Demokratizimi përmes mendimit dhe ‘Mendimi Shqiptar’!

by

 fishta-mjeda-gurakuqi

shkruan Dr. Përparim KABO

Pedagog pranë Universitetit Jo Publik ‘Luarasi’, Fakulteti Juridik.

Tema e mbajtur në Konferencën shkencore,”Mendimi Shqiptar dhe Shkolla Shqipe” 29 maj 2009.

 

Shoqëria globale dhe ajo rajonale, hapsirat institucionale transkontinentale dhe institucionalizmi i vendimmarjes lokale, janë sot përball nje çështje substanciale. A mjafton institucianilizmi demokratik shtetëror e burokratik qoftë edhe kur ai vjen si rezultat i një demokracie referendare ku votuesit delegojnë sovranitetet me, apo pa një arsyetim bindës, për aktin që disa e shohin si qëllim dhe disa e konsiderojnë mjet, si dhe disa të tjerë stacion të fundit të përgjegjësisë; përtej të cilit, unitetet e demokracisë kolektive perfaqesuse janë thjesht realizatorë të shërbimeve që vijnë nga vendimmarrja, si një tërësi kushtesh të mjaftueshme dhe shteronjëse përball ndryshimit të pandërprerë?!

Apo njerëzorja dhe institucionalja tek demokracitë e reja dhe pa një traditë të gjatë historike, nuk e kanë përputhjen së paku brenda një relativizmi apsolut adekuat, por gjithësesi dialogojnë për të bashkëvepruar, dhe ecin në një normalitet funksional jo përjashtues, thjesht sepse nuk mund të bëjnë pa njëri tjetrin?! Normal, ku ka institucione ka edhe njerëz që punojnë në to!

Eshte eksportuar-importuar demokracia institucionale saje anëtarsimeve rajonale dhe globale, por dilema është se si duhet vepruar me demokracinë e mendimit!Çështja që shqetëson është se si administrohet institucionalizmi?!

Ecuria e zhvillimit të kapitalizmit të zgjeruar demokratikisht në një pluralitet ekstrem subjektesh në treg, ku aktualisht në të janë rreth 4 miliardë njerëz kur 15 vjet më parë ishin 1 miliardë e ka bërë këtë lojë globale.

Në veprimtarinë ekonomike dhe atë të transaksionit finaciar dhe monetar janë të gjithë, madje edhe fëmijët në fetus, madje pa e tepruar, edhe ata që janë ende në ëndrrat e adultëve, sepse kreditimi i marrë individualisht prej korporatave monetare apo nga subjektet ekzekutive, në trasenë e obligimit institucional, ta sjellin kthimin e detyrimit si një faturë tek porta, do apo nuk do ti, ajo vjen me një “autoritet preponderant”, me kosto të shtuar si fitim i kredidhënësit.

Ndërsa demokratizimi qytetar nuk ka ecur me të njëjtat kordinata, nuk ka rokur të njëjtat hapsira dhe, nuk pranohet si e njëjta përgjegjësi për vete dhe për të tjerët, për të sotmen dhe për të nesërmen, për brezat aktiv në ecurin që përjetohet dhe, për brezat e ardhëshëm që nuk mund të nisin çdo gjë nga e para. Të gjithë gjejmë atë që kanë lënë si fryt historik të tjerët para nesh dhe të gjithë dorëzojmë atë që realizojmë në historinë tonë si peng detyrimi historik. Jashtë kësaj dialektike njerëzore nuk ka rrugë tjetër alternative.

Kapitalizmi dhe demokracia nuk kanë rrugëtuar në shina paralele, sepse nuk drejtohen nga të njëjtat motive dhe nuk kontrollohen nga të njëjtët mekanizma.”Që të themi të vërtetën,lidhja e kapitalizmit me demokracinë, në rastin më të mirë është e brishtë. Kapitalizmi dhe demokracia u nënshtrohen parimeve të ndryshme.Pikësynimet janë të ndryshme; Në kapitalizëm objektivi është pasuria; në demokraci është autoriteti politik. Kriteret, me të cilat maten pikësynimet, janë të ndryshme; në kapitalizëm njësia e llogaritjes është paraja, në demokraci është interesi publik”(George Soros, “Kriza e Kapitalizmit Global” botim shqip,faqe 111, Shtëpia botuese Toena).

Tregu zgjerohet si aktivitet dhe njëherësh ngushtohet si vetinteres. Demokracia zgjerohet si vetëpërgjegjësi inidividuale dhe komunitare por po nga i njëjti njeri, në kuadrin e një “demokracie që demokratizohet”.

Të qënit operator tregu dhe subjekt social e sjellin individin të dyzuar, brenda antropologjisë globale, rajonale dhe lokale.

Një shqetësim i tillë i shoqërisë provokohet nga një realitet i dikotomisë asimetrike ku ekonomia e tregut është uniforme në rregullat e lojës dhe prezente edhe në shtete ku mungon demokracia institucionale, sepse janë vende me sisteme totalitare. Ndërsa demokracia nuk ka një shtrirje globale. Karakterizohet nga nivele të ndryshme tradite, nga shkallë të dallueshme pjekurie dhe nga tipizime të qarta atributesh të fituara historikisht.

Sot flitet për fizibilitetin e demokracisë globale dhe ka nxitje me propozime konkrete për parlamentin botëror, qeverinë botërore dhe gjykatën botërore të të drejtave të njeriut, siç edhe Albert Ajnshtajni e kishte rekomanduar në letrën e vitit 1947 drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-s, porse ç`ështja pezull që kërkon zgjidhje është?!

Si paraqitet antropologjia globale në nivelin e njohjes, të zotërimit dhe të përdorimit të vlerave civile, qytetare, morale dhe juridike të gjithëpranuara?!

A është ajo e përgatitur, a e zotëron formimin e përgjithshëm kulturor për një ndërmarrje të tillë që do të rregullonte raportet në një shoqëri të hapur për ndryshim në rafsh global në tërësinë e rrethanave postkomuniste?!

Demokracia e mendimit nuk është e barabartë vetëm me detyrimin shtrëngues ligjor, institucional dhe dokumentar, që vjen tek individi i zakonshëm si një urdhër për njeriun ontologjik me të gjithë anatominë e tij sociale, me tiparet e tija identifikuese dhe me mundësitë reale për vetëndryshim.

Aberacioni i kapitalizmit me tiparin e tij themelor “autoritetin e zotërimit”, ka prekur vlerën antropo-civile dhe antropo-institucionale të shoqërisë, duke e sjellur antropo-individin e tregut në njeriun pa skrupujë dhe amoral (përtej moralit) që është utilitar dhe jo programues, që donë të përdori detyrimin shtetëror dhe institucional shpesh me oportunitetin e infomalitetit, dhe jo t’i prodhojë ato duke qenë brenda tyre subjekti i vetëdijshëm i përgjegjëshëm dhe aktiv, për të zhvilluar shoqërinë me principe morale dhe me përgjegjësinë e brezit, brenda kontinuitetit njerëzor të progresit; që nuk ndërpritet pasi është i disiplinuar nga ligji, bazohet tek rregulli dhe harmonizohet me detyrimet gjithëpërfshirëse publike. I tërë rituali teorik dhe intuitiv, aplikativ dhe eksperiencë e trashëguar është turbulluar, aq sa studime deri në nivel të çmimit “Nobel” si edhe është rasti i Edmund Phelps profesor në fushën e ekonomisë nobelisti i vitit 2006 në ekonomi, me studimin “Roli e vlerave dhe qëndrimeve për nxitjen e zhvillimit ekonomik”, kerkojnë rilexim të arritjeve të mendimit universal.

Citoj profesor Phelps:”Vëzhgimet tregojnë se më pak francez, italian apo gjerman se sa amerikan, apo britanik shohin ndryshimin te mentaliteti për zgjidhjen e problemeve, inisiativave dhe përgjegjësisë në punët e tyre…Duhet gjithashtu që shoqëritë europiane të mësohen me klasikët e tyre, me vlerat humane të tyre si; kërkesa e Aristotelit për dituri, kërkesa e Platonit për përgjegjësi, ose mohimi i Kantit për të qenë në të njëjtën gjëndje dëshire si dikush tjetër, si edhe teza e Berksonit të bëhesh në vend që të jesh”(Neës Ëeek 30 prill 2007)

Shoqëria shqiptare ka nevojë të harmonizojë pikerëndesat mes vendimmarrjes dhe përgjegjësisë së masës njerëzore të organizuar, që në terma të tjerë do të shprehej; përmes instituicionalizmit të derivuar nga delegimi i pushtetit përmes votës dhe pjesmarrjes në hartimin, në kontrollimin, në zbatim e korigjimin në proces të asaj vendimarrjeje.

Kjo detyrë është vetëdije ndaj sovranitetit të deleguar. Eshtë demokraci në veprim. Eshtë shprehje e një antropologjie(njeriu mesatar që përbën edhe shumicën) të përgjegjëshëm që largohet gjithnjë e më shumë nga varësia autoritariste e shtetit, që gabimisht ishte konsideruar prej tyre si mbajtësi i të gjitha përgjegjësive në formën e një gardiani përball “njerëzve të vet-anonimizuar” dhe të njësuar jashtë individualitetit, të cilët kërkojnë në një pozicion pasiviteti vetëm t’u kthehet renta e sovranitetit të deleguar, duke mos kuptuar që pushteti është i tyre; të zgjedhurit kanë për detyrë vetëm ta mire-administrojnë atë nën përgjegjësinë ligjore.

Kjo sepse buxheti përbëhet nga taksat e tyre, se kreditë e marra janë detyrimi i tyre në breza dhe çdo qindarkë duhet përdorur me nikoqirllëk dhe duhet raportuar për to në dritë të diellit.

Një mentalitet dhe praktikë e tillë të sjelluri është inerci post-diktatoriale dhe tek ne vjen me një ngarkesë historike edhe më të gjatë se ajo komuniste duke risjellë në një kontur kohor prezent, por me të njëjtën ngarkesë njerëzore dhe psikologjike, një realitet që daton herët pas në kohë, madje goxha herët. Njeriu i shfaqur (apparent) dhe njeriu i pa shfaqur apo pjesa e tij e fshehur,(kripto-antropologjia vendimarrëse për shkak të ngarkesavë historike-ose proji i jetës në udhëtimin e brendëshëm) janë në raporte jo harmonike, që dëmtojnë raportet gjithëpërfshirëse dhe sfazojnë me jo pak kosto ecurinë institucionale në marrëdhëniet me ecurinë antropocivile dhe atë antropo-institucionale.

“Një sistem i ri shoqëror, sado demokratik të jetë në raport me atë që le pas, nuk mundet kurrësesi të definohet plotësisht si i tillë me antropologjinë e djeshme. Kjo e fundit e realizon këtë detyrim historik për aq sa është e civilizuar të zotërojë ligjësitë dhe detyrimet, që rrjedhin prej sitemit të ri, për aq sa e pranon sfidën e kostos sociale, morale dhe të interesave…”

A e kemi njeriun e zakonshëm në parametrat së paku mesatare të shoqërisë institucionale që jemi duke u përpjekur të ndërtojmë?!

Pra a kemi një njësim kohe substanciale mes demokracisë institucionale dhe demokracisë së mendimit njerëzor, apo ka diferenca?

Jetojmë në vitin 2009, por në ç’vitë është mentaliteti pragmatik si

udhërrëfyes veprimi? Po psikologjia orjentuese, ç’vitë daton?

Në ç’vitë, është botëkuptimi spontan si autoriteti kozmogonik i njeriut që nuk ka brenda vetes pushtetin e piramidës së arsyes konceptuare?

Në ç’vitë daton rituali i hartës antropologjike? Në ç’vitë është vetëdija civil në raport me ligjin, me institucionin dhe me edukatën e dokumentacionit?!

Necessitas non habet legem. Nevojës nuk i duhet ligji, thonin latinët.

Kalimi nga një antropologji kolektiviste e ideologjizuar, tek antropologjia civile, dhe prej andej tek antropologjia institucionale, është detyrimi i kurimit të njeriut me qëllim për ta kthyer nulitetin mazoistik të djeshëm në një qytetar civil të sotëm, dhe për shëndrimin e tij në “institucionin individ”, me atributetet e veta demokratike si; të mendojë me kokën e tij, të jetë i lirë të shprehet, të ketë të drejtë të vetëmbrohet.

Kalimi nga antropologjia feudale me skemën “turma dhe prijësi”, e veshur ushtarakisht në komunizëm dhe e spërkatur ideologjikisht me retorikën “vija e masave” dhe “udhëheqësi legjendar” nuk e kapërceu këtë skemë, përkundrazi e thelloi dhe e përçudnoi keqaz ekstremisht.

Shteti totalitar komunist e njësoi shoqërinë më shtetin!

Në këtë strukturë medievale ai që e pësoi/n është institucionalizmi!

Mendimi shqiptar prej Rilindjes Kombëtare dhe në vijim në dekadat e para të shekullit të kaluar, u përpoqë pikërisht të ngrinte një raport tjetër, atë që në botën e qytetruar strukturohet individi-institucionet-kushtetutëshmëria.

Një demokraci e tillë ndërtohet përmes kulturalizimit me ushqim bazik mendimin, sepse edhe sikur ajo të dhurohet si sistem i gatshëm, nuk funksionon, nëse nuk është atribut i edukuar si vlerë civile e ligjit dhe si kulturë e gjithanëshme për masën njerëzore dhe shoqërinë civile.

Kurimi antropocivil i shoqërisë nuk mund të jetë vetëm detyrimi i ekzekutivit të rradhës, sado i përkushtuar dhe me ndjenjë përgjegjësie të jetë ai. Studimet në një anatomi antropolopgjike japin mundësinë e gjetjes së grupimeve të përcaktuara, se ku është koha mentale e njeriut tone, i ndodhur përball largimit përfundimtar nga komunizmi, dhe suksesit në ekonominë e tregut, dhe njëkohësisht i detyruar të pozicionohet ndaj përballimit të globalizmit dhe marrjes së qytetrimit borgjez juridiko-civil, që kalon nga shtegu i përcaktuar nga filozofi i “Fjalë dhe gjëra”,(kryevepra e strukturalistit social) Michel Fouceau, se “Frika është përgjigjia politike në të gjitha kohërat”.Të tillë ai gjykonte detyrimin shtrëngues shtetëror që historikisht krijoi vetëdije qytetare.

Fatkeqësia jonë është se ne jemi një antropologji me sisteme të ardhura me vonesë në raport me të tjerët, shpesh të deformuar, dhe për më keq akoma me një sistem fundamental të munguar; shoqërinë borgjeze.

Fillimet për një shoqëri “të së vërtetës, lirisë dhe drejtësisë” (modeli britanik) dhe “të lirisë barazisë e vllazërisë”(modeli francez) i gjejmë qysh me “Rilindjen Kombëtare”, por penduli i fatit historik rëndonte nga shteti gjeopolitik kombëtar. Ishte ky misioni kryesor ekzistencial.

Nxjerrja e identitetit nga shkollimi në gjuhën shqipe, kulturizimi dhe ruatja e tipareve identifikuse etnokulturore, janë tregues impresionues dhe të tillë që meritojnë t’ju përkulemi me respekt e veneracion edhe sot, për drejtëpeshimin historik dhe vizionin konservues të univesrit shqiptar në udhëkryq me fatrezik azgjësimin, për deri sa Institucionet Ndërkombëtare të kohës e quanin Shqipërinë “shprehje gjeografike”.

Krijimi i shtetit shqiptar me një normalitet adekuat pas shpalljes së pavarësisë dhe peripecitë ‘post osmane’ me valencën europë-rusi dhe me derivatin e gjetjes së ekujlibrit të pamundur mes grykësisë fqinje, krijoi atmosferën dhe dha fermentin për ndërtimin e mendimit shqiptar me disa tipare unikale por që përshkruhen nga një fill i përbashkët.

Ndërtimi i një shteti shqiptar europian përmes një antropologjia shqiptare që duhet të dali nga inkubacioni i izolimit konservues dhe të formohet dora dorës si një antropologji e qytetruar në shkallëzimin e kujdeshëm nga antropologji fisnore, në një antropologji administrative dhe nga një e tillë në një antropologji institucionale e ligjit dhe e etikës, e që duhej të lëvzite në trinomin krucial të formuluar qartësisht nga John Lockut:

”Individi-shoqëria-Shteti”.

Uni antropologjik do të duhej të dilte nga njeriu baritor duke e shëndruar atë në qytetarin dhe institucionin e vetëdijshëm me tre liritë e tij primordiale;

Lirinë e jetës, lirinë e pronës, lirinë e të shprehurit.

Vetëm kështu ai pranon jetën komunitare dhe delegon pushtetin njerëzor tek shoqëria pa të drejtë rimmarrje, ndryshe shoqëria nuk është më e tillë, dhe kjo nga ana e saj ja delegon këtë “autoritetit të shtetit” për ta kthyer në ligj, sepse pa këtë institucion individët nuk janë të barabartë, ndërsa themeli i sovraniteteve prona, nuk mund të trupëzohet në atë që formalizohet në aksiomën e shoqërisë demokratike që nga gjenenza si postulat sine qua non, “se prona 9/10 është ligj, vetëm 1/10 është asset”!

E tërë kjo mardhënie është vetëdije nga ajo individuale tek ajo kumunitare dhe prej andej tek vetëdija civile institucionale. Një rregullim i till shoqëror vjen nga mendimi dhe institucionet e mendimit të specializuara.

Ndaj qëndrimi ndaj mendimit shqiptar nuk është përgjegjësi për shkak të memories së certifikuar. Qëndrimi ndaj muzeumologjisë së mendimit e sendërtuar në të gjitha format kurrikulare shkollore, deri tek mediumet e tjerë të komunikimit gjithëpërfshirës, është detyrim ndaj vetëdijes dhe koherencës së saj, që nuk mund të vijë funksionale nëse nuk e njohim dhe vlerësojmë shkencërisht. ”Procesi biologjik është i gjithi gabim. … dëshironi të keni ditëlindje por ka edhe vdekje. Mirëpo në muzeumet, është gjithcka lindje dhe jo vdekje”.Vetëdija ndaj muzeumologjisë së mendimit është instrumenti i një memorie aktive që nuk lejon që të vdes mendimi, të humbë përvoja, të fshihet eksperienca, të nënvleftësohen arritjet.

Vetëdija të mundëson dhënëje-marrje me rrathët më të gjërë të mendimit sepse vetëm kështu bashkëveprimi vjen nga arsyeja, si edhe je i mbështetur në aftësinë për të gjykuar, se ç”farë është duke lindur rishtazi.

Trinomi, politik-ekonomi-kulturë mund të mbahet në funksion për të mos u tkurur me të gjitha pasojat bashkëshoqëruese në shoqëri, vetëm nga kultura.

Ekonomia dhe produkti i saj homo-economicus priren nga vetfitimi, tregu është përjashtues. Politika me relativizmin partiak në kushtet e pluripartitizmit nuk mund të jetë gjiëpërfshirëse dhe universale sepse njeriu politik ka edhe tipizimin e profilit të partisë politike.

Vetëm kultura me “homo-eticus” e ruan marrëveshjen me të vërtetën e cila nuk pranon justifikime sepse bazohet tek vlerat. Marrëveshja e besimit ka në thelb vetëdijen ndaj është gjipërfshirëse.

Kultura as tregëzohet, as anëtarësohet në ideologjitë politike partiake. Universaliteti i vlerave të mendimit është i patjetërsueshëm.

Mendimi shqiptar i Anton Harapit, Branko Merxhanit, Tajar Zavalanit, Gjergj Fishtës. Ismet Totos, Krist Malokit, Medi Frashrit, Mit’hat Frashërit, Nebil Cikës, Mustafa Krujës, Zef Valentinit etj etj, si ‘materie’ e kulturës sonë do të duhet të studjohet në thellësi, për ta sjellur në mundësinë reale të përcjelljes në mënyrë integrale dhe shteronjëse. Kjo minierë mendimi prêt të njihet!

Duhen evidentuar kontributet e mendimit shqiptar në të gjitha ato fusha ku ai është shtrirë.Duke filluar qysh nga marrëdhëniet e tij funksionale me mitologjinë pellazgjike dhe civilizimin greko-romak. Eshtë me vlera të njihen në një anatomi lineare dhe shtrirje epokash, marrëdhnëniet e këtij mendimi me historinë. Edhe si mendim historiografik, edhe si deduksion vendimmarës në ngjarjet e mëdha historike që lidhen me krijimin e kombit dhe të shtetit shqiptar dhe me detyrimin e modernizimit europian të tyre.

Gjen në të gjykime të sakta dhe me akses ende aktual për problemet e Ballkanit dhe marrëdhëniet me Europën, që vlejnë edhe sot sa here që erësira shovene ballkanike prodhon teza antishqiptare.

Por këto kontribute nuk njihen nga breznitë e reja sepse në shkollë i takojnë pak dhe në mënyrë të pjesëshme. Mendimi shqiptar ndihmon të njohim edhe raportet historike me institucionalizmin europian e atë ndërkombëtar, tek të cilët ai ka qenë prezentë me kompetencë dhe seriozitet, jo në pak raste.

Ky mendim udhëhiqej nga kredua që energjia antropologjike shqiptare të mos largohej më nga atdheu por të investohej brenda tij në rrugën e vështirë të largimit nga nata lindore drejt dritës perëndimore.

Tek të gjitha ata e gjen pikërëndesën “Lindor apo Perëndimor”!?

Ky udhëtim vijon edhe në ditët tona dhe suksese ka goxha, por nuk ka përfunduar dhe nuk është drejtpeshuar në binarrë themelie në të gjitha aspektet. Preferoj të citoi Krist Maloki-n që thoshte se “Lindori mendon për pushtet dhe llokma”! Koha nuk e ka zbehur këtë përcaktim lakonik!

* * *

Mendimi shqiptar i inkorporuar ka disa tipare që ndihmojnë në metodologjinë e arsyetimit në lidhje me të, e mbi këtë bazë jep mundësi në hartimin e një didaktike funksionale, që do të lejonte tranzmetimin e tij si në mënyrë divulgative, ashtu edhe në mënyrë abstrakte teorike përmes kurrikulës shkollore të të gjitha niveleve. Mendimi shqiptar nuk duhet parë si një “oaz mendimi lokal”, dhe nuk duhet studjuar jashtë pluralizmit arsyetues! Ai nuk mund të posedohet por vetëm mund të hulumtohet.

E para është autoritarizëm, e dyta është vlerë demokratizuese!

Tipari i tij themelor është se në tërësi ky mendim ka përmbajtje shkenore, që takohet në formën e analizave, deduksioneve, përsihatjeve dhe azhornimit të tij me dijen më të përparuar të kohërave. Për këtë arsye ai vjen edhe sot koheziv dhe shtyn kah njohjes së mendimit bashkëkohor.

Trajtimi i tij në këtë shtrat është domososhmëri, jo thjesht për t’u takuar me vlerat dalluese të kohës konkrete të ndërtimit të tij si të tillë, por njëherësh edhe për të vijuar arsyetimin në dy hulli fort të rëndësishme.

Mendimi shqiptar nuk është një mendim provincialist, baritor e rapsodik që përpiqej të europianizohej. Ai lindi dhe u zhvillua si një mendim europian që vuri në themel të studimit një shoqëri shqiptare në tërësinë e universit njerëzor, historik, social, etnokulturor, politik, ekonomik, etik, filozofik, demografik, civil, ligjor, arsyetuar në raporte rajonale dhe globale; me një masë njerëzore që vinte nga imperialitetet historike pjesë e të cilave kishte qenë për 1944 vjet, por që jashtë tyre kishte mbetur e prapambetur si një ngrehinë antropologjike provinciale.

Ky mendim është kozmogonik për historinë, për kontributet dhe detyrimet e universit antropologjik shqiptar.Po kështu problematika e ngërthyer prej tij, mënyra e analizimit, fokusimi teorik shkencor, bëjnë që ky mendim të jetë pjesë e korpusit shkencor që vijon edhe në ditët tona.

Vet shkenca nga natyra e saj objektin e hulumtimit shkencor nuk e fillon sot, ka një histori, ka ecuri, ka ridimensionim, ka rishikim tezash, ka rivlerësim të zgjidhjeve të definuara. Ky universalitet i mendimit dhe tezave shkencore vjen i tillë funksional sepse shpall dhe respekton si kriter aksiomatik të metodologjisë shkencore, vështrimin qëllimor të objektit apo problematikës në një kontinuitet të përligjiur e të pandërprerë.

Segmentizimi ngurtësues, apo dogmatizimi frenues, nuk kanë të bëjnë me metodat shkencore të arsyetimit. Bazuar në këtë princip primordial, shkenca dhe mendimi shkencor pranojnë pluralitetin në arsyetim mbi objektin që hulumtohet. Diversiteti në këndëvështrim e rritë shumësin e kauzaliteteve provuese, e rritë objektivitetin shkencor! Në këtë fill arsyetimi do të duhet të krijojmë bindjen tek vetja, e më tej tek të tjerët, se “mendimi shqiptar” është një formë konkrete e “iluminizmit borgjez europian” me veçoritë e specifikat, me dinamikat, dhe predispozicionet individuale, që nuk derivojnë në mënyrë të sforcuar nga vetvetja, por se vijnë si të tilla nga ligjësitë e përgjithshme të mendimit shkencor progresiv universal.

Fati i kishte rënë që ky mendim të emanciponte terenin më të thepisur njerëzor të kontinentit.Ai ishte por mungonte sistemi që pritej të ndërtohej!

Për këtë arsye ky mendim nuk përfaqëson një madhësi konstante të izoluar provincialiste, sepse konstantja nuk ka derivate, por bazuar në faktin si ky realitet njerëzor, antropologjik e historik është nga gjeneza e vet pellazgjike pjesë me kontribute e pazëllit europian gjithëkohorë, mendimi shqiptar është europian. Ai mund të njihet e studjohet, interpretohet e përcillet vetëm brenda kuadrit shkencor dhe institucionalizmit europian.

Këtë detyrim i kishte vënë vetes dhe e barti me arritjet dhe mungesat, mendimi shqiptar.Veçoria e universit tonë në kontinuitetin historik, antropologjik e institucional ka qenë, se mendimi elitar-i elitës shqiptare, nuk vinte si produkt i realitetit social, politik dhe institucional të përparuar vendor, por se kishte vetëdetyrimin që ta bënte atë të tillë.

Ky mendim kishte si objektiv krijimin e Shqipërisë europiane.

Ai përfaqësonte një produkt krijimtarie të elitarëve të kohës por për gjithkohërat, të edukuar, shkolluar dhe kualifikuar në shkollat e perëndimit.

Me veprën e tyre ata kishin qendërzuar si objektiv madhor kalimin nga lindja në perëndim të njeriut, të antropologjisë dhe shoqërisë shqiptare.E gjithë kjo përmes kulturës, me emancipim dhe qytetarizim gjithëshoqëror.

Ky lloj kurimi antropologjik vjen vetëm nga mendimi dhe edukimi shkollor e kulturor, ndaj raporti bashkëpunues me këtë trashëgimi është njëherësh qëndrim ndaj europianizimit të pandërprerë të antropologjisë sonë.

Mangësia historike e mospërputhjes së ndërgjegjes civile të masës dërmuese të popullësisë me ndërgjegjen institucionale si detyrim ligji, si shtrëngim racional rregulli, si korektesë dokumentacioni, e si kohezion bashkëjetese, e sjellin situatën edhe sot për shumë shtresa të shoqërisë dhe për disa struktura antropopsikike të antropoindividit, në detyrimin e gjetjes së nyjëzimit të munguar për të kryer lidhjen e vijimësisë historike.

Shumë vende të ish-lindjes komuniste, kur dolën nga ai sistem totalitar e patën më të lehtë nyjëzimin me sitemin borgjez si qytetrim, sepse në historitë e tyre e kishin patur këtë traditë të krijuar në dekada, me arritjet dhe me produktin institucional e kulturor të prekshëm e funksional.

Për ne nuk është e njëjta situatë. Kthimi pas në histori për ta kryer nyjëzimin ishte i vështirë. Si sistem borgjez i kapitalizmit vlenë vetëm eksperienca e rreth një dekadë e perjudhës së mbretërisë. Vetë mbreti në intervistën që jepte për Daily Telegraph në tetor 1928 shprehej se:

“Ne jemi shekuj të tërë mbrapa pjesës tjetër të Europës së qytetruar.

Njerëzit nuk janë në gjendje as të shkruajnë as të lexojnë; ata u binden shumë pak ligjeve të shkruara; gjakmarrja vazhdon të jetë e përhapur në shumë krahina të vendit.Unë jam i vendosur ta civilizojë popullin tim dhe ta fus atë sa më shumë në rrugën e mësimit të zakoneve dhe mënyrës së jetesës perëndimore”. Me hyrjen në shoqërinë e demokracisë institucionale ne gjetëm një masë antropologjike me strukturë 2 breza të perjudhës së komunizmit. Ja përse në këta vite të liberal-demokracisë, ne kemi takuar edhe deformime si lirianarkinë, provincializmin, shpagimin e verbër, vetëgjyqësinë, ngujimin, një lloj ksenofobie arkaike ndaj një bote të hapur dhe tipareve të saj në lidhje me lirinë e individit, bashkëshoqëruar ky qëndrim me sjelljen brenda disa virtyteve të respektit thjesht njerëzor ndaj njeriut të një kombësie të huaj! Eshtë kjo një problematikë që vjen nga e kaluara dhe mbi të cilën ka hulumtuar dhe ka deduktuar mendimi shqiptar, duke anticipuar edhe për sot duke rekomanduar se si do duhet të veprohet.

Shoqëria që ne po ndërtojmë bazohet në një filozofi të caktuar politike, ka rregulla strikte të kodifikuara dhe prodhon një vetëdije të caktuar të ligjit.

Problemi është se tek “njeriu mesatar” dhe shtresat nën të, kjo lloj vetëdije hyn në ndërgjegjen e tyre si një “imperativ institucional”, por del si udhërrëfyes i tyre ashtu si/ose (keq) kuptohet, ashtu si/ose (para) gjykohet, ashtu si/ose (keq) interpretohet.

Distanca kulturore mes nivelit të përgjithshëm të formimit dhe kërkesave substanciale të vetëdijes demokratike institucionale është ç`eshtja pezull që pikërëndon empancipimin kulturalisht të antropologjisë sonë.

Europianizim për t’u integruar dhe jo integrim për t’u europianizuar.

Nyjëzimi nis dhe duhet të kryhet tek mendimi shqiptar që ka tipare europianizuese në raportet e tij me nje valencë antropologjike vendore.

Kur u krijua ai, ne kishim mendimin, por nuk kishim sistemin.Sot kemi sistemin por ne nuk kemi mendimin. Ikja prej mendimit në emër të tregut, nevojës dhe utilitares, nuk jep garanci për një shoqëri të qëndrueshme, demokratike dhe të lirisë! Ndaj ky mendim është shtylla jonë kurrizore dhe jo apendiks! Të rifillojmë atje ku edhe është ndalur ecuria e mendimit, sepse atje është ndërprerë edhe ecuria historike. Kështu realizohet njëherësh edhe urëzimi me mendimin e përparuar europian e botëror të kohës sonë, që në vetvete është një sintezë historike e vet mendimit në rrugëtimin e tij.

* * *

Le të marrin fare pak shëmbuj ku duket ky dialogim dhe koherencë mes mendimit shqiptar dhe atij global, mes atij të djeshëm dhe këtij të sotmit. DOMINIQUE Schnapper është presidenti i Shoqatës Franceze të Sociologjisë në vitet 1991-1995.Autori i rreth 20 veprave.

Për librin “Bashkësia e qytetarëve”,(Mbi idenë moderne të Kombit) fitoi çmimin e Asamblesë Kombëtare të Francës.(më 1994).

Përmbledhtazi për kombin modern ai dedukton se:” Kombi synon që të jetë një bashkësi ideale e qytetarëve. Ai njeh vetëm njerëz të barabartë, të cilët kanë të përbashkët gjuhën, historinë dhe vullnetin për të jetuar bashkërisht. Ai nuk i përfill fare veçoritë etnike, krahinore, kulturore, gjuhësore dhe fetare të gjithësecilit. Kësisoi kombi modern është i pandashëm historikisht nga demokracia dhe në thelb i kundërvihet nacionalizmit.

Një ravijizim të tillë përkufizues dhe në detaje të një anatomie argumentative bazuar në faktologjinë historike dhe në mendimin shkencor evolutiv, e gjejmë po me të njëjtin unitet arsyetimi dhe koherencë tek një mendimtar shqiptar rreth 60 vite më parë, sepse ajo që studjuesi francez thotë sot ka një histori të hulumtimit. Kryesore është se qëkurse janë shtruar këto teza mendimi shqiptar ka qenë prezentë, ka qenë aktiv dhe kontribues sa teorik aq edhe apilkativ për realitetin shqiptar.Kjo ka rëndësi substanciale sepse po të vendosen në një gjeometri shkencore gurrët e themelit, e gjithë godina është në kënd-drejtëzim! Më bën përshtypje inspiruese, se të dy e fillojnë arsyetimin nga beteja e Jenës më 1806 kur Napoleoni mundi Prusianët dhe Fichte shkruajti pamfletin për “Kombin Gjerman”.

Pas krijimit të shtetit kombëtar, autori shqiptar, që do t’ja zbulojë në fund emrin, e kuptonte kombin modern të tillë, e citoj:” Kombi asht njajo jetë e përbashkët e perbame me elementa edhe të ndryshëm, por t’asimiluem, pjestarët e së cillës, lidhë me një histori, me një giuhë, me një kulturë të perbashkët edhe pse kan ndo’j ndryshim jete duen ta shkojn jeten n’unitet.

Ata shka bjen ma në sy e ban me ndryshue kombet për së forti asht,”forca e vullnesës për jetën e perbashkët”. Autori shqiptar nënvizon si kushtet për krijimin e një kombi modern; jo lidhjet fisnore por lidhjet e gjuhës, jo fenë por laicizmin e shtetit dhe shoqërisë, vuajtjet e përbashkëta në rrugën e ngritjes së shtetit kombëtar, pluralizmin kulturor, sepse kombet japin e marrin, historinë e përbashkët, literaturën e përbashkët, ”vullnesa me rrnue s’bashku”, dhe në fund sygjeron me një drejtëpeshim shkencor!

…”Inteligjenca e jonë sa bjerrë mund e kohë, tue kujtue, se po ban njisin kombtare me zhdukje të fevet e me lirinë dashunore, kishte me ba shum mirë me edukue ndisit e natyrshme me nierz qi i mbajm nji gjaku e shokë e pjestarë të nji votres, per të cillin bashkim e lidhni na flet ma i pari, ma i madhi visar i rodit të shqiptarit, qi asht giuha e perbashktë.”

Gjejmë në citimin e parë një përputhshmëri gati apsolute teze mes dy autorëve, mendimtarit shqiptar të viteve 30-të të shekullit XX dhe sociologut francez të fund shekullit të kaluar.

Në citimin e dytë të tij shohim një orjentim praktik se si duhet vepruar për të krijuar një komb modern shqiptar, përball pyetjes që 1930, ky mendimtar, i nderuari Pater Anton Arapi e shtron: “A jemi shqyptarë apo do të bahemi”?

Nëse tezat e Dominique Schnapper dhe autorëve të tjerë bashkëkohor do të hynë në kurrikulat tona shkollore duke u paraprirë dhe bashkëshoqëruar nga mendimi shqiptar i djeshmi dhe i sotmi, bashkëbisedimi shkencor vjen si një sinergji mendimi.Qoftë bindja teorike qoftë veprimi europianizues do të jenë më frutplot, në plan historik, konkret, dhe si mendim plural.

Në mbretëri jeta varet nga klemenca e mbretit.Në sistemet totalitare ajo njësohet me vdekjen dhe humbet kuptimi edhe i mortit, që kthehet në një gjë të zakonshme. Në demokraci jeta e njeriut dhe prosperimi i saj është qëllimi më i lartë! Bota pakësohet edhe kur vdes një njeri thonë vargjet Talmudike.

Para ndoca pak viteve erdhën për një udhëtim në veri të Shqipërisë tre studentë çek. Ata humbën pa nam e pa nishan.Sot nuk kanë as edhe varr.

Po të kthehemi virtualisht në kohë, në vitin 1924 do të gjejmë një ngjarje të përafërt.Vrasjen e dy amerikanëve në pyllin e Mamurrasit rrugës duke shkuar për në Shkodër.At Gjergj Fishta e analizon këtë vrasje përtej aktit por në dimensionet shoqërore! Ja si shprehet ai:”…Kush po i vret kta nierz?…a veç do mizorë të poshtem,apo tjeterkush neper dorë të tyne”?

At Gjergj Fishta rimat krimin në dimensionet shoqërore, politike dhe juridiko-morale. Ai gjykon si një antropolog shoqëror mbi baza shkencore rëndësinë që ka jeta në një shoqëri demokratike.

Përgjigjia do të duhej të vinte nga drejtësia si edhe ndodh në kombet e qytetruara,”por pse ktu nder ne gjykatasi, a per arsye morale a per arsye materjale nuk mund t’jetë gjithmonë i pamvarshëm,…gjykatoret tona ene nuk gzojnë sa duhet besimin e komit”. Të emocionon ky përfundim gati 80 vite të shkuara. Besueshmëria tek drejtësia është sot kusht në një demokraci funksionale. Gjithashtu At Fishta nënvizon si mbrojtes të drejtësisë vlerat morale të njeriut që punon në këtë sistem!

Krimi sipas At Fishtës lidhet me varfërinë, me mungesën e zhvillimit infrastrukturor, por edhe me mungesën e një edukate dhe opinioni publik të shëndoshë. Ja si shprehet ai:”Qeveria shqyptare me faj të vet ka lane me u prish urat e rrugat;ka ba zyret çerdhe klikash e intrigash e shkollat agjencije propagandash partish, e ma tepër me taksa e tatime të paarësyeshme ka shue tregun e fikë popullin”.

Dimensionimi e atij krimi ndaj dy amerikanëve arsyetohet nga At Gjergj Fishta me dhunën që ushtrohet nga organet shtetërore të rendit gjoja për të treguar se po lufton krimin por edhe me një faktor tjetër.Abuzimin me ligjin!

“Kushdo pra i ven popullit nji ligjë që nuk asht ekspresioni i shpirtit të tij ase edhe e shklet ligjen mbas qefit të vet, edhe financat e fuqin e shtetit e perdoron jo n’interese të popullit, por n’interese të vet, a të nji kastës e parties, aj asht tirani i popullit e nuk do të maren e të mirën e shtetit….

…Nji pale ksi nierzish të shtetit tone, qi der tri katër vjet kan pasë shitë kshteja të xeta m’rrugë e petkat i kanë pasë arna e pejna, sod na janë veshë e na janë mbathë e po na enden e shenden mi karroca e m’automobila, thue se pernjimend janë zotni….-aq sa shum here na ka ra me na mlue marrja e turpi, kur i kemi ndie tuj folë me diplomat e politikaj të huej”.

Injoranca e veshur me pushtet prodhon klimën e krimit ky është antcipimi që bën At Gjergj Fishta. Si i quan ai; “njerëz që djerësijnë kur shkrujanë emrin e tyre sepse gjithë gjithë kanë vetëm një arsim fillor”.

Një shoqëri mund ta parandaloj krimin kur organet e specializuara popullohen nga njerëz që janë edukuar dhe formuar në ambjente familjare të moralëshme, larg krimit dhe vesit. Socilogjia e sotme moderne rekomandon që ata që punojnë në institucionet e rendit dhe antikrimit të kenë një formim kulturor mbi njeriun mesatar. Vetëm kështu ata janë shëmbull në komunitet.

Gati tetë dekada të shkuara At Gjergj fishta i kryen këtë anatomi krimit si produktë shoqëror. …”Asht edhe tradicioni shpijak e edukata familjare. …Ky baben gjaksë, gjyshin katil, stergjyshin mizuer, rritë me katila, me gjaksë, me mizorë, me intriganta, batakçi, vagabonda, rrugaç me nierz hasem të kulturës e të gjytenisë…Për me sundue nji shtet, nuk asht mjaft dhelpnija,dredhija,intriga,batakçillëku,rrena,tradhtija,duhet nderë,dije,urti, burrni,qe se shka duhet. Po por dija, urtija, ndera, burrnija, po u zejshin në shkollë e medje, me shumë mund e djersë…”

Ja përse vriten amerikanët përfundon arsyetimin At Gjergj Fishta!

Ja përse ende nuk kujtohet kush për studentët çek, dëshiroj t’i them me turp Atit të shtrenjtë Fishta unë pas 85 vjetëve të ngjarjes së shtetasve amerikanë, me përgjegjësinë e një njeriu të shqetësuar. Eshtë vrarë ndërgjegjia, ndaj jeta si abc e demokracisë ende vritet At Fishta! Mendimi juaj dhe i atdhetarëve të tjerë është për fatin tonë jo të mirë sërisht larg nesh !

Tags: , , ,

One Response to “Demokratizimi përmes mendimit dhe ‘Mendimi Shqiptar’!”

  1. Einar Says:

    po po e lexova te gjithen, dhe do i rikthehem serish ketij artikulli. Ta lexoj serish e serish akoma :)… (kjo i drejtohet lexuesve te tjere)

    Ky lexim me ktheu humorin, shpresat, deshiren per te patur me shume njohuri rreth popullit tone te çuditshem, kjo per faktin qe une shikoj pozitivitet dhe shpresa.Keshilloj ta perhapni gjithandej artikullin🙂

    Kemi akoma mundesi te rikthehemi apo te ndjekim rrugen e mendjeve te ndritura shqiptare, nuk eshte asnjehere vone, thjesht duhet te kemi mundesine qe te jemi me shume ne kontakt me keto mendime…

    “individi-institucionet-kushtetutëshmëria.”

    Mbi kete raport ndertohet edhe bazohet edhe shoqeria Italiane. (Ne fakultetin ku une momentalisht studioj, nje profesor i cili studimet e tij i ka kryer ne Gjermani, shpeshhere e ngre si problem kete raport.
    Momentalisht situata ne Itali nuk eshte nga me te mirat, dhe pikerisht per raportin e mesiperm ai e shikon si te vjeter, dmth duhet te evoluoje mendimi, duhet te kaloje ne nje faze tjeter, theksova faktin qe studimet i ka kryer ne Gjermani pasi pikerisht sjell mendimin Gjerman mbi te cilin ai mendon se duhet te drejtohet apo bazohet evoluimi i mendimit shoqeror Italian…

    “shoqeria-institucionet” kushtetutshmeria eshte nje dhurate e cila i ofrohet shoqerise per te patur nje harmoni ndermjet shoqerise dhe institucioneve.

    (dhurate ne kuptimin, diçka e shenjte qe qendron pezull ne ajer mbi shoqerine dhe institucionet, pjelle e mendjeve te ndritura)

    Mendimi i At Gjergj Fishtes me duket me i pershtatshem per kete raport te dyte. megjithese mund te gabohem… por nese do ishte e vertete…

    Faleminderit, Dr Përparim Kabo

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: