Mbi mediokritetin e muzikës shqiptare

by

Të gjithë ata që si mua janë lindur në vitet 80 apo pak më vonë, janë rritur me një farë muzikë që udhëtonte n që dy binare të ndryshëm, ndoshta në tre. Kishim muzikën para lindjes tonë, ate që quanin “muzikë e lehtë” dhe vetëm një emër kaq i tmerrshëm të jep idenë se çfarë muzikë ishte dhe se çfare tekstesh kishte.

Një emër i tillë mund të dilte vetëm nga zyra të errëta ku mblidheshin udhëheqesit e partisë. Bazohej në një tastierë të thjeshtë dhe në zërin e këngëtarit. Natyrisht që bëme gjënë e vetme që mund të bënim: e snobuam. U kishte ikur koha, thamë, Vace Zelës e Kozma Dushit. Videot e tyre mund të na bënin pak për të qeshur, mund të kishin një melodi të lezetshme që mbahej mend lehte ( Eja o shoku ynë…Dhe shiu pik pik pik…apo pajk pajk pajk siç këndohej para Vaçe Zeles ). Por, t’a marre dreqi, erdhën vitet 90. Rrëzuam bustin, u rritëm dhe përpara çdo festivali rrinim me sy hapur duke pritur grupin tjeter. Nga një anë dëgjonim G’n’R, Scorpions, Metallica, Pet Shop Boys, Duran Duran, nga ana tjetër festival na shërbente ca gjëra qesharake. E megjithatë kishim një besim të patundshëm, unë personalisht isha i bindur që nga një moment në tjetrin do dilte një grup që do ndryshonte gjithçka. Vonë e kam kuptuar që ishte një festival për prindërit tanë dhe jo për ne. Pak a shumë ne çdo festival pranonin dy apo tre grupe tanet, pjesa tjetër ishin përsëri të ricikluarit. Ne kishim Ritfolk, Arb dhe Djemtë e detit.

Më para Aleksander Gjoka. Mendoja që mund të bëhej simboli jone por mjaftoi që të fitonte një festival që të mos ndjente më stimujt e duhur për të vazhduar rrugën e tij. Djemtë e detit kishin histori tjeter, dhe kishim shpresa edhe tek ta. Besoja që DED nuk ishin akoma një grup i madh, por nga viti ne vit do rriteshin. Ishte e qartë që frymëzoheshin nga e njëjta muzikë nga e cila frymëzoheshim ne, që ishin rritur edhe ata me Guns’n’Roses, dhe që festivalin tjetër do fitonin sepse do dilnin me një këngë të jashtëzakonshme. DED kishin, në vitet e para 90, mundësitë për t’u bërë vërtet grupi me i madh shqiptar. Për fat të keq edhe ata nga viti ne vit nuk mësuan se si bëheshin gjërat më të komplikuara në kitarë dhe s’arritën të bënin dot të paktën një album. Ishin një grup që jetonte në funksion të festivalit. E megjithatë, DED ishin mëkati jone i pare.

Ndryshe Arb e Ritflok. Të paret më kanë lënë gjithmonë përshtypjen që ngjiteshin në skenë thjesht për të mos lënë Redonin vetëm, dhe edhe pse arritën një sukses të konsiderushem i detyroheshin vetëm tij. Ndoshta kjo gjë i bllokoi, ndoshta figura karizmatike e Redonit nuk i lejonte të përshkonin rrugë të reja, dhe si shumë grupe të tjerë edhe ata u dogjen shumë shpejt, jo aq shumë për probleme se sa për suksesin që arriten dhe që i bllokoi.

Pastaj ishte Elton Deda. Deda ishte tamam bir 90-ës shqiptare. Ndoshta edhe më shumë. Në festival propozonte ca gjëra, pak sipër mediokritetit ndërsa nga ana tjetër kishte një projekt shumë interesant: Thunder Way. Jam i bindur që sikur Thunder Way të kishin kënduar shqip do e kishin influencuar shumë muzikë tonë. Për atë moment ama, një projekt si Thunder Way ishte teper, ishte shumë larg, ishte shumë para për ne.

Qe më interesante dhe më e ndershme rruga e ndërmarre nga Ritfolk. Me një emer kështu në Shqipëri të pështyjnë në fytyrë, po dy çunat nga Tirana nuk donin t’ja dinin shumë. Sot pyes veten nëse e dinin që nuk bënin folk, por atëhere s’kishte rëndësi. Ritfolk ishin dy djem që nuk kopjonin në mënyrë te dukshmë askënd, që arrinin të ndërthurnin shqipërine e askohe me modernitetin që afrohej, dhe kishin edhe tekste të pranueshme, në mos të bukura. Kjo ishte diçka që në ate kohë s’kishte asnjeri, e …në dreq, edhe tani s’është se e ka njeri. Jam i bindur që Ritfolk ngelen grupi më i mirë shqiptar. Të pëlqenin, edhe nëse ti nuk e dije që po të pëlqenin. Kushdo që interesohet për muzikë mund të dijë përmendsh një apo dy këngë te Arb, Akullthyesve apo E.Dedes, por di të paktën katër apo pesë të Ritfolk. Natyrisht që edhe këta nuk fituan asnjë festival, por kjo ishte thjesht një shenjë tjetër që tregonte që ishin vërtet në rregull, që ishin çuna njish. Ndër të tjera, ishin të parët që arritën te futeshin në studio e të rregjistronin një album tamam. Shpeshherë pyes veten se çfarë rruge do kishin marrë çunat sikur të mos ishin ndarë. Më pelqen ti imagjinoj tek vazhdojnë të patrembur, tek shtojnë album mbas albumi duke gjetur rrugë të reja në folk-country-soft rock pa tradhëtuar asgjë e askënd. Por nga ana tjeter frika e madhe që s’do mund të duroja dot është t’i shikoja tek bëjnë ndonjë përpunim të “ Të duket vajza porsi bananja, oh yeah…

Kur Ritfolk u ndane, kur Redon Makashi u mbyll akoma më tepër në vete dhe në dashuritë e humbura, kur Elton Deda nuk gjente rrugën, kur Aleksander Gjoka filloi të bënte muzikë të lehtë mendova që kishte mbaruar një periudhë positive për muziken shqiptare, dhe që ajo që do vinte do na çonte akoma më përpara. Tashmë djemtë ishin rritur, tashmë 20 vjeçaret kishin dëgjuar shumë gjëra, do kishin blerë kitare e do kishin krijuar grupe, do këndonin e do na habisnin. Por për fat të keq do vinin dhjetë vjet tmerrësisht mediokër, dhjetë vjet masakrimi muzikes popullore dhe tekste të tipit

…gjermania…rakia…italia…greqia…dashuria…

Ajo që më indinjon më shumë është fakti që shpesherë mjafton një album, një këngëtar, një këngë për të nisur një periudhë të artë. E gjithë muzika amerikane ka ndryshuar thjesht për Highway 61 te Dylan e The Velvet underground. Vetëm një album j’u desh italianit De Andre për te shkatërruar e për të rithemeluar muzikën e vendit të tij. Muzika botërore është e mbushur plot me shembuj të tillë. Nga Beatles te Stones, te Velvet, Te Sex Pistols, te Jethro Tull, te Joy Division, te Nirvana e te Clash. Dhe talenti nuk ka të bëjë aq shumë në fund të fundit, nëse është e vërtetë që Sex Pistols nuk dinin ti binin kitarës kur bënë albumin e parë dhe, sinqerisht, nuk kanë mësuar kurrë.

Ajo që duhet nuk është aq shumë një grup perfekt, por thjesht një grup që te krijojë diçka të re. Derisa ky a këta të vijnë…Gjermania…rakia…

Tirancalling o në Facebook. Kërkoji miqësine.

Tags: , , , , , , ,

3 Responses to “Mbi mediokritetin e muzikës shqiptare”

  1. Dritan Says:

    Shkrim i goditur

  2. Gentian Says:

    Per fat te keq keta muzikant jane, e s’jane permirsuar.

  3. Mbi muzikën – përsëri, (mbi mitizime, keqkuptime, gabime, (shkruajtur pa lidhje logjike)) « Tirana Calling Says:

    […] (1) It’s only rock’n’roll but I like it. ________________________________________ Patëm folur pak për mediokritetin që na ka pushtuar këto…le të themi këto 120 vitet e fundit edhe, më […]

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: