Rosalie Prudent

by

Guy de Maupassant

Perktheu nga italishtja: Arber Arapi!

Në atë mesele padyshim që diçka fshihej, që as gjykatësit dhe as vetë prokuratori i Republikës nuk dinin t’i jepnin shpjegim.

Vajza e quajtur Prudent (Rosalie), shërbyesja e bashkëshortëve Varambot, nga Nantes, kish mbetur shtatzënë pa dijeninë e padronëve dhe kishte lindur gjatë natës në dhomën e saj, sipër, në papafingo, e më pas kishte vrarë dhe varrosur të sapolindurin në oborr.

Pra, e njëjta histori si ajo e të gjithë fëmijë-vrasjeve prej shërbyesve. Por gjithsesi akoma një gjë mbetej e pashpjegueshme: nga kontrollimi i bërë në dhomën e Prudent ishin gjetur disa rroba për të sapolindur, të cilat i kishte bër vetë Rosalie me duart e saj; në tre muaj kish kaluar netë të tëra për t’i prerë e për t’i qepur. Kjo vërtetohej nga shitësi i dyqanit, nga i cili, për atë punë të gjatë ajo kishte blerë qirinjtë, që me mund i pat paguar me ato pak kursime që kish arritur të bënte. Fakti tjetër ishte se mamija e vendit, e informuar nga vetë ajo për gjendjen në të cilën ndodhej, i kishte dhënë të gjitha udhëzimet e të gjitha këshillat praktike në rast se lindja, për ndonjë arsye ose për ndonjë tjetër, do të kishte ndodhur në një çast ku çdo ndihmë do të ishte e kotë, e pamundur. Mamija kishte kërkuar gjithashtu për Prudent një vend në Poissy, e cila e merrte me mend që do pushohej nga puna, sepse siç dihej fare mirë në çështje morali bashkëshortët Varambot ishin shumë të prerë.

Dhe ja ku paraqiteshin tashmë në Assise, ai e ajo, pronarë të vegjël province, në një gjendje dëshpërimi, kundër asaj të paturpshmes e cila kish njollosur vatrën e tyre. Dëshironin dhe mezi prisnin ta shihnin menjëherë në gijotinë, pa kurrfarë proçesi, dhe përpiqeshin si e si ta shtypnin me dëshmitë e tyre plot mllef, dëshmi të cilat thënë nga ata do të ishin një padi e paluajtshme.

Mbartësja e fajit, një perì vajzë nga Normandia e poshtme, me një shkollim të mjaftueshëm për pozicionin e saj, qante pa pushim dhe nuk kthente kurrfarë përgjigje. S’mbetej tjetër veçse të besoje se kishte kryer aktin barbar në një moment dëshpërimi dhe çmendurie, duke parë se nga faktet e dhëna ajo donte sigurisht të rriste fëmijën. Gjykatësi e nxiti dhe një herë të flasë, të zbrazej, ta pranonte fajin, dhe, pas shumë tentativave, i bëri të ditur që i tërë grupi gjykatës nuk dëshironte kurrsesi vdekjen e saj dhe në zemër të tyre, të tërë gjykatësit provonin një mëshirë therëse për të.

Dhe më në fund mori vendimin të flasë.

– Të shohim atëherë – filloi ta pyesë gjykatësi, -na thoni para së gjithash: kush është i jati i fëmijës?

Deri në ato momente ajo e kishte mbajtur të fshehur atësinë e fëmijës me ngulm. Po sa hap e mbyll sytë u pergjigj, duke i hedhur shikime mospërfilljeje padroneve, që deri pak çaste më parë e kishin akuzuar me një tërbim të papërmbajtshëm.

– Është djaloshi Zhozef, nipi i zotit Varambot.

Burrë e grua diç pëshpëritën mes tyre dhe thirrën njëzëri:

– Shpifje! gënjen! Kërkon te na çnderojë!

Gjykatësi ia bëri me shenjë të pushonin dhe vazhdoi:

– Vazhdoni zonjushë, ju lutem, e na thoni si ndodhi.

Atëherë, me një vrazhdësi që e kaplonte të tërën, ajo filloi të flasë, duke shkarkuar nga zemër e ndrydhur, nga zemër e vetmuar dhe e shkretë, nga ajo zemër e munduar dhe e copëtuar nga mijëra pjesë, të tërë afshin e vuajtjes që mbante përbrenda, përpara asaj parie burrash të egër që deri më atëherë i ishin dukur si armiq të përbetuar.

– Po, ishte djaloshi Zhozef Varambot, kur erdhi me leje, vitin e kaluar.

– Me ç’merret djaloshi Zhozef Varambot? – pyeti gjykatësi.

– Është nëntoger artiljerie, zoti gjykatës. Ai, kur erdhi, qëndroi në shtëpi për plot dy muaj, në muajt e verës. Unë as që e kisha çuar ndonjëherë ndërmend që të mendoja për të, po ja kur nisi e filloi të më hedhë shikime të ëmbla, e më pas filloi dhe me komplimente, e më pas akoma duke më bërë ledhe, në ato ditë vere që dukeshin të pambarimta. Unë i shkova pas, zotëri. Rrinte e rrinte dhe më thonte se isha një vajzë e bukur, që isha tërheqëse, që i pëlqeja tej mase… Të them të drejtën, edhe mua më pëlqente, natyrisht… E pse më shikoni ashtu? Janë këto, gjëra që një vajzë i dëgjon, kur është fillikat e vetme… krejtësisht e vetme… ashtu siç jam unë. Jam e vetme në këtë botë, zotëri… nuk kam askënd me kë të flas, askërkënd kujt t’i hapem, kujt t’i tregoj mërzitë e mia… nuk kam as nënë e as baba, dhe as motër e as vëlla, askënd! Dhe, kur ai filloi të më flasë, ishte për mua tamam si një vëlla që sapo ishte kthyer. Por një darkë, më propozoi të zbrisnim përgjatë bregut të lumit, pa bërë zhurmë, të shkëmbenim disa fjalë. Fillova t’i shkoj pas… dhe më vonë… më vonë… e ku di unë? Më vuri dorën rreth belit… ajri ish i ëmbël… nën dritën e hënës… nuk munda, jo… ju betohem…bëra gjithçka ishte në dëshirën e tij. E gjithë kjo aventurë zgjati përreth tre javë, deri sa u nis… Do doja t’i shkoja pas gjer në fund të botës… iku… E ku ta dija unë zeza që mbeta shtatzënë! E kuptova pas plot një muaji.

Me të thënë këto fjalë…e ja ku lotët rrëke, dënesat ja përfshinë fytyrën. Gjykatësit e lanë të zbrazej gjersa e mori disi veten.

Më pas gjykatësi filloi të flasë ashtu si prifti i flet një rrëfimtari:

– Vazhdoni, ju lutem.

Dhe me lot ndër sy, ia nisi: Kur e kuptova që isha shtatzënë, i thashë zonjës Boudin, mamijes, e cila ndodhet këtu mes nesh e mund të dëshmojë; i kërkova këshilla se ç’duhet të bëja nëse do më duhej të lindja në të tilla rrethana ku ajo s’do kish mundësi të më ndihte. Fillova të përgatis rrobat e bebushit, natë pas nate, herë pas here nga një orë në ditë; kërkova dhe një vend tjetër punësimi, sepse e dija si buka që ha se burrë e grua do më flakërinin jashtë; por me çdo kusht doja të rrija në këtë shtëpi, të kurseja lekët, duke e parë që jam trokë, por që do të më duheshin sigurisht edhe për bebin…

– Domethënë s’kishit ndërmend ta vrisnit?

– Oh! kurrsesi, zoti gjykatës.

– Po atëherë, pse e vratë?

– Ja se si rrodhën ngjarjet: gjithçka ndodhi tepër papritmas, ndodhesha në kuzhinë kur më zunë dhimbjet, ndërsa po mbaroja së lari pjatat. Zoti Varambot me të shoqen flinin; dhe atëherë unë mjera hipi me mund të madh duke u mbështetur në parmakët, dhe me frymë ndër dhëmbë shtrihem perdhé, për të mos njollosur krevatin. Mbase zgjati një orë, ndoshta dy, apo ndoshta tre: s’mund ta di, dhimbjet më kishin plandosur; dhe nis të shtyjë jashtë me gjithë forcat e mia, e ndieva qe po dilte, dhe e mbajta në duar.

“Oh! shenjtërorja ndienjë nëne, ç’lumturi ma përshkoi trupin! Bëra gjithçka më kishte porositur zonja Boudin, gjithçka, gjithçka! dhe më pas, atë, e vura në krevatin tim! Dhe ja ku dhimbjet më rikthehen përsëri, dhimbje vdekjeprurëse. Sikur veç pak të imagjinoni se ç’dhimbje ma përshkonin trupin, do të ma kishit qarë hallin! M’u desh të ulesha në gjunjë e të mbështetesha me shpinë, aty për tokë; dhe ja ku një tjetër krijesë më shfaqet para syve, një tjetër bebush… u bënë dy… po, dy…tamam kështu! E mora ashtu si dhe të parin dhe e vura në krevat… ashtu të dy, njëri pranë tjetrit. Do thoni ju: vërtetë dy fëmijë? Me njëzet franga në muaj! A s’më thoni, a është e mundur? Njëri po, është e mundur, duke rrudhur dorën e tharë buzën, por… dy, jo! Ndjeva kokën që më dhimbte. E ku di unë? Hë, më thoni, a kisha mundësi zgjidhjeje?

“E ku di unë? E ndieva veten të copëtuar! Kapa jastëkun, dhe ia mbulova trupat e njomë, fytyrën engjëllore, pa dijeni… Assesi nuk mund t’i mbaja dy… dhe më pas iu ula sipër. Dhe mbeta ashtu, duke qarë e u dënesur gjer në agim, ngjyrën e të cilit e pashë të hynte nga dritarja; në krevat ata, të dy të vdekur, nën jastëk. I mora atëherë nën sqetull, zbrita shkallët, dola në bahçe, mora belin e kopshtarit, i varrosa nën dhé, sa më thellë që munda, njërin këtu, njërin atje, jo bashkë, që gojë e tyre të mos flasë për nënën…, se vogëlushët nën dhé varrosur janë në gjendje të flasin…,  e ku di unë?

” Dhe pak çaste më vonë, ja ku ndodhem përsëri në krevat, isha aq keq dhe e sfinitur saqë

s’mundja as dhe të ngrihesha. Thirrën mjekun i cili menjëherë kuptoi gjithçka. Kjo është krejt e

vërteta, zoti gjykatës. Jeni të lirë të më bëni ç’të doni, jam gati”. Gjysma e gjykatësve filloi të psherëtijë thellë, një luftë për të ndaluar lotët. Nga publiku u dëgjuan dënesat e disa grave.

Gjykatësi vazhdoi pyetësorin:

– Ku e keni varrosur tjetrin?

Ajo pyeti:

– Cilin nga të dy keni gjetur?

– Atë… atë… atë që ishte në mes të shkurreve.

Ah, po! tjetri është varrosur mes luleshtrydheve, afër pusit.

Dhe ja shkrepi një det lotësh kaq të fortë, saqë rënkimet e saj të coptonin zemrën.

Vajza Rosalia Prudent u shpall e pafajshme..!

Tags: , , , ,

One Response to “Rosalie Prudent”

  1. martian child Says:

    who the fuck is PROKURATORI?!?!
    aty e lashë, s’ kisha shtysë për të vazhduar😦

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: