Pesë këngë popullore dashurie

by

nga Lulzim Gërveshi

Duhet të zgjidhnim vetëm pesë këngë, fare mirë mund të ishin pesë të tjera, akoma më më mirë edhe 1000 të tjera, sepse në folklorin tonë ka këngë dashurie të panumërta, që shprehin ndjenjat e brengat e popullit në mënyrë të mrekullueshme e të vërtetë. Që në fillim kërkojmë ndjesë, kushdo ka pesë këngët e tij të preferuara, dhe renditja e tij nuk do i ngjante renditjes së dikujt tjetër. Kjo është një gjë e mirë, ne kemi preferuar të zgjedhim pesë këngë nga të gjitha viset e nuk është e lehtë. E para vjen nga Malësia e Veriut, e dyta vjen nga Shkodra, e treta vjen nga Shqipëria e Mesme, e katërta vjen nga Korça, e pesta nga Labëria prej Himare.

1.Mori çikë, ori, flokt e gata

Mori çikë, ori, flokt e gata,

shka po i len cicat përjashta?

-Djal´, lum dada, n´gjojë t´i pasha,

Ishalla dada n´gojë t´i shoh-e!

-N´muj të shtifsha do t´pushtoj-e,

Pa m´marrë pushka nuk t´i lshoj-e;

Nuk t´i lshoj pa m´marr pushka,

Për pa i mush´ qeta dy grushta,

Faqe t´bardha, o cica t´buta!

E kto cica i shitoftë zana,

Herë janë t´idhta, herë janë t´amla,

Herë janë t´amla, o mori bij-e.

Po t´baj be-o n´q´at xhami-e,

Kurr´ s´ta pava, ani, shoqen ty-e!

Koment:

Në këtë këngë shpërthen magjia e një shikimi, një çast të vetëm, një vegim për një malsor, një vajzë me flokë të gjata, gjizbuluar, ëndërr. Vajza që i thotë t’i pafsha gjinjtë në buzët e tua, djali që përgjigjet dashtë Zoti. Po nuk i quan gjinj, por thjesht cica, siç i quan një fëmijë, i magjepsur pas atyre gjinjve të bardhë nuk i shkëput dot sytë, veç shikon e mahnitet, shikon e betohet: në të shtifsha dot në dorë veç vdekja mund të më ndajë, pa i mbushur duart me gjinjtë e tua, pa i shtrënguar fort me dorën time. E uron si mund të urojë një malsor duke iu drejtuar zanave të malit. Herë i duken të ëmbla, herë të hidhura, si vetë dashuria. Betohet në xhami për bukurinë e saj të pakrahasueshme në këtë botë. Eros i vërtetë.

2.Taksirat që m’ka xanë mue

Taksirat që m’ka xanë mue,
Hallin tem më ta tregue.
E tash du me fillue,
Hallin tem me ta tregue.
Amanet për sytë e shkreta,
Se ç’më djegin si shigjeta.
Me kët’ kangë du me t’kujtue
E s’po mundem me durue.
Pash sytë e ballit Ije,
Po ti them dy fjalë dashnie,
Të lutem mos m’harrue.
O marak se ç’më dogje flakë!

Koment:

Në këtë këngë shkodrane të kënduar me mjeshtëri nga Bujar Qamili burojnë nota trishtimi për një vajzë të quajtur Ije. Ajo nuk është më afër, i ka ngelur veç trishtimi, melankolia, një brengë për syt’e shkreta. Hall i madh i dashurisë e ka zënë, ndoshta e ka braktisur, ndoshta është martuar, ndoshta nuk iu përgjigj zjarrmit të tij, e gjithë kjo nuk ka rëndësi tani, nuk mund të bisedojë më me të. Atëherë e vetmja mënyrë për t’iu afruar është kjo këngë, vajza do e kuptojë që është për të, janë fjalë dashurie të pëshpëritura në erë. E vetmja gjë që do sot është të mos ta harrojë, një merak që e djeg flakë! Lutje shpirti!

3.S’paske pas nji pik mëshire

S’paske pas nji pik mëshire,
qysh pësova une ksisoj.
S’pres prej teje, far te mire,
veç më fol o nji her me goj’.
Pse m’ke marr kaq mënie,
s’shkohet jeta me inat.
Fol me goj o syu i zie,
mos ki frike se bën mëkat.
Paske pas moj zemren hekur,
qysh durove mori xhan.
Jam betue se nuk due tjeter,
trandafile në Elbasan.

Koment:

Në këtë këngë të Shqipërisë së Mesme dalin në pah zënkat e dashurisë. Vajza që është inatosur me djalin, djali që s’duron dot këtë gjendje. Vajza që nuk i flet me gojë, djali që e quan të mizore, prej saj s’pret asgjë të mirë veç t’i thotë nja dy fjalë. Kushedi se çfarë i ka bërë që e ka marrë kaq inat, e ka plagosur, e ka trajtuar keq, nuk e ka respektuar? Vajza është inatosur keq saqë ka vendosur të mos t’i flasë më, djali që përpiqet t’a zbusë me fjalë të ëmbla e ta bëjë të ndryshojë mendim, se në fund të fundit është i dashuruar me të. Vajza po hakmerret, djali s’duron dot më, zemërgur qënka kjo vajzë që duron këtë gjendje, po djali është i vendosur, betohet për dhe’ e për qiell që nuk do tjetër, vajza i bën të kuptojë sa e rëndësishme është për të! Dhimbje dashurie!

4.Perëndeshë e bukurisë je

Perëndeshë e bukurisë je,
un për tynë do t’pëlcas,
dashurinë që kam shtënë për ty,
u bu bu si do t’ia bëj.

Ilaçet nuk më bëjnë gjë,
s’më shërojnë plagëtë,
përveçse syri yt i zi,
që më dogji zemrënë.

Dhe në ëndërr të shikoj,
… e kurr stë’harroj,
mos me mundo,
o yll o xhan o zemër o.

Jak o xhan e jak o shpirt,
mjaft, o zemra ime,
eja të rrojmë që të dy,
në këtë botë.

Jak,o ylli me shkëlqim.
Fytyrë e dashurisë,
me zënë e ëmbël ti që ke,
më bërë të vdes.

Koment:

Perëndesh bukurie, Diana a Afërdita, vajza e Korçës e ka çmendur ashikun e shkretë. E ka pushtuar kjo dashuri, mendjen edhe zemrën ia ka marrë, gjumin krejt ia prishur, ëndrrat janë veç për të. Ethet e dashurisë e kanë dërrmuar, lëngon në shpirt, i merren mendtë, zemra i rreh fort, ndjehet tepër i dobët, doktorët s’i gjejnë dot shërim, ka provuar kushedi sa ilaçe, por i vetmi ilaç është vajza e dashur. Mjafton t’i shfaqet para syve e zhduket dhimbja e trishtimi, forca pushton shpirt e trup, ai syri i saj i zi është ilaç për të sëmurë. Ndaj eja vajzë të rrojmë të dy tok, nën këtë qiell të dy ne të kalojmë ditët, vetëm ti shkëlqen në këtë botë, as yll’ as hënë nuk i afrohen shkëlqimit të syve të tu. Hajde pra, se po vdes. Sevda djalërie!

5.O Katina Nina-Nina

Vajz’e bukuro,
Pa dil të të shoh,
Moj Katina, Nina Nina,
Vajz’e dashuro.
Pa dil në penxher,
Të të shoh një herë,
Moj Katina, Nina Nina,
Zëmërën ma merr.
Fol një herë me gojë,
Thuaj të shpresoj,
Moj Katina, Nina Nina,
Pa ty s’mund të rroj!
Siri it më tret,
Zëri it më vret,
Moj Katina, Nina Nina,
Bukuri je vet.
Pranvera afron,
Bilbili Këndon,
Moj Katina, Nina Nina,
Hajde pse mejton.
Hajt se nata shkon,
Hëna perëndon,
Moj Katina, Nina Nina,
Djalëria shkon.

Koment:

Këngë labe e shkruar nga këngëtari popullor Neço Muka, regjistruar në Paris në vitet ’30. Buron malli për vajzat e vendlindjes e për rrugicat e Himarës. Vajzë e Bregut të Detit, Katina, e bukur, dil pra në dritare, veç të të shikojë djali, vetëm një herë, fol një herë me gojë e jepi një shpresë se pa ty nuk mundet të jetojë. Bukuria jote, syri yt, zëri yt vrasin e presin, plagë të rënda lënë në shpirt e në trup, ah Katina nga Bregdeti, dil pra në dritare, dil po vjen pranvera, po të pret djali, e ka kaluar natën nën dritaren tënde, pas pak perëndon hëna, dita do çelet e kështu si kalon kjo natë po shkon dhe djalëria. Duhet të vendosësh vajzë se ditët ikin e nuk kthehen më. Djali është i vendosur, mos u mendo më. Mjaltë nga Bregu i Detit!

About these ads

Tags: , , ,

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


Follow

Get every new post delivered to your Inbox.

Join 289 other followers

%d bloggers like this: