Vrasja e Zenel Gjolekës

by

Zenel Gjoleka

nga L. Gërveshi

Lufta turko-malazeze

1852

Princ Danilo ishte sundimtari i parë laik i dinastisë së Petroviçëve (1851-1860). Me përkrahjen e Rusisë e shpalli veten Princ dhe Malin e Zi principatë. Bëri ndarjen e pushtetit fetar nga ai laik.

Gjatë sundimit të tij u tregua i papërkulur dhe enegjik, bëri shumë për të vënë bazat e institucioneve shtetërore, duke krijuar kështu themelet e shoqerisë civile e të shtetit. Riorganizoi ushtrinë, krijoi gardën, bëri një organizim të ri administrativ e territorial, shkriu Asamblenë e Përgjithshme Malazeze, modernizoi sistemin e taksave, e reformoi drejtësinë. Miratoi kodin e Mali të Zi në 1855, i cili njihet me emrin kodi i Princ Danilos. Politika e jashtme kishte për qëllim çlirimin e tokave malazeze, njohjen ndërkombëtare dhe zgjerimin e tokave në dëm të popullsisë shqiptare. Për të realizuar këto qëllime kërkoi përkrahjen e Rusisë deri më 1856, më pas u kthye nga Franca. Fitorja e Grahovacit (1858) tërhoqi vëmendjen e Fuqive të Mëdha dhe ndihmoi në caktimin e kufijve midis Turqisë dhe Malit të Zi. Kjo ishte një fitore ushtarake e vogël por nga pikëpamja diplomatike ishte një fitore e madhe, edhe pse Mali i Zi nuk njihej formalisht si shtet i pavarur, ulja në tavolinën e bisedimeve de facto nënkuptonte pavarësi. Princ Danilo u vra në Kotorr në 1860 si pasojë e një hakmarrjeje.

Mali i Zi ishte vasal i perandorisë osmane, kur Princ Danilo ndau detyrën e Princit nga ajo e Peshkopit (Vlladika) më 1851 dhe e bëri fronin të trashëgueshëm, pa marrë miratimin e Sulltanit, i tejkaloi kompetencat e tij, atëherë Porta e Lartë nisi në drejtim të tij një ushtri prej 40000 ushtarësh nën udhëheqjen e Omar Pasha Latas (1806-1871).

Bëri be sulltan Mexhiti,

Karadak’n e lanetisi,

dyzet mijë ushtarë ja nisi.

Po kush ishte Omer Pasha?

Ishte sllav serb ose kroat, emri i pagëzimit ishte Mihajlo Latas. Kish lindur në Janja Gora që bie në Kroacinë e sotme, në atë kohë bënte pjesë në Perandorinë Austriake. U edukua në Gospiç, më pas ndoqi një shkollë ushtarake në Zadar. Pasi mbaroi shkollën u dërgua në një regjiment kufiri. U arratis në Bosnjë në 1823 për t’u shpëtuar akuzave për korrupsion e trafiqe në kufi.

Pasi jetoi për një kohë në gjendje të keqe, iu ofrua të shërbente si tutor i fëmijëve të një tregtari turk, me kusht që të bëhej musliman. Aty përqafoi fenë islame duke lidhur pazgjidhmërisht fatin e tij me turqit. Ndryshimi i madh ndodhi kur u shpërngul në Stamboll, duke shfrytëzuar famën e tij si njohës i ushtrive perëndimore u caktua si lektor në Akademinë Ushtarake Turke. U caktua të shoqëronte gjeneral Çrzanovskin të cilit i ishte besur riorganizimi i ushtrisë turke pas shkatërrimit të jeniçerëve. Kjo gjë i hapi rrugën në shoqërinë osmane. U martua me një trashëgimtare të pasur, që nga ky moment karriera e tij do ecte në mënyrë të rrufeshme, deri në ministër i luftës në 1860.

Kishte kaligrafi shumë të bukur dhe e caktuan mësues të bukurshkrimit të trashëgimtarit turk Abdul Mexhid, kur ky i fundit hipi në fron, në 1839, e gradoi kolonel. U caktua guvernator i Libanit më 1842, u shqua në shtypjen e kryengritjes shqiptare në 1843, Kurdistan 1846 e Bosnjë në 1850, por fama e tij u shtua shumë në luftën më Rusinë duke shpartalluar një ushtri ruse me 40000 ushtarë në Krime. Në 1852 udhëhoqi trupat turke në luftë kundër Malit të Zi.

Pas shtypjes së kryengritjes së vitit 1847, një pjesë e krerëve të Labërisë u internua në Anadoll, një pjesë u vranë, kurse Zenel Gjoleka vetë u fsheh maleve. Ndenji në arrati rreth një vit.

Mbeti Gjolekë spanoi,

mbeti vet’ i dymbëdhjetë,

dimërin në mal e shkoi,

sa u mbush pylli me fletë.

U detyrua rë dorëzohej kur e kercënuan se do arrestonin gruan dhe djalin e vogël. Sulltani fali një varg krerësh të burgosur ose të internuar të kryengritjes, si dhe Zenel Gjolekën. Më 1849 kapedanit të Mirditës Bibë Doda iu dha titulli pashë dhe iu njoh e drejta që të merrte pjesë në luftë me një repart të vetin, të përbërë prej afër 10 mijë luftëtarësh. Si komandantë repartesh të çrregullta u njohën edhe feudalë të tjerë, të cilëve Porta u siguroi shpërblime e grada. Nga ana tjetër, në Shqipëri kishte filluar të shtohej gjithnjë e më shumë shqetësimi i shkaktuar nga synimet ekspansioniste të shteteve fqinje, i cili e kishte rritur gatishmërinë e popullsisë për të mbrojtur trojet e veta. Këtë rrethanë u përpoq me të gjitha mënyrat ta shfrytëzonte qeveria osmane për të nxitur urrejtjen e shqiptarëve kundër vendeve fqinje dhe për të siguruar një bashkëpunim sa më të ngushtë me ta. Një rast i tillë u paraqit më 1852, kur Turqia i shpalli luftë Malit të Zi, duke marrë shkas nga disa ndryshime në formën e shtetit që bëri princi i ri Danilo. Thirrjes së sulltanit për të marrë pjesë në luftë iu përgjigjën një varg krerësh feudalë dhe bajraktarë shqiptarë, midis tyre edhe Bibë Doda, Zenel Gjoleka etj., të cilët shkuan me repartet e tyre në ndihmë të ushtrisë osmane. Nën drejtimin e Zenel Gjolekës kanë shkuar në veri 2.000 forca kurveleshase, për të luftuar kundër shovinistëve malazez që trojet shqiptare të mos copëtoheshin prej trungut amtar.

Shqipëtarët u lëshuan,

se ish lufta në kufi,

nga të gjithë anët shkuan,

me Gjolekën në Mal të Zi.

Në krye të forcave të Labërisë ishin ata që kishin udhëhequr kryengritjen e madhe të 1847, Zenel Gjoleka, Hodo Nivica që ish kthyer nga internimi, Halim Toto, Gjikë Thanasi e Jani Ligori në krye të forcave të Himarës. Shqiptarët u angazhuan kryesisht për t’i mbrojtur tokat e tyre.

Në fakt lufta po fillonte për shkak të sulmit të Malit të Zi kundër Zhablakut dhe pushtimit të fortesës së tij. Pasi shtien në dorë fortesën e përmendur, malazezët vazhdojnë marshimin në drejtim të Zhablakut dhe atje i zbrapsin forcat lokale turke. Mirëpo, pas këtyre sukseseve të para malazeze, fillon të depërtojë në ato anë me sukses ushtria turke, kështu që Mali i Zi së shpejti u gjend në situatë të vështirë, para një sulmi të pandalshëm turk. Lufta u zgjerua më shumë nga krahu i malit Tarabosh, nga ky krah luftonin trimat e Labërisë, të udhëhequr nga Hodo Nivica:

Taraboshi brigje-brigje,

mal i sert pa farë shtigje,

iu qep Hodua një kurrizi,

nxorri pallën e llamurisi,

Karadak ç’e lanetisi.

Në këto luftime shqiptarët e Veriut luftuan krah për krah me toskët, në ndjekje të forcave malazeze.

Hodua me gjithë Gjolekë,

me trima toskë e gegë,

iu ngjitën malit përpjetë.

-Ik o Niko se të zunë,

brenda në Rekë t’u funë.

Reka me kulla të larta,

nga Çetinja dukej flaka.

Djemtë e Labërisë luftuan së bashku me luftëtarët e Shpuzës e të Podgoricës.

Podgorica me shpuzanë,

gjithë kapedanë janë,

luftojnë me karadanë.

I shkreti Hodo Nivicë,

bën dyfek në Podgoricë,

xhoken e shkretë ia grisnë,

plumbat në të skolisnë.

Forcat e Halim Totos e të Zenel Gjolekës i mposhtën forcat malazeze në krahinën e Piperit, por artileria i pengonte të shkonin më tutje. Në këto kushte lebërit u dëmtuan shumë, por u erdhi në ndihmë Hodo Nivica në krye të 2000 malësorëve.

Mbahu, mbahu Halim nuri

se vjen Hodo trim desturi,

me dymijë djem prej guri,

me dymijë malësorë,

gjithë me kordhë në dorë.

Në këto luftime, pas një lufte të përgjakshme, u shkatërruan topat e armiqve dhe topçinjtë u zunë robër.

Hodo trimi nur e nur

fora me këllëç destur,

në qafë te karaudhi,

topçinjtë të gjall’i zuri.

Në këto kushte armiku ndërroi taktikën, filloi të bënte prita, duke synuar vrasjen e krerëve. Në pritën e organzuar në Shkallën e Kërstiqit iu zu pusia Zenel Gjolekës.

Dërgon Vlladikë qafiri,

shkallën e Kërstiqit ziri,

vjen Gjoleka po t’i biri.

Në pusi të parë hyri,

ç’u ndez batare e tymi,

u tund vëndi nga rënkimi,

vuri hingëllimën çili.

Gjoleka nuk donte që koka e tij të binte në duart e armiqve, ndaj i lë porosi bashkëfshatarir të tij Shuaip Qyrdukut:

Shuaip në të kam djalë

mos më le në ta të gjallë,

hiqëma kokën me pallë.

Kështu vdiq trimi i Labërisë, në mbrojtje të tokave shqiptare,ashtu siç i kish hije.

Me karadaks ç’u therr,

sa rroi palla s’iu terr,

i erdhi vdekja me nder.

Dëshmi i idealit të tij:

As për mua as për ti,

po për gjithë Shqipëri.

Së bashku me Gjolekën u vranë edhe Gjikë Thanasi nga Qeparoi, e Jani Ligori nga Çorraj, Lesko e Besho Mingaj nga Bolena dhe plot e plot emra të tjerë me të cilët është mbushur arkiva e këtyre ngjarjeve. :

Bashkë me Gjikë Thanasnë,

me karadaks u vranë,

për të ruajtur vatanë.

Aty mbeti edhe trimi tjetër i Labërisë, Hodo Nivica, varri i tij gjendet në Shpuzë i rrethuar me kangjella hekuri.

Të enjten e të xhumanë,

Hodo trimi e dha xhanë,

hingëllin i shkreti kalë,

hingëllin e s’do të hajë,

njëzet veta dot s’e mbajnë.

Në këto beteja kanë rënë dëshmorë 800 luftëtarë lebër. Kështu u vranë trima e Labërisë, larg shtëpive e më afër Shqipërisë.

Por lufta nuk i solli ndonjë përfitim Stambollit. Ndonëse u sulmua edhe nga Shqipëria e nga Hercegovina, Mali i Zi, me ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha, doli nga lufta i padëmtuar. Përleshjet e përgjakshme në kufirin turko-malazez vijuan edhe pas luftës. Gjendja e shqiptarëve u keqësua dhe më shumë pas këtyre luftimeve, u shtuan taksat, u thirreshin djemtë nizamë, ishin vrarë shumica e atyre që udhëhoqën kryengritjen e madhe; Rrapo Hekali në 1847, Dervish Aliu në 1850, Zenel Gjoleka, Hodo Nivica, Gjikë Thanasi, Jani Ligori në 1852, Birbilenjtë në 1853, pak kishin mbetur gjallë e pa forcë për të luftuar kundër turkut, këtej e tutje do t’u duhej të luftonin edhe kundër fqinjëve.

Ndërsa në Labëri qajnë për Gjolekën:

O Zot dëgjova një fjalë.

-Kërkon mbreti nizamë!

Ngrehu edhe këtë rradhë,

të qitësh të shkretën pallë

të përpiqesh me pashanë,

ashtu siç keshe zananë!

Të shkretat-o këto vënde,

për ty e për pallën tënde!

As ngrehu, pse s’u përmënde?

O imzot, o kordhëshpata,

ç’u dëgjove ndë rigata!


Nëse artikulli ju pëlqen ndajeni me miqtë tuaj në Facebook

Tags: ,

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: