Kitara

by

nga Anton Pashku

Zemra ime vallëzon vetëm atëherë kur dëgjon titrimin e telave të kitarës. Vetëm shpatat e zërit të saj mund ta copëtojnë brengën dhe t’ua falin flatrave të harresës. Po, vetëm kitara, kjo kitarë që rri përpara meje e varur në mur, mundet.

Edhe pse tash frik jam mësuar të luaj me telat e saj, kitara ime lëshon zëra që, duke u ngatërruar ndërmjet vete, krijojnë jone, për mua shumë të hareshme. Vetëm për mua! Them vetëm për mua, sepse tingujt e saj janë shumë të çuditshëm. Nuk mund t’i kuptojë, ose nuk do t’i kuptojë, gjithkush: qajnë kur duhet të gëzohen, gëzohen kur duhet të qajnë.
Si tash më kujtohet vaji i vashës, që m’u lut t’ia këndoj një këngë. Pranova. Mora kitarën në duar. U ula pranë dritares, duke shikuar në qiellin e natës, i cili, nëpër dritaren time, dukej katërkëndësh me fillim, por pa fund. Pëlqeva telat dhe gishtat e mi zunë të luajnë nëpër to. Tingujt e kitarës përcillnin fjalët e këngës për Hënën e dashuruar në një yll që tradhtoi Diellin, i cili, zemëruar pamasë, shkrehu që ta shëmtojë përgjithmonë fytyrën e së Pabesës.
– Pse t’u mbush mendja ta këndosh këtë këngë? – pyeti ajo dhe sytë ia mbushën bulëzat e lotëve që i gufonin pajada.
Rrudha krahët. Rrudha edhe ballin. Nuk dita ç’t’i them… dita, por diçka më lidhi në fyt.
– Po pse, pse po loton? – dëgjova pyetjen mbasi doli prej gojës sime.
– Si… pse?! – tha ajo duke u munduar për t’i ndalë lotët, që i rridhnin nëpër faqe. – Si, të lutem, si ka mundur Dielli të bëhet aq mizor…
– Mizor?!
– Po, po! – tha ajo. – Si ka mundur të bëhet aq mizor ndaj Hënës, e cila për çdo mbrëmje del për ta stolisur lumin tonë me shtyllën e artë të rrezeve të veta?
– Shtylla e artë? – thashë. – Cikërrim, një cikërrim i parëndësishëm.
– Shtylla e artë e Hënës?
– S’është e Hënës.
– Po e kujt është?
– Fol sa të duash, por ti s’je duke prekur telin e solit?
– Unë?
– Ti, pra. Të Pabesës… – thashë dhe u ndala. Mendimin që desha t’ia them asaj, e përtypa në heshtje.
Më shikonte. Pesha e shikimit të saj, që më kaploi, ishte tepër e rëndë. Ishte e rëndë sa s’bëhet.
– Mirë, mirë! – thashë.
Preka telat e kitarës sime. U krijuan tinguj që s’kishin lidhje me njëri – tjetrin.
– A di çka, – tha ajo, – ta lëmë Hënën.
– Ta lëmë nëse na lë.
– Mos u tall!
– Nuk po tallem.
– Atëherë, pra, jipja këngës për sumllën e djersës!
– Për sumllën e djersës, pa të cilën nuk mbin as therra për gardhiqe?
– Po, ke të drejtë.
– S’dua!
– Pse?
– S’dua t’ia them asaj kënge, sepse është e dhimbshme.
– Ani, që është e dhimbshme, ani.
– Por ti s’e merr vesh!
– Si nuk e marr vesh! – tha ajo. – Vëllaut tim të vogël ia shoh sumllën e djersës sa herë që mundohet të gënjejë nënën…
– Eh… – thashë unë.
Një e qeshur, për mua fare e pakuptimtë, shpërtheu në gojën e saj. Ishte aq therëse dhe e padurueshme, sa mua më hypi gjaku në krye. Shikova nëpër dritare: m’u duk se një yll kishte zbritur dhe tashti ishte mu përpara syve të mi. çova dorën dhe mora hov: desha ta thej kitarën në njërën këmbë të atij ylli. Por, sjellja shkoi kot: ylli ishte larg, atje lart duke hequr valle me shokët e vet.
– Ha, ha, ha! – dëgjohej e qeshura e saj.
Mora kitarën. Drodha një tel. I thashë:
– Për ty, për lëkurën tënde pa asnjë pore!
Ndali të qeshurit. Më shikoi me ballë të mrrolur. Drodha të gjashtë telat e i thashë:
– Për ty, për ty që m’je tingull i pazëshëm!
– Paska tinguj të pazëshëm?
– Ja, paska!
Brofi në këmbë. Bëri një hap dhe u ndal përpara meje.
– Shiko veten, o i mjerë! – tha ajo. – O gjuetar i ëndrrave, a s’po sheh se je krejt lakuriq!
– Unë?
– Ti, ti… A s’po sheh se ke mbetur lakuriq?… A s’po sheh se kitara të solli në këtë ditë të zezë?… Hidhe atë kitarë e mos rri kështu lakuriq, se do të bëhesh gazi i botës…
Zonjusha Vulë lëvizi vendit. Megjithatë, shtrëngova kitarën. Kitara u dalldis. Kurse ajo u mrrol edhe më shumë. Dikur fluturoi jashtë, duke mbyllur derën me forcë.
Mbeta vetëm unë, kitara dhe tingujt e saj magjikë, që përpiqeshin për ta zhdavaritur rrapëllimën e derës së mbyllur…

__________________________________________________

Tirana Calling o ne Fejsbuk. Nese artikujt ju pelqejne ju ftojme te na shtoni si miq, te na sugjeroni, te komentoni etj etj.

Tags: ,

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: