Nga Reald Keta
Diktatorit të Mizërisë e mundon dëshira për të patur një kalë. E çuditshme që diktatorit ti mungojë një kalë, sepse siç vetëkuptohet ai mbështjellë krejtçka në grushtin e tij. Të gjallët falen nën këmbët e tij, e të vdekurit prehen nën dhe prej dorës së tij. Mizat edhe kur iu duhet të zhgrryhen në plehra kanë uratën e tij në të kundërt fluturojnë, ama në botën tjetër. Mirëpo për këtë zemërgjësi kërkon edhe ai hisen e tij modeste, sepse mos harroni Diktatori i Mizërisë është një liberal i djathë. Të gjitha mizat mund të hanë, me kushtin e vetëm që ti raportohet saktësisht çdo zhvillim dhe Populli i Mizërisë ti bindet pa brerje dyshimi. Madje një nga arritjet më të fundit në këtë Utopi është se mizat tanimë mund të flututrojnë nga njëra hale në tjerën pa kurrfarë burokracie. Mbresëlënëse për këdo!
Tërë kjo përsosmëri e ngrehur me mund fishket, kur kujton se Diktatorit i mungon një kalë. I duhet me patjetër një kalë, pak rëndësesi qysh e tek, por i duhet një kalë. E mundon gjeri në sfilitje kjo nevojë akute. Ushtijnë veshët e diktatorit, i brejnë trutë nën kafkë diktatorit, i hanë duart sa më ska diktatorit, mbi gjemba rri dhe kalin e tij rri e pret. Do vriste ditën për diell, ndonëse me shtat prej mize si ujk do i pinte gjakun krejt shtetasve të tij dhe do ta ejakulonte mbi shkallët e pallatit nga ku drejtonte punët dhe hallet – ndonëse nuk kishte – e Utopisë së tij. Vlen të përmendet këtu se nga vetë goja e Diktatorit qarkullonte një legjendë e çuditshme që të parët e tij në krye të herës na kishin qenë ujqër, nga ku edhe sot lugina ku kishin jetuar ata mban emrin Viçidol, që do të thotë Lugina e Ujqërve. Ama Zotat i kishin shndërruar në miza si dënim për kasaphanat e tmerrshme që kishin kryer.
Thurrte mendime ditën e ëndrra natën për çastin e lavdisë së fundme. Symbyllur gatitet e bën prova teksa i hedh një pelerinë të kuqtë flakë gjogut të tij. Në supet e gjogut qëndron mbi pelerinë plot madhështi simboli i një mize shtrirë me kurriz dhe me këmbët përpjetë. Me këtë akt ai do e shpallte gjogun e tij mëkëmbësin e tij, krahun e djathtë. Pse jo, edhe Senator i Republikës!
Dhe kalit po i dëgjohet troku!
Tags: autore te rinj, Letersi shqip, proze ne shqip, reald keta
