Një libër për t’u djegur

by

nga Artan Fuga

Me këtë libër krejt të veçantë, titulluar “Tregu i zeros”, Eljan Tanini vjen për herë të parë përpara lexuesit.

Kisha dëshirë të shkruaja disa fjalë për të jo vetëm për të vlerësuar autorin e ri që ka shkëlqyer në studimet e tija në filozofi dhe sociologji, por edhe forcën me të cilën ai merr në sy realitetin tonë të sotëm moral.

Vështrim krejt origjinal, të cilit nuk i mungon edhe një farë cinizmi.

Ka të drejtë Eljani që, duke u shfaqur si provokator, cinik, gërvishës dhe pa lule hipokrite, e vendos gishtin në plagët tona të korrupsionit, mosrespektimit të vlerave, humbjes së dashurisë për sho-shoqin, një egoizmi që i derdh valët e veta si cunam mbi familjen, institucionet, marrëdhëniet pronësore, shoqërinë.

Askush nuk pyet për hallin e tjetrit, por vetëm sheh interesin e tij në një krizë morale që u ngjan atyre të kohërave ku boshllëku etik nuk mund të plotësohej veçse me materializëm, rendje pas interesave personale, llupje pa fund ushqimesh për të shuar depresionin, limonti bisedash të kota.

Përse dikush sillet si prostitutë për të bërë karrierë? Prostituta është shumë më e ndershme se ajo, për shkak se fundja e kryen ndershmërisht profesionin e vet të vështirë.

Përse nuk di të plakesh bukur zotëri, por bie në degradim moral dhe një jetë jargavitëse, duke shtyrë thjesht si organizëm biologjik senil ditët e një jete që nuk vlen më aspak të jetohet?

Përse ky nëpunës që na shfaqet në libër nuk e ka në sy të mirën publike, por sheh majtas e djathtas si maçok në sezon ethesh seksuale ku e ku të bëjë sa më tepër parà nëpërmjet shitjes së kompetencave që i janë besuar të parit që i ofron ryshfet?

Të gjitha veset e kohëve që kalojmë parakalojnë në faqet e këtij libri të shkruar me një gjuhë – objekt sikurse të ishte përkthimi i frymëzimit të piktorit, dashuruar pas formave vizive dhe lojës së ngjyrave, në universin e fjalës. Rreshta telegrafikë që nuk të lodhin. Ndodhi fragmentare sikurse është jeta jonë urbane pa asnjë koherencë. Bodrume shpirtërore të ndriçuara me zgjuarsi dhe inteligjencë, mbushur me të pathëna. Të pathënat tona që janë shumë më të rëndësishme sesa ato që mbushin logore të vjellaprurëse të diarreve verbale në hapësirat publike.

Ka të drejtë të jetë cinik Eljan Tanini, sepse përndryshe askush nuk të dëgjon në këtë botë zhurmash të kota vesh-shurdhuese. Një libër që më ka lënë pa frymë në dëshirën e vet për autenticitet.

Librat zakonisht nuk e thonë të pathënshmen, atë që përmban sekretin e vërtetë të qytetit. Librat gënjejnë në nëntëdhjetë e nëntë për qind të rasteve. Sepse zbukurojnë. Gënjen shpesh poezia, gënjen proza si pa gjë të keq, gënjejnë shkrimet në gazetë, reportazhet, opinionet. Sepse zbukurojnë… Eljan Tanini ndjen se duke vendosur ta thotë të keqen hapur bën rolin e fëmijës së padjallëzuar që shpreh atë që thotë dhe thotë atë që sheh.

Duhet ndëshkuar ky fëmijë i keq!

Hajeni me kocka e mish sepse ai na turpëron të gjithëve!

Na ka nxirë faqen me naivitetin e tij që nuk është pafajësi, por një teknikë ndërtimi përfytyrimesh estetike plagosëse. I ngjan fëmijës që nuk ka turp t’i thotë në sy të të gjithëve të fshehtat e familjes së vet. Të fshehtat përvëluese, që sikurse thotë psikologjia e ndërveprimit psikologjik, i di vetëm fëmija, i huaji dhe shërbëtori i një shtëpie. Para tyre të rriturit shfaqen sikurse janë vërtetë mesë kujtojnë se ata nuk kuptojnë.

Fëmija sheh se vëllai i madh fsheh lekë të vjedhura poshtë dyshekut. Fëmija di se nëna e urren babanë e pasur.

Të huajit dikush i thotë se vendi ku ai ka ardhur për të bujtur është i mallkuar.

Shërbëtori e di se e zonja fut fshehurazi në shtrat Donzhuanin e lagjes, nën hundën e burrit që gërhit në apartamentin e tij në katin e dytë të vilës.

Të dobëtit janë të fortët.

Në mos realisht, së paku në informacionin që zotërojnë.

Eljani e ka hequr maskën e turpit të djalit të mirë, të sjellshëm dhe të respektuarit me më të rriturit. Ai na bërtet: “Përse na sakrifikoni me hipokrizinë tuaj?” Është akuza e fëmijëve ndaj prindërve. Do të vinte një ditë kur brezi i ri do të na thoshte: “Çfarë keni bërë kështu o njerëz? Keni djegur shtëpitë tuaja, keni kthyer spitalet tuaja në çmendina trupash të sëmurë, keni braktisur tokën, keni bërë pis dhe jetoni mes pisllëkut. Keni humbur butësinë njerëzore, sikur e egra ka nxjerrë kokë mbi gurmazet tuaja, keni lënë punën, nuk keni më asnjë lidhje me artin, teatrin, operën, romanin, poezinë. Vetëm të mblidhni parà doni, brenda një makthi gobsekian. Nuk e shihni varfërinë që lundron në çnjerëzi? Keni harruar të varfrin, të dobëtin, të sëmurin?”

Akuza e një brezi kundër një brezi paraardhës.

Tmerri i tmerreve.

Ky është testamenti që nuk e bën prindi për fëmijën, por fëmija për prindin. Akt-akuzë që duhet dëgjuar, lexuar. Është e para, por të tjera do të vijnë pas. Është një akt ndarjeje nga ne, i një të riu, i cili vuan nga hipokrizia e shoqërisë ku jeton dhe dëshiron ta përballë me cinizmin e talljes dhe të mosrespektit.

Duket se ka frymëzim niçean. E mira nuk është veçse e keqja e lyer me mjaltë. Është frymëzuar, them unë, edhe nga Migjeni që godiste të degraduarën atje në mjedisin urban, mu në mes të lagjes, bash te shtresat e mesme dhe të ulëta, sepse ato të lartat as nuk i merrte fare në konsideratë. Degradimi i të varfrit është faza e fundit e kataklizmës morale që e kërcënon çdo shoqëri.

Se çfarë ka një trishtim të madh në këtë libër më se të bukur, më se të vërtetë, më se të guximshëm, më se besnik me veten, më se emancipues!

Çdo i ri duhet ta lexojë si një manifest kritike morale kundër një bote brezash që nuk kanë ditur të ndërtojnë ende një moral autentik dhe të shëndoshë, pa gënjeshtra.

Se çfarë ka një trishtim që ta komunikon në forma brutale!

Nuk di të thotë “mirëmëngjes” në fillim dhe pastaj të thotë fjalët e tjera. Jo, jo, nuk ka kohë, as nuk ia vlen.

“Ti ke qenë një maskara në jetë xhaxha!”

“Ju silleni si një prostitutë zonjë e nderuar!”

“Ti je një vrasës i fshehur zotëri!”

“Nuk ka nevojë t’ju them “mirëmëngjes” në fillim. Po ju komunikoj direkt pretencën”.

Është prokuror dhe gjykatës i një bote që ka borxhe ndaj tij, ky libër i Taninit.

Fundja i kemi borxh çdo të riu jetën që i kemi falur. Nuk i kemi bërë një të mirë, i kemi hyrë në borxh. Secili prej tyre ka të drejtë të na thotë: “Kush ju tha more të uruar të na lindnit, për të na vërvitur në këtë lloj universi të pistë e plot gjëma që keni krijuar! Shikoni se çfarë i keni bërë detit, malit, pyllit, buzëve të lumenjve, ajrit ! Kush ju tha të na lindnit?”

Është një mërzi që do t’i kishte hije një të moshuari që pasi e ka gëlltitur pa fund gjellën e jetës, i është neveritur ajo dhe thotë se nuk i pëlqen më. I është velur. Por, Eljani është i ri.

Përse i kemi rritur para kohe të rinjtë tanë?

Faj i madh!

Fundja prodhimtaria intelektuale andej e merr energjinë, nga paradoksi, nga tensionet.

Është si një libër me prozë, herë ngjan si letërsi, herë si traktat etik, herë si akt-akuzë e një gjyqi robesperrian, herë si pamflet. Fundja është i vërtetë, janë përjetime njerëzore.

Thashë, është dinak Eljani, sikurse duhet të jetë pa dyshim dhelpër, jo elefant, dikush që komunikon me publikun. Bën sikur i hedh mendimet siç i vijnë, por jam bindur se kemi të bëjmë me një krijim të menduar thellë.

Është një vrasje me paramendim.

Një këshillë për lexuesin: Nëse është i ri, ta lexojë në fshehtësi këtë libër dhe ta përhapë te bashkëmoshatarët e tij. Nëse lexuesi është prind të përpiqet që ky libër të mos bjerë në dorë të fëmijëve të tij. Ku ta gjejë, ta blejë dhe menjëherë ta hedhë në ndonjë përrua, ta djegë në një autodafé duke kërcyer një valle dioniziake shtrigash dhe shtriganësh rrotull një zjarri të madh në ndonjë greminë të humbur. Atje janë, shkojnë çdo të shtunë, thonë se kalojnë fundjavën, por në fakt hedhin valle rreth zjarrit, duke ndëshkuar çdo të mirë që lind në qytet përgjatë një jave.

Është i rrezikshëm ky libër.

Digjeni këtë libër se ai thotë të vërtetën!

Blijeni – lexojeni dhe digjeni!

Faji i tij: Thotë të vërtetën në një botë ku të shumtët gënjejnë.

Pra, për rrjedhojë është ai që gënjen.

Autori të dënohet me ostracizëm.

Ta përzëmë nga qyteti sepse veç të tjerash çedukon rininë.

Unë e mbaj me kujdes mbi tavolinën time të punës.

Si akt pendese.

Si kujtesë për kërkesë faljeje në emër të brezit tim.

Si zile që të zgjon nga gjumi prej borgjezi të mesëm të një mesoburri.

Si fletë-thirrje për në gjyqin e fundit që mos kujtoni se është thjesht një marrëzi. Ai do të vijë një ditë.

Si një copëz letre ku ke shkruar gjërat e ditës që nuk duhen harruar.

Me dashuri dhe shpresë tek Eljani… Dhe tek të tjerë të këtij kallëpi që i shoh se po rriten në sytë tanë, dhe ne s’i shohim, e që na shohin me plotë të drejtë me qesëndi. Si mbeturina të një kohe që perëndon

Tags: , , ,

2 Responses to “Një libër për t’u djegur”

  1. pipsi Says:

    Ska me dashuri ,ska dhembshuri per njeri tjetrin .

    Pervec se euro dollar nuk ka vlera apo ideale ne te cilat ne besojm .
    Vetem biseda boshe qe sperfundojne kurre , shoke qe ne cdo fillm fjalie pas cdo presje vendosin fjalen une ze te lart apo qeshin para se te futen ne pub kujtojn te kaluaren ,
    ( ha ha e mband mend para nji viti kur une isha aq tape sa volla nga dritarja edhe komshiu mori ne tel policine se po beja zhurm ha ha ha )

    Vetem gjera qe mund te blesh ne qendra tregtare jane te rendesishme ,

  2. Erion.S Says:

    Me pelqeu shkrimi. Ne nje bote pa ndjenja mund te dukesh si debil kur dashuron njerezit dhe jeten. Koha, do te thote fjalen e saj per kete.

    P.S
    Admin, po te deshironi ju ftoj te botoni kete shkrimin tim.
    http://erisel10.blogspot.com/2009/11/poshtersia-nuk-fiton-kurre.html

    Gjithsesi faleminderit!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: