç thotë, po ta bënte këtë do u sillte fatkeqësi njerëzve të tjerë. Pra, siç e sheh, do të ishte e papërgjegjshme nga ana jonë po ta lirojmë.

B – Aaaa, po thuaj ti që e paska pranuar!

A – E ka pranuar që ç’ke me të! Madje kërkon dënimin e merituar, edhe me vdekje qoftë ky.

B (me habi) – Ç’po më thua!

(Pauzë. B mendohet dukë bërë ecejake pranë A-së, i cili e ndjek me sy. Në një moment B ndalon dhe kthehet nga A-ja.)

B – Më lindi një ide. Shiko: nga njëra anë kemi një vrasës pa viktimë. Nga ana tjetër kemi vrasjen e kushëririt të prokurorit. Siç e kemi diskutuar ai vrasës është një profesionist i vërtetë dhe pak shanse ka ta gjejmë. Po sikur t’ia lemë këtij në ngarkim? Ai me thikë është vrarë dhe për më tepër në park… (A rrudh vetullat dhe shikon B-në me interes) Ky e paska vendosur të vdesë, e ç’do t’i kushtojë nëse dënohet për një vrasje tjetër?… Madje do të na falënderojë, sepse kështu s’do u sjellë fatkeqësi njerëzve të tjerë, siç thënka. Hë, si thua? Po nuk e zbuluam këtë vrasje, prokurori do të na e nxijë jetën, në mos na shkarkoftë të dyve. Na i ka bërë betë.

A – Po kjo është absurde! Ky është arrestuar para dhjetë ditësh, kurse vrasja e atij tregëtarit është kryer para tetë ditësh, domethënë dy ditë më pas.

B – Eee, ç’na the! I ndryshojmë formularët si të duam, në dorë e kemi. Paguajmë ndonjë rrjepacak si dëshmitar dhe mbaroi puna. Thikën po që po e kemi si provë materiale… Pra?

A (pasi mendohet) – Nuk e ke keq!

B (entuziast) – He-heee! S’e marrim rrogën kot ne jo, i shërbejmë vendit! Nuk i lemë vrasësit të lirë vetëm pse s’ka fakte për ta… Foli ti i pari! Si fillim bëja fakt të kryer vrasjen e tregëtarit. Po s’e hëngri këtë, i flas unë pastaj. Si thua?

A – Mirë.

(Dy hetuesit i afrohen tavolinës ku i pret Marko i cili sheh herë njërin herë tjetrin në heshtje. Ulen në karrige të dy, A në të majtë, kurse B në të djathtë të Markos.)

A – S’ju doli gjë heshtja që mbajtët zoti Biaxhi! Viktima u gjet, ose më saktë u gjet se cila nga viktimat e gjetura është juaja. (Marko hap sytë dhe fillon të dridhet pak) Quhet Umberto Fireli dhe është argjendar. Është gjetur i therur në park. Sot në polici është paraqitur një dëshmitar që ju ka parë duke kryer vrasjen. Kolegu im e paska sjellë atë tek qelia juaj dhe ai pasi ju ka parë, ka pohuar se jeni pikërisht ju vrasësi i zotit Fireli. Çfarë keni për të thënë?

Marko – S’është e vërtetë! O gënjeni ju, o ai dëshmitar gënjen si dreqi. Si më thoni që e paskam vrarë unë Umberton?! Ai është vrarë dy ditë pas arrestimit tim.

(Dy hetuesit shohin njëri-tjetrin të çuditur.)

B – Nga e nxorët këtë?

Marko – Ma tha gruaja. Tre ditë pasi u arrestova ajo erdhi të më vizitonte dhe më tregoi se të djeshmen e asaj dite kishin vrarë Umberton për t’i grabitur paratë. Unë e kam pasur mik të ngratin, ndjesë pastë!

A – Ah, këta gratë!

B (pasi i hedh një shikim të egër A-së) – Ta marrim shtruar zoti Biaxhi. Ne e dimë që s’e keni vrarë ju zotin Fireli. (Ndërkohë A. ngrihet nga karrigeja dhe del në paraskenë duke ndezur një cigare) Në fakt ju bëmë një provokim, punë hetuesish. Menduam se në këtë mënyrë do e thonit emrin e viktimës suaj.

Marko – Po të jetë kështu, dakord!

B – Mirëpo kemi një problem. Viktima juaj nuk po gjendet, ndërkohë që vrasësi i zotit Fireli nuk po gjendet gjithashtu. Meqë ju kërkoni me ngulm të dënoheni, ne menduam t’ua lemë ju në ngarkim këtë vrasje, sepse njëlloj është. Nëse ju pranoni, të tjerat i rregullojmë ne. Pra?

Marko (i irrituar) – Thoni se qenka njëlloj?!

A (duke u kthyer me vrull nga Marko) – Po, madje kështu s’do u sillni fatkeqësi njerëzve të tjerë, siç u ankuat më parë. Është më mirë, apo jo?

Marko – As që bëhet fjalë! S’mund të pranoj një krim që nuk e kam bërë!

B – Po ju e keni bërë një krim! Në propozimin që ju bëjmë ne vetëm personi ndryshon. Ne duam që kjo vrasje të mos kthehet në një seri hakmarrjesh, sepse ne kështu e kuptojmë thënien tuaj që s’doni t’u sillni fatkeqësi njerëzve të tjerë. Ndërsa po të dënoheni për vrasjen e zotit Fireli, s’ka punë hakmarrjesh. Një njeri vrau një tjetër për t’i grabitur paratë, shteti e dënoi vrasësin dhe kaq.

A – Ne e dimë që ligji nuk e lejon këtë, por kur ai shkelet në emër të shpëtimit të jetëve njerëzore, besoj se ia vlen ta shkelësh. A e kuptoni zoti Biaxhi se ne po mundohemi ta bëjmë këtë për të mirën e të afërmve tuaj?

Marko (me ironi) – Për të mirën e të afërmve të mi?! Kaq shumë ju dhimbsen?! Pse nuk thoni se doni të mbyllni telashet tuaja! Ju as që u bëhet vonë për të tjerët!

B – Mendohuni njëherë zoti Biaxhi! Mund t’ju lemë dhe disa ditë kohë po të doni. Po ju japim një mundësi të mirë, mos e shpërdoroni kot!

Marko (duke ngritur zërin) – Jo dhe jo! Dua të dënohem për vrasjen e atij njeriu që kam vrarë me të vërtetë! Dhe që ta dini ju unë nuk e kam vrarë atë njeri për ta grabitur. E kam vrarë sepse… jo për ta grabitur, por për një arsye shumë fisnike.

(Pauzë. A. dhe B. mendohen.)

B – Po sikur t’ju lirojmë zoti Biaxhi?

A – Edhe unë kështu them. ( Markos ) Paçi veten në qafë! Do t’ju lemë të lirë. Do t’ju vrasin, e dimë, por s’kemi ç’bëjmë.

Marko (me zë të lartë dhe duke u ngritur në këmbë) – Nuk dua të më lironi!

A – Ou?! Ju dhimbset jeta tani, ë?

Marko – S’është se më dhimbset jeta, jo, por unë dua të shlyej mëkatin tim. S’mund të më lironi!

A – Të lirojmë apo jo, këtë e vendosim ne, morët vesh? (B-së) Thirri të vijnë ta marrin!

Marko (duke bërtitur) – Nuk dua të më lironi thashë!

B – Po ju qenkeni i çmendur!

(B ngrihet dhe e kap me forcë Markon. Ai ulet menjëherë dhe mbërthehet pas karriges. A fillon ta tërheqë nga ana tjetër. Në këtë mënyrë vazhdon për rreth një minutë situata që ka dhe nota komike. Në një moment dëgjohen në derë tre të trokitura të ngadalta. Hetuesit ndalojnë së tërhequri Markon.)

A – Hyr!

(Tre të trokiturat dëgjohen si më parë.)

A – Hyr, dreqi e mori!

(Sërish dëgjohen tre të trokiturat.)

A (B-së) – Hape atë dreq dere!

(B del. Pas disa sekondash dëgjohet një ulërimë. B futet në skenë i llahtarisur. Pas tij, duke ecur ngadalë, futet Viktima. Ka pamjen e një të vdekuri që sapo ka filluar të dekompozohet.)

A (duke iu dridhur zëri) – Kush jeni ju?

Viktima (me zë të thellë dhe të shtruar) – Mora vesh se po më kërkonit dhe erdha. Unë jam viktima.

(Viktima shembet përtokë tek këmbët e hetuesve. Hetuesit dalin me të shpejtë nga skena të llahtarisur. Marko ngrihet nga karrigeja dhe i afrohet Viktimës.)

Marko – Shumë mirë bëre që erdhe! Duhet të jesh lodhur shumë. Nuk është e lehtë për një të vdekur të vijë me këmbët e veta në hetuesi. (thërret) Roje!… Roje!… Ejani të më merrni!… Roje!… A ka njeri aty?… (del nga skena. Dëgjohet një e qeshur) Po këta paskan ikur të gjithë! Punë e madhe! Këtu do të pres, bashkë me viktimën time.

(Marko futet sërish në skenë dhe ulet në karrige. Qëndron pa lëvizur me vështrimin hedhur mbi Viktimën. Ndriçimi ulet ngadalë derisa bëhet errësirë.)

(Mbyllet perdja)

Tiranë, nëntor 2003


Nëse artikulli ju pëlqen ndajeni me miqtë tuaj në Facebook

Advertisements

Tags: , , ,

3 Responses to “Vrasësi pa viktimë”

  1. fitili Says:

    viktima ishte zombi

  2. Dorina.B Says:

    Me ka terhequr shume kjo menyre te shkruari ,madje dhe vete shkrimi ishte goxha interesant .Komplimente !
    Nuk e di ne eshte ka ndonje vazhdim kjo ne sensin eshte pjese ???

  3. Alket Bushi Says:

    Jo, Dorinà, kàq eshte. Kete e kàm shkruàr ne vit te dyte te shkolles, kur studiojà per regjisure teàtri, dhe kàq te gjàtà nà kerkoheshin pjeset, 20-25 minutà. Gjithe te miràt!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: