Kryengritja e vitit 1833

by

nga dr L.Gërveshi

Në fillim të viteve ’30 të shekullit të XIX qeveria turke ndërmori një sërë masash për forcimin e pushtetit qëndror. Reforma ushtarake dhe përqëndrimi i pushtetit lokal në duart e nëpunësve turq ishin nga themelet e kësaj reforme. Edhe në truallin e Shqipërisë u zbatuan këto reforma duke ngjallur pakënaqësinë në popull. Në jug të vendit në pranverë të vitit 1833 filluan trazirat e para. Në krye të kryengritjes u vunë Tafil Buzi, Zenel Gjoleka, Balil Nezha, Çobo Golemi, Çelo Picari. U çlirua qyteti i Tepelenës, në Gjirokastër u eleminuan të dërguarit e Portës së Lartë. Emin Pasha që ishte vali në Janinë, nisi trupat në drejtim të Gjirokastres. Sa morën vesh që trupat u nisën, lebërit nga ana e tyre u nisën në drejtim të Janinës. U përplasën me forcat turke në afërsi të fshatrave Kakavije, Peshkëpi, Kserovalt, Guver.

Shumica e kryengritësve u vendos në qafën e Peshkëpisë, nën udhëheqjen e Balil Nezhës.

Kuç, Kallarat e Bolenë

gjithë me Balilë u ngrenë

në lumë e zunë dyfenë

mandata derë më derë.

Balil Nezha ishte nga Nivica, një nga krerët e Labërisë, kishte eksperiencë në luftë, i njohur për trimërinë e tij e i respektuar nga të gjithë. U vu vetë në krye të forcave duke u shquar në këto luftime.

Te hani në Kserovaltë

Balil-o, Balil o dritë

e bëre sulmin e parë.

Topçinjtë me top ta dhanë

flaka të mori fustanë.


Luftimet ishin të ashpra, Balili përjetësohet në këngë:


Në qafë të Peshkëpisë

Balil-o, Balil nuri

lufton i bir’i Xhixhisë

me të bir e Rumelisë.

O Balil jelek me koqe

me nizamët u përpoqe

tre barrë fishek i dogje.


Në këto vargje me një thjeshtësi çarmatosëse, populli përshkruan këtë luftë:


lufton i bir’i Xhixhisë

me të bir e Rumelisë.


Nga njëra anë populli i thjeshtë, i biri i Xhixhisë, Balili që mund të ishte kushdo nga Labëria ku nënat shpesh për respekt thirren Xhixhi, nga ana tjetër i biri i Rumelisë, Emin Pasha, i biri i Mehmet Reshit Pashës që ishte qeveritari i përgjithshëm i Rumelisë (Turqia Evropiane). Populli i thjeshtë me me një perandori.

Në qafë të Peshkëpisë

lufton i bir’i Xhixhisë

me taborrë të Turqisë

për lirinë e Shqipërisë

të mori plumbi në sisë.

I biri i Xhixhisë luftonte për lirinë e Shqipërisë, u plagos por nuk e lëshoi armët nga dora. Kënga thotë:

Balil fermele me zogje

me nizamë ç’u përpoqe

sa u zhurite, u dogje.

-O Balil ç’i bëre lotë?

-I kam derdhur për shokë

për të tetë nivicjotë.

Tetë nivicjotët ishin nga Nivicë-Bubari, në kryengritje merrnin pjesë edhe trimat e Bregut nën udhëheqjen e kapedanëve Spiro Gjika e Jano Kumit.

Dielli që lëshon çika

u kërkon Kapetan Gjika

Kumiu me shtatë drita.

Vishni armët e florinjta

të vemi ku është e liga.

Kështu trimat e Bregut e të Himarës, në luftë si në dasmë.

Kapedan Jano Kumi, trim e udhëheqes i Himarës, ishte shquar e sprovuar në luftra për autonominë e Himarës. Në këtë luftë e rrethuan forcat turke, luftoi me trimëri të rrallë deri sa u vra. Populli edhe sot pas gati 180 vjetësh i këndon:

Te rrapi në Peshkëpi

kapetan Jano Kumi

të rrethuan me dori

me treqind suvari

të të mirrnin kokën ti

o bilbil delinkalli

si të rrethuan ati.

Tetë nivicjotë që qenë

të gjithë zorqeth levendë

të tetë në luftë mbenë

na nderuan vilajenë.

Të tetë në luftë u vranë

armët nga gryka s’i dhanë

po bashkë me me to ranë.

Lufta vazhdoi edhe më e egër, në fshatin Guver u bë një betejë shumë e ashpër, aty luftonin trimat e Çobo Golëmit. Turqit kishin zënë pozicione nëpër shtëpi. U vranë shume shqiptarë, ndër ta edhe vëllai i Çobo Golëmit.

Ra tërmet e u tund vëndi

bën dyfek Çobo Golëmi

kapetan i këtij vëndi.

Kapetan që kur kish lerë

që lufton me pallë nxjerrë

bën dyfek me sadrazemë.

U desh ndërhyrja e Tafil Buzit personalisht për të çliruar Guverin, u kapën rob komandantët turq Hasan Beu dhe Shishko Mirjallai. Në një këngë për ngjarjet e vitit 1847, Tafil Buzi u drejtohet turqve:

Në të zënça dot Guverë

do t’a bëj si tjetër herë

domethënë si në vitin 1833.

Ndërsa Çobo Golëmit populli i këndon:

O halldup shallvaregjerë

në ta zënça dot Guverë

do t’i bëj njëmijë të prerë.

Zu Hasan Beun të gjallë

edhe Shishko Mirjallanë

i preu për të vëllanë

atë Duro Mustafanë

dhe për shokët që ju vranë.

Por në fund kryengritësit u tërhoqën sepse forcat turke të ndihmuara nga peshkopi i Drinopojës (Gjirokastrës) kaluan nga një grykë tjetër. Në këto kushte forcat shqiptare u tërhoqën në drejtim të Tepelenës, nën udhëheqjen e Tafil Buzit në fshatin Luzat i shpartalluan plotësisht forcat e Emin Pashës. Kryengritjes ju bashkuan Berati, Delvina, Vlora e Çamëria. U rrethua kështjella e Beratit. Porta e Lartë largoi Emin Pashën nga Shqipëria e Jugut me shpresën se do shpërndaheshin kryengritësit, gjithashtu në këto rrethana sidomos pas çlirimit të Beratit, miratoi disa nga kërkesat e shqiptarëve, si drejtimin e krahinave kryengritëse me shqiptarë dhe heqjen dorë përkohësisht nga rekrutimi i nizamëve.

Në këto kushte forcat shqiptare u shpërndanë duke besuar se do t’u plotësoheshin premtimet. Kështu përfundoi kryengritja e viti 1833 në Shqipërinë e Jugut, një vepër e mbetur përgjysmë.

Tags: , , , , , , , , , ,

One Response to “Kryengritja e vitit 1833”

  1. Twitter Trackbacks for Kryengritja e vitit 1833 « Tirana Calling [tiranacalling.wordpress.com] on Topsy.com Says:

    […] Kryengritja e vitit 1833 « Tirana Calling tiranacalling.wordpress.com/2009/10/15/kryengritja-e-vitit-1833 – view page – cached Në fillim të viteve ‘30 të shekullit të XIX qeveria turke ndërmori një sërë masash për forcimin e pushtetit qëndror. Reforma ushtarake dhe përqëndrimi i pushtetit lokal në duart e… (Read more)Në fillim të viteve ‘30 të shekullit të XIX qeveria turke ndërmori një sërë masash për forcimin e pushtetit qëndror. Reforma ushtarake dhe përqëndrimi i pushtetit lokal në duart e nëpunësve turq ishin nga themelet e kësaj reforme. Edhe në truallin e Shqipërisë u zbatuan këto reforma duke ngjallur pakënaqësinë në popull. Në jug të vendit në pranverë të vitit 1833 filluan trazirat e para. Në krye të kryengritjes u vunë Tafil Buzi, Zenel Gjoleka, Balil Nezha, Çobo Golemi, Çelo Picari. U çlirua qyteti i Tepelenës, në Gjirokastër u eleminuan të dërguarit e Portës së Lartë. Emin Pasha që ishte vali në Janinë, nisi trupat në drejtim të Gjirokastres. Sa morën vesh që trupat u nisën, lebërit nga ana e tyre u nisën në drejtim të Janinës. U përplasën me forcat turke në afërsi të fshatrave Kakavije, Peshkëpi, Kserovalt, Guver. (Read less) — From the page […]

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: