Arësye për të jetuar

by

Ky tregim është shkruar nga nje vajzë 17-vjeçare në provimin e fundit të letërsisë ne gjuhën angleze në vitin e fundit të shkollës së mesme.  Po e sjell ketu të përkthyer në shqip.

Arësye për të jetuar

Ndjeva pushin e qafës të kreshpërohej e të më shponte si gjilpërë, ndërsa një puhizë e harlisur kishte nisur të frynte nga pas. U rrënqetha pak por , edhe pse në kundërshtim më dëshirën e trupit tim, vendosa të qëndroj. Nga tarraca hodha vështrimin mbi qytetin që shtrihej poshtë meje në trajtën e dy lumenjve, njëri i verdhë dhe i kuq tjetri. Mbylla sytë, u mbusha ngadalë me frymë dhe u përpoqa të mos mendoja dhimbjen në fund të rënies. Isha e pashpresë. Ndoshta do të ishte një vdekje më e lehtë nga ajo që tashmë përjetoja, e po ashtu mund të kishtete ndoshta diçka zbavitëse ai fluturim drejt fundit atje poshtë. Fundja, çfarë tjetër mund të bësh kur pas nuk lë asgjë që ia vlen, madje as vetë jetën?

Mendimet m’u ndërprenë kur e çuditur ndjeva fort në dorë shtërngimin e dikujt. “Oh…a nuk e sheh se je afruar më shumë se ç’duhet në buzë të ndërtesës?”, foli zëri që i përkiste asaj dore që akoma ish prangosur rreth kyçit tim. Sidoqoftë ai kishtete të drejtë.

“Je mirë?”, foli përsëri ai me sytë pritës drejt meje. Isha në mëdyshje nëse duhet t’i thoja atij të vërtetën apo thjesht të largohesha moskokëçarëse. Vendosa të bëj të dytën; siç dukej asgjë nuk do ndodhte sonte. Duart po më mbërdhihnin dhe mund të kthehesha në dhomë. Me një spërdredhje e lirova kyçin nga gishtërinjtë e tij dhe ika drejt shkallëve.

“Shiko…më fal nëse të lëndova…mos të lëndova ? Të lutem…të paktën më thuaj që je mirë. Të dëgjova duke kënduar dhe…”.

E ndërpreva para se të vazhdonte. “Jo, nuk më lëndove. Më fal. Mirë jam. Natën e mirë.” Me një vështrim të pakënaqur në sy dukej sikur po kërkonte fjalët e duhura, por nga goja i doli veç një “Mirë…mirë… por u tregove ca e ashpër…”

Vazhdova të ecja pa e kthyer kokën pas dhe u vara me kujdes poshtë shkallës metalike që çonte nga tarraca drejt katit të katër të spitalit. Me zemrën që më kumbonte mbyturazi sikur do më dilte nga gjoksi pas çdo hapi dhe duke ecur me ngut arrita në dhomën time para se infermierja e natës të më shihte. U ngjita ngadalë mbi shtratin e rregulluar paq dhe rrëshqita mes çarçafëve kërc të ftohtë si për t’u falur ngrohtësinë e trupit tim. Mes përgjumjes dhe lodhjes nuk mund të mos ndjeja edhe dëshirën për ta parë atë djalin përsëri. Dëshira fjeti bashkë me mua kur qepallat m’u rënduan nga gjumi dhe u zgjua përsëri bashkë me mua në mëngjes.

Nuk më kishte dalë ende mirë gjumi pa ëndrra kur dëgjova tingëllimën cingëruese të një zileje. Hapa sytë dhe instinktivisht zgjata dorën drejt telefonit mbi komodinë. “Alo?”, fola me një zë të dridhur që edhe pse dilte nga goja ime nuk i ngjante aspak zërit tim. “Mirëmëngjes! Për dy orë jam aty. Më faaaaal shumë, zemër, por isha shumëëëë vonë për në punë dhe Nadin më kërkoi ndihmë për diçka e unë nuk ia refuzova duke harruar që duhet të vija të të shihja ty ndërkohë, por vërtet uroj që të mos ma vësh re që nuk do jem te ty më herët dhe….” Ajo përtej linjës kishte ndalur për një hop për t’u mbushur me frymë dhe kishte vazhduar “Po të sjell edhe librin më të mrekullueshëm! Akoma s’e ke mbaruar atë tjetrin?”

“M’gjes, mami S’ka gjë…unë akoma nuk isha zgjuar madje. Mbaro punët që ke për të bërë se unë këtu jam. “, iu përgjigja duke u përpjekur të sajoj një buzëqeshje në fytyrën time ende të përgjumur. Thonë se kur buzëqesh ndërsa po flet në telefon, ajo i përçohet edhe personit në anën tjetëer të linjës. “…dhe natyrisht akoma nuk e kam mbaruar romanin tjetër. S’ka as tri ditë ma dhe.”, gënjeva unë.

“Oh..mirë..shumë mirë atëhere… duhet të jesh e gëzuar që të zgjova. Ik me vrap te lokali aty poshte sepse pas orës njëmbëdhjetë ata nuk shërbejnë mëngjesin dhe tani ora është pothuajse dhjetë e gjysëm!”

“Mirë, ma’”, u përpoqa të mos tingëlloja e bezdisur. “Shihemi pastaj dhe mos harro të sjellësh edhe për ty një nje kek të vogël me çokollatë, sepse e di që me tërë ato punë që ke do harrosh edhe të ngrënit…”

“Ha ha, faleminderit zemër! Ke të drejtë. Mirë pra…shihemi pastaj. Të puth!” dhe receptori u ul nga ana tjetër. E mbylla edhe unë, disi e bezdisur që ime më më kishte zgjuar kaq herët. Sidoqoftë, unë kurrë nuk haja mëngjes. Nga ana tjetër, mami ishte mikja ime më e mirë. Nuk mund të ndodhte ndryshe përderisa kishteim veç njëra tjetrën në këtë botë. Edhe pse nuk e honeps hiç këtë fakt, vërtetë unë jam mikja më e mirë e nënës sime. Mos më keqkuptoni. Unë e dua shumë atë, por çmendem kur shoh se sa e ngjitur pas meje është ajo duke e ditur që pas disa kohëve unë nuk do jem më këtu.

Ne nuk takohemi shpesh kur unë jam e shtruar në spital, sepse ajo është gjithnjë e mbytur në punë dhe rrallë i bie rruga për këtu. Por kjo gjë nuk më mërzit. Më pëlqen të rri vetëm. Ose ndoshta jam mësuar me vetminë. Vërtet që nuk ndjehem keq nga mosardhja e saj në mëngjes. Nuk më pëlqen t’i mbaj njerëzit me pahir. Madje as miqtë e mi më të mirë që mesa duket më kanë braktisur. Qëkur unë u largova nga shkolla dhe erdha në këtë spital ata më kanë vizituar vetëm katër herë. Nuk i fajësoj jo. E kush do donte të ishtë miku më i mirë i një vajze që po vdes?

Kërceva nga shtrati dhe rrëshqita në pantoflat e gëzofta, të preferuarat e mia. Lava dhëmbët , rrëmbeva The Boy Next Door që prehej mbi komodinë dhe u lëshova për nga cafeteria. Nuk e vrava mendjen të ndrroja pizhamat, pasi të gjithë aty rrotull ishin të veshur me to. U ula në vendin tim të zakonshëm pranë nje dritareje sa një faqe muri me një pamje të mrekullueshme dhe përgazhita pak blueberry muffin tim, natyrisht duke ruajtur të paprekur mënjanë copëzën e çokollatës për time më.

“Unë e di pse u befasove mbrëmë.”, foli zëri i djalit të mbrëmjes së shkuar. Ndërsa ngrita ngadalë kokën nga libri, sytë e mi ndeshën vështrimin e një djaloshi të zbehtë si një letër. Zbehtësia e fytyrës sikur ia zbukuronte më shumë dy sytë ngjyrë mjalti që i shndrisnin ndërsa dielli i binte mbi fytyrë. Përndritja e atyre syve dukej si e vetmja gjë që e bënte atë djalë të dukej gjallë.

“Kaq të mjaltëjanë sytë e tu gjithnjë?” e pyeta në përpjekje për ta larguar vëmëndjen nga vetja ime.

“Oh..Fliska kjo! Hahaha… jo. Zakonisht unë kam trup të skalitur dhe lëkurë të rreshkur nga dielli, por kanceri i mushkërive mesa duket duhet të bëjë punën e vet.” U përgjigj ai me një zë të harreshëm duke më shkelur syrin. Çfarë i duket vetja këtij ? Ai priti një hop për përgjigjen time dhe kur pa që unë isha zhytur në kekun tim u ul pranë.

“Vetëm nëse nuk je e interesuar për djem me trup të spikatur…” vazhdoi ai. “Nuk jam e interesuar për ndonjë gjë!” ia kërcita shpotisë së tij. “Dhe…kush të tha të ulesh këtu? Unë po pres dikë dhe…”. E kishtea qepur, ndërsa po e vështroja. Nuk ia ndjeu shumë për fjalët e mia dhe qetësisht u ul në karrigen përballë meje.

“Ke një zë mahnitës. Dua të them që vërtet më pëlqeu versioni yt i asaj këngës së “Titanikut”.Hë… ma kujto pak si quhet…”

““Zemra ime do të vazhdojë” nga Selin Dion. Por ti nuk më dëgjove mua të këndoj…Dua të them…nuk isha unë. Unë nuk këndoj..”

Përse vallë nuk po më lë të qetë ky? Do isha shumë e lumtur me librin dhe kekun tim.

“Ti mund të mohosh çdo gjë që dëshiron, por po të isha unë në vendin tënd do e shfaqja talentin Do të këndoja aq shumë sa të mundja e një Zot e di edhe për sa kohë akoma do të mundnim.

“Si mund ta dish ti se edhe për sa kohë akoma unë mund të këndoj?”

Çfarë kërkon nga unë ky?

“Ha ha ha” qeshi me gjithë zemër dhe i gjallëruar djali. “Unë nuk jam i marrë.”, u përgjigj ai. “Shih ku jemi. Sigurisht nuk do e kemi të gjatë. Më fal që zbrazem te ty, e dashur, por shumica e të këtushmëve… si të të them…nuk do të jenë më vërdallë.”

“Dëgjo, or’ mik, unë nuk jam naïve. E di ku ndodhem dhe cilët kam përreth. Ajo që unë s’di është çfarë kërkon ti prej meje. Avulloju tani përpara se të largohem bashkë me librin dhe kekun tim diku tjetër!”

“Hmmm..e ashpër…më pëlqen… Ha ha, qetësohu. Unë vetëm doja të të pyesja nëse je e gatshme të marrësh pjesë në një concert të vogël për fëmijët që ndodhen këtu E di ti…është mënyra jonë për t’i bërë gjërat të duken më pak të zymta…”

“E pse nuk paskam dëgjuar akoma unë për këtë concert?” thashë duke e zhbiruar me dyshim. Siç dukej kjo pyetje e turbulloi atë, por e meritonte pas tërë atij ngacmimi non-stop që më kishte bërë.

“Do e bësh apo jo? Do këndosh nja dy këngë, kjo është e gjitha çfarë ke për të bërë. Fëmijët do ta vlerësojnë vërtet shumë këtë.”

“Mirë…Kur është shfaqja?”, u dorëzova unë.

“Së afërmi.”, u përgjigj ai dhe u bë gati të ngrihej. “Takohemi sonte në tarracë në 10 e 30 fiks dhe do flasim për hollësirat.” saktësoi ai, ndërsa nisi të largohej drejt menxës.

“Hej ç’do të thotë “së afërmi”?! Dhe…si quhesh?” e pyeta me padurim.Ai u kthye nga unë dhe i buzëqeshur tha: “Xhesper. Gëzohem që u njohëm, Selin Dion!”.

Vallë i dukej vetja zbavitës? Hmmm…sa gabohej kur mendonte se vërtet unë do e takoja atë ndokund.

Eca ngadalë drejt Reanimacionit për kemioterapinë e rutinës. Kjo sigurisht nuk ishte pjesa e preferuar e leuçemise sime, por doktorët mendonin se ia vlente të shpëtohesha. Ose kjo ose ndoshta unë isha një subjekt tërheqës për testimet mjeksore. E vetmja arësye që unë akoma vazhdoja ta bëja kimioterapinë ishte për qëllime eksperimentale. Nëse kjo gjë do t’i afronte mjekët një hap pranë zbulimit të një kure për ata që do vinin pas meje, atëhere unë sigurisht isha e gatshme të ndihmoja. Mendoja se ndoshta nuk ia vlente të shpëtohesha dhe ndryshe nga të tjerët, isha e destinuar për t’u bërë subjekt provash

“Hej Lucy, si ndjehesh?”, foli infermierja duke më ndërprerë fillin e mendimeve. Ajo dukej shumë e këndshmë edhe pse akoma nuk ma dinte emrin. Nëse edhe unë do kishtea në gjoks një badge si ajo atëhere do ma mësonte emrin.”Quhem Lori, por…mirë jam. Faleminderit që më pyetët.” E dija që pyetjet ishin pjesë e rutinës së punës së saj, por gjithsesi u përpoqa të tregohesha e mirësjellshme.

Nuk e takova Xhesperin as atë natë e as tjetrën. Nuk po e përballoja siç duhej kimioterapinë ndërsa kishtea pasur ndërkohë tri rrjedhje gjaku nga hunda dhe i tërë trupi më dhimbte deri në palcë. Të kënduarit ishte e fundit gjë që mund të mendoja në ato çaste. Për më tepër, druaja se do vdisja në shtratin e kemioterapisë pa arritur të përjetoja shansin e fluturimit. Por qëllova me fat; të nesëermen e mbarova edhe atë terapi dhe kështu në darkë u përvodha në tarracë.Shpresova se Xhesper më kishtete harruar por jo… nuk mund ta kishtea atë fat. Sapo ngrita kokën nga shkalla e fundit u gjënda përballë tij.

“Ku ke qenë këto ditë?” pyeti ai me një zë disi të lënduar nga përpjekja ime për t’iu shmangur…

“Kimio”, i thashë ndërsa po ecja pa dëshirë pas tij

“Ah, qënke zbavitur në mungesë time. Mirë, por herën tjetër më thuaj edhe mua. Nuk më pëlqen ta humbas atë pjesë të bukur.” dhe përsëri më shkeli syrin.

“Boll më këtë të shkelurën e syrit. Kam filluar të besoj se vuan nga ndonjë tik nervor.”

“Hah, ti nuk je gjysëm e keqe, miss Dion. Nejse… tregomë historinë tënde.”, tha ai pa e kuptuar se çfarë po pyeste.

U ktheva nga ai e acaruar. Vërtet mendonte ai se do t’i hapesha kaq lehtësisht?

“Seriozisht e ke?”, e pyeta më një zë ankues akoma e ngrirë nga kërkesa e tij kurajoze.

Ai buzeqeshi përsëri dhe ndërsa hëna ia përndriti faqet, pata rastin t’ia dalloj mirë tiparet. Përveç buzëqeshjes së këndshme, asgjë tjetër të veçantë. Veshë të mëdhenj, flokë të pakrehur dhe lëkurë të tendosur. Ishte e qartë se ajo që më tërhiqte te ai nuk ishte pamja, por qëndrimi dhe këndvështrimi i tij për jetën.

“E çfarë ke për të humbur? Sot jam, nesër s’jam…nëse e kupton çfarë dua të them…”.

Kishtete të drejtë. Psherëtiva lehtë dhe u përpoqa të bëj një grimacë buzëqeshjeje. “Quhem Lori. Prej dy javësh ndodhem këtu me leuçemi. Kam një vit e sëmurë, por e vërteta është se këto senaca kimioterapie janë të padurueshme. Mjekët thonë se duhet të qëndroj akoma këtu , por punë e madhe…Nuk besoj se po humbas ndonjë gjë të rëndësishme andej matanë…”

“Më pëlqen ironia jote, por… seriozisht tani…unë e ndjej dhimbjen tënde. E çfarë nuk do bëja që të dilja që këtej…”.

Vërtet dukej tjetër njeri tani. Po bëhesha serioze. “Seriozisht e kam. Nuk e çaj kokën shumë.”

“E si nuk humb asgjë nga qëndrimi në këtë vënd ë? As miqtë? As prindërit? As qenin apo macen? Mos më thuaj që nuk ke ndonjë peshk te kuq në akuarium për të ushqyer…”

“Pse e ke kaq të vështirë të më besosh? Ndoshta jam e zymtë shumë. Pa ëndrra dhe dëshira. Më erdhi mirë kur vitin e shkuar u shkëputa nga shkolla dhe nuk aplikova për në universitet sepse vërtet nuk di çfarë mund të bëj me veten time. Pra jo shkollë. Sa për miqtë e mi…vajtje ardhjet e tyre kanë pushuar. Por nuk i fajësoj…e kush do donte të mbante frymën për një mik që e ka bërë spitalin si shtëpinë e tij të dytë? Kështu e mendoj unë…dhe tjetër… jo…nuk kam as qen, as mace e as ndonjë peshk në akuarium. Prindërit e mi…kam vetëm mamin dhe ajo ka një kone. Nuk po them që ajo qenushe do më zëvëndësojë mua, por besoj se gjithsesi do ishte diçka lehtësuese për mamin.”

Pothujase i kisha buzëqeshur tablosë pabesueshmërisht optimiste të gjëndjes sime të dëshpëruar. Xhesper u mbështet pas murit dhë pas një çasti sytë e tij e kishtein humbur shkëlqimin. U përpoq të hiqej i qetë, por dukej i squllur. Doja t’i thoja të ulej, por nga ana tjeër përkujdesja ime mund ta bënte të ndjehej i mbikqyrur, gjë që s’e dëshiroja aspak. E dija që ashtu do ndjehej.

“Asnjë prind nuk mund ta kalojë lehtësisht këtë.”, kishte reaguar ai duke i mshuar fjalës lehtësisht… “Sigurisht ajo do të mundte. Kam diçka më shumë se një vit këtu dhe mjekët nuk më japin më shumë se dy muaj jetë akoma.Kështu, ajo do ketë kohë të përgatitet për atë që do ndodhë…Jam e sigurtë që do mërzitet shumë, por… jeta e saj do vazhdojë. Të gjithë do vdesim një ditë. Të gjithë e dimë këtë gjë. Nuk dimë vetëm kur dhe si. Disa prej nesh kanë më pak arësye për të jetuar. Unë jam e lindur për të qenë subjekt i kësaj. Është destini im, ndaj nuk e kuptoj pse duhet ta luftoj”. Më kishte rrëmbyer ligjërata ime dhe nuk vura re dridhjen e Xhesperit dhe këmbëve të tij. Në çast ndjeva zemrën të më rrahë më shpejt.

“Xhesper?”

“Mirë jam. Pra… si do ia bëjmë për koncertin?” Përpiqej të shtirej sikur s’kishte ndodhur asgjë. Edhe unë bëra sikur po mendoja për pak çaste për koncertin.“Sigurisht, fëmijët do kënaqen. Por shiko…ka një arësye që unë nuk kam miq këtu. Siç the edhe ti… sot jemi këtu, nesër do jemi të ikur…Nuk më pëlqen të lidhem me dikë duke e ditur që shpejt do e lë pas…Kështu, nëse për një moment ti mendon se e tërë kjo histori e koncertit do na bëjë ne të dy miq, e ke gabim.”

“Ha ha…në rregull! Unë kam plot miq të tjerë sidoqoftë.”

Më pas më tregoi hollësirat e shfaqjes, ndërsa isha përpjekur ta ndiqja me vëmëndje.Do të këndoja tri këngë të shkruara nga vetë unë, të cilat do të shoqëroheshin me kitarë nga shoku i tij Xhosh. Zakonisht gjëra kaq të vogla nuk më kënaqnin, por vërtet ky rast më jepte diçka të këndshme për të kaluar kohën.

Për pothuajse dy javë rresht bëra prova me Xhoshin dhe kitarën e tij. E kërkova çdo natë Xhesperin te lokali i spitalit dhe në tarracë por nuk e gjeta askund. Kishtea nisur të shqetësohesha sepse nuk isha e sigurtë nëse e kishtein nxjerrë nga spitali. Nuk më ish dukur edhe aq mirë me shëndet, por gjithsesi një ditë para koncertit ai u shfaq te dera e dhomës sime, ndërsa unë po shkrihesha gazit duke parë Friends në televizor.

“Hej, Donald Duck, nuk qesh dot më fort?” më ngacmoi ai i mbështetur pas parvazit të derës

“Po ku dreqin ke qenë? “, i thirra duke buzëqeshur ngaqë po e sulmoja në stilin tij të të pyeturit. Dukej i vetëkënaqur.

“Andej këtej., por nëse të pyet polica për mua thuaju që nuk më ke parë kurrë.”

“Ok, shakaxhi. Do vish nesër?”

“Seriozisht e kam. Dhe për çfarë nesër më thua?” Me të vërtetë e kishte? Vërtet mund të ishin policët në kërkim të një djaloshi fytyrëzbehte e syverdhë që mezi ecte? E ndërpreva fillin e arësyetimit duke e ditur që ai po bënte shaka dhe vendosa t’i flisja për diçka më të rëndësishme.

“Xhesper?” fillova unë.

“Po, Lori…”

“Hmm, ka diçka që po më shqetëson…Dje kur po flisja me Xhoshin për koncertin ai tha diçka…diçka që nuk më pëlqeu. Tha që nuk kishtete ekzistuar asnjë plan për një koncert deri ditën kur ti ia fute në mend idenë dr.Maksusit, shefit të klinikës..” Dukej që nuk i vinin shumë për shtat ato që po thoja unë dhe kjo gjë më bëri edhe më shumë dyshuese.

“Shiko…puna është se ne kemi dy javë që po bëjmë prova të përditshme për diçka që qënka vendosur veçse pesë ditë më parë. Nuk të duket sikur diçka nuk shkon këtu ?”

“Hmm…Më lindi ideja…”, pëshpëriti ai i zënë në faj si një fëmijë që e kanë kapur duke vjedhur një biskotë. “Pastaj m’u desh veç pak kohë për ta vënë në jetë.”

“Dhe më gënjeve mua? Pse më gënjeve ë??”. Gjithnjë i kam urryer gënjeshtarët.

“Sepse nuk mund të jetoja, ose në rastin tim, të vdisja, duke e ditur që po lë pas dikë me një zë si i yti… dikë që dëmton vetveten.” Kisha mbetur pa frymë. Fytyra m’u skuq nga turpi dhe ajo pjesë e trurit tim që merrej me të folurën kishtete ndaluar në vend.

“Dil jashtë!”, belbëzova pas një çasti. Me një lëvizje inatçore fshiva sytë që po më mbusheshin.

“Lori, më fal…Nuk doja as të të lëndoja e as të të gënjeja…Në fakt është e kundërta…Nuk po them se të njoh mirë, por unë e di fort mirë se çfarë po bëje ti atë natë mbi tarracë… Do ta kishtea thënë atë “gënjeshtër” për çdonjërin nëse ajo do t’ua ndalonte kërcimin drejt fundit.”

Ndjehesha e turbullt dhe pa asnjë ide si mund t’i përgjigjesha. U ula mbi shtrat me gojën gjysëm të hapur dhe faqet flakë të kuqe nga zemërimi e po aq edhe nga turpi.

“Të dëgjova tek këndoje dhe kështu mendova se mënyra më e mirë për të të tërhequr ishte një concert. Edhe sikur ai të të bënte ta doje jetën qoftë edhe për pak ditë më shumë, do të ndjehesha disi më i lehtësuar….”

“Qënke egoist pra….!” e ndërpreva, por ai nuk ma vari dhe vazhdoi “Të gjithë mendojmë si ti në situata të ngjashme. Kërkojmë një rrugëdalje të lehtë, më të shpejtën, më të padhimbshmen, ndërkohë që ajo që duhet të bëjmë është të kuptojmë se sa me fat jemi që jetojmë, aq sa jetojmë. Ne dashurojmë shumë ngadalë dhe urrejmë shumë shpejt. Gjithnjë në ngut për të gjykuar të tjerët dhe fajësuar vetveten.”

Ai ndaloi për një çast dhe unë mendova se kishtete mbaruar. Por ai vazhdoi. “ Kam bërë një listë.Listë e gjërave që duhet të bëj para se të vdes dhe pothuajse i kam bërë të gjitha. Të besohet? Dhe është vërtet kaq ngushëlluese përmbushja e atyre gjërave. Edhe sikur te vdisja sot do të vdisja i kënaqur!” mbaroi ai me një buzëqeshje budallaqe që dukej edhe me e lëmuar nën atë tis miqësor që rrezatonte.

Megjithatë akoma nuk isha e gatshmë ta falja. Më kishte gënjyer. Pavarësisht arësyes, kush dreqin ishte ai që të më tregonte mua çfarë është e mirë për mua dhe jetën time? Gjithshka që po thoshte ai ishte e drejtë, edhe pse unë nuk doja ta pranoja.

“Lori, ndoshta edhe ti duhet të bësh listën tënde. Nuk e ke idene se sa e kënaqshme është. Ose ndoshta të jap timen, nëse…”

“Jo, faleminderit!” ia ktheva. Ndjehesha e lënduar, e poshtëruar dhe e turpëruar që ai mund të më lexonte aq mirë. “Nuk kam nevojë për një listë idiote që të më ndihmojë të mbetem gjallë! Ti ke te drejtë kur thua që nuk më njeh aspak mirë, ndaj mos vazhdo të më flasësh në këtë mënyrë!” E dija që ai më kuptonte mirë, por nuk mundja më. Më shikoi me një buzëqeshje të butë, u ngrit nga karriga dhe iku ngadalë pa nxjerrë asnjë fjalë.

Dita e koncertit erdhi dhe unë ndjehesha shumë nervoze. Të kënduarit është pasioni im, por kurrë nuk e kam menduar veten si profesioniste e kurrë nuk jam ngjitur në skenë. Shpresoja ta gjeja Xhesperin atje më parë dhe kështu do të mund t’i kërkoja ndjesë. Nuk e kishtea parë më pas grindjes që kishteim pasur, por me siguri diku vërdallë do ishte. Natën e grindjes e kishtea kaluar duke menduar se si ishte e mundur që një djalë aq i ri të dinte aq shumë për jetën. Kishteim vetëm 3 vjet diferencë (ai 19 e unë 16), por pjekuria e tij i tejkalonte vitet. Isha penduar për çfarë i kishtea thënë atë natë dhe kishtea vendosur t’i kërkoja ndjesë, por nuk pashë asnjë shenjë të tij edhe kur iu afrova skenës. E lashë mënjanë ndjesinë munduese brënda vetes dhe e binda veten se ai do shfaqej më vonë, tradicionalisht vonë. Më qeshi nuri kur prapa kuintave u shfaq Xhosh me kitarën e tij i gatshëm për të luajtur këngët e mia. Kur më erdhi rradha dola në skenë dhe hodha vështrimin mbi fytyrat e buzëqeshura të fëmijve. M’u përmbys zemra kur nuk e pashë Xhesperin mes turmës së vogël.

Shfaqja ishtë e shkëlqyeshme dhe të gjithë u kënaqën. Madje një nga këngët që këndova, atë që fliste për shpresën, ia kushtova Xhesperit si një lloj armëpushimi dhe paqeje. Por ai nuk ishte aty që të më dëgjonte. Isha e këputur nga lodhja dhe trupi më dhimbte si kurrë ndonjëherë. Nuk ishte leuçemia kësaj rradhe, por shqetësimi…U vërsula drejt dhomës sime duke menduar se Xhesper mund të ishte atje duke më pritur mua, por në vend të tij aty gjeta një infermiere. Po më priste e buzëqeshur, por unë nuk isha në terezi për të qënë miqësore në ato çaste.

“Çkemi, Lorela, kam lajme të mira për ty! Dr. Maksus më dërgoi këtu për të të thënë se pas dy ditësh do dalësh nga spitali për disa javë. Hë…Nuk është lajm shumë i mirë?”

“Oh po, shumë bukur. Faleminderit për lajmin e mirë, por unë dua të shtrihem tani.” Ia thashë që ta bëja të ikte. Ajo më kuptoi dhe doli jashtë. Sapo iku ajo, kontrollova korridoret për ndonjë infermiere dhe u drejtova për nga shkalla që çonte në tarracë. Përsëri Xhesper askund, por nën një gur të vogël gjeta një copez letër dhe një shënim me shkrim dore në të. E mora dhe e lexova.

Më fal Lori që nuk arrita të vi në shfaqje,

por do kemi raste të tjera.

Më kishtein urdhëruar që të bëja regjim shtrati.

Jam me fat që munda të ta lija kete leter ketu.

Nuk jam ndjerë mirë kohët e fundit,

por jam i sigurt që do të të shoh nesër.


Urime Artiste!

Psherëtiva e lehtësuar dhe vrapova për në dhomën time për të bërë gati plaçkat. Nuk më pritej sa t’i tregoja atij gjithshka për suksesin e madh, këngën që i kushtova dhe faktin që pas dy ditësh do largohesha! Ndërsa po fusja çorapet në çantë, në dhomë hyri dr.Maksus me një pamje të mjerë në fytyrë. “Çkemi Lori, po mbledh plaçkat ë?”

“Nuk më pritej!”, ia ktheva e buzëqeshur. Ai u përpoq të vinte buzën në gaz, por arriti të bënte veç një nënqeshje. Ndjeva një boshllëk në stomak dhe isha e sigurtë që doktori kishte ardhur të më thoshte që kishte ndodhur një keqkuptim dhe unë nuk do të largohesha, por duhet të rrija akoma në spital. Por ai hyri drejt e në temë dhe më tregoi të vërtetën që fshihte. “Shiko, Lori..Kam nje lajm shumë shumë të keq. Xhesper na la sot përgjithmonë… Nuk po i bënte efekt mjekimi dhe e dinim të gjithë që kjo ditë do vinte shpejt. E dinte edhe ai vetë. Kohët e fundit e futi veten në aktivitete të lodhshme në vënd që të qëndronte shtrirë në shtrat dhe kështu organizmi i tij nuk mundi dot ta përballonte. Edhe policia madje po e kërkonte, por nuk më dhanë ndonjë shpjegim më shumë se çfarë mund të kishte bërë, pasi mësuan për vdekjen e tij.”

Pothuajse e përpiva me sytë e çakërdisur dhe buzët që më dridheshin. Xhesper nuk paskësh bërë shaka kur i kishte folur për policinë. Ç’gjë mund të kishtete bërë?

“Mesa duket ai kishte vjedhur një makinë për një ditë. Vërtet ishte djalë zemërmirë, por edhe mund ta fuste veten në telashe. E kujt ia priste mendja? Sidoqoftë, ai ka lënë këtë zarf me emrin tënd sipër. Zakonisht ne nuk ua njoftojmë pacientëve të tjerë vdekjen e dikujt, por meqë ai e la këtë zarf për ty, mendova se ishte e ndershme të ta jepja.” Dr. Maksus po qëndronte te pragu i derës pa ditur ç’të bënte. Duke u lëkundur sa nga një këmbë mbi tjetrën më tha që po e linte letrën mbi garderobë. “Më vjen shumë keq që ndodhi kështu…”, përsëriti para se të dilte e të largohej drejt korridorit.

E shtangur, me fytin e tharë dhe sytë mbushur me lotë, isha përpjekur të mos ulurija. Ngadalë u zvarrita drejt zarfit dhe e hapa. Isha shumë e inatosur, shumë e xhindosur që Xhesper më kishte lënë aq shpejt. E dija që nuk duheshin bërë miq në një vend të tillë, por vërtet kishte qenë ai që më kishte shtyrë. E rrotullova letrën nëpër duar disa herë dhe pastaj e hapa me kujdes dhe nisa ta lexoj:

23. Te vjedh/ te ngas nje makine super

24. Te ngas nje motorciklete

25. Te bredh zhveshur neper mehalle!!!!

26. Te mesoj te kercej latin dance

27. Te udhetoj jashte kufijve

Nuk mund ta besoja që ai kishtete vjedhur një makinë thjesht për të përmbushur listën e tij idiote. Kishte qenë pakujdesia e tij që…ishte vërtet shumë e vështirë për mua të mësohesha më faktin që ai nuk ishte më. Sidoqoftë, arrija ta imagjinoja duke bërë budallallëqe. E vetmja gjë që më mërziti pas leximit të letrës ishte fakti që nuk kishte arritur t’i realizonte dot të tëra.

U ula në sediljen e parë të Lançerit të vjetër të sime mëje, ndërsa ajo po ngiste makinën drejt shtëpisë duke llomotitur si përherë rreth punës së saj.. Unë po merresha me gjërat e mia dhe ndërkohë këndoja bashkë me radion. Nuk i kishtea treguar mamit asgjë rreth njohjes me Xhesperin dhe kurrë nuk ia tregova. Ai ishte shumë i veçantë për mua dhe këndvështrimet e tij për jetën tashmë jetonin brenda meje aq fort sa nuk më besohej se ai kishte vdekur. Xhesper më kishte ndryshuar dhe më kishte bërë të kuptoja se askush nuk është lindur për të qenë diçka e keqpërdorur eksperimentale. Që çdo njeri është i veçantë në cilësitë e tij të papërsëritshme në të mirë të botës. Në rastin tim kjo cilësi kishte qenë zëri im.

Një muaj pasi dola nga spitali u rregjistrova në një kurs për Latin Dance dhe kështu shtova një vizë më shumë në listën e Xhesperit. Ndjesia ishte e mrekullueshme, ndjehesha e plotësuar dhe të vallëzuarit po ashtu nuk ishte aspak keq. Më pëlqente madje shumë, por lodhesha shpejt. Akoma nuk isha shëruar dhe e dija që kurrë nuk do të isha. Gjithashtu e dija që nuk do të jetoja përgjithnjë, por do të ikja nga kjo botë kur të vinte ora ime, pa e ngutur atë.

Bleva tre peshq te artë dhe njërit syresh ia vura emrin Xhesper në kujtim të tij. Nuk ndjehesha edhe aq e shëndetshme sa të rikthehesha në shkollë, por vazhdoja të lexoja shumë gjithsesi.

Tani, jam ulur në një aeroplan në rrugën time drejt Spanjës, me sytë e përhumbur në kremin plot ngjyra të reve dhe gati për të shtuar një vizë mbi kërkesën e fundit të listës së Xhesperit.

Tags: ,

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: