Muzika dhe pirateria

by

nga Darien Levani

Peshkojmë një artikull të vjetër dhe akoma aktual duke qënë se duhet të flasim per operacionin e Coldplay me albumin live LeftRightLeftRight.

Duken si shekuj por kanë kaluar vetëm pak vite nga dita kur një çun i quajtur Napster ngjit shkallet, arrin katëdrën dhe lexon emrat e fituesve të një trofeu muzikor. Ndërkohë kamerat inkuadrojnë Larsin, batëristi i grupit Metalika që bën sikur po i vjen gjumë dhe hap gojën nga mërzia.


Është vetëm një pjesë tjetër në betejën e pafund midis këtyre dy burrave. Lars, dhe i duhet njohur, pati meritën që të shkonte kundër hipokrizisë që muzika adhuron, guxoi të dilte kundër mitit Metalika dhe u soll ashtu siç do sillej një prodhues mollësh apo bluzesh të cilit po i vjedhin diçka. Kërkoi që të ndalej vjedhja e këngëve të tij, pretendoi leket që i perkisnin si pjesëmarres i një firme privatë : Metalika shpk. Gjest koherënt që nuk mund të mos e vleresojmë në ndershmërine dhe hipokrizinë e tij, konfirmim i mëtejshem i faktit që muzika nuk ishte më një terren idealesh, kishin mbërritur shtëpitë e mëdha diskografike dhe natyrisht, ishte bërë një biznes si një tjetër. Fundin e historisë e dimë, beteja mbaron me humbjen e Napsterit dhe me masakrimin e Larsit: Metalika nuk kanë arritur kurrë t’a marrin veten nga ajo humbje popullariteti, mbijetojnë duke ndërruar formacion si mbreti gratë mbi shpatullat e sukseseve të vjetra dhe personalisht më bëhet qejfi, Metalikat s’i kam kuptuar kurrë.  Por ishte, tamam, vetëm një betejë, jo lufta. Këtu muzikantët humbasin, ishte e paevitueshme.
Ishte një periudhë tjetër, muzikantë kundër fansash. Teknologjikisht mund të themi që ka ndodhur para disa shekujsh. Ndërkohë në botën normale janë rrëzuar dy kulla, këta kanë pushtuar ata, ai është martuar me atë e gjëra keshtu, rrjedha normale e gjërave. Interneti ka një marsh më teper, ndoshta dy. Napsteri mbylli dhe u bënë 20 vjet nga vdekja e Cliff Burton.
Por nëse ke një siguri në botën e internetit është që dikush do shikoje një sit dhe do imitojë atë sit duke i shtuar diçka dhe dikush do shikojë sitin e imituar dhe do i shtojë gjithashtu diçka. Napsteri ka meritën ( argh!) e idesë që pastaj kopjohet nga një numer infinit sitesh të tjerë ku mund të shkarkosh çdo gjë të mundshme e të imagjinueshme, sidomos shërbimi P2P. Tani, le të jemi të sinqertë, askush nuk blen një album që mund të shkarkojë falas. Për një farë kohe qarkullonte moda e dëgjimit falas, nëse albumi të pëlqente mund t’a blije, teknikë kjo e përdorur nga Eels bje fjala. Tani ka kaluar edhe ajo kohë, shitja e cd-ve bje gjithmone e më shumë. Mjafton të mendosh që në 2005 kompleksivisht në 15 shtetet më të mëdha në botë të gjitha shtëpitë e ndryshme kanë shitur cd për një vlerë prej 33456 milion dollaresh, ndërsa në 2006 “vetëm” 31813. Shteti i vetëm që ka një rritje të vogël në shitje është Rusia por edhe aty shumë pak, punë 20 milionash. Dhe është e padiskutueshme që kur të shpallen shitjet e 2007 shifra do jetë nën 30 miliardë.
Kanë ndodhur shumë gjëra të rendesishme këto muajt e fundit. Le të themi nja dy fakte që na interesojnë më shumë. Ash bëjnë albumin e fundit, jo sepse po ndahen por sepse vendosin që albumet nuk shesin, nuk funksionojnë më. Radiohead vënë albumin e tyre në shitje në internet me një çmim minimal duke u lënë fansave nëse duan të rrisin këtë çmim.
Dhe ndërkohë Columbia ka marrë Rick Rubin si drejtor egzekutiv. Guru i padiskutueshëm në botën e muzikës Rick Rubin është krijuesi i Def Jam Records, shoqëri që nis në vitet 80 në një dhome konvikti ku banon për ta bërë për pak vite një nga shtëpitë më të mëdha diskografike, duke vënë bast tek ajo që atëherë përçmohej nga gjigandët si “muzika e rrugës”, duke prodhur grupe si  Dixie Chicks, Slayer, Neil Diamond, Ll Cool J apo Beastie Boys. Është gjithmonë Rubin arkitekti i bashkëpunimit Run Dmc-Aerosmith. Në këtë moment po merret me Metallica – si më sipër – dhe me Weezer që mbas shumë vitesh duan t’i heqin vetes nofkën e grupi-reklama.
Ka një kurrikulim të mirë Rubin, kot s’e ka marre Columbia. Arsyeja tjetër ama është që anija e madhe po mbytet.
Shtëpitë diskografike kanë shumë mëkate. Njëri nga këta është kalimi nga disk në cd dhe çmimi që aplikuan në ato vite 80. Ishte industria e momentit, ishte eksperiment dhe cd-të duhet të mbanin një çmim të tillë – nga 20 deri 40 $ – për pak vite sa për të përballuar investimin fillestar. Nuk duhet harruar as që kur doli cd-ja, në vitin 1982 industria muzikore vinte nga tre vite krizë të zezë. N’a premtuan që mbas pak kohe çmimi do ulej, gjë që natyrisht nuk ndodhi. Nëse kërkojnë arsyet e rënjës së shitjeve të cd-ve duhet t’a llogarisin edhe këtë.
Thonë shtëpitë diskografike, e përsërisin si një mantra që nëse nuk marrin lek me shitjen e cd-ve nuk do arrijnë më të investojnë mbi grupe të rinj. Personalisht aq më bën, që nga 1994 – Grace – nuk prodhojnë një album të denjë për këtë emër dhe të gjitha grupet që më pëlqejnë këto dhjetë vitet e fundit kanë dalë vetëm me aprovimin dhe jo edhe me ndihmën e këtyre shtëpive që kanë frike vetëm për ato kuartete që prodhojnë në katet e larta. Nuk e di nëse është e vertete që s’arrijnë të prodhojnë më, edhe pse ka një logjikë. Por besoj se jo apo që pasojat nuk do jenë shume katastrofike. Sepse, nga ana tjetër kemi edhe një fenomen komplet të ri : grupe që bëhen të famshem në internet dhe arrijnë të kapin një kontratë nga kjo. Shembull emblematik janë Arctic Monkeys apo Arcade Fire.
Mëkat tjetër është lufta e hapur por e panevojshme. Vetëm para pak muajsh në Amerike për herë të parë kanë fituar një proces kundër një gruaje e cila kishte shkarkuar rreth 20 këngë nga e-mule. Midis të tjerëve Robbie Williams. Gjykata e ka denuar me një shumë prej 250 mije $, por natyrisht ajo që interesonte ishte shembulli, fakti që më në fund u arrit të dënohej edhe një pirat, fakt mbi të cilin deri tani kishte dyshime serioze, dhe shpresa që ky dënim do frenonte shkarkimin e paligjshëm. Përveç kësaj një njeri që shkarkon Robbie Williams duhet dënuar në radhe të parë nga shoqëria tamam si princip, po nejse.
Nuk më duket sikur ka ndryshuar ndonjë gjë mbas këtij fakti.  Të gjithë vazhdojmë të shkarkojmë pa patur ndjenjën që po vrasim muzikën, kemi të njëjtin oreks dhe flejmë gjumë si qingja. Si qingja nuk flenë drejtuesit e kësaj industrie, flenë si dinosuare të pazotë për t’ju pershtatur kohes, vazhdojnë betejën e Larsit si don Kishtoti kundër mullinjve. Të pakta janë inciativat e shtëpive për të zgjidhur këtë problem. Në Maj kanë braktisur sistemin Drm i cili kufizonte përdorimin e një albumu si psh kopjimin dhe masterizimin. Dakord, iTunes( Emi ) apo Lala ( Warner ) ecin mirë por janë akoma një pikë uji në oqean. Nga 2005 në 2006 i Tunes ka pasur një rritje prej 74%, por është akoma pak, shumë pak. Çështja është që tashme përdoruesit e ndjejnë shkarkimin si një të drejtë, si një privilegj dhe do kalojë shumë kohe përpara se shitja legale të zëvëndësojë në mënyrë të konsiderueshme shkarkimin. Sepse tani ky është bërë një fakt kulturor, social. Shumë njërez kanë me dhjetëra xhiga muzikë në kompjuter por nuk kanë blerë akoma asnjë disk në këtë shekull. Shtojini këtij faktin që në këtë kullë të Babelit një artisti mund të ketë rregjistruar disqe me shtëpi të ndryshme, ndërsa ti nuk ke kohe t’a blesh ligjërisht njëherë tek njëra e pastaj tek tjetra. Shtoji faktin që të udhëhequara nga logjika e tregut të gjithë nxjerrin një format të tyre të veçantë, duke harruar faktin që kur flasim për muzikë në linjë flasim vetëm dhe vetëm për Mp3. Lala dhe i Tunes shesin në format Aac: mund t’a dëgjosh rehatshëm me programin e tyre por do kishe probleme serioze sikur të duash t’a dëgjosh me shumicën e lexuesëve që shiten në treg si përshembull I-Pod . Shkurt, këngët që blen në një vend nuk mund t’i dëgjosh bje fjala me lexuesin e një kolosi tjetër. Vetëm i Tunes ka filluar të shesi disa grupe edhe në Mp3 por është një inciativë e kufizuar për publikun amerikan dhe atë anglez. Për më shumë, me justifikimin e një cilesie më të larte këto site në linjë shpesh shesin edhe me një cmim që kalon atë të tregut. Shtoji edhe formatin alien, Aac dhe arrin në konkluzionin që këta janë kamikaze. Sepse është ideja e albumit që nuk funksionon më, tamam ideja e një cd-je me 10-15 këngë që duhen dëgjuar njëra mbas tjetrës ashtu siç i ka vënë artisti. Amazoni nuk ka rënë në të njëjtin kurth: përpara fundit të 2007-ës duhet të aktivizojnë dyqanin e tyre të muzikës dhe flitet që do vënë në linjë të gjithë katalogun e tyre, në format Mp3, shyqyr Z-tit.
Krizë. Jo më kot të gjithë kanë ndryshuar strategji dhe duan t’u marrin grupeve ato privilegje që më përpara u linin, tip shitje bluzesh, gaxhet të ndryshem dhe koncerte. Steve Barnett, drejtor egzekutiv i Columbias deri në 2005, kur j’u shtua edhe Rubin është i qartë : qëllimi jone është të bëjmë kontrata nga të cilat të marrim edhe 50% të merchandising. Dhe ka shenja të mira edhe nga kjo beteja. Në 2002 Robbie Williams ( prapë ai )  firmos një kontratë prej 100 milion £ me Emi-n. Një nga klauzolat e kontratës i jep Emi-t një pjesë të mirë të fitimeve që këngëtari do bëjë nëpër koncerte. Analistë të ndryshëm kanë konfirmuar të njëjten gjë, që në 2010 shitja e cd-ve do përbejë vetëm 30% të fitimeve të një shtëpije diskografike. Koncertet u pëlqejnë të gjithëve, emocioni i vetëm i pazevendesueshem është bërë ai t’i shohesh live. Personalisht do bëja marrezira për të pare Pink Floyd dhe pak të tjerë. Është këtu që përqendrohet strategjia, këtu luhet loja apo lufta e momentit me shumë grupe që kanë filuar protestat për këtë kontratë të re. Mendoni që highlanderat Rolling Stones para disa mujash në Twickeneman kërkuan nga 150 deri në 350 £ për një koncert, ndërkohe që në 1999 kërkonin vetëm 25£ . Apo ai artisti tjetër që njihnim me emrin e Prince e që tani dreqi e di se si quhet : në koncertet e fundit fillon të shpërndajë albumin e tij të fundit falas të gjithë atyre që vijnë në koncert. Mëkat që harron të informojë Soni-n e cila sapo e merr vesh tërheq albumin nga tregu. Por nuk mbaron këtu. Në korrik i njëjti artist, dakord me shtëpine diskografike  kësaj here, ngjit albumin e tij me gazetën Mail on Sunday : nëse blen gazetën të japin falas edhe albumin e tij të fundit, Planet Earth. Jo keq të shesësh një milion kopje në ditë, apo jo?
Apo dinosauri McCartney që në Amerikë shet “Memory almost full” vetëm në zinxhirin Stardust, rreth gjysëm milioni kopje.
Mund të egzistoje nje muzike falas? Ka që mendojne se po, duke ndjekur logjikën Google : nëse Google bën fitime fantastike vetëm me reklama përse të mos bëjmë të njëjtën gjë me muzikën. Është shembulli i http://www.we7.com. Mund të shkarkosh nje mori këngësh falas, por përpara se kjo te fillojë duhet të pësosh të paktën tre-katër sekonda reklame gjithmonë, sa herë që e dëgjon.
Një rruge tjetër interesante është ajo që po ndjek Universal ne Francë, duke vënë në dispozicion të gjithë katalogun e saj për ata qe nënshkrojne një kontratë abonimi interneti me Neuf Cegetel, gjithashtu e kontrolluar nga Universal. Janë të gjitha iniciativa joshëse dhe të vleresueshme por vetëm koha do na tregojë se sa do funksionojnë.
Le t’u kthehemi grupeve si Arcade Fire apo Arctic Monkeys, grupe të lindur nga interneti. Grupe që, teorikisht, mund të shkruajnë-rregjistrojnë-shesin vetëm me ndihmën e internet, pa denjuar fare shtëpitë diskografike. Njëra nga konkluzionet që që po del nga i gjithë ky kaos është që shtëpitë mund të jenë të panevojshme për botën, apo mund të bëhen të tilla. Por nëse bota mund të jetoje pa to, ato s’mund të jetojnë pa botën.

Tags: , , , , ,

4 Responses to “Muzika dhe pirateria”

  1. andinh Says:

    Ka ngelur si zgjidhje e vetme që Uzinat Diskografike të mbajnë pak dietë dhe të mos jenë aq të uritura sa ç’kanë qenë keto 50 vitet e fundit.
    Anti-copyrighti do jetë gjithmonë një hap përpara.

  2. kapedani Says:

    Z-oti? Mos jemi gje cifut ne shqiptaret?

  3. Rina Says:

    teme sh interesante…
    jam vete nje super shkarkuese e kengeve,,,,,por vetem sepse ketu ne shqiperi nuk shiten albume te grupeve te huaja…
    Shkrimi eshte pak si teper bazuar ne opionet e tua personale, ndoshta ky eshte qellimi, megjithate…
    vlersoj jashte mase grupet qe promovohen ne internet,,,,,dhe e perdor myspace vetem per te degjuar pafund grupe te reja por shume te talentuara…..
    sa per koncertet,,,,cmimi i tyre sdo me duket kurre shum i larte,,,gjithmone nese behet fjale per grupe qe ja vlejne….ato emocione qe perjetohen aty nuk blehen me para,….ashtu si nuk mund te blesh me para talentin ….
    e zgjata shume…por duhet te kujtojme qe cdo gje ka te mirat dhe te keqijat e veta…dhe teknologjia e lart e ne rritje smund ti shpetoj ketaj “teoreme”

  4. Interes Maestër! « Tirana Calling Says:

    […] ne koncerte. Nuk ka me logjike tregu i cd-ve, kjo dihet qe nga 1997 e nuk e kemi zbuluar sot. Po për kete kam folur gjetke e pertoj te zgjatem […]

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: