Një udhëtim në botën shpirtërore të Arvanitasve.

by

nga Pilo Zyba

Nuk e di në mund të quhen të mjaftueshme 19 vjet jetë mes lëvizjeve, këngës, mënyrës së jetesës, mikpritjes apo vdekjes, për të dhënë mundësinë të hedhësh në letër tingujt e të ngresh në këmbë nga rrënojat një kulture që udhëtoi mes shekujve. Udhëtoi mes sëpatës e gërshërës së pa mëshirshme në lufte për mbrojtjen e gjuhës dhe veshjes së saj kombëtare. Nga njëra anë donin ti prisnin gjuhën “Formën e komunikimit e shprehjes së ndjenjave” dhe nga ana tjetër, ti ndërronin kostumin e veshjes, që kishte të bënte me paraqitjen e saj në ambjentin e jashtëm e më tej. Si mund të gjelbëronte ajo kur pranvera nuk hynte kurrë në degët, filizat e sythet e saj. Si mund të ruante ajo “kostumin e blertë” për ta përcjellur përpara epokave, jetesën dhe mbi jetesës? E megjithatë ajo mbijetoi, lartësoi vlerat e saj deri në pabesushmëri.

Po..po! Kjo është e vërteta! Këtë vërtetim e dëgjoj si muzikë të ëmbël dhe në një fjalë të vetme të dëgjuar në një mbrëmje, në një pagëzim apo në rrugë.

Lexues të nderuar, duhet të jetoni për pak kohë pranë me arvanitasit, për të kuptuar të përgjithshmen, kalërimin nëpër shekuj të qënies së tyre…
Dëgjoja ato vite të 1990- ës qoftë dhe një fjalë të vetme, të përgjysmuar, dhe mbyllesha në dhomën time të vogël e bisedoja me veten.Merrja ato fjalë ëngjëllore “natënë e mire” të asaj plake, që mosha i kishte hedhur miellin e bardhë të mirësisë, ndërsa vitet kishin krijuar hendeqet e përrënjtë e rrudhave, nga mund të lexoje rrjedhën e të gjithë jetës së saj.

Kënga Arvanitase

Me gjithë kulturën, natyrën dhe talentin e të shkruarit, i mbyllur në dhomë, bisedoja me veten. Pesha e lapsit më dukej kaq e rëndë sa e ndjeja të vështirë të hidhja në fushën e bardhë të letrës farën e mendimit, për të folur për botën e tyre të brëndshme, Kengen. U deshën plot 19 vjet të bluhet në mullirin tim të talentit, për të nxjerrë për ju, miellin e pastër të shpirtit të tyre për të ushqyer kureshtjen dhe dashurinë tuaj për ta.
Jemi lodhur e stërlodhur me historinë, nga kanë ardhur Arvanitasit, kur kanë ardhur, pse kanë ardhur etj. Janë Arvanitas apo Grekë, Italianë apo Arbëreshë? Ç´far kanë shkruar historianët!?
E pra mua nuk më duhet asnjëri prej tyre. Kam përpara historinë të shpalosur katërcipërisht. Nisur nga një këndvështrim tjetër, do mundohem të bind të gjithë ata, që hedhin baltën e harresës mbi ta. Për të bërë këtë, do shrytëzoj dy këmbët e një ure të madhe, në të cilën kaloi jeta e Arvanitasve, për tu shpëtuar rrjedhës së lumenjve të shpifjeve, dallgëve të fyerjeve, mjegullës së harresës. Dhe këto dy këmbë me të cilat ajo erdhi deri në ditët tona, janë kënga dhe veshja popullore. E para, e lindur dhe trashëguar gojë më gojë. E dyta, pesha e traditës që e vishte kombin me një kostum të veçantë që e dallonte nga të tjerët.
Mendoj se këto dy dritare janë të mjaftushme, për të pare rrugën e gjatë të këtij kombi, që fitoi mbi katakombet. Dhe dritarja tjetër, ajo që tregonte të veçantën, historinë e tij pa folur, vetëm me prezëncën e saj.

Përpara se të filloj e tu flas, për thellësinë shpirtërore, që e ushqyen me dashuri, pagëzime, dasma e vdekje, do shpreh një pakënaqësi që më pengon në rrjedhën e mendimeve. Janë të shumta këngët Arvanitase për të cilat po shkruaj. Por, më përpara do qëndrojmë te e veçanta.
Kam mbledhur gjatë lëvizjeve të mia nëpër greqi, këngë dashurie, dasmash, ninulla të ndryshme, por këngë trimërie e lufte nuk kam gjetur. Ose janë aq sa nëmërohen me gishtat e njërës dorë. Pse?
Arvanitasit që bënë luftën në Greqi, nuk i kënduan kësaj vepre të cilën e ngritën me gjak? Janë vetëm tre – katër këngë, për tre-katër arvanitas si ajo e Osman Takës. Dhe kjo me qëllime të caktuara(jo se nuk e meritojnë) Po të tjerat? Këtu mendoj se duhet ushtruar kujdes dhe vëmëndje.
Që nga viti 1900 ato filluan të ndalohen. Nuk u lejuan të këndoheshin. Me kalimin e kohës u harruan apo u greqizuan, aq më keq. Ndodhi ajo që grekët dëshironin. Ata hoqën një armë të fuqishme të arvanitasve, për të thënë më von: “Ja ku janë Arvanitasit, ka trimëri e trima pa këngë”? Ata që luftuan ishin grekë dhe këngët në greqisht i kanë! S´ka rëndësi se sa here lidhin besë, thonë, “besa – besë”, apo levend, lërë – vend për më të fortin, trimin, kjo në gjuhën e arvanitasve. Po këtë rrugë ndoqën dhe për gjuhën dhe zakonet por aty ndeshën veshtirësi, pasi ajo ishte pengesa e fundit drejt çfarosjes e harrimit. Nuk ja arritën, se nëna kur këndonte ninullën mbi djep ata nuk ishin aty që ta dëgjonin e ndalonin.

Gjuha u mbrujt bashkë me këngën dhe të dyja mbajtën njëra-tjetrën. Kur plagosej gjuha, luftonte kënga, dhe, atje ku kënga mundohej të vritej, gjuha lëshonte ilaçin e shërimit e të mbijetesës. ashtu dorë për dorë erdhën deri në kohën tone. Diku të plagosura diku të gjymtuara, flasin e na kujtojnë rrugën e bërë. Për të mos u zgjatur më shumë me analizat e mia, po u citoj fjalët e saj. Të këngës apo të shpirtit kuptojeni vetë. Ato janë aq të shumta e të ndërlidhura mes tyre sa duken si një e vetme.

Ja njëra prej tyre:
“Arvanites këngë thoni, Gjuhën të mos e harroni.”

Mendoj, se nuk ka nevojë as për analiza e as për sqarime. Gurra e këngës e ka aq të pastër ujin e burimit të saj, sa është e tepërt, që ta shprehim me fjalë e analiza.

Pas kësaj një këngë tjetër thotë:
“Po të dija të këndoja, Gjithë të bukurat do zgjoja.”

Kush mund të flasi më thjesht e më bukur? Po të dija të këndoja, do zgjoja tingujt e fjalët e bukura të gjuhës së lashtë, të gjyshërve, stërgjyshëve…Nuk janë të lidhura këto dy këngë , si vetë shpirti i Arvanitasve me gjuhën. Te e para, këndoni këngën për të mos harruar gjuhën. Te e dyta, lëvroni gjuhën për të mbajtur gjallë këngën. Ç´duhen analizat, hamëndjet e historitë e gjata pa bukë?

Kush mund ti qëndrojë tundimit të këngës “Gjon…Gjon”, këtij zogu që endet duke kërkuar folenë e braktisur në zëmër të Ilirisë! Do më lejoni të bëj dhe një sqarim. Zogu Gjon, është Gjon Kastrioti, i cili humbi mbretërinë e tij, fëmijët. Ai u kthye në zog për të fluturuar e për të pare tokat e tij të Arbrit, zogjtë që i rrëmbyen dhe ja shpërndanë larg, shumë larg. Ky zog këndonte në dritaren e Skënderit në Stambol.I kujtonte atdheun, token, prindrit, deri sa një ditë ai, Skëndërbeu braktisi gjithçka për amanetin e zogut Gjon, babait të tij (ky është mendimi i autorit të shkrimit, ai e ka përshtatur dhe në një legjendë të shkruar).

Ja teksti i këngës:
“Gjon, Gjon, çfar kërkon, Bora, gjithçka po mbulon!”

E pra populli nuk bën fjalë për borën e maleve, por borën e robërisë që po i rrethonte. Luftën që po u bëhej për gjuhën dhe mohimin e meritave liridashëse. Përveç tekstit dhe këngës, ajo shoqërohet nga një klarinetë, që shpon errësirën e natës, si një thikë ku kërkon të mbijetojë shpirti dhe vepra e saj. Ajo është një thirrje për zgjim. Në fillim melankolike e më pas një shpatë e thekshme në kraharorin e armikut të heshtur e tinzar.

Vëllezër lexues, arvanitasit kanë bërë luftë të dyfishtë për mbijetesë. Ata kanë luftuar dy armiq njëkohësisht për shumë shekuj me radhë. Kundër Turqisë dhe kundër Greqisë njëkohësisht. Këtu vlen të përmënd dhe lufta e vëllezërve Kosovarë kundër Serbisë dhe Turqisë, që ishte në të njëjtat rrethana dhe njëlloj e vështirë.Ata, bënin një luftë të katërfishtë, luftonin dy pushtues njëkohësisht dhe dy fe. Kjo nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër të botës, dhe kundër asnjë populli, por vetëm kundër Shqiptarëve. Pse? Kjo kërkon një analize më vete në një shkrim të mirfilltë, analizuar me kujdes, ndërthurur e mbushur me fakte.
Jo pa qëllim përmënda këto këngë, e jo ato, që janë më të thjeshta si, “Moj e bukura gjitone”, “Kur vajta në krua” ” Do ta pres gërshetin” etj.
Ato i këndojnë ndjenjës së brishtë, dashurisë. Jo se është pa interes analiza për to, por, ky shkrim ka një qillim më të largët. Jo thjesht, atë të shprehjes së botës së brëndshme intime.

(vazhdon….)

Tags: , ,

One Response to “Një udhëtim në botën shpirtërore të Arvanitasve.”

  1. Bleri Says:

    Nuk di shume per arvanitasit me thene te drejten, ca gjera ketu, ca atje. keto qe lexova ketu deri tani me preken. A mund te di kur do mund te lexoj vazhdimin? thnxx.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: