Selam Musai në 1914

by

nga L. Gërveshi

Viti 1914.

Fushat me lule, malet me dëborë,
qaj moj Shqipëri, ulëri e gjorë,
gratë e Kurveleshit nisen për në Vlorë,
me djepe ngarkuar, me foshnjat në dorë,
shtëpitë seç ua dogjën, arrat seç ua korrë,
i përzuri greku me urrë në dorë

Këto vargje tronditëse përshkruajnë gjendjen e Labërisë në fillim të luftës së parë botërore.


Në 28 shkurt ishte shpallur Republika Autonome e Epirit të Veriut, me qendër në Gjirokastër e me mbështetjen e heshtur të qeverisë greke. Në traktatin e Korfuzit u njoh kjo autonomi në brendësi të shtetit shqiptar. Në gusht shteti shqiptar do të binte e Princ Vidi do të linte Shqipërinë. Në tetor do të fillonte lufta e parë botërore e forcat ushtarake greke do të pushtonin gjithë jugun e Shqipërisë. Ky pushtim do të njihej me emrin greku i parë, greku i dytë do të vinte në luftën italo-greke të vitit 1940-41.
Sa herë që janë vendosur fatet e Shqipërisë askush nuk e ka marrë mundimin t’i pyesë shqiptarët se ç’duan e mendojnë.
Në 1914 ishte krijuar shteti shqiptar me kryetar Princ Vidin i cili kish organizuar xhandarmërinë shqiptare me në krye oficerë holandezë. Në mars ushtria greke pasi pushtoi jugun e Shqipërisë, ndihmoi në krijimin e Republikës Autonome të Epirit të Veriut me kryetar ish-ministrin e jashtëm grek Jorgo Zografo nga Lunxhëria. Princ Vidi do të shpallte mobilizimin e popullsisë dhe krijimin e çetave vullnetare. Gjithë Labëria do t’i përgjigjej kësaj thirrjeje e një nga këta ishte trimi Selam Musai.
Selam Musai kish lindur në vitin 1860 në Salari të Tepelenës, në një familje blegtorësh. Në stanin e tij do të ndaleshin luftëtarët e lirisë të çetës së Çerçiz Topullit. Edhe vetë do të bënte pjesë në këto çeta, sidomos pasi nuk pranoi të shkonte nizam rreth viteve 1890. Në kryengritjet e Pavrësisë do merrte pjesë në krye të çetës së Salarisë,  deri në shpalljen e Pavarësisë. Pas shpalljes së Republikes Autonome të Epirit të Veriut, në mars do të vihej në krye të të luftëtarëve shqiptarë që do të luftonin në mbrojtje të Tepelenës. Përpjekjet me grekërit do të bëheshin në Lekël e Hormovë, që do të bëheshin dëshmimtarë të masakrave greke që sot do cilësoheshin si gjenocid.

Tha Selami zemër trimi,
o burra o shqipëtarë,
greku kërkon të na marrë.

Kjo është thirrja që u bën Selami lebërve në fillim të luftimeve. Lufta do të zhvillohej në një vijë që do kalonte nga Korça në Përmet, Tepelenë, Kurvelesh, Himarë. Këto luftime do të zgjasnin nga marsi  në tetor. Shumë shqiptarë do të vriteshin në këto luftime e shumë të tjerë dotë plagoseshin.
Në krye të 200 vullnetarëve Selami kaloi urën e Subashit e zuri fshatin Hundëkuq. Trupat greke u tërhoqën në Labovë për nga u drejtua dhe Selam Musai.

Fshatin Hundëkuq e zuri
dhe Labovës ju drejtua.

Duke u hapur lufta në Tepelenë u jepej ndihma luftëtarëve kurveleshas që luftonin në Cepo në afërsi të Gjirokastrës.

Ne Cepo te manastiri
buçet topi e gjëmon briri,
sokëllin Sulo Beqiri
sa dëgjohet nga Erindi,
e nxorri shpatën nga milli.
-Ç’kërkon greku, ç’do qafiri,
mirrni armët që t’i bini.

Sulo Beqiri ishte nga Golëmi dhe në bashkëpunim me Selam Musain do organizonte qëndresën shqiptare më të ashpër, duke i shtyrë forcat greke në drejtim të Gjirokastrës e duke detyruar Zografon të shpërngulte qeverinë e tij në Delvinë nga frika se mos Gjirokastra binte në duart e shqiptarëve.

Kur tanët Cepon e zunë,
Zografua u drodh si qëni,
mblodhi shpejt qeverinë,
me vrap shkoi në Delvinë.

Në një çast  të vështirë për trupat shqiptare që luftonin në Cepo, ardhja e Selam Musait nga ana tjetër e Drinos u dha mundësi që të merrnin frymë më lirë sepse forcat greke u detyruan të shpërndahen.

Në Labovë bie boria
të mbahet Kurveleshi,
se vjen Selam Salaria,
vjen për grekër si rrebeshi.

Lufta do të zhvillohej e egër, e gjatë, trup me trup. Në një kënge kushtuar luftës së Vlorës tregohet që Selam Musai para se të niseshin për sulm ka thënë:

Selam Musai s’më thonë
po s’e bëra si Labovë,
që zura grekrit me dorë.

Trimëria e shqiptarëve do të çudiste kolonelin Tomson që komandonte forcat e rregullta shqiptare. Në Hormovë lufta do të ishte e rëndë, Selam Musai do të plagosej. Bilbil Zekua nga Hormova do ta shpëtonte nga vdekja duke rrezikuar jetën e tij.

Bilbil Zeko luani
kur e pa se ra Selami,
me shokë del nga istikami,
sulmon porsi tigër mali,
rrugën për te Selami
me gjak e çan jatagani.
Selamin seç e shpëtojnë
në Hormovë gratë e mjekojnë.

Megjithë trimërinë e tyre, shqiptarët do të tërhiqeshin më vonë, e grekërit do të kryenin masakra që të rrëngjethin mishin. Do vrasin gra e burra, foshnja e pleq.

Të tërhiqet Kurveleshi
perëndia kështu deshi,
kështu deshi perëndia
të shkretohet Labëria.

Andartët grekë do të masakronin në 29 prill 1914 më shumë se 200 burra nga Hormova në një kishë. Pjesa më e madhe e Labërisë do të shpërngulej. Ky kalvar do zgjaste deri më 1920, vit në të cilin Selam Musai do luante një rol të rëndesishëm.

Dielli parë kur bie
në malet e Salarie
Selam Musai kur vije
mushka-bardhë e guna-çile.

Jatagan-yataghan: thikë e gjatë ose shpatë e shkurtër.
Istikam-istihkam: fortifikim, llogore,pozicion lufte
.

Tags: , ,

2 Responses to “Selam Musai në 1914”

  1. Ba Bái Says:

    Të faleminderit për fjalët e mira. Sa për Blogun që keni nisur… “do t’e vëzhdojte”, siç thonë arbëreshët e Greqisë! Do ta ndjek me kënaqësi!

  2. loer kume Says:

    ju feleminderit vertet per keto informacione te haruara tashme nga brezi jone…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: