Estetika e mishit të kalit

by

nga Darien Levani

mendime të gjata për njerëz të gjatë

Qyteti këto ditë është mbushur plot edhe me disa reklama varur kudo ku mund të varen të cilat kanë fotografinë e një kali. Poshtë është shkruar diçka e tipit : çdo vit në Francë, si Pomponi, një “poulain” në katër vritet për të dhënë mish. ( poulain = një kalë më i vogël se 12 muajsh. Nuk e mbaj mend se si thuhet në shqip.  )

Është një fushata sensibilizimi ndërmarrë nga fondacioni Briggite Bardot ( aktorja ),  slogani është Unë nuk e ha mishin e kalit , dhe ju këshilloj të përgatiteni psikologjikisht nëse dëshironi të vizitoni sitin sepse disa nga fotografitë janë vërtetë të tmerrshme. Imazhet janë të dhunshme sepse duan të na tregojnë qartë që ne jemi bashkëfajtor në këtë gjenocid, siç e quajnë ambientalistët. Tregojnë kuaj me zorrë jashtë, kuaj të copëtuar, kuaj të vrarë, kuaj pa kokë* , kuaj të vrarë në të gjitha mënyrat e mundshme. Po, bën përshtypje. Evropianet janë mësuar aq shumë të shohin mishin të rastisur mirë nëpër rafte superdyqanesh saqë në kokën e tyre nuk e bëjnë më lidhjen e blerjes së mishit me aktin e vrasjes. Është një fitore e hidhur e epokës sonë ( nga komunizmi në konsumizëm ) : i kemi larguar prodhimet nga burimi i tyre. Nëse unë do gënjej një fëmijë lindur e rritur në qytet duke i thëne që mishi në fakt prodhohet aty brenda dyqanit është e mundur që të më besojë  sepse është gjithmonë e më pak i aftë të bëjë lidhjen midis Vrasjes, Ushqimit, Natyrës.  Rafti i dyqanit është i bardhë, i bukur, i rregulluar. Të mëdhenjtë po e harrojnë, të rinjtë as që nuk e dinë fare. Thertoret janë të pista, vijnë era gjak, ndonjë kafshe qan para se të theret, ka miza kudo. Preferojmë dyqanin, eliminojmë thertoren. Është evolucion, thonë, edhe pse mua në fakt nuk më duket ndonjë përparim i madh.

Fushata ka për qellim të ndërgjegjësojë qytetaret mbi ketë fakt. Me sa duket, një ndër katër kuaj si Pomponi vdes për të na dhënë mish.  Kali në fotografi është shumë i bukur ( nga një ana besoj se kanë zgjedhur kinse një të bukur për ta bërë mesazhin sa më të forte, nga ana tjetër ama unë s’mbaj mend të kem parë ndonjë kalë të shëmtuar ) e, në mos gaboj, i përket racës pony.

Tani, duhet thëne që në fillim që kuajt kanë qënë me fat. Në fund të fundit një në katër nuk është shumë keq po të konsiderosh që s’kam dëgjuar kurrë për ndonjë derr a pule që ka vdekur nga pleqëria. Pra, një në katër në fund të fundit mund të jetë edhe e pranueshme. Për mua, natyrisht. Nëse do isha kalë s’do ishte fare e pranueshme.

Një konsiderata tjetër, që ishte edhe e para që bëra, ka të bëjë me bukurinë e kafshës në foto. Po të pyesësh shumë njerëz se pse nuk duhet ngrënë mishi i kalit arsyeja e parë që do të shfaqin është tamam kjo “ Sepse janë shumë të bukur e fisnik e është gjynah!”

Është një arsyetim sipërfaqësor, sipas meje, dhe më shumë pa kuptim po të mendosh që nuk e shohin kalin që po hane, ndoshta ka qënë vërtet i shëmtuar. Por, përveç kësaj, çfarë logjike ka të matësh të drejtën e një kafshe për të jetuar me bukurinë e kësaj? Mund ti shuajmë të gjithë iriqët e derrat e krijojmë një botë të mbushur plot me kuaj, lepuj e fazanë?

Është e pakundërshtueshme që e bukura ka një rol vendimtar në jetën tonë e në vendimet që marrim. Ne preferojmë gjithmonë më të bukurën në një mall kur vetitë e tjera janë njësoj, e po ashtu jemi më të predispozuar të ndihmojmë një vajze të bukur në rruge, e detyrimisht më të sjellshëm. Nëse një vajzë e bukur na kërkon ti ndezim cigaren gati gati po na bën një favor, nëse një femër e shëmtuar na kërkon ti ndezim cigaren jemi ne që po i bëjmë një favor.  Është një fakt që mund t’ju konfirmoje edhe çdo njeri që ka pasur ndonjë farë pushteti për të bërë një nder : që mundohemi ti bëjmë gjithmonë një favor më shumë një femre a mashkulli të bukur, të mbyllim një sy nëse lë makinën dy minuta më shumë pa leje në parking, ti shërbejmë më shpejt në lokal nëse jemi kamerier apo ta trajtojmë më mirë nëse jemi klientë. Nëse një lypsare e bukur do na kërkonte lekë automatikisht  do mendonim se si ka mundësi që një vajze kaq e bukur të lypi, nëse na i kërkon një e shëmtuar nuk e pyesim veten sepse, në fund të fundit, është normale.

Pse? Nuk e di. Me një vështrim të parë mund të mendoj që mendojmë që duke u bërë një favor do dukemi më simpatikë e femra do na lëri nr. e telefonit e do nisi një raport shumë i bukur dashurie ( apo më mirë akoma, seksi ). Nuk e di sa e besojnë këtë, por sipas meje pak apo aspak duke e ditur që është një ëndërr e paformuar mirë e cila sidoqoftë nuk ka asnjë shprese pasi në më të shumtën e rasteve bëhet fjalë për njerëz që nuk do shikojmë më në jetën tonë. Pra është e qartë që nuk ka të bëjë aspak me një fitim tonin personal, ne jemi thjesht të magjepsur nga e bukura, e njohim të bukurën si vlerë dhe duke e ditur apo pa e ditur fare bëjmë vepra që i lehtësojnë jetën.  Zgjedhim gjithmonë më të bukuren e shpresojmë që dhe më e bukura ta pranoje zgjedhjen tonë. Është edhe po aq absurde që e bukura është mësuar të trajtohet mirë e shpeshherë as që nuk e vë re fare mirësjelljen tonë.

Duhet të ketë diçka në DNA-në tonë që na bën kështu. Bukuria e jashtme e një njeriu a objekti i flet një ndjenje tonë të brendshme që ne nuk arrijmë të identifikojmë mirë, lëre më pastaj të kontrollojmë.  A do ishte e gabuar të thoshim se duket sikur një ndër misionet tona në jetë është të ndihmojmë të bukurën të arrijë misionin e saj, cilido qoftë ky mision?  Kur mundemi blejmë stilolapsa të bukura, rroba të bukura, libra me lidhje elegante, mundohemi të rrethohemi gjithmonë nga objekte të bukura dhe nuk besoj se e bëjmë sepse kështu mendojmë që edhe ne do jemi të bukur. E bëjmë sepse jemi subjekti i bukurisë, jemi skllav i saj.  Edhe sado që, herë pas here, mund të tërhiqemi edhe të blejmë diçka që për të tjerët është pa shije, groteske apo e ashpër, e bëjmë gjithmonë sepse ne aty kemi parë bukurinë sipas gjykimit tonë personal e jo sepse duam objektet e shëmtuara.  Një objekt i shëmtuar duhet të jetë dyfish më i nevojshëm se sa ai i bukuri që të hyjë në dëshirën tonë. Ndryshe jashtë, kthehu në planetin tënd të Shëmtuar!

Lidhja me ndonjë teori nacional-socialiste është shumë e thjeshte për tu bërë, por është po aq e gabuar. Ne nuk jemi nacional socialistë, ne jemi vetëm lodra të motorit tonë  estetik. Nuk besojmë se me këtë zgjedhje tonë gjërat e shëmtuara do zhduken. Por mjafton të mendohemi pak e arrijmë në përfundimin që nëse askush nga ne nuk blen një lexues mp3-je të shëmtuar, atëherë ky do shesi pak fare e do e tërheqin nga tregu e do detyrohen të prodhojnë një të ri me një vizatim më joshës e me elemente të tjerë që e bëjnë elegant. Po, ne e eliminojmë ditë për ditë të shëmtuarën,  i kemi shpallur një lufte që s’do mbarojë kurrë. Një femër e shëmtuar duhet të jetë dyfish inteligjente që të na tërheqë** me të njëjtën masë me të cilën na tërheq një femër e bukur.  Kështu edhe me objektet. Është njësoj sikur të marrësh teorinë e abuzuar të Darwin edhe t’ia aplikosh objekteve, gjë që është nen kontrollin tonë. Në një fare mënyre njerëzimi ka marre vendin e natyrës në raport me objektet, e për më shumë, më duket se jemi më të egër se sa ajo***.  Shumë më të egër.

Arsyeja e dytë më e fuqishme që të radhisnin mbas estetikës së kalit është sociale, e kjo të paktën çoç i ka ca baza. Deri në shekullin e kaluar kali ishte një kafshë më së e nevojshme, historia e luftërave ( pra e njerëzimit )  është e lidhur me kalin. Indigjenet kishin frikë nga spanjollet sepse mendonin se nuk ishin  njerëz,  mendonin se ishin centuara, gjysëm njerëz e gjysëm kuaj. Mbretërinë time për një kalë, do thoshte mbreti Richard III, sipas Shakespeare-it. Sikur Maratonomaku të kishte një kalë historia do kishte përfunduar ndryshe.

( Ej, po ho, hë re maratonomako, ça bëmë, fituam?

Eh fituam, sa klas! Po po, fituam.

U lodhe duke ecur?

Jo mo, isha në kalë, su lodha fare.

Imagjino ta kishe bërë në këmbë gjithë atë rrugë, ëëë? )

Amerika është ndërtuar nga kuajt po aq sa është ndërtuar nga njerëzit, dhe filmat me sherifa kanë zëne vend thellë në kokën tonë. Një sherif nuk është një njeri me armë, një sherif është një njeri me armë që kalëron. Posta vinte me kuaj, Kastrioti erdhi me kalin e tij legjendar, të bardhe si bora e të shpejte si rrufeja, Ismail Qemal beu do ketë ardhur me kalë. Boll. Shekulli i 1900 është kundër kuajve. Trena, biçikleta, makina, aviona. Për një ironi absurde, shumë prej këtyre mjeteve maten me “kuaj-fuqi”.

Ka pra edhe një arsye të fuqishme që vërtitet rreth nevojshmërisë së kalit, më shumë në histori se sa në periudhën aktuale. E qëndron, qëndron akoma e forte edhe pse zbehet dita ditës.  Ky këndvështrim, ( këndvështrimi i nevojshmërise së kalit ) ,  të paktën është më shumë egoist se sa arsyeja estetike, ndaj më pëlqen.

Për të nxjerr ndonjë konkluzion ( një shkrim disa faqesh supozohet gjithmonë të ketë një konkluzion, apo jo? ) ne hamë e kemi ngrënë, mish derri, qengjin, e mos më thoni që qengji nuk është i bukur, lope, ketri, ushtarët francez në Rusi kanë ngrënë kuajt e tyre, ne hamë kangurin, bretkosën, pulën, gomarin, qenin, macen, gjarprin, kush e di, ndoshta i kemi ngrënë ne të gjithë dinosaurët, hamë edhe majmunin, po në rast nevoje hamë edhe njëri tjetrin e nuk po flas për kanibalët, po flas për vitin 1972. Avioni Fairchild F-227 bje në Ande, në një mal me dëbore, 29 pasagjere vdesin, 16 të tjerët ushqehen me kufoma derisa i shpëtojnë, mbas dy muajsh. Sot kanë dhe një sit ku tregojnë eksperiencën e tyre. Hamë qenin, me vështirësi për të njëjtat arsye sociale ( miku më i mirë i njeriut etj etj ) , hamë gati të gjithë krijesat detare, përfshirë karkalecat e detit, e një Z-t e di se sa mund do karkaleci për tu ngrënë, është një torture e vërtetë, në moment nevoje hamë edhe mizat, ka ndodhur. Besoj se çdo gjë që mund të eci e që ka mish ne e kemi përtypur, një pjese të mirë gjate rrethimit të Stalingradit. Në Australi hanë kangurin, por, me sa thonë ata, e bëjnë edhe sepse kangurët janë shtuar shumë e nuk mund tu garantojnë më ekzistencën e tyre. Kështu që e garantojnë ekzistencën duke i vrare. E bukur!

Shtetet të cilët vrasin balena e foka, siç më kujtojnë herë pas here mesazhe në postën time elektronike, përgjigjen duke na thëne që protesta është një hipokrizi evropiane.  Ne vrasim atë që mund të vrasim, ata gjithashtu. Sidoqoftë, duhet nënvizuar që protesta, sidomos ndaj vrasjeve të fokave, është e lidhur më shumë me mënyrën se si këto bëhen këto vrasje mizore, e jo aq shumë me faktin që vdesin.

Unë personalisht s’kam asnjë problem me asnjë mish, ne si njerëzim nuk kemi asnjë problem me asnjë mish. S’kam asnjë problem me ata që e hanë apo nuk e hanë mishin e qenit, kalit apo ku e di unë, mishin e shqiponjës. Kam probleme ama me ata që i gjykojnë gjërat në mënyrë kaq sipërfaqësore.

______________________________________________________

* meqë ra fjala, kushedi se ku ka përfunduar koka e famshme e Godfather-it?  A do kishte pasur të njëjtin impakt sikur në vend të kokës së kalit të ishte përdorur koka e ndonjë kafshe tjetër?

Ulërima që dëgjoni në atë skene kur aktori sheh kokën e prere të kalit është reale. Aktori quhej John Marley dhe  nuk e dinte që koka do ishte e vërtetë duke qënë se gjatë provave kishin përdorur një ekzemplar fallco. Por në moment të fundit Coppola vendosi të përdorte atë që shohim në film. Koka u ble në një dyqan ushqimesh për qentë.

Edhe në Baaria, filmi i fundit i Giuseppe Tornatore , kandidati italian për Oskar si filmi më i mirë i huaj ( i huaj sipas amerikanëve ), ka një skene po kaq të fuqishme, dhe është vrasja e një demi.  Skena në fjalë ka krijuar shumë ( pak ) polemike në Itali. Midis të tjerave, meqë ligji italian ndalon vrasjen e kafshëve në atë mënyre, skena është xhiruar në Tunizi ku ligjë të tilla nuk ekzistojnë.

** cilët janë përjashtimet? Nuk më vjen ndër mend asnjë përjashtim i vërtetë. Mund të mendoj që tifozët, 10 sekondat e para mbasi shënohet goli,  as që duan t’ia dine nëse ishte i bukur apo i shëmtuar, mjafton që u fut në portë. Por këtu futet emocioni i momentit, dhe kjo është e vërtetë sepse e dimë. Prova më e mirë është fakti që çdo vit kur bëhen klasifikimet për 10 golat më të bukur,  nuk fusin në listë asnjë gol të shëmtuar. Një gol i shëmtuar mund të futet aty vetëm nëse është shënuar në minutë të 96 në finalen e Ligës së Kampioneve nga një skuadër e cila nuk e fitonte prej vitit 1965. Por edhe aty vijnë në lojë emocione të tjera. “Falet” shëmturia e golit sepse zëvendësohet me bukurinë e fitores.

Matthew Le Tissier p.sh është një futbollist që sot e respektojnë të gjithë, edhe kundërshtaret. Arsyet janë shumë, e një nga këto është që Le Tissier në karrierën e tij ka bërë shumë gola të bukur.

***  një mik që dëshiron të qëndroje anonim – ciao Matteo –  më shpjegonte  se sipas tij raca njerëzore behet gjithmonë e më e bukur. Kjo ndodh – gjithmonë sipas tij –  sepse është një fakt që popullsia mbi toke ka kaluar 6 miliard, dhe shumica e kësaj popullsia përbehet nga femra. Duke qënë pra se ka një disraport  midis femra e meshkuj, disa femra nuk do çiftëzohen kurrë, e këto janë femrat e shëmtuara. Femrat e bukura do çiftëzohen gjithmonë me meshkuj të bukur për të bërë fëmije të bukur ( e për të rritur mundësitë që të paktën njëri në familje të fitojë titullin Miss Bota, them unë ) që do çiftëzohen  me fëmijë të tjerë akoma më të bukur derisa të përmirësojmë gjithmonë racën tonë. Kështu jo vetëm eliminojmë të shëmtuarën, kështu ndryshon koncepti jone mbi bukurinë e bëhemi gjithmonë  e më kërkues. E bukura normale e sotshme bëhet e shëmtuara e së nesërmes. Kjo ka ndodhur historikisht, kjo ndodh akoma. Vetëm para një shekulli në disa zona malore të Shqipërisë bukuria ishte një femër e shëndetshme, e madhe dhe e afte që të bënte të gjitha punët e shtëpisë, nga gatimi e deri të korrja e barit, mbajtja e druve etj etj. Perveç kësaj, sot ne kemi edhe mundësinë teknologjike për ta bërë këtë me anë të kirurgjisë estetike.

I njëjti mik, edhe pse nuk është e as ka qënë kurrë racist, mendon me force se xhuxhët duhet të çiftëzohen vetëm me xhuxha të tjerë.  Nuk e di se pse.

Për të mos shkuar shumë larg – mendime të miat, shoku iku – mjafton të rishikoni fotot e zbarkimit të shqiptarëve në brigjet italiane aty nga fillimi i viteve 90. Do vini re, ndoshta me habi, që ato fytyra nuk ekzistojnë më në Shqipëri. Do shikoni që kanë disa fytyre të tjera, të gërvishtura nga vuajtjet, jo komplet  të bardha e jo komplet të errëta, fytyra të thara nga dielli, fytyra si libra të hapura. Mirë, kanë kaluar 20 vjet, që nuk janë shumë, për një komb 20 vjet s’janë asnjë gjë. Provoni e shikoni kalimtaret në rruge, s’po them ata të blloku në Tirane po ata që ke në lagje, komshinjtë e tu në çdo qytet. Do vesh re që ka një ndryshim të jashtëzakonshëm. Është merita e mirëqenies, por për mua ishim më të bukur atëherë. ( Por edhe unë, nëse i dua, nuk i dua sepse janë të shëmtuar por sepse në të shëmtuarën e tyre shoh qartë që janë të bukur.)

Ashtu si mund të vihet re psh që amerikanët, njëherë e një kohe të kuq, sot janë të bardhe, të zinj etj. I ndryshuan kuajt plus gjenocidi. Gjenocidi, që shpesh ne me hipokrizinë tonë likuidojmë si “një histori amerikane” në fakt na përket më shumë se sa na pëlqen të mendojmë. Kush ishin amerikanët në shekujt e kaluar? Thjesht evropian që migronin : britanik, italian, francez, portugez. Nuk mund ti lajmë duart kaq thjesht e kaq shpejt.


Nëse artikulli ju pëlqen ndajeni me miqtë tuaj në Facebook

Tags: , , , , , ,

10 Responses to “Estetika e mishit të kalit”

  1. Martin Iden Says:

    “Gjithçka eshte e natyrshme, eshte e bukur. (Dhe anasjelltas.)” -Taleti-

    P.S. Per humor. Makina me e fuqishme eshte ajo qe ka “nje pele” fuqi. Tere hamshoret i vene nga pas. 😛

  2. mars Says:

    Ti shkruan mrekullisht bukur. Shkrime te gjata te ketij tipi eshte e lehte fare ti masakrosh shume shpejt…une e lexova fillim e fund 🙂

    Une per vete jam pothuajse vegjetariane…rrethi me shtyn te ha mish e mua organizmi nuk ma pranon me. Keshtu qe per mua, jo vetem kali, por gjithe kafshet tjera nuk kane aresye te vriten per te na ushqyer ne. Une çfare nuk kuptoj eshte perse kalin? Dua te them, nuk e kemi ngrene me pare, shume mire, perse duhen shtuar kafshet qe ne hame? Ha lope e pule dhe aq…Nejse, per mua kjo.
    Aresyet perse kali jo e lopa po psh, jane thjeshtesisht historike siç thua dhe ti. Kali ka pasur kredit te madh kohe me pare…ka qene ure lidhese i njeriut me njeriun dhe ka pasur pothuasje aq fame sa kaloresi i tij. sot i shkreti kal nuk na sherben me…

    Me pelqen shume edhe kalimi qe ben ne tekst nga perdorimi i mishit tek bukuria. Te gjithe e duam te bukuren, e qarte, por bukuria eshte e ndryshueshme, siç thua ti per ate gruan malesore shqiptare, une do thoja edhe per tabllote e piktoreve te medhenj te shekujve te kaluar dhe afishet e publicitet e modes dhe jo vetem (publicitete per brusha dhembesh, makina, ushqime, kredite bankare, detergjent…).
    Nga njera ane, femra e bukur ishte sinonim bolleku e formash, per te shfaqur mireqenie, nga ana tjeter sot femra e bukur eshte sinonim derrase e kockash. Duke e pare keshtu, qe çdo epoke ka nje kanon bukurie te caktuar, ajo çfare ka thene shoku yt, nuk eshte me e vertete. Ne nuk permiresojme gjithnje racen duke i dhene prioritet te bukures, ne metamorfozojme te bukuren sipas meje. E bukura e sotme eshte e pandare nga stili dhe nga nje stereotip i caktuar. Nuk kemi me them nje bukuri universale…ndodh shpesh qe nje njeri te pelqen dhe fap, ul syte poshte dhe shikon çfare nuk duhej te shikoje…nje pale kepuce qe ty nuk te pelqejne fare. Truri ecen shpejt, ne ate moment ate tipin e bukur ti e ke futur ne kategorine e “atyre qe kane kepucet e shpifura” dhe fatkeqesisht ky njeri behet i shemtuar. E veshtire te nderrosh mendje, per ty ai ben pjese ne kategorine e ndaluar. E shembuj si ky ka plot…
    Them gjithashtu qe çfare konsiderohet e bukur eshte ajo gje qe kerkon nje mundim per tu arritur dhe qe eshte relativisht e rralle. Po marr serish shembull grate e tabllove…asokohe ato gra kane qene ajka e shoqerise, dhe per tu evidentuar nga klasa e mesme, shendeti i bollekshem ka qene nje mates nder te tjere…parfumosje, veshje, pasterti, kulture… . Sot eshte me e veshtire te jesh i dobet sesa i shendoshe…e automatikisht, dobesia behet bukuri.

    Perse ne shkojme gjithmone drejt se bukures…them se eshte fakt egoizmi. Nje i shemtuar te kerkon ti ndezesh cigaren…ia ndez dhe mbaron me aq. Nje i bukur te kerkon t’ia ndezesh cigaren, ia ndez, kerkon nje shikim, nje buzeqeshje, dhe edhe kur ai zhduket te le ne nje enderr. Jo se ti shpreson qe do do kete diçka mes jush por te jep shkas per te enderruar…une mendoj se ne jemi enderrimtare te shfrenuar, dhe nje enderr si dhurate ia vlen…prandaj dhe i drejtohemi te bukures:)

    Po e mbyll duke thene qe me pelqeu shume shkrimi, per ate edhe mora mundimin te komentoja:)

    Shendet

  3. fitili Says:

    Dario

    Nuk eshte njisoj , nuk ka lidhje bukuria kur thua pse nuk duhet te ham kuajt dhe jo derrat apo ku e di une , kuajt jane kafshe fisnike , besnike ,shume afer njeriut dhe i sherbejne , jane kafshe inteligjente .

    Per kete arsye nuk duhen te theren kuajt nuk mund te besh nji xhiro me kal pastaj ta theresh , njisoj si nji qente , psh , nuk duhen ngrene pasi sherbejne ruajne shtepine .

  4. artcultcommunication Says:

    E the vete, problemi yt eshte “siperfaqesorja”. E perveç faktit qe shkrimi yt eshte mrekullisht i kuptueshem (cka sipas meje e ben akoma me te thelle…), nderlidhja e shume elementeve, situatave, informacioneve me njera tjetren eshte me te vertete e arrire…aq sa sic tha para-para folsja shkrimit i dilet ne fund, pasi te bren deri ne fund deshira per te ditur Cfare po ndodh?!
    kalimi nga nje fenomen te shkepur ne nje fenomen universal.
    Them se kuptohet qe artikulli me pelqeu. Urime. Mbetsh mire.

  5. Kela Says:

    Citoj paragrafin e parë te këtij shkrimi: “poulain = një kalë më i vogël se 12 muajsh. Nuk e mbaj mend se si thuhet në shqip”.

    Në shqip kali i vogel quhet mëz.

    “NUK E MBAJ MEND SE SI THUHET NË SHQIP” – mund te jetë titull i bukur (pervecse aktual) për një shkrim akoma më të gjatë… 🙂

  6. uninvit3d Says:

    Un propozoj te kthehemi ne Canibale miq te TC , keshtu te gjithe Pony-t shpetojne, e jemi me te qete.
    Mu kujtua nje histori me humor nga estetika e kalit,

    Nje fermer bleu nje kale, nje ekzemplar te shkelqyer!!!
    E pagoi shume shtrenjte, por pas nje muaji kali u semur.
    Keshtu fermeri, i deshperuar, thirri veterinerin:
    – C’te them… kali juaj ka nje virus, duhet te pije keto ilace per tre dite; pas dites se trete do vij ta kontrolloj: nese nuk do jete bere me mire, do na duhet ta vrasim!
    Derrkuci qe ishte aty afer e degjoi te gjithe biseden.
    Pas dites se pare me ilace, asgje nuk ndryshoi!
    Derrkuci iu afrua kalit dhe i tha:
    – Jepi mik, ngrihu ne kembe!
    Diten e dyte po njelloj, kali nuk po reagonte.
    – Jepi mik, ngrihu, ndryshe do te vdesesh! – e paralajmeroi derrkuci.
    Diten e trete ja dhane prape ilacet, por… asgje!
    Veterineri erdhi dhe tha :
    – Fatkeqesisht nuk kemi zgjidhje tjeter, duhet ta vrasim sepse ka virus dhe mund te infektoje kafshet e tjera!
    Derrkuci, si i degjoi keto fjale, vrapoi tek kali per ta paralajmeruar:
    – He pra mik, ka ardhur veterineri, jepi, o tani o kurre me! Shejt, ngrihu ne kembe!!!!
    Menjehere kali i dha vetes, u ngrit ne kembe dhe filloi te vrapoje!
    – Mrekulli!!! Duhet ta festojme – bertiti fermeri.
    – Hajt te bejme nje feste!
    THERRE DERRIN!

    Morali- Shiko punen tende, o derr. 😀

  7. yummania Says:

    me vjen mire qe kam pasur rastin ta lexoj qe me pare kete shkrim.me pelqen permbledhja e fundit.

  8. xhenius Says:

    shkrimi me pelqeu mjaft,tejet i shtjelluar, thjeshte,kuptueshem,i llogjikshem e ne fund te fundit,nqs do hidhi nje sy atij linkut 🙂

  9. Fausti i dreqit Says:

    Problemi i ngrenies s’eshte estetik e as moral.
    Fundja duhet te pranojme nje fare tasonomie ne procesin e mbijeteses se specieve dhe marrdhenien me te ushqyerit.
    Te gjithe natyralistet ishin te vetedijshem se ne natyre ekziston nje rreth vicioz e qe asnje specie nuk ishte e perjashtuar prej tij e as prej ekonomis se natyres e cila seleksionon dhe con perpara vazhdimesin.
    Une jam dakort te hahet mish kali ashtu sic krimbi ushqehet me mishin e te vdekurve. Ashtu sic ben nje kafshe qe ha insekte te demshme nese do shumoheshin.

  10. Rrezart Says:

    Kalit te vogel ne shqip i thone MËZ.
    Shkrimi i bukur.Pergezime.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: