Rrapo Hekali dhe kryengrija e Mallakastrës e vitit 1847

by

nga L.Gërveshi

Porta e Lartë vendosi të reformonte shtetin duke shpallur Tanzimatin.Për ti bërë ballë zbatimit te reformave, që godiste interesat e tyre krerët e Shqipërise se Jugut u mblodhën në qershor te vitit 1847 në Mesaplik të Vlorës. Ketu u formua besëlidhja e përfaqësuesve të Shqipërisë së Jugut që u quajt “Lidhja Kombëtare Shqiptare”. Kjo organizatë mori vendime me karakter politike. Nga Lidhja doli Komiteti i kryengritjes me në krye Zenel Gjolekën. Ky komitet caktoi në këtë kuvend drejtimet e kryengritjes dhe frontet e luftimeve. Organizimin e kryengritjes në krahinën e Mallakastrës e mori përsipër Rrapo Hekali.

Gjolekën vunë të parë

të dytë Rrapo Hekalë.

Emri i vërtetë i Rrapo Hekalit ishte Rrapo Hasani. Ai rridhte nga një familje me origjinë nga fshati Hekal. Pasi shërbeu për një kohë të gjatë si ushtarak në ushtrinë turke në Arabi, Rrapua bëri karrierë ushtarake duke u graduar oficer, ku grumbulloi një farë pasurie. Me këto para ku u kthye në atdhe dhe bleu një çiflig ne Levan (Fier). Në fillimet e Tanzimatit Rrapo Hekali u pozicionua si kundërshtar i tij. Fillimi i rekrutimit ushtarak dhe taksa e xhelepit, bëri që në maj te vitit 1847 te shpërthente kryengritja antiturke, ku ai luajti një nga rolet kryesore. Gjatë zhvillimit të saj Rrapua thirri kuvendin e quajtur Besëlidhja e Sinjës, në të cilën mori pjese paria e Mallakastrës dhe krahinës së lumit të Vlorës.

Në Sinjë u mblodh ordhia

seç u mblodhë pleqësia.

Pleqtë e Kuçit gjithë vanë

u mbush Sinja me nizamë

topat rrebeshirë vanë.

Këtu komanda qendrore iu caktua Rrapo Hekalit, i cili do të drejtonte formacionet e kryengritjes. Pas kësaj mbledhjeje Rrapua shkoi në fshatin e lindjes në Hekal dhe aty mblodhi popullin e fshatrave Aranitas, Klos, Kalenjë, Cakran. Kjo mbledhje u pasua nga ajo e Povlës ku u bë bashkimi i luftëtareve te Mallakastrës, Myzeqesë dhe lumit te Vlorës. Autoritetet turke të Beratit vendosen që në kushtet e zgjerimit të kryengritjes ta shtypnin atë, duke dërguar trupat e tyre drejt Mallakastrës së Sipërme, ku ndodhej qendra e lëvizjes.

Në fillim të zbatimit të reformave autoritetet turke organizuan një mbledhje në Berat me gjithë parinë e krahinës së Mallakastrës,Vlorës e Labërise, me synimin per ti bindur ata që të pranonin reformat e tanzimatit te shpallura me aq bujë nga Sulltani .
Por ndryshe nga sa kishin parashikuar autoritetet turke, krerët e kazasë së Mallakastrës, Vlorës dhe Labërise jo vetëm që nuk i pranuan reformat e tanzimatit, por e paralajmëruan bimbashin që të mos tentonte, të dërgonte njeri për të mbledhur taksat dhe detyrimet si dhe nizamë në këto krahina. Në këtë kuvend morën pjesë Kapedanët Rrapo Hekali, Sulo Zeneli, Dervish Aliu, Tartar Memush Ruka, Hajder Kanina, Zenel Xhafoja, Orhan Bardhaj, Lulo Duraj dhe shumë agallarë të tjerë të Mallakastrës dhe të lumit të Vlorës, të cilët në përfundim të mbledhjes e paralajmëruan edhe një herë Bejleret dhe turqit që të mos shkelnin në këto krahina. Me gjithë paralajmërimin në mbledhjen e Beratit, administrate turke dergone ne Greshicë një taksambledhës të quajtur Latif Salanji me dy zaptije (ushtarë) , të cilët u vranë në Greshicë.

Xhelepe e tymjake s’ka

është vendi fukara

jetojmë me lakëra

katër shtëpi me një ka.

Pas vrasjes në Greshicë turqit organizuan një operacion të gjerë me dy taborrë të armatosur deri në dhëmbë me armët më moderne te kohes, topa, Havana, karabina të reja me bajoneta, me kavaleri dhe këmbësori të rregullt, të stervitur për luftë sipas modeleve të fundit të ushtrive europiane. Si e kaloi urën e Goricës në Berat ushtria turke , lajmi u përhap në gjithë zonën duke kaluar gojë më gojë e fshat më fshat se turqit ishin nisur në drejtim të Mallakastrës. Në krye të kësaj ushtrie ishin bejlerët Vrionas.

Isuf be o Isuf be

nga Berati kur dolle

me topa me xhepane

me të zezën kabine

dolle në Sinj’e pyete

-Mallakastra ku bie?

Rrapo Hekali ku je?

Në qafën e Sinjës ushtria turke u nda në dy pjesë, një pjesë për në Aranitas dhe pjesa tjetër në drejtim te Greshicës. Greshiciotët pasi u lajmëruan për mbërritjen e ushtrisë turke morën masa për boshatisjen e fshatit sidomos nga hyrja e Goricës prej nga vinte ushtria turke. Në të njëjtën kohë komandanti Sulo Zeneli bëri organizimin e cetës së Greshicës dhe ndau detyrat, për të gjithë luftëtarët të cilët me gjithëse të armatosur keq, deri edhe me cfurqe e sopata, ishin të vendosur per të luftuar deri në pikën e fundit të gjakut, për të mbrojtur vendin. Ndërkohe populli i Greshicës dërgoi një përfaqësi në komandën e ushtrisë turke, të kryesuar nga Sheh Hyseni, për të marrë vesh misionin e tyre. Bisedimet u zhvilluan në një klimë shumë të acaruar dhe krerët e ushtrisë turke i kërcënuan Greshiciotët se do te marrin për cdo shtëpi nga një dash dhe nga një vashë. Në këtë kohë sheh Hyseni ju përgjigj me ironi : “Po në mëngjes do ti keni gati këto që kërkoni” dhe ikën.

Isuf be, o Isuf be

na Berati kur dolle

me topa me xhephane

në Greshicë ardhe e re

kërkoje çupa meze.

Ndeshja kryesore midis forcave osmane të drejtuar nga komandanti i tyre Hysen Pashë Vrioni dhe kryengritësve të drejtuar nga Rrapo Hekali, u bë në korrik 1847 në fshatin Greshicë. Pozicionet midis dy forcave kundërshtuese kalonin në një front prej 3.5 km. Forcat osmane kishin një efektiv prej 2400 ushtarësh, kurse forcat e kryengritësve arrinin ne 800 veta. Luftimet në Greshicë zgjatën 3 ditë e 3 netë dhe përfunduan me thyerjen e ushtrisë turke.

Moj Greshica maja maja

të rreh topi e kumbaraja.

Moj Greshica gropa-gropa

hëngre teqind e ca koka.

Komandanti Sulo Zeneli, pas ditës së parë të luftimeve kishte marrë masa për të njoftuar krerët e kazasë së Vlorës si dhe të gjitha çetat e Mallakastrës.
Në ditën e dytë të luftimeve erdhën cetat e Mallakastrës drejtimin e të cilave e merr kapedan Rrapo Hekali dhe çetat e lumit të Vlorës të drejtuar nga kapedanet Dervish Aliu, Tartar Memushi, Dule Zoto, Hajder Kanina etj. Poeti popullor për ta përjetësuar këtë ngjarje dhe per të vlerësuar pjesëmarrjen e luftëtarëve të Vlorës ka kënduar

Del o lumi i Vlorës–o

Del, se do dalim–o

Të mëdhenjë të vegjël-o

Të pjekur në Povel-o

kemi punë me Vrion-o

na kërkon xhelepet-o

tym e havajetet-o.

Çeta e Smokthinës e drejtuar nga kapedanët Tartar Memush Ruka e Dule Zoto zunë pozicionet, në pjesën jug lindore te Greshicës dhe zhvilluan luftime ku ishte vendosur një pjesë e shtabit te ushtrisë turke. Në këtë përpjekje u vranë shumë ushtarë turq, u vranë edhe 60 djem smokthiniotë. Çeta e Dukatit mori drejtimin për nga ana veri perëndimore e Greshicës, kurse në qender lufton ceta e Greshicës dhe ato të Mallakastrës. Ushtria turke po shpartallohej pjesë pjesë. Çetës së Çorrushit të komanduar nga Muhamet Hodua ju dha detyra që të mbyllte rrugëkalimin Greshicë-Aranitas- Sinjë – Berat ne Qafën e Veshave. Në këto kushte ushtria turke me Isuf Vrionin, mbeti e rrethuar dhe në mëshirën e plumbave dhe jataganëve të luftëtarëve Mallakastriotë e lebër. Beteja më e madhe u zhvillua në qendër të fshatit, pranë shtëpisë së komandatit Sulo Zeneli. Por humbje te shumta pati edhe nga forcat kryengritese, sipas gojedhenave thuhet se nga forcat kryengritëse ranë në fushën e betejës rreth 300 luftëtarë.

Juve gratë nga Greshica

bëfshi djemëna përdita.

O moj Mallakastr’e mjerë

ç’u vratë nga dy për derë.

Shtabi i kryengritjes vendosi që varrimi i luftëtarëve që ranë në këtë betejë, të bëhej në vendin më të përgjakur, tek kodra e Mucajve, në afërsi të shtëpise së komandantit të çetës së Greshicës Sulo Zenelit. Që nga ajo kohë, ndoshta edhe në shenjë respekti e kujtimi për ata trima që falën jetën në luftë kundër pushtuesve turq kjo kodër e bukur në qendër të Greshicës, nga ku mund te shohësh gjithë Mallakastrën, por edhe malet e Labërisë së Vlorës, dhe detin u quajt “Varret e Lebërve”.

Pas luftimeve te ashpëra dhe të pa barabartë, forcat kryengritëse arriten të kapin të gjallë Isuf Vrionin bashkë me dy kushërinjtë e tij Lamce e Sulçe benë të cilët pasi i gjykuan në qafë të Sinjës edhe i ekzekutuan. Sic edhe thuhet aktin e ekzekutimit e kane bërë Sulo Zeneli nga Greshica dhe Tartar Memushi nga Smokthina.

Doli Rrapua në Sinjë

-Prim’o Isuf beu primë

në të zënça s’ke të mirë

gjakun të kam për të pirë

me vete ta kam qefinë.

Isuf beu e Lamçe beu

Tartar Memushi i preu.

Tartar Memushi Smokthinë

preu bejlerët në Sinjë.

Pas këtij suksesi kryengritesit ju drejtuan Beratit, të cilin e pushtuan në 1 Gusht 1847. Kjo ishte një tjetër arritje e rëndësishme e kësaj lëvizjeje popullore, më e suksesshmja ngjarje e kryengritjes se Shqipërise së Jugut kundër Tanzimatit. E shqetesuar për përpjestimet e luftimeve, Porta e Larte mori masa emergjente, duke dërguar kundër kryengritësve te Rrapo Hekalit, Serasqerin e Rumelisë Derbihor Reshit Pashën. Ai u nis nga Manastiri në krye të 15 000 ushtarëve te inkuadruar në 7 divizione, dhe të paisur me artileri të lehtë malore.

Tre pashallarë e myzhyri

u ngrenë nga Manastiri

përposh Beratit i ryri

kumandar ishte Veziri

bymbash Sulejman Tahiri

Hysen pashë myzeviri.

Pas luftimeve te pabarabarta kryengritësit e braktisën qytetin e Beratit dhe u shpërndane për të vazhduar qëndresën të organizuar në çeta. U shquan trimat e Dukatit nën udhëheqjen e Dervish Aliut, Zenel Xhafua, Orhan Bardhua etj.

Tunde Zenel Xhafua tunde

topi bam e ti po tutje

të shkojnë plumbat mbi supe

hipur në mushkë të kuqe

vetëtin palla me lule.

Tunde xha Zeneli tunde

ç’e zure Qishën e kuqe

Kjo kryengritje dështoi si pasojë e tradhëtise së brendeshme të disa bejlereve. Lufta u ndërpre për disa ditë. Kështu u dha kohë turqve të organizoheshin dhe të mbylleshin në kalanë e Beratit.

Ah moj dhelpëra e Marsit-a

Shaban Peshtani qerrata

shokët tanë i tradhtove

me bejlerët u bashkove.

Shaban Peshtani duhej të përballej i pari me forcat turke që vini nga Manastiri, por nga frika e numrit të tyre rë madh u hodh nga krahu i turqve, kjo këngë e përbuz atë që bëri.

Me shtypjen përfundimtare të kryengritjes së vitit 1847 në Shqipërinë e Jugut autoritetet turke mundën të arrestonin Rrapo Hekalin. Pasi e burgosën në burgun e Manastirit atë e ekzekutuan mesnatën e 30 Dhjetorit 1847. Versioni zyrtar për vdekjen e tij ishte se ajo u shkaktua nga sëmundja e tifos, por populli thotë që e helmuan.

Pas shtypjes së kryengritjes ushtria turke bëri raprezalje te rënda në Mallakastër, duke djegur fshatra te tillë si: Greshica, Klosi dhe Fratari.

Dolli marsi e hyri prilli

s’këndon qyqja e as bilbili

Rrapon e ngriti veziri

e shpuri nga Manastiri.

As e vrau e as e farkoi

veç me helm e helmoi.

-Rrapo Hekali ku je?

Keq për ty e keq për ne

na mbeti vendi raje!

Tags: , ,

6 Responses to “Rrapo Hekali dhe kryengrija e Mallakastrës e vitit 1847”

  1. Last man on earth Says:

    E lexova tani me ne fund me shume kujdes dhe po, eshte e jashtezakonshme, jua keshilloj te gjitheve

    Vetem se duhet integruar edhe me kenget per te cilat flitet

  2. ana maria Says:

    uffffffffff paksa boring……

  3. klevi Says:

    sapo e lexova dhe ky tregim me pergatiti per oren e ardhshme te mesimit … JU FALENDEROJ PER KETE PUNE TE MIRE qe keni bere !!!! me keni dhene ndihme ne momentin e duhur !!!!

  4. tetovarja Says:

    mos e nencmoni se eshte shum i mir ai…..?

  5. boris Says:

    mund te me dergoni nje ese per ”Rrapo Hekalin”

  6. Mirel Says:

    Jam Krenar Qe Jam Greshiciot.. Dhe mbi te gjitha jam me krenar qe vij nga Familje e Sulo Zenel Greshices…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: