A-HA udhëtim në të shkuarën me albumin e ri

by

aha

Kanë 27 vjet që punojnë e ndajnë së bashku shoqërinë, muzikën,suksesin dhe paratë.
Janë norvegjezë dhe admiruesit e muzikës së viteve ‘80 me siguri që i kanë të parapëlqyerit e tyre: A-HA, një grup ikonë pionierë të synth-pop. Dhjetëvjeçarë më parë përjetuan famën dhe adhurimin e mijëra femrave të bukura.

Pas disa vitesh mungesë janë rikthyer me një album të ri “Foot of the mountain”, (“Rrëza e malit”) që u prezantua më 21 korrikun e kaluar dhe ka qenë një sukses që në momentin e parë.
Në vitet ‘80, për t’u shndërruar në një yll rroku mjaftonte që të bëje flokët me llak, të vishje një xhaketë xhins dhe të lyeje pak buzët me shkëlqim. Megjithatë jo të gjithë ata që e provuan këtë recetë patën sukses dhe suksesin e vërtetë e mat koha. Vetëm një pjesë e vogël e djemve që guxuan të dilnin me këmbët e tyre janë sot në panteonin e grupeve më të famshëm të viteve ‘80. Ndër ta edhe norvegjezët A-HA.
Grupi i tyre përbëhet nga tre vetë: këngëtari  Morten Harket, 50 vjeç, kitaristi Magne Furuholmen, 46 vjeç dhe kompozitori e kitaristi tjetër, Paul Waaktaar-Savoy, 47 vjeç. Trioja doli në skenë 27 vjet më parë me një sukses që do të mbahej mend gjatë dhe do t’i shoqëronte të tre deri në ditët tona.
“Gjatë gjithë histories sonë të suksesit, ne si grup e kemi ndjerë veten 15-vjeçarë. Kur jemi bashkë në një dhomë për të krijuar, kemi të njëjtën energji që kishim që adoleshentë”, rrëfen Furuholmen.
Kur hodhën në treg albumin e parë “Hunting high and Low” në vitin 1985, në të përfshihej edhe kënga e tyre më e shitur dhe një nga hitet më të suksesshme të të gjitha kohërave “Take on me”. Është një këngë që edhe sot vazhdon të transmetohet, sepse ka një tingull dhe mesazh tingullor që nuk kufizohet në kohë, përkundrazi është i pakohë, si edhe fytyrat e vetë anëtarëve të grupit. Ata janë të gjithë mbi 45 vjeç dhe vështirë të thuash se duken më shumë se 30. Pas “Take on me” grupi nxori edhe këngë të tjera të famshme, me një stil të papërsëritshëm e unik që i dhanë shumë çmime “Grammy” dhe sigurisht gjithë vëmendjen e adoleshentëve të kohës.
Pas valës së suksesit të parë, tre djemtë e panë veten befas në qendër të vëmendjes. Kërkoheshin për foto e për intervista në revistat më në zë të kohës dhe e gjithë Norvegjia, por edhe Europa ishte e magjepsur pas tyre.
“Në fillim na u duk diçka e pabesueshme. Me ardhjen e suksesit, e gjithë jeta jote ndryshon. Ne u shndërruam në ikona dhe duhet të bënim për fansat tanë gjëra që nuk i kishim çuar më parë ndërmend, si për shembull të takoheshim, të jepnim autografe, të organizonim takime me ta. Dhe bashkë me suksesin erdhi edhe statusi i të qenit djem posterash, por, pavarësisht se për disa kohë u bëmë pre e komercializmave, në thelbin tonë nuk ndryshuam, por vazhduam pa u tërbuar si disa të tjerë, që të bëjmë muzikën që na vinte nga zemra”, vazhdon Furuholmen.
Por ikona e vërtetë e grupit, njeriu që i ka dhënë zërin, fytyrën dhe trupin markës A-HA është 50-vjeçari djaloshar, Morten Harket. Në kohën e famës së madhe ai ishte vetëm 25 vjeç. “Nuk jam ndjerë kurrë mirë në pozicionin e një djali bukurosh posterash. Isha një objekt që po më përdornin dhe e dija mirë këtë, por isha i pafuqishëm që të reagoja dhe
të ndryshoja jetën në bazë të parimeve dhe besimit tim. Isha kthyer në vendin tim në një fenomen të vërtetë, kisha dale nga përmasat reale dhe kjo më bënte hera-herës të ndihesha shumë keq”, thotë Harket.
Ai veç kujtimeve të bukura ka edhe kujtime jo fort të mira për ato ditë të 25 viteve më parë. Kjo për disa mund të jetë e çuditshme, duke qenë se ka njerëz që do të jepnin gjithçka për të qenë të famshëm e në qendër të vëmendjes, por kjo nuk vlen për këngëtarin e grupit. Ata fituan aq famë sa arritën të zinin vendet e para edhe në klasifikimet amerikane. “Kur je i ri dhe në kërkim të famës nuk e ke idenë se çfarë do të thotë që ta arrish atë. Realiteti është shumë ndryshe nga përfytyrimi. Për disa fama shndërrohet në një marrje fryme, por të tjerë që nuk e kuptojnë këtë situate zhyten në drogë e alkool dhe kjo është vërtet një fatkeqësi e madhe që ka shoqëruar jetën e shumë bandave dhe këngëtarëve të famshme në vitet ‘60, ‘70, ‘80 e më tej”, vazhdon Morten.
E ndërsa A-HA mendojnë se nuk u ka bërë mirë e gjithë ajo vëmendje e njerëzve, ata mund të qetësohen e të kënaqen nga fakti që meloditë dhe këngët e tyre janë bërë model dhe frymëzim për kompozimet e shumë bandave të suksesshme.Dhe emrat e “kopjuesve” të tyre janë të shumtë, mjafton të përmendim vetëm disa, nga Robbie Williams tek “Oasis” apo të supersuksesshmit e të mrekullueshmit “Coldplay”. Ata të gjithë kanë folur me një admirim të veçantë për grupin norvegjez, grupin e talentuar dhe modest. “Kjo është me të vërtetë diçka që na gëzon pa masë. Tashmë e dimë se kemi lënë gjurmë dhe pasardhës dhe kjo është maksimumi që mund të kërkosh nga krijimtaria jote”, thotë Furuholmen. “Një nga gjërat e mira që mund të të ndodhë në jetë është kur një grup muzikor ka pasur një ndikim të tillë te ty sa këngë të tij mund të të kenë përmirësuar, nëmos ndryshuar rrjedhën e jetës. Është e mrekullueshme kur e dëgjon këtë nga njerëzit. Kjo është trashëgimia që ne duam të lëmë pas: pozitivitetin dhe optimizmin e jo frustrimin e të qenit një VIP apo djalë posterash”.Pra kjo qenka arsyeja që ata vazhdojnë të bëjnë muzikë edhe sot, pas 27 vitesh? “Kjo dhe shpresa që kur të jemi 60 vjeç do të bëhemi sërish djem posterash”, thotë me shaka Harket.
Me muzikën në zemër e në mendje, banda sapo ka promovuar albumin e fundit “Foot of the mountain” dhe çka është me të vërtetë e bukur, fansat dhe admiruesit janë befasuar dhe kënaqur njëherazi me tingujt e rinj. “Ky album na ka dhënë mundësinë që të kthehemi pas në kohë, në historinë tonë, në hapat e parë të krijimtarisë dhe të gërmojmë për të gjetur elementët që na bënë të suksesshëm. Por këtë nuk e kemi bërë me dhunë, por duke ndjekur frymëzimin e kreativitetit tonë”, thotë kitaristi Furuholmen. Më pas ai shton se i janë rikthyer së shkuarës, sepse e ndjenin se nuk e kishin eksploruar tërësisht atë frymëzim të mbi dy dhjetëvjeçarëve më parë dhe se ato që ishin lënë pa u shprehur duhet të shpreheshin herët a vonë.
Rryma e tyre është synth-pop. Është pikërisht ajo që ata kanë lëvruar në fillim të karrierës së tyre, që sot sa vjen e po bëhet gjithnjë e më e modës dhe që, sipas vetë djemve të bandës, është mënyra më e mirë për të dhënë mesazhe të caktuara të shpirtit. Me albumin e tyre të ri, djemtë ndihen shumë të lumtur dhe të kënaqur. Ata ndihen të mbushur, sepse e dinë që kanë dhënë një pjesë të vyer të së shkuarës dhe të së tashmes, që mbi të gjitha do t’I rezistojë së ardhmes, ashtu sikundër i kanë rezistuar të gjitha këngët e albumeve të mëparshme. Edhe këtë herë ata mundohen që të jenë sa më pak në qendër të vëmendjes së publikut. Janë djem modestë që nuk parapëlqejnë zhurmën, pijen, duhanin, pra sipas këngëtarit të grupit “nuk jemi këngëtarë të zakonshëm”. “Në të shkuarën, suksesi që shoqëronte një album ishte shumë i rëndësishëm, sepse kështu ,konfirmonim statusin tonë dhe çonim më tej muzikën tonë, por suksesi në vetvete nuk ishte arsyeja që ne bënim muzikë. Vëmendjen dhe reklamimet i bënim vetëm në funksion të muzikës për ta bërë atë të njohur, pastaj me të rënë në veshin e njerëzve nuk do të ishim ne që do të mbaheshim mend, por melodia jonë”, thotë Harket.
Djemtë e dinë se tashmë muzika e tyre ka një jetë të sajën, një rrugëtim individual që del nga zemrat e tyre e shkon në zemrat e dëgjuesve, si në një qark të mbyllur që lind, përcjell e transformon emocione. Videoja e “Take on me”, në të cilën bëhen bashkë vizatimi dhe  filmi fitoi gjashtë çmime rresht në “MTV Video Awards” në vitin 1986, ndërkohë që kënga e tyre “The sun always shines on TV” fi toi më shumë reputacion dhe pikë në tregun e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ata kanë shitur 36 milionë kopje të albumeve të tyre në të gjithë botën. “Frymëzimi është diçka e çuditshme. Ne frymëzohemi nga njerëz që na frymëzojnë dhe pastaj ua rikthejmë në një tjetër formë që ata e gjejnë shumë frymëzuese”, thotë Morten.
Djemtë janë shumë të bindur se kanë ende një rrugë të gjatë në muzikë dhe se planet e tyre nuk kanë mbaruar ende…

Tags: , , , ,

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: