Interviste me Genc Salihun ( Cute Babulja )

by

Zeri dhe ideja mbas grupit Cute Babulja, nder projektet me interesante ne Shqiperi per te cilet kemi folur edhe here te tjera.  Nje interviste ndoshta me e gjate se sa mendonim, e detyrimisht, edhe me interesante per te kuptuar artistin ne shekullin e 21, artistin ne Shqiperine dhe projektet e reja.

Dicka per veten tende?
Ditëlindja: 14 Korrik 1981. Vendlindja: Prishtinë. Shkollimi: Muzikë, audio produkcion. Horoskopi: Gaforre. Orientimi seksual: socialist-anarkist.

Cfare ndihet Genc Salihu? Eshte kengetar, poet, shkrimtar?
Nuk e di, nuk e kam pyet. Herën e fundit kur e patëm llafin, tha se ndihet klaustrofobik dhe kompetent. E shfrytëzoj rastin ta përshëndes.

Disa disqe qe mban gjithmone me vete? Apo, cilet artist nuk mungojne ne I-Podin tend?

Nuk kam ipod. Nuk më duket e shëndoshë të sillem nëpër qytet me 1000 kangë në xhep. Nuk kam as çantë. E kam me rëndësi me i pasë duart e lira gjithmonë.

Jam shume kurioz te di pse keni zgjedhur Cute Babulen e Arkes se Djallit te Agollit. Mendoj se karizma eshte lidhja, por do me pelqente nje shpjegim mbi kete argoment.

Cute Babulja osht dikush që ua kujton njerëzve se qumështi osht i tyne.Ekscentrizmi i tij osht edukativ (në mungesë të ndonji fjale ma të pakorruptume) në mënyrat ma joshëse. Ai, bile, arrin me i ba drejtësi edhe lopës, tu folë me te e tu i dhanë dashni. Njerzit shpesh harrojnë kush i meriton kangët ma të bukura. Shpeshherë, kjo osht lopa.

A egkziston ende grupi Cute Babulja dhe a punon ne ndonje material te ri? Nga sa kam marr vesh Genci ka lene grupin per tiu bashkangjit grupit Por-No.
Cutja osht në pushim. Enesi osht i involvum me nji tjeter projekt, e mu’ më duhet me qenë në studio vetëm për një kohë. Grupi Por-No nuk ekziston ma. Jo, nuk iu kam bashkangjitë.

Per cka flitet saktesisht ne tekstet e tua, se eshte rende muzika progresive dhe tekste te tilla eshte shume e thjeshte di percaktosh psikodelike/modern poetry?
Unë asnjiherë nuk kam dhanë ndonji udhëzim për mënyrën se si duhet me u konsumu ajo që shkruaj, e as nuk e kam rekomandu venën që shkon me te. Snobizmi kulinar Françez më dëbon njësoj si Big Brother. Saktësisht? Jam i sigurtë se nëse kisha me e ditë, nuk kisha me pasë nevojë me e shkrujtë.

Pra eshte, mund te themi, nje kerkim konstant edhe per artistin, edhe per ty? Nje kerkim i gjuhes, nje kerkim i poezise, i mesazhit?
Osht ma shumë kërkim i ujit të freskët.

Te kuptoj. Po ja qe ai kufiri eshte shume i vogel. Kur ben muzike qe ne nje fare menyre duket se ka per qellim te mbete te painfektuar nga komercialiteti i rendomte, sa e veshtire eshte te ruhesh per te mos rene ne snobizem?
Nuk e kuptoj fjalën snobizëm. Më duket shumë fjalë snobe për me pasë ndonji kuptim qenësor. Mendoj që njerëzit kanë qejf, pikërisht prej siperfaqësisë snobiste, me e emnu pasigurinë edhe paedukatën me këtë fjalë. Më ka ndodhë me provoku reakcione të pasigurisë te të tjerët, po. Nuk më ka ndodhë me u ndi që po bahem eksluziv.

A perdor edhe ti ndonje gjuhe te tyre jo te definuar si shumica e jazz artisteve te ndryshem ne bote?
Më duket se gjuha e jazz artistëve osht ma se e definume. Ata kanë fjalor shumë të qartë edhe janë goxha elokuent shpeshherë, edhe pse shpesh të pagdhendun në një nivel të cilin nevojitet tinzakëri me e pa. Nuk e shoh vetën si jazz artist. Më duket se jam ma i pagdhendun se aq, sepse më pëlqen shumë me gdhend.

Albumi ‘Cute Babulja’ si album esht koncept-album si shembull ‘The Wall’ ose cdo kenge ka historine e vet?
Nuk mundem me thane që albumi osht ‘koncept album’ në kuptimin formal të këtij nocioni, sepse ashiqare nuk osht. Po mu më duket që krejt albumi osht nji kange e vetme. Ndoshta fjala ‘koncept’ mundet me u zvarritë disi brenda këtij percepcioni.
Ne muziken tende verehen influenca te ndryshme muzikore nga Miles Davis deri tek Coldplay, ne tekste vihet re Dylan, Cohen, Nick Drake. Cili astist apo grup eshte influenca me e madhe ne muziken tende?
Influenca ma e madhe në muzikën teme osht gjiza me speca me çoban sallatë. E kam dashtë shumë nji qikë punëtore që ma gatujke me përkushtim. Por, ajo filloi shumë intenzivisht me i dëgju Coldplay, kështu që mu desht ta
vras.
” Dylan p.sh, te Dsloation Row flet shume per mizerjen, varferine, ato lagjet e zymta e te pashpresa. Nje artist i madh italian, de Andre, thote ne nje poezi te tij  – Nga diamanti nuk lind asnjegje, por edhe nga bajgat lindin lule – . A mendon qe kjo varferi, kjo vuajtje edhe ne nivel social eshte  e nevojshme per nje artist? “
Më duket që çdo lindje i ka dhimbjet e veta të tmerrshme. Tu e pas thanë këtë, po du me e tërheqë vërejtjën se shumë sende lindin edhe prej diamantit, shpeshherë sende që shkaktojnë dhimbje të madhe.

Ti ke bere shume projekte, shume grupe qe ke nisur e ke mbaruar. Pse kjo gje? Nuk arrin me gjet ate formen perfundimtare, apo sapo e gjen joshesh nga diçka tjeter?
Në fakt, unë kurrë nuk e kam nisë asnji grup. As Cute Babulja nuk ka qenë grup. Ishim 2 vet. Njëherë, në të vërtetë e kam pasë nji grup me vëllaun tem edhe me Rron Qenën, piktorin. Me nisë grup, si koncept, osht problematik. Ma drejtë osht me thane ‘me gjetë grup’. Osht problem me gjetë grup kur je i rrethum me besimin se ka dallim në mes të bukës edhe andrrës. Në kësi rrethana osht ma lehtë me gjetë naftë.
Nje fare konstate e jotja eshte qe shpeshhere nuk eshte shume aksesibile muzika, per te gjithe? Eshte nje zgjedhje e ndergjegjshme, apo thjesht ka ndodh keshtu?

Gorgonzola osht thjeshtë djath i mykun për shumë njerëz. Ata zakonisht hanë djath të Sjenicës. Djathi i Sjenicës shkon shumë me domate edhe speca, që janë esenca e çdo mënyre të shëndetshme të të ushqymit. E di që disa njerëz po pijnë qumësht të prishun – ajo osht mire, qumshti i prishun osht landë e parë për secilin djath. Por, po i shoh shumë njerëz tu hangër bar. Ishalla fillojnë me prodhu qumësht! Sepse unë kam dëshirë me ua prishë at qumësht, e kur të zihet djathi, me e lanë me u mykë. Muzika mundet nganjihere me e arritë këtë. Kjo osht beteja, nëse don me e shqyrtu në rrafshin e ndërgjegjshëm social.

Diçka qe me ben pershtypje eshte se ne kenget e tua, edhe duke u ndjere influenca e muzikes se huaj, ndihet akoma me shume ai tingulli shqiptar apo ballkanik.
Kur kam qenë shumë i vogël, kam pasë qejf me ndejtë nën tavolinë, në të cilën nana jeme i shërbejke shoqeve kafe kur ato vijshin për vizitë. Cdo herë, nana ime u bojke shume histerike edhe e çojke pordhë e piskamë me shoqet e saj, tu keshë e tu u kënaqë, përderisa një muzikë shqipe e çuditshme u dëgjojke prej kasetofonit. Mu’ më vijke një duq në fyt edhe gati sa nuk fillojsha me kajtë prej atyne tingujve, po nuk e kuptojsha mire pse, e aq ma pak e kuptojsha se qysh nana ime me shoqet e saj të trenta po munden me qenë kaq të lumtuna, tu keshë e tu u lazdru, kur kjo muzikë ish’ tu lujtë. Ma vonë, tu e dëgju albumin e grupit Minatori, Të Dua Sa Kosovën, u kaplojsha prej një ndjenje të thellë të melankolisë që njikohësisht ish’ edhe rrënqethshëm mistike, tu dëgju fjalë si: ’Dhe mbushe botën me aromën e vdekjes së lehtë, që zbret nga malet si zogjët kur nisen në jugun e nxehtë.’ Krejt këto kangë që më kanë rrethu e më kanë prekë, e që kanë qenë në shqip, e kanë mbajtë me vete njifar shtafete të ndezun që osht nisë shumë shumë kohë ma parë nga lindja, e cila, edhe në mos më qoftë pasu, të paktën e ka ndez nji zjarr dikun te unë, boll sa me i nxeh duart. E krejt kjo ka ndodhë përderisa unë kom qenë me magjepsjen ma të madhe tu i absorbu The Beatles.

Perse ky album nuk eshte shitur aq shume ne Shqiperi? Te them, une e kam kerkuar kudo edhe nuk gjendet me. Si ka mundesi qe te kete nje shperndarje kaq skandaloze?
Sepse ata që kanë qenë të përgjegjshëm për këtë muhabet kanë mustaqe nga ato që Cute Babulja (i Dritëroit) ka’ qejf me i ndukë.

Per fat te keq ne Shqiperi sa per muzike e per shperndarjen e kesaj jetojme nje situate absurde. Ata qe shesin me shume disqe jane ca qe nuk njohin as notat muzikore, grupet underground, shpeshhere te vlefshem nuk arrijne te çajne, Festivali i Kenges eshte ne nje gjendje te meshirshme ndersa neper shkolla nuk shpjegohet me as muzika si kulture. Kengetaret jane katandisur qe bredhin mbas ndonje politikani kur ben fushata elektorale. Si mund, apo çfare mund ti thuash nje djali/vajze 15 vjeçare qe deshiron te mesoje bje fjala kitaren apo enderron te behet kengetar?

Kisha me i thane mos me e lane kitaren ne lagështi, mos ma ia ndryshu temperaturën e dhomës në mënyrë drastike edhe me i ndrru telat çdo muaj. Të tjerat vijnë vet, si brumi që vjen tu ardhë. Nëse ka brum, kuptohet.
Muzika nuk jeton në festival, as në shkollë. Muzika jeton, tekstualisht, çdokund tjetër. Nëse festivali e shkolla janë mjaft idiotë mos me i shfrytëzu të mirat që muzika natyrshëm i jep, falas, atëherë duhet me thanë që festivali e shkolla jetojnë në mut.

Po flisnim, pak me pare, mbi sinqeritetin ndaj publikun, pra nje fare nevoje per te qene gjithmone i vertete ne punet qe ben. Si e perdor kete kur shkruan kenge?
Puna jeme për mu osht terapeutike, rrjedhimisht krejt tentativat në jo-sinqeritet përfundojnë me shumë efekte anësore. Osht e tmerrshme!

Pra ne nje fare menyre duhet me qene i vertete. Nje poet eshte nje person i zhveshur. Thone qe une jam nje poet!, thote Dylan. Eshte e habitshme se si fanast kane nje si radar te brendshem per te kuptuar ate qe eshte origjinale e ate qe nuk eshte! Por sa frike mund te kesh se ajo kenge po keqkuptohet apo nuk po kuptohet fare.
Dëgjuesi shpesh e lejon veten me u gënjy. Osht diçka që njerzit e bajnë gjithkah. Dëgjuesi kurrë nuk ka me qenë fanatik në filtrimin e rrenës, sepse rrena, njejtë si kafeja, shpesh osht parakusht për me e fillu ditën. Po dëgjuesi kurrë nuk ka me mujtë me i rezistu të vërtetës. Të bukurës po, por jo të vërtetës. Nuk brengosna se mos ‘nuk po kuptohet’ diçka që baj. Në fakt, jam cinik ndaj pretendimit të të kuptumit. S’ka kurgjo me u kuptu në muzikë. Muzikën duhet me e pi. E sa ma e kthjellët dhe e pastër që osht, aq ma e mire ka me qenë për shëndet.

A te intereson t’ju degjojne (me pare pra te kuptojne muziken tuaj) e t’ju pelqejne apo qellimi juaj eshte t’i drejtoheni nje grupi te caktuar njerezish qe ne nje fare menyre e “meritojne” ate muzike?
Më pëlqen kur femijët kënaqen tu e dëgju muziken teme.

Shfaqja juaj e rralle dhe kufizimi ne nje numer jo te madh kengesh eshte strategji per te arritur aty ku doni ne menyre te konsoliduar muzikalisht, apo eshte menyer krejtesisht e paplanifikuar per bere me saktesi pikerisht ate muzike qe doni e per te marre gjithe kohen qe ju duhet, pa menduar per gje tjeter?

Kam qenë në Angli për disa vite në studime. Kur jam kthy, ma kanë plaçkitë studion. Kjo osht arsyeja e mungesës.

Cdo kengetar e ka ne koke nje tingull qe e mendon qe eshte tingulli perfekt, ate tingull qe mundohet gjithmone te arrije! Cili eshte ky tingull per ty, dhe e a ke arritur apo i je afruar?

Sa here iu kam afru, gjithmonë ka ndryshu trajtë. Osht si virusi i HIV-it. Kurrë s’ka me u shëru, pikërisht për shkak se osht në gjendje konstante të ndryshimit.

E ndjek panoramen muzikore shqiptare? Cilet jane artistet qe per momentin te pelqejne ne Shqiperi?

Nuk e ndjeki shumë. S’jam fort i sigurtë qysh duhet njeriu me iu përgjegjë nji ksi lloj pyetjeje.

Deri para…le te themi deri para 30 vitesh muzika pa pasur edhe nje rol deri diku social te rendesishem, qofte si kulture qofte si menyre per te ndryshuar ndergjegjen kolektive. Pastaj ky ves i bukur eshte ulur e eshte ndosht ane zhdukje e siper. Si sillet nje kengetar para kesaj/ e ndjen kete pergjegjesi kur shkruan/rregjistron/kendon apo nuk e e llogarit fare?
Premisa jote osht shume romantike, edhe osht stereotipike. Muzika I këndon zhvillimeve njejtë si muzikanti që i këndon patronit. Për shkak të kësaj (përveç tjerash), osht destruktive me e shqyrtu muzikën në plan social në mënyrë kaq eksplicte, për shkak se rrezikon tmerrshëm me e trivializu ate. Muzikës nuk i duhet edhe ma shumë trivializim! Thashë, osht merandësi me pasë ujë të kthjellët me pi.

Fansat po presin the next big thing. Mbi çfare po punon per momentin?

Nji solo album, me shpresë që kryhet këtë vit.

Tags: , , ,

13 Responses to “Interviste me Genc Salihun ( Cute Babulja )”

  1. Sybille Vane Says:

    ”Nuk kam ipod. Nuk më duket e shëndoshë të sillem nëpër qytet me 1000 kangë në xhep. Nuk kam as çantë. E kam me rëndësi me i pasë duart e lira gjithmonë”

    Bo bo nuk i duroj dot keta tipa.Per zotin nuk i duroj dot!
    Cristo Santo! por kaq e veshtire eshte te gjesh nje artist qe di te shkruaj dy fjale ne shqip, te bej nje muzike te kendshme dhe mos sillet si Jim Morrison i te varferve?

  2. erjoni Says:

    Intervista shume yll. Urime edhe intervistuesit edhe Gencit.

  3. desaparecidos Says:

    Nuk e di nese e ke lexuar te gjithe intervisten Sybille, por nuk besoj se Genci imiton njeri. Mua me duket me se i sinqerte ( gati ) ne gjithçka qe thote.

  4. Sybille Vane Says:

    e lexova e lexova.
    Thjesht nuk i duroj keta tipa.Eshte nje gje personale.
    🙂

  5. martianhaemoglobinx Says:

    Sa keq per gjuhen…nuk ma merr mendja se Dylan dhe shoket e tij e masakronin anglishten…
    Perveç kesaj, nuk me pelqeu toni i intervistes. Jo per intervistuesin, por per te intervistuarin. Duket sikur u pergjigjej pyetjeve me detyrim e jo me kenaqesi. Gjithsesi, argumentet per lopen, gjizen, specat e domatet…ishin interesante! Nuk e di si eshte ndier intervistuesi…sepse nuk eshte e lehte ta drejtosh te intervistuarin, sidomos nje si ky (arrogant mu duk mua), drejt nje rezultati te shpresuar.

    Personalisht mendoj se Cute Babulja prodhon tingull te mire…teksti diçka! Mendoj edhe se entuziazmi ndaj tyre vjen nga fakti qe kane nje stil pakez “dandy”, qe kane videoklipe qe dallohen nga ato te grupit shpat-zajmina-adrian-…, videoklipe “weird”, qe te kujtojne pak atmosferen Kusturica, e qe plus gjithe kesaj, jane shqipfoles. Por, nuk duhen glorifikuar thua se çfare jane…keshtu me duket mua, sikur po mundohemi te gjejme te Cute Babulja nje stil muzike qe ne Shqiperi akoma nuk e kemi… . Por…me kohen do vije!

  6. Sybille Vane Says:

    martian… (ke emer teper te gjate🙂 )
    pjesen e pare te komentit e mendoj dhe une.
    Tamam!

  7. desaparecidos Says:

    Pastaj edhe fakti qe flet ne gegerisht!

  8. l Says:

    1.pershtypja ime eshte qe gjuha ne t’cilen flet/ shkruan i intervistuari reprezenton (edhe sot, pas vitit 1972) 2/3 e popullesise shqipfolese.
    2.toni i bisedes nuk osht cinik, perkundrazi, osht koment i ransishem i shoqnise dhe politikes se kesaj zone…hapsine e mire per t’pa tjetrin.
    3.e vertete, genci nuk tingllon ombel, e na kemi qef qe shoku ne fjale te lahet e krehet para se ta vizitoje koken tone…te parfymoset mire dhe se fundi pergjegjet ti mbylle me miresjelleje formale, si te gjithe koleget e tjere provincial.
    ata qe nuk repsektojne kodin denohen, s’ka as 100 vjet qe per kete pune edhe jane vra.

  9. bluepritify Says:

    martianheamoglobin ,
    definitivisht gjuha qe perdor i intervistuari nuk eshte gje e re per nje numer te konsiderueshem (ose sic thot I per 2/3) e shqiptareve, kjo e thene , te jem e sincert per te dy do te duhej te vlente kjo -sepse edhe intervistuesi nga ana e tij ka masakruar mjaft shqipen

    sa per muziken ke plotesisht te drejte , nuk e kemi.

  10. BB Says:

    O njerez kta janë mjeshtra! Ashtu si çdo komb europian flasin një nga dy dialektet kryesore të kombit të tyre, flasin shqipen e Migjenit, Fishtës, Podrimes etj. Gjuha nuk ësht monopol. Fatkeqsisht te ne gjuhen nuk e ka demtuar askush më shume se idioti enver dhe pseudo Ramizët e tij. Mos harroni ramizi ishte një geg, që nga frika e tij egzistenciale e asimiloi totalisht dialektin e tij të nënës.
    Dialektet vetëm sa e emancipojnë një gjuhë. Ndërhyrja brutale talebane për tì ndrydhur ose eliminuar ato, vetëm sa dëmtojnë kulturën tonë kombëtare, dhe i heqin rëndësinë shtetformuese që përmban.

    B.

  11. besa Says:

    Genc intervista jote me ngjan sikur flet me veten para pasqyres thjesht je mundu me shit veten ai qe nuk je preke token me kembet tua se do gjesh harmonin ne vete ma shume me ngjan ne nje tip nekrophil

  12. Adnan Says:

    Cute Babulja eshte grup i perbere nga Genc Salihu dhe Enes Bajramliqi,ndersa ne te gjitha fotot dukej vetem Genci. Pse ky injorim ndaj Enesit kur te gjithe ne qe i njohim ata e dim qe Enesi eshte nje super gjeni ne muzike dhe nje pjese shume te madhe (per t’mos thene pjesen me te madhe ) ne kete grup e ka bere ai.
    Pse ? Ku eshte arsyeja e gjithe punen e perbashket me ia dhuru vetem Gencit? A ndoshta vet Genci ka dasht mi ja vjedh per vete dhe me qene ne qender ?
    … Aspak e hijeshme.

  13. tiranacalling Says:

    Miredita Adnan!

    Ke shume te drejte, Cute Babulja eshte – apo ishte, nuk e dime mire – nje grup i perbere nga Genc Salihu dhe Enes Bajramliqi. Kishim deshire te intervistonim dike dhe gjetem kontakte vetem me Gencin.

    Nuk ka pasur e sinqerisht nuk ka asnje qellim denigrimi apo injorimi ndaj Enesin, thjesht kjo eshte interviste me Gencin.

    Faleminderit per mirekuptimin.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: