Nizamët në këngën popullore

by

nga L.Gërveshi

Dal ne breg e shikoj fshanë
derë me derë po qajnë
u venë djemtë nizamë
në Jemen, Arapistanë.


Më 1839 sulltani shpalli reformat për zhvillimin e modernizimin e Perandorisë. Turqia ndodhej në një krizë te thellë politike, ekonomike e ushtarake. Çdo vit që kalonte e thellonte gjithnjë e më shumë këtë krizë. Goditjet arrinin nga jashtë e nga brenda vendit. Nga brenda kryengritjet e fshatarësisë – për të cilat do të flasim herë tjetër – në çdo cep te Perandorisë tregonin per gjendjen e mjerueshme. Edhe mëkëmbësit e sulltanit sapo paraqitej mundësia krijonin shtetet e tyre duke mos iu bindur më sulltanit e duke e dobësuar më shumë Porten e Lartë.
Këto reforma të njohura me emrin Tanzimat do te përpiqeshin të ringjallnin këtë gjigand që po lëngonte. Për Perandorinë  ishin vërtet nje akt ndoshta edhe për t’u lavdëruar, por shqiptarët nuk ndjenë veç pasojat negative te këtyre reformave, pasi nuk u njihej asnjë e drejtë kombëtare. Vazhdonin të trajtoheshin si turq e si grekë e jo si kombësi më vete. Më rëndshëm u ndje reforma e taksave që do t’i varfëronte edhe më shumë, si dhe reforma ushtarake që detyronte ushtarët të largoheshin nga vendlindja. Me këtë lëvizje shmangej krijimin e ushtrive kombëtare që mund t’i kundërviheshin Portës, e gjithashtu çoheshin djemtë shqiptar në dhe të huaj ku nuk kuptonin gjuhën, që të mos krijoheshin lidhje me banorët vendas e po të qe nevoja të ishin të pamëshirshëm.

Kjo periudhë dramatike krijon një nga ciklet më tragjike të epikës popullore. Familjet që dërgonin djemtë nizamë pësonin një goditje të rëndë qoftë nga pikëpamja njerëzore, qoftë sociale por edhe ekonomike sepse do të thoshte t’i hiqje krahë pune për një kohe të gjatë.

O të zezat dhëntë e mia
do t’u hajë lukunia

Në shumë raste nuk ktheheshin më të gjallë. Në familjet labe kur djali shkonte nizam, në shtëpi hapej zia e nënat vinte përmbi kokë shaminë e zezë që quhej jemeni nga vendi ku shkonin nizamë, në jug të gadishullit arabik.
Në këngët labe përshkruhet gjendja e këtyre të rinjve kur merrnin vesh lajmin për të shkuar nizam.

Doli një pampor nga deti
djema na kërkon dovleti.

Në një variant tjetër thuhet:

Ra kuraja në Janinë.
ku më gjet mua të zinë,
në malet me trëndelinë,
tek kullosja bagëtinë.

Djemtë që shkonin nizam në shumë raste ishin të martuar e kur iknin linin pas gratë:

Qysh do bësh moj ngjalë deti
sa të kthehem un’ i shkreti.

Nëpër shtëpi ngelej vaji e zia e nuk mungojnë mallkimet kundër sulltanit :

Seç u thye nje degë qarri,
o Stamboll të rëntë zjarri,
pa të djegtë anembanë,
na more djemtë nizamë.

Djalëria e Labërisë po shuhej në këto reforma se disa vdisnin e nuk linin fëmijë.

O dovlet, more dovlet,
vit për vit po na thërret,
shkronjë e djallit na u qep.
Na u qep shkronjë e djallit,
na sosi farën e djalit.

Familjet ngeleshin pa mbështetje e nuk kish kush të kujdesej për shtëpinë. Nënat, motrat e gratë mbanin familjen me një mijë mundime.

Mben’ kopetë shkretë malit
qajnë të zonjat e stanit,
me lot e me djersë të ballit.

Ndarjet ishin te dhimbshme, sidomos kur ndaheshin nga gratë, të fejuarat, nuset e sapomartuara.

Kam nje mike, një lanete
që nizam s’më lë të vete,
më thotë merrëm me vete.

Këto ndarje nënkuptonin edhe vdekjen. Ishin ndarje që në rastin më të mirë zgjasnin disa vjet, por nëse nuk ktheheshin brenda një farë kohe do të thoshte që nuk do ktheshin kurrë më. Kur niseshin linin porosi:

Ju nëna, motra mos qani,
shami të zezë mos mbani,
shtatë vjet e ka nizami.
Dhe në u mbodhica më shumë
grua ti të marrësh burrë.

I ngjan legjendës së Ago Imerit, vetëm se nizamët nuk shfaqeshin befas në mes të dasmës për të rimarrë nuset e tyre.

Qaj e qaj moj e pafate
burri në Jemen të vate.

Jeta e nizamit nuk ishte e lehtë. Vuajtjet, sëmundjet, luftrat përgjysmonin ushtarët. Ca ktheheshin të sakatosur në mos të vdekur :

Do këndojmë a ç’do bëjmë
do qajmë gjendjen tënë

Po përse do qanin?

Gjarpëri që na ka zënë
me këtë sulltanin tënë
Sulltani i shtrëngonte sikurse gjarpëri gjahun e tij.

Na mban tre sahat më këmbë
sa na vjen shpirti në dhëmbë

Në shkretëtirë jeta nuk ishte si ajo që kishin lënë pas në vendlindje. Dielli i shkretëtirës digjte e të bësh shërbimin në vapë duhet të ketë qenë një pervojë e hidhur. E mendja të shkon larg:

Sa na vjen shpirti në dhëmbë,
na kujtohet babë e mëmë.

Siç thashë më lart, ndodhte edhe që vdisnin, vetëm, në mes të shkretëtirës e të pa varrosur, i hanin shkabat e çakejtë. Djalëri e këputur:

O ju shkaba që më hani,
syt’ e zez të mos mi ngani.

T’ia kursenin sytë sepse i prishej bukuria.

Sytë e zez’ mos mi qorroni,
se jam i ri e më shëmtoni.

Djalëria iu thye në mes, e ëndrrat u shuan me të; një nuse, një shtëpi, fëmijë, nëna që e pret përfaqsuar nga një kryevepër e këngëve popullore:

Në pyet nëna për mua
i thoni që martua,
në pyet se ç’nuse mori,
tre plumba te krahërori.

E në përfundim të jetës më e shtrenjta gjë të vjen ndër mend:

Nënë moj e zeza nënë,
si do presësh këtë gjëmë.

Lukunia : kope ujqerish.
p.s. Dovlet-devlet: qeveria, shteti.
Kura: shorti, u hodh shorti.
Mbodhica-mbollisa: vonohem.
Gjëmë: ngjarje e rëndë.
Qorroj: verboj.

__________________________________________________

 

Tirana Calling o ne Fejsbuk. Nese artikujt ju pelqejne ju ftojme te na shtoni si miq, te na sugjeroni, te komentoni etj etj.

Tags: , ,

7 Responses to “Nizamët në këngën popullore”

  1. eni Says:

    shume interesant shkrimi flm.

  2. bubikacurrel Says:

    BRAVO , SHUME BUKUR ,SHUME E RENDESISHME QE TE NJOHIM KENGET DHE HISTORIN E KOMBIT TONE

  3. rruga bardhyl Says:

    Ne foto jane vendosur jenicere. nizamet visheshin krejt ndryshe, me uniforma te frymezuara nga Evropa dhe jo me callma.
    edhe para tanzimatit, shqiptaret kryenin sherbim ushtarak larg vendit te tyre, por ne baza te nje lloj feudalizmi ushtarak, ku i pari i nje krahine, grumbullonte nen arme “vartesit’ e tij sipas urdherit nga autoritetet osmane.
    tanzimati, nje perpjekje per te centralizuar shtetin osman, shkaterroi me gjak trupen profesioniste te jenicereve, e cila shpesh refuzonte autoritetin shteteror, dhe vendosi sherbimin ushtarak te detyrueshem per te gjithe shtetasit e perandorise. per udheheqesit tribale dhe feudale shqiptare, kjo ishte humbje privilegjesh, sepse privoheshin nga e drejta per te grumbulluar dhe drejtuar mini-ushtrite e tyre gjysem-profesioniste. keshtu linden ato qe i njohim si kryengritjet kunder tanzimatit nga Zenel Gjoleka e Rrapo Hekali me shoke.
    Qellimi i dergimit te ushtareve ne vise te largeta, nuk ishte pengimi i krijimit te ushtrive kombetare, pasi behet fjale per nje kohe kur levizja nacionaliste ende nuk konsoliduar e popullarizuar. po ashtu, ne jemen ka lene kockat edhe rinia e Anadollit dhe jo vetem e Shqiperise, pasi kryengritja e Jemenit ishte teper e fuqishme dhe e rrezikshme per autoritetin perandorak ne ate cep te rendesishem interesash (ku po nguliteshin edhe britaniket), pra nuk ishte pretekst per te larguar njerez, po vater e vertete konflikti luftarak.

    pergezime per zgjedhjen e vargjeve magjepsese

  4. tiranacalling Says:

    Miredita Rruga Bardhyl.
    Po, per fat te keq nuk gjera foto te nizameve keshtu qe u detyrova te vija keta, qe te pakten ta jap idene.

    Nje nder personazhet mbi te cilet po punojme eshte tamam Zenel Gjoleka, po eshte e veshtire sepse ka pak material.

    Rrofsh per pergezimet.

  5. rruga bardhyl Says:

    keto jane imazhet e para te ushtrise se re (fjala nizam vjen nga nizami xhedid-rendi i ri-nizam do thote rend, por populli njohu ushtaret me kete emer)

    suksese me tej

  6. Qafir Arnaut Says:

    Imazhi qe ke zgjedhur eshte i ‘jeni-cherrit’ dhe jo i nizamit, apo rekrutit te rendomte qe i bie shorti. Tanzimati shkaterroi menyren mercenare te te jetuarit per shume shqiptare (kryesisht leber e dibrane) sepse nizami nuk kthehej me me placke te fituar.

    Ne 1826 Shume arrnaute u dogjen ne kazermen e jenichereve ne Stamboll, te bombarduar prej nizameve te rinj te veshur alla-franga. Per Shqiptarin jenicheri ishte nder, nizami qe qeder.

  7. tiranacalling Says:

    Po, per fat te keq edhe pse kerkova mjaft nuk arrita te gjej nje foto te pershtatshme te nizameve. Falenderoj Rruga Bardhyl, tani vura ate qe me solli ai. Besoj se edhe ai e ka ngarkuar vete, duke qene se ishte te ImageShack.

    Ca te them tjeter? Rrofshi qe sugjeroni, ne te drejte e ne gabime.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: