Zenel Gjoleka në këngën popullore

by

nga L.Gërveshi

Viti 1847.

Qershor. Krerët e Shqipërisë së Jugut ishin mbledhur në Masaplik të Vlorës. Shumica ishin fshatarë. Që nga vdekja e Ali Pashait shqiptarët po vazhdonin luftimet me Turqinë. Në 1828 kishin organizuar Besëlidhjen e Beratit me në krye Ismail Qemal Vlorën, në 1830 turqit kishin organizuar masakrën e Manastirit duke vrarë pjesën më të madhe të udhëheqësve shqiptarë. Në 1831 Zylyftar Poda, besnik i Ali Pashait, kish filluar kryengritjen në krahinën e Korçës. Në Mars 1833 e kish ndjekur Tafil Buzi me Laberinë, në gusht 1833 fshatarët e Gjirokastrës, në 1835 Tafil Buzi e Zenel Gjoleka kishin sulmuar Beratin e kishin vënë nën kontoll zonën Vlorë-Berat. Por kryengritja kishte dështuar e qenë detyruar të pranonte amnistinë e valiut të Rumelisë. Kjo ndodhi në 2 maj 1835. Pas disa ditësh shpërtheu kryengritja në Myzeqe nën udhëheqjen e Alush bej Frakullës, por përçarja çoi në dështimin e saj. Në 1837 sërish Alush bej Frakulla do hidhej në kryengritje e pas luftimesh të përgjakshme do të dorëzohej. Në 1839 Vlora e Berati do hidheshin sërish në kryengritje, kryetar zgjodhën Ismail pashën, nipin e Ali Pashait, por edhe kjo lëvizje do të dështonte.

Dhe kam shkruar vetëm për 10 vjet, nga 1830-1840! Vetëm për një pjesë të Shqipërisë! Por të mos harrojmë që valët e kryengritjes arrin edhe në Shqipërinë e Veriut e Kosovë e Çameri. Sa fashitej njëra kryengritje fillonte tjetra, sa shuhej në një krah ndizej në tjetrën!
Dhe ja sërish në1847 burrat janë mbledhur nën hijen e rrapit të Mesaplikut:

Mesaplik te rrapi tëndë
këmbëkryq ngremë kuvëndë

Ishin mbledhur të vendosnin për fatet e Atdheut, për luftë, për jetën e tyre.

Shqipëri na ke në këmbë
për liri dhe nderin tëndë

Ishin mbledhur të lidhnin besën siç e ka zakon shqiptari, pa nënshkruar e firmosur kartra, por duke dhënë fjalën.

Lidhëm bes’ e fjalën dhamë
s’japim xhelep as nizamë.

Gjendja e popullit ishte e keqe,. Taksat ishin shtuar, sulltani donte ushtarë, hiqte nga puna shqiptarë t’i zëvendësonte me turq, shpalli fermanin e Gjylhanesë (reformat e Tanzimatit).

Shpata jonë gris fermanë,
kanë zot trojet tanë.

Kuvendi vendosi të mos paguheshin taksat, të mos jepeshin nizamë, të mos pranohej administrata e re, u krijua Lidhja e Mesaplikut, u kërkua ndihma e qeverisë greke që komandohej nga një shqiptar, Jani Koleti, si dhe e Mehmet Aliut të Egjiptit, edhe ky shqiptar, iu drejtua thirrja mbarë shqiptarëve, muslimanë e të krishterë, burra e gra, të ngriheshin në luftë.

Kurvelesh krye të ngrini
gra e burra armët vini,
nizam’ Turqis’ mos i ipni.

Në krye të lidhjes u vu Zenel Gjoleka.

Mesaplik te rrapi i madh,
vjen Gjoleka me armat’
Bolenë, Kuç e Kallarat.
Vunë pisqollë e jataganë,
të përpiqen me pashanë.

U tha, u bë! Shqiptarët ishin gati për luftë. Në korrik taksambledhësit shkuan në Kurvelesh të mblidhnin taksat e bagëtive. U pritën me armë, ky ishte sinjali i fillimit të kryengritjes. Kurveleshi e Labëria u ngrit në këmbë.

Malet tona zun’ rënkojnë,
kurveleshasit lëftojnë,
me pashanë u përpoqnë.

Kryengritja u shtri në Mallkastër, Berat, Çamëri, Delvinë e në të gjithë Toskërinë. Në krye të Mallakastrës u zgjodh Rrapo Hekali.

Po na vjen Zenel Gjoleka
o Rrapo mirë se të gjeta.

Të dy krerët u takuan për të vendosur për luftimet në vazhdim. Po për Rrapo Hekalin do flasim diku tjetër.
Kundër kryengritjes u nis në gusht kryekomandanti i Rumelisë, Mehmet Reshit pasha. Mblodhi një ushtri prej 15 mijë vetash, gjithashtu vuri nën kontroll ujrat shqiptare për të ndaluar ndonjë përpjekje të Mehmet Aliut për ndihmë. Pasi theu trupat e Rrapo Hekalit, iu drejtua Kurveleshit nga Veriu. Luftimet u zhvilluan në Mesaplik e Kurvelesh të poshtëm.

O pasha o tungjatjeta,
pse kështu të dridhet mjekra,
s’ke parë plumba nga Gjoleka.

Luftimet më të ashpra u zhvilluan në Grykën e Shurit, ku spikati vetë Zenel Gjoleka.Për trimërinë e tij e populli nuk kursehet:

Gjoleka në Shur të Kuçe,
fustanen mbi gju hajdutçe.
Plumbat të binin mbi supe,
topi bam e ti po tutje.

Ose:

Gjolek-o mandile ziu.
Katërqint pas vetiu,
kur lufton si shishanlliu.

Ose:

Gjoleka mos dektë kurrë,
po për turq e për kaurrë.

Por jo vetëm Gjoleka u shqua në këto luftime, por edhe krerët e tjerë si Hodo Nivica (Aliu):

O Hodo, Hodo Nivica,
i larti si Këndrevica.

Apo Tafil Buzi:

Tafil Buz’ mustaqeziu
nga gryk e Kuçit erriu.

Po mbi të gjithë u shqua populli, burrat e gratë e Labërisë. Mbi ta ra pesha e luftës, mbi ta ra vdekja. Heroizmi, trimëria, lavdia u takon atyre njërëzve që rrokën armët e që nuk do t’i dimë kurrë emrat e tyre, por që i kujtojmë me emrat e udhëheqësve.

More djemt’ e Kurveleshit
me palla luftoni sheshit.
Kurvelesh o gur i thatë
me palla luftojnë gratë.

Sulmi dështoi por turku dogji Kuçin, Kallaratin, Bolenën e u tërhoq në Delvinë. Pasi i erdhën përforcimet, i ndau trupat në dy grupe, një pjesë iu drejtua Kardhiqit nga Gjirokastra, pjesa tjetër nga Rrëzoma drejt qafës së Skërficës. Këto të fundit u ndeshën me forcat e komanduara nga Hodo Nivica e Tahir Çapari në Palavli:

Ra topi në Palavli,
fush’e Delvinës u nxi,
me nizam e me deli,
dhjetë mijë suvari.

Edhe për Hodo Aliun shpresoj të flas një herë tjetër.
Edhe kjo lëvizje dështoi, por ky ishte pashai që kishte organizuar masakrën e Manastirit, sërish përdori dredhinë, thirri krerët e kryengritjes, duke shpallur faljen për ta. Shumë i besuan dhe u mblodhën për ta takuar në Zhulat të Gjirokastrës, aty i arrestoi dhe i çoi në internim në Adana, 85 veta e ndër ta edhe Hodo Nivica. Me kapjen e krerëve kryengritja dështoi, Zenel Gjoleka u detyrua të hidhej në Greqi, Rrapo Hekali me të vellanë vdiqën në burg. Këtu përfundon kryengritja, luftëtarët u shpërndanë nëpër çeta të vogla si ajo e Bilbilenjve, po këtë histori e kemi treguar tashmë.
Megjithëse u shua, kryengritja ndezi një shkëndijë që do bëhej një zjarr i madh në kohën e Rilindjes, atë të vetëdijes kombëtare. Lufta që u bë, qe një luftë e të gjithëve, jo për ndonjë princ a mbret, por për gjithë Shqiperi. Siç thotë edhe kënga:

Pse lufton a derëzi?
As për ma, as për ty,
po për gjithë Shqipëri.


Nëse artikulli ju pëlqen ndajeni me miqtë tuaj në Facebook fb

Tags: , , ,

4 Responses to “Zenel Gjoleka në këngën popullore”

  1. Lufta e Ftohte Says:

    Bo bo vura edhe pak muzike popullore tani, tani te vajtoj. Kujtoj ca kohe kur mblidheshin xhaxhallare e daje e me nje gote, jo gote shishe, le te themi fuçi, ja merrnin kenges per ore e ore te tere.

    Sot seshte me e mundur. Orkestra ka vrare shume. Sa lezet kishte, nje cope tjeter Shqiperia qe po lengon e vdes ngadale ngadale.

    ” C’po na vjen Rrapo Hekali…”

  2. bubi Says:

    shume bukur

    lavdia u takon atyre njërëzve që rrokën armët e që nuk do t’i dimë kurrë emrat e tyre, por që i kujtojmë me emrat e udhëheqësve.

    po , ne ato kohe kryengritesit ishin te bashkuar , apo luftimet beheshin ne vende te ndryshme pa qene te kordinuara

  3. Bubi Says:

    po per rrapo hekalin kur do flasim , jo kot un nuk jam mallakastriot po kam nji shok qe do donte te dinte ndonji gje

  4. klaridera Says:

    oooooooooooooooooo

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: