Kryqëzatorë Modernë

by

14

1.

Kur u ula për të shkruar këtë që Je duke lexuar tani, kisha ndër mend komplet tjetër gjë. Kisha ndër mend të shkruaja rreth diçkaje që të kishte të bënte me artin e të të shkruarit një rrëfenjë (quaje edhe histori, quaje edhe ndodhi, quaje çfarë të duash) në formën e një tregimi, një art ky, që, në Shqipërinë tonë të dashur, duket sikur na ka lënë shëndenë. Dhe, në fakt, vetëm duket sikur, sepse në të vërtëtë… oh, në të vërtetë!

Më bëj një nder Ti që je duke lexuar. Tani, kështu siç je, lëre në mes këtë që je duke lexuar dhe hap motorin e kërkimit “Google”, shkruaj fjalët “tregime shqip”, pastaj shtyp tastin “Enter” (Kujdes: Në qoftë se je minoren, Të lutem dhe Të këshilloj të mos lexosh më shume se tre rezultatet e para të kërkimit). Ti tjetri, e pe? U kënaqe? Tani, po në “Google” kërko me fjalët “Libër me tregime”. E di, e di çfarë je duke menduar. Qe të mërzita, që nuk ke hapur këtë shkrim për të marrë leksione se si të kërkosh në internet, e gjëra të tjera të kësaj familje. E unë nuk dua të bëj këtë gjë. Përvec kësaj, interneti nuk është aspak njësia matëse e përmbajtjes së letërsisë, përsa i përket shfaqjes së saj në formën e tregimit. Të paktën jo për Shqipërinë, ku, pavarësisht të qënurit në moshën e internetit (që për Shqipërinë i bie të gërmëzohet dhe shqiptohet: i… n’terr ne, ti…të gjithë dmth), informacioni që gjen në motorët e ndryshëm të kërkimit është për të ardhur keq e, edhe ai pak që është, zor se të jep ndjesinë e të qënurit i vërtetë.

Në këto kushte, thashë që, një ditë, të dilja e të kërkoja nëpër librari e të shikoja se çfarë botojnë botuesit e sotëm në Shqipëri, kur ja më erdhi, si një diell në mes të stuhisë telefonata e një shokut tim (dhe kur them telefonata, në kuptimin e plotë të fjalës, telefonatë dhe jo e-mail). “Aman, Ledo”, më tha. “Kam nevojë për një ndihmë të vockël nga ana jote.”

I thashë të shprehej.

“Më duhen ca kontakte shtëpisë botuese”, ma ktheu. “Dua të botoj një libër.”

Nuk u habita. E dija qe Shoku X ishte një lexues i pashoq dhe një aspirat shkrimtar. Ajo që nuk dija ishte ajo që më tha më pas: “Është një përmbledhje me tregime”, më tha. “Me tregime ‘si ato që të pëlqejnë ty’.”

Mbeta pa fjalë. Po kjo ishte fantastike! Pa u menduar dy herë i thashë se vetëm para ca kohësh, një tjetër i njohuri im, më kish dërguar një e-mail me kontaktet e gjithë shtëpive botuese në Tiranë. Do i bëja forward e-mailit brenda një minute, madje, gishtat e mi, kishin filluar ndërkohë të qëllonin vrullshëm mbi tastierë. Por, si i thotë Hanibal Lekter Klarisë Starling? Quid pro quo, Klarisë, quid pro quo! Unë i jepja adresat, ai më jepte tregimet. Fairplay, apo jo?

Dhe kështu u bë. Në krye të tre netëve munda të përfundoja së lexuari gjithë tregimet e shokut tim. Të nesërmen e mora në telefon, por kësaj here duhej një takim i mirëfilltë. Kështu, u takuam një mbasdite, por, ndryshe nga entuziazme që kisha unë, ai ishte sikur sapo ta kishin pushuar nga puna.

“Ç’ke ore?” i them. “Ç’na i ke varur buzt kështu? Mblidhi se edhe pak e pastron çimenton e lokalit.”

Shoku im bëri një tentativë për të qeshur, i doli huq, pastaj, si e pa që unë s’vazhdova më tej, filloi të zbrazej. Ai fliste e unë dëgjoja, ai zbrazej e unë mbushesha, ai tregonte e unë shikoja…

2.

Ai, shkruesi, pa dhe një herë të fundit dokumentin në Word, pastaj mori frymë thellë, shtriqi krahët, kryqëzoi gishtat e duarve dhe i përtheu në mënyrë të atillë që të kërcisnin, pastaj, duke buzëqeshur vesh me vesh, u përkul sërish mbi tastierë dhe shtypi

F

U

N

D

.

Klikoi mbi shenjën e disketës që ndodhej lart në të djathtë të dokumenitit dhe, pastaj, klikoi mbi shenjën e printerit që ndodhej vetëm dy ikona më në të djathtë të shenjës së disketës. Dhe ndërsa printeri filloi të pulsonte si i çmendur, ai u ngrit në këmbë i lumtur.

Ishte i kënaqur. Në fakt kishte qënë i kënaqur gjatë gjithë kohës, që nga rreshti i parë i rrëfënjës së parë e deri tek rreshti i fundit i rrëfenjës së fundit. Gjithë ato minuta, gjithë ato orë të kaluara mes botësh të ndryshme nga ajo e tija, ai i kishte ndier gjer në palcë. Vazhdimisht. U kishte dhënë jetë me dhjetëra karaktereve, u kishte dhënë ngjyra me dhjetra botërave, por mbi të gjitha… mbi të gjitha, gjatë asaj kohe, i kishte dhënë vdekjen botës reale.

E po tani?

Tani ishte e thjeshtë. Gjithçka që kishte shkruar do e vinte në dispozicion të të tjerëve dhe të shikonte nëse edhe ata do të ndienin sadopak atë që kishte ndier ai gjatë kohës që i kishte shkruar. Gjithçka që, deri ato çaste, kishte shkruar vetëm për veten e tij, tani donte ta lexonte me zërin më të lartë të mundshëm. Që ta dëgjonin të gjithë: për një çast imagjinoi veten e vet, bashkë me të dashurën, në majë të ndërtesës më të lartë në qëndër të Kryeqytetit, pak a shumë si ‘V’ dhe Evey Hammond, vetëm se në vend të Çajkovskit, prej altopolantëve të shpërthente zëri i rrëfenjave të tij.

E përse jo në fund të fundit?

Po pra, e përse jo?

3.

Printeri, më në fund, mbaroi së mbushuri fletët e bardha me rrëfenjat e tij. Djali shpenzoi gati një orë për të ndarë dhe lidhur të dhjetë kopjet. Tre prej tyre i futi në çantën e kompjuterit, shtatë të tjerat i la mbi tavolinën e shkrimit. Pasatj hapi sirtarin e komedinës së vogël që kishte tek koka e krevatit dhe nxorri prej aty një zarf të bardhë, goxha vulminoz për madhësinë e tij. Me gishtin e madh dhe atë tregues të së djathtës e përgëdheli zarfin me delikatesë, ndërsa lumturia nuk i kishte lënë shqisë pa pushtuar.

E, në fund të fundit, përse jo?

Po pra, e përse jo?

Për të vetmen arësye që djali nuk e dinte që, në këtë të voglën botë të madhe të Shqipërisë, tamam si nëpër tregimet e tij, ka vampira realë dhe zombi të vërtetë dhe “gjëra-pa-emër-dhe-me-shumë-emra-njëkohësisht”.

Ka kryqëzatorë modernë të gjallë.

4.

Kontakti i parë që mendoi të takonte ishte gruaja e një biznesmeni të njohur. Mirë, e dinte shume mirë se biznesmeni në fjalë e kishte mendjen vetëm tek bizneset e tij, se njerëzit që e rrethonin i shikonte vetëm si prerje kartmonedhash dhe njësia matëse e shoqërisë së tij ishte trashësia e portofoleve, por, vështirë që gruaja e tij të ishte idem. Pastaj, a nuk merret me botime librash ajo? Ata/ato që merren me botime libash dinë t’i vlerëojnë disa gjëra…

…Mendonte.

Dhe mendonte edhe se: tek e fundit, edhe sikur të mos pranonin t’ia botonin, të paktën do i thonin se ku çalonte puna e tij, kështu që ai të mund të ta korrigjonte herën tjetër.

Eh, mor shokë: kur lumturia të infekton të gjitha shqisat dhe të pushton të gjitha organet e tua, as që të shkon mendja tek populli, që, është si është, por ca shprehje i ka goditur mu në…khë! khë!… si psh: tenxherja gjen kapakun.

“Dëgjo”, i tha, me e-mail, gruaja e biznesmenit që kishte një shtëpi botuese. “Më vjen shumë keq, por duke qënë se ne marrim përsipër si printimin, ashtu edhe shpërndarjen, duke patur parasysh që ne i parapaguajmë autorët tanë, dhe, duke patur parasysh që libri yt është me tregime dhe një libër me tregime nuk është shumë i shitshëm në tregun tonë, nuk tërhiqet, nuk mund ta pranojmë ofertën tuaj. Mëgjithatë, në qoftë se në të ardhmen i dedikohesh romanit (gjë që Jua këshilloj me plot bindje) dhe arrin vërtet të shkruash një roman, je i mirëpritur. Me respekt, … dhe gruaja e biznesmenit shkruante emër/mbiemër, këtë të fundit me gërma kapitale sa një kokë njeriu.

Shkruesi 0, Botuesit 1.

Kontakti i dytë ishte një botues, i cili, me sa dukej, i pëlqente vetëm të rrinte në hije e të bënte gërr-vërr-pastaj prapë gërr. “Ki parasysh një gjë”, i tha ai shkruesit. “Ne nuk ta marrim përsipër shpëndarjen nëpër librari.” E, ndërkohë që shkruesi mendonte se i duhej të konsultohej pak me atë shokun jurist që kishte në lidhje me një farë ligji për të drejtat e autorit dhe marrëdhëniet shkrimtar-botues, botuesi-hije vazhdoi: “Nuk është se nuk do doja – dhe e di që je gati të paguash edhe koston e shpëndarjes – por problemi është se ti e ke libër me tregime dhe një libër me tregime nuk para tërhiqet kollaj në treg. Po të kishte qënë roman, eh, edhe mund të bënim pazar.”

Së pari: ai, shkruesi, as që e kishte përmendur se ishte i gatshëm të shtonte vlerën e lekëve edhe për shpërndarje. Së dyti, si dreqin qëndronte kjo puna e një libri me tregime që nuk u tërhiqkërka në treg?

Por ja që qëndronte, si dreqi qëndronte dhe e dini kush ishte më e bukura? Që fajin nuk e kishte aspak dreqi.

Shkruesi 0, Botuesit 2.

5.

Por ai, shkruesi, nuk u dorëzua kollaj. Ndeshja ishte e gjatë. Plot minuta në dispozicion për të përmbysur rezultatin. Kështu, provoi edhe katër shtëpi të tjera botuese. Natyrisht librin mund ta botonte tek cilado prej tyre, kostoja e botimit nga njëra shtëpi në tjetrën ndryshonte, por, gjithsesi, që të gjitha, bënin pjesë në menunë që mund të porositej dhe të hahej.

Ajo që – sikur ta porosisje e të filloje ta haje – të ngecte në fyt, ishte fakti që asnjë… dhe e bërtas me të madhe: ASNJË prej atyre botuesve nuk e mori mundimin të lexonte qoftë edhe një tregim të vetëm të gjithë atyre faqeve që ai, shkruesi, kishte shkruar për orë e orë e orë të tëra dhe që i kishte hedhur, vetëm pak ditë më parë, në plot dhjetë kopje.

Përfundimi: Shkruesi 0, Botuesit 6.

Asnjë nuk kërkoi t’i lexonte.

Në fund të fundit përse ta bënin? Librat me tregime nuk bliheshin, nuk shiteshin. Nuk tërhiqeshin. Librat me tregime vetëm botoheshin dhe çoheshin nëpër librarira, por nuk shiteshin.

“Jo më”, i thanë librashitësit. “Jo më si dikur.”

Po përse vallë?

Në një prej librarive më të mëdha të Kryeqytetit të tij, ai, shkruesi, vendosi të gjente dhe të blinte dhjetë libra me tregime nga autorë shqiptarë. Për një javë doli nga shtëpia vetëm për nevoja ngushtësisht të lidhura me natyrën biologjike të trupit të njeriut dhe, për të ngushtuar akoma edhe më shumë diametrin, po theksoj se, nga këto nevoja, doli vetëm për ato që kishin një lidhje të drejtpërdrejtë (shkakësore) me organet e brendëshme të trupit.

Lexoi dhe lexoi dhe lexoi. Në fund të fundit, një prej dy detyrave themelore që duhet të bëjë një shkrues është të lexojë, apo jo.

Mbaronte një tregim dhe mendonte: kjo është një ese. Mbaronte një tjetër dhe thoshte: ky është një hartim. Pastaj përsëri një hartim, pastaj diçka-pa-emër. Papritur iu duk vetja se gjithë ato rrëfime kishin dalë nga pasardhësit e Viktor Frankenshtainit dhe kaq Mostër ishte forma me të cilën ishin prezantuar ato rrëfime, saqë natyrshëm që nuk kishte se ç’emër t’i vinte.

Pastaj, ç’ishin gjithë ato gabime drejtshkrimore? Po ato të tjerat në ndërtimin e fjalive? Ku kishin qënë redaktorët? E të mendosh që emri i tyre ishte shkruar me të madhe në faqet e para të librave.

Ai, shkruesi, duke hedhur librat në cep të dhomës, mendoi: këta qënkërkan shkaku përse tregimet e mia do shërbejnë vetëm për të mos lënë vitrinat të zënë pluhur? Po tregimet e mia janë vërtet tregime. Mund të mos u përshtaten shijeve të miliarda njerëzve, por ama e kanë një ‘rrëfim’ dhe ‘zë rrëfyes’; mundet që ato të ngjallin pesimizëm, por ama e kanë një ‘këndvështrim narrativ’, fiks dhe të pandryshueshëm gjatë gjithë tregimit; mundet që ato të bëjnë që të mos u rrëngjethet trupi nga koka tek këmbët, mundet që, në vend të frikës, t’i bëjnë të qeshin, por ama, çdonjëri prej atyre tregimeve e ka një ‘fabul’ dhe ka edhe një ‘rend narrativ’ i cili është i mirë-ndërthurur me ‘rendin kronologjik’ të ngjarjeve; mundet që ato të mospëlqehen sepse thjesht zhvillohen nëpër botë imagjinare dhe personazhet e tyre nuk janë politikanë apo të përndjekur politikë që kanë vuajtur burgjeve të komunizmit, por ama, këta personazhe e kanë një të shkuar, kanë edhe një historik, kanë edhe një ambient ku veprojnë, kanë mendime dhe këndvështrime të tyre që nuk kanë të bëjnë me atë të ‘zërit narrativ’, por mbi të gjitha, këta personazhe, pikë së pari: FLASIN VETË e pikë së dyti: nuk flasin të gjithë njëlloj, sikur të kenë dalë të gjithë nga i njëjti bark; këta…

Por mendimi nuk i vazhdoi me tej. Ishte sikur asaj makinerisë që i prodhonte mendime t’i ishin shuar dritat. Një tjetër tabelë me drita u ndez, por në anën tjetër të rrugës. Lexonte:

PO TI KUSH JE?

6.

Ai, shkruesi u gëlltit, por, në një moment të parë, nuk pati asnjë mendim të cilin të mund ta formulonte në formën e një përgjigjeje. Ende nuk e kishte kuptuar mirë thelbin e asaj pyetje. Apo e kishte kuptuar?

Po, në fakt e kishte kuptuar. Makineria e tij e mendimeve u ndez sërish, vetëm se kësaj here, nuk ishte Ai që prodhonte: ishte Vetja e tij.

E kush je ti që me një grusht tregimesh, na u bëre, sa hap e mbyll sytë, profesionist?

Unë s’jam profesionist.

E ç’dreqin ke atëhere që na jep mënd?

Jo, nuk kuptove: unë s’jam shkrues profesionist, por, ama, jam lexues profesionist.

Mos more, vërtet?! Pse ore, me vetëm 40 libra në vit bëhesh lexues profesionist?

E di që jam ca i ngadalshëm, megjithatë, po, bëhesh. Dhe di të dalloj diçka të mirë nga diçka të keqe.

Nuk po fjasim për shije, ëh?

Absolutisht jo.

Domethënë, sipas teje, këto që kanë bërë të tjerët janë të këqija. Dhe metri me të cilat i mat ti janë këto të tuat? Sepse këto të tuat janë të mira. Sa për të qeshur.

Nuk është kaq banale saç e parashtron ti. Gjithsesi, ki pak respekt për punën time.

Edhe ti ki pak respekt për punën e të tjerëve.

Nëse ata e bënin punën ashtu siç duhet, natyrisht që do kisha.

E kush je ti për ta thënë këtë?

Si kush jam unë! Unë jam puna e tyre.

Puna e tyre?! E si mund të jesh ti puna e tyre?

Ore, mos vallë nuk e ke aspak idenë se për çfarë jam duke folur unë?!

Dhe në fakt kështu ishte. Ai, shkruesi, nuk ishte duke folur për shkrimtarët. Shkrimtarët kishin punën e tyre. Çdo njeri, kur vendos të shkruajë, vendos vetë të shkruajë mbi çfarë të dojë dhe si të dojë. Por duhet të ketë disa limite përsa i përket formave me të cilat duhen prezantuar këto dëshira dhe zgjedhje. Dhe këto limite, kufijtë e tyre, duhet të ruhen nga ata, të cilët (në të mirë a në të keq) kanë në dorë mjetin për të arritur qëllimin. Sigurisht që të drejtën e vetos përfundimtare e ka lexuesi, por kjo e drejtë mbetet thjesht një iluzion, në qoftë se kandidatët që i parashtrohen, i përkasin të njëjtës klase.

Ai, shkruesi, ishte duke folur për ata biznesmenët që kishin vetmarrë titullin botues. Ishte duke folur për kryqëzatorët modernë që e vetmja gjë që shikojnë kur u çohet një dorëshkrim është numri i faqeve të tyre, që pastaj, me anë të një formule magjike, të mund të përllogarisin çmimin. Gjithçka që ai, shkruesi, donte të dinte, nuk kishte lidhje me faktin në shitet apo jo një libër me tregime; gjithçka që ai, shkruesi, donte të dinte, ishte nëse tregimet e tij ia vlenin vërtet apo jo. Për këtë, duhet që dikush t’i lexonte. Po kush se?

Kush?!… këta që dalin nëpër Media dhe ankohen për ligjin e TVSH-së së librit, thua ti janë ata që e paguajnë vërtet, thua ti ua ndjen shumë për shkrimtarët që do paguajnë më shumë, apo për lexuesit që do i blejnë më pak librat, për të cilat, ata i kanë marrë lekët e tyre që në fillim?!… këta që janë të hapur dhe mezi presin promovimin e autorëve të rinj, por që, më pas, shkojnë nëpër panaire librash me ribotime të autorëve tashmë të perënduar, që botojnë të njëjtin libër me personazhe të tjerë?!… këta që në njërën dorë mbajnë një libër të cilit i kanë lexuar vetëm kopertinën dhe faqen e fundit që tregon numrin e faqeve të printuara, kurse në tjetrën mbajnë një letër me numrin e llogarisë?!… këta që buzëqeshin teksa thonë se në Shqipëri ka po, vërtet, mjaft talente të reja, që duhen mbështetur me politika letrare (?!?!?!?! Ah, kjo qeveria!!!), por që pastaj shkojnë nëpër ca konkurse letrare (bërja e të cilëve del në dritë vetëm atëhere kur mbarojnë) dhe votojnë për bashkëqytetasin dhe mikun më të mirë të fëmijërisë së tyre?!… këta t’i lexojnë?! Por këta janë kryqëzatorët modernë të letërsisë. Këta nuk mund të lexojnë. Por këta kanë mësuar si ta përdorin atë opsionin e ‘makinës llogaritëse’ që kanë celularët.

Kryqëzatorët modernë.

Në duar nuk mbajnë shpata e nuk mbajnë pushkë, në brez nuk kanë të varur as thika e as kobure. Në xhepin e brendshëm të xhaketës, ose në çantën vezëlluese që kanë blerë në Dubai, kanë vetëm një kontratë njëfaqëshe të keqpalosur, një kartiviztë, pas së cilës, një pulë ka shkruar me këmbë një formulë matematikore e cila thotë se sa faqe libri bëjnë tre faqe A4 të shkruar në Times New Roman, me shkrim 13-sh. Kur flasin me ty, vendosin dy celularë mbi tavolinë e, ndërsa ti flet, një buzëqeshje prej silikoni u shkrihet keqas mbi buzë. Si fillim. Pastaj, kur ti mbaron, silikoni tërhiqet, buzët pa ngjyrë mblidhen lehtë por shumë lehtë, ndoshta nga frika se mos mbeten të mbledhur përjetë, pastaj hapen aq sa të mund të depërtojë mes tyre një fije e dobët zëri, e thënë si me ngadalë, si në faj, plot keqardhje dhe dëshpërim.

Një pasthirrje.

Dhe një lidhëz.

Dhe një fjalë.

“Ah, me tregime!”

Pikëçuditëse në fund.

7.

Kur u ula për të shkruar këtë që lexove tani, kisha ndër mend komplet tjetër gjë. Megjithatë, përsëri, edhe tani që do ngrihem, kam ndër mend komplet tjetër gjë.  

Tags: , , ,

2 Responses to “Kryqëzatorë Modernë”

  1. abrahaj Says:

    Pershendetje,
    Shkrimi eshte shume interesant per nje realitet deshperues. Libri ka humbur peshen e tij ne shoqerine shqiptare por per ate qe kerkon dhe ate qe kembengul gjithmone ka nje drite ne fund te tunalit.

  2. shpresa Says:

    E gjithe faqja”Tirana calling” qe ka sjelle dkush ne
    Forumin shqiptar ishte nje dhurate perendie.Nuk u shkeputa per tre ore .Po ky tregimi i Enkelejd “Kryqezatoret moderne” me shijoi shume fare.
    Pershendetje nga Bostoni.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: