Ashpërsimi, kërkimi dhe ekstremizimi i klasës : as në qiell e as në tokë

by

Shqiptarë

nga Darien Levani

Ndoshta për të nisur ketë shkrim duhet të gjeja ndonjë shprehje të Konices, të gërmoja thellë nëpër veprat rreshtuar diku në biblioteke por për momentin 1-përtoj 2-Konica është abuzuar shumë kohët e fundit, e përtoj.

Ajo që s’duroj dot nëpër diskutimet e gazetave, televizorëve, (b)logjeve, mitingjeve, le të themi atyre-situatave-në-të-cilat-mblidhen-më-shumë-se-dy-njerëz është …(apo edhe një nëse është tepër ambicioz e karizmatik), është kërkimi i një ideologjie dhe detyrimisht, kërkimi i personave që do zbatojnë ketë ideologji e që do sjellin të gjithë një sistem më të mirë për të mirën tonë. Të gjithë rrahin dorën në zemër e qajnë fatet e atdheut, të gjithë bëjnë tatuazhe me shqiponja dykrerëshe e të gjitha kanë zgjedhjen e cila, ose është e dhunshme ose presupozon rrëzimin e një sistemi e rindërtimin e një tjetri, gjithmonë me dhunë. Ndryshimi midis atyre që e thonë hapur e midis atyre që vetëm e lënë të kuptohet qëndron, zakonisht, tek zgjimi i mëngjesit. Revolucioni zakonisht fillon kur kamerieri pyet “ Ça do pini?” e mbaron kur prapë kamerieri i shkretë thotë me zë pak të ndrojtur që duhet të ndërrojë turnin ( sepse ai punon, e punon vërtet )  e do bënin mirë sikur të paguanin ato kafet, e të gjithë kruajnë xhepat për të gjetur monedha e, ku i dihet, ndonjë ide të mrekullueshme që do përmirësoje jetën time, tënden, të atij sepse e bëjnë për të gjithë more zotëri.

Meqë, një ndër akuzat që do marr nga ata që njohin veten në këtë përshkrim, nga ata që njohin miqtë apo miqtë e miqve në këtë përshkrim, nga ata që duan të fitojnë pikë në sytë e të panjohurve e të bëhen miq me ta e nga ata që s’kanë kuptuar akoma se nga është Lindja e nga  është Perëndimi, është se në fund të fundit mund ta evitoje këtë shkrim sepse është e thjeshtë të kritikosh po hajde provoje vetë këtu si në ( rrahje gjoksi 3 X )  , nënvizoj që po shkruaj thjesht sepse vë re gjithmonë e me shumë një ashpërsim të “dialogut” i cili më shqetëson ashtu si më shqetësojnë rezultatet sterile të konferencës së Kopenhagen-it.

Në Shqipëri kemi kryesisht dy grupime shoqërore në këtë pike. Militantet ( ndarë në dy ose më shumë kampe, zakonisht ballë për ballë me njëri-tjetrin ) dhe të pavarurit që sipas rastit edhe mund të varen në një anë apo nga tjetra, por që sidoqoftë mundohen të mbajnë një fare asnjanësie. ( po përjashtoj komplet nga këto dy klasifikime zotin Lubonja që vazhdon të jetë i vetmi që, edhe ndërsa të tjerët çmenden e gjuajnë me shkelma, arrin të mbajë një intelekt të respektueshëm e të ofroje gjithmonë mendime, ide, sugjerime të denja për emrin që ka.

Duke lëne pra mënjane militantet ( nuk besoj se përtej emrit të tyre është e nevojshme të shtohet ndonjë tjetër koment ofendues ) me tremb gjithmonë e me shumë – tremb këtu përdoret në kuptimin e vërtetë, tremb ashtu si kur trembesh ndërsa sheh papritmas një gjarpër që po të hidhet apo sikur kur je në makinë me familjen tënde e një trap brënda një Benxi  të vjen përballë me 2345676543 kilometra në orë  – zhvillimi i popullit gri që mban, herë mirë e herë keq,  distancën nga Partitë edhe, gjithmonë e më shumë, mban distancën edhe nga sistemi demokratik (si koncept, jo si aplikim ).

Ndryshe nga sa mendoje, problemi i vërtetë, siç e kemi theksuar gjithmonë, tashme nuk është aq shumë mos-zhvillimi i një shoqërie/mendimi civil i aftë të analizojë e të shqyrtojë situatën, e detyrimisht të krijojë edhe një bazë të shëndetshme për të ndërtuar, por ekstremizmi i tij, fakti që ky nuk njeh më as sistemin në të cilin jeton dhe as veten e tij brenda këtij sistemi, dhe gjen zgjedhjen në teori të sëmura politike apo fetare. Ata të toksikuarit ideologjikisht që mundohen patjetër që realitetit tonë të hidhur ti aplikojnë teorira që nuk qëndrojnë as në qiell, as në toke e as në Rusi. Pra si një sëmundje që, ndryshe nga sa të pati thënë doktori*, jo vetëm të bezdis, por vazhdon të zhvillohet gjithmonë  e më keq, merr tatëposhtën siç thonë në ca pjesë të Shqipërisë.

Arsyet se pse ndodh kjo ( kriza e vlerave që jetohet në gjithë Evropën e detyrimisht edhe në atdhe, fakti që ai që na pati thëne se Demokracia do stabilizohet shpejt, jemi thjesht në fazë tranzicioni, gënjente, kërkimi i ndonjë pune të mirë në kampin kundërshtar, një ndriçim nacionalist qe u ka ardhur në mes të natës etj etj ) nuk janë aq të rëndësishme për momentin, e përfundimisht shumë të gjata për tu shpjeguar në këtë artikull, edhe për faktin që janë të gjitha të respektueshme e të vërteta. Tërheq vëmendjen ama fakti që në ndryshim nga fazat e tjera historike, kjo lëvizje nuk e ka zanafillën në atë grup njerëzish që do kishin të gjitha të drejtat ta fillonin si p.sh fshataret e mjerë, minatorët apo punëtoret e Ballshit, por fillon në ndonjë lokal të mirë  të Tiranes dhe i gjithë shtabi është i përqendruar pak a shumë të Blloku. Lind nga fëmijët e nga fëmijët e fëmijëve e mund të shuhet fare thjeshtë me ndonjë shpulle e me kërcënimin që do ngelen pa darkë. Duke qene se kjo nuk ndodh na ngelet vetëm të shikojmë se çfarë do ndodhi, se si do zhvillohet degjenerimi i mëtejshëm i shoqërisë shqiptare. E të kemi kujdes, mundësisht të gjithë.

Konica ndoshta sot do kishte thënë që Shqipëria është e paaftë të krijojë një lëvizje të vërtetë, qoftë edhe e diskutueshme si ajo që po ndodh në Greqi, Shqipëria arrin vetëm të krijojë klientë që ngrenë zërin me kamarierin ndërsa dikutojnë se si te përmiresojnë jetën e kamerierit, e këta njerë kur pine shumë e janë shumë,  mund të jenë të rrezikshëm ( e habiten se si kamarieri nuk i dashuron çmendurisht duke qënë se po punojnë për të, por gjejnë shpjegim tek fakti që kamarieri s’kupton, do jetë fshatar i shkreti).

______________________________________________

*para se dikujt ti shkoje diçka në mendje, fjala “doktor” këtu përdoret në kuptimin e saj origjinal. Sa për të bere edhe një shembull tjetër është njësoj sikur ashensori që ke marre e ke shtypur katin e 10, jo vetëm që nuk fillon të ngjitet, po zbret në ca kate të çuditshme që ti nuk njihje e në të cilët sheh krijese të çuditshme që nuk e dije që ekzistonin. Nëse as tani nuk e ke marre vesh duhet ta rilexosh përsëri duke u ndalur në çdo fjali.


Nëse artikulli ju pëlqen ndajeni me miqtë tuaj në Facebook

Tags: , , ,

2 Responses to “Ashpërsimi, kërkimi dhe ekstremizimi i klasës : as në qiell e as në tokë”

  1. a.b road Says:

    ske cfare i ben nje shoqeri e sistemi te tille.
    Me u mundu me cdo mjet te mundshem nuk behet gje, as kritika, as eksetremizimi i ndonje ideje, as ofendimet, as realiteti nuk ben efekt.

    Une e fus veten tek ato krijesat apo ” partiti anti – sistema” te republikes se pare Italiane e do doja te kishte dhe ne shqipri te tilla. Te pakten mbajn te ekuilibruar sistemi partiak.
    Per sa i perket kriticizmit intelektual ndaj sistemit, ske ca me then, jemi shume dobet.

  2. bubikacurrel Says:

    shum interesant shkrimi ,

    a.b jemi dobet me kriticizmin intelektual ndaj sistemit ?

    dhe nese do te ishim te forte ,cfare ndryshimi do kishte ,

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: