Lufta e vitit 1854

by

Arta

nga L. Gerveshi

Kur shpërtheu lufta e Krimesë, shumë grekë menduan se ishte një mundësi e mirë për të organizuar një luftë në tokat e Çamërisë dhe Thesalisë, me qëllim që ato të bëheshin pjesë e shtetit grek. Edhe pse shteti grek nën presionin anglez e francez, ishte neutral, një numër kryengritjesh u organizuan në Epir, Thesali, Kretë me ndihmën e segmenteve të shtetit grek. Agjentë rusë nxisnin popullin nëpër sheshe, jepnin para, armë, Rusia ishte e interesuar që të hapej një front tjetër në Ballkan me qëllim që trupat turke të mos ishin të përqendruara të gjitha në frontin rus.

O shokë e shoqëri,
do t’u them një llahtari,
e paç me këta di si,
kle Moskovi sebepli.
Rrëmbeu kriqin e dolli,
këtej Tunës ordhit’ hodhi,
i hodhi e i vërviti,
kaurët në këm’ i ngriti,

nga Tuna njam ne Gjiriti.

Më 30 Janar 1854, Spiridon Karaiskaqi (nëntoger në ushtrinë grekë dhe i biri i heroit të pavarësisë greke Jorgo Karaiskaqi) mbajti disa fjalime në fshatrat në lindje të Artës, duke u bërë thirrje njerëzve për t’u ngritur në kryengritje kundër turqve e t’i bashkoheshin Greqisë. Kishte braktisur detyrën e tij i shoqëruar nga disa shokë të besuar, mori me vete edhe 20 mijë dhrahmi që ndodheshin në arkën e korparmatës. Deklaronte që ora e lirisë kish ardhur për të gjithë të krishterët nën zgjedhën e Turqisë, të fitonin lirinë e pavarësinë, se njerëz dhe para do t’a ndiqnin në këtë luftë. Megjithë zellin e tij vetëm banorët e dy fshatrave e ndoqën dhe njerëz të tjerë tek-tuk. Objektivi i parë ishte Arta e cila ra në duart e Karaiskaqit në krye të një force të përbërë nga 2500 vullnetarë.  Ndërkohë, gjenerali grek Teodor Griva kishte organizuar një bandë prej 300 vullnetarësh në fshatrat e Petës e të Pente Pegadia.  po i afrohej Çamërisë së Mesme, afër skajit jugor të së cilës gjëndet edhe fshati Dhrohomí. Mulla Qemal Bejdeshati mblodhi bashkëkuftëtarët çame që në rast lufte përbënin allajin e prirë prej tij dhe u doli përballë mësyesve grekë paksa në jug të rrjedhës së lumit Gliqi, në afërsi të fshatit me të njëjtin emër. E kundërmësyrë njëherit edhe nga njësi të tjera çame të prira nga Hamit bej Çapari, Zejnel Husa etj., armata greke zuri ta ngadalësonte ca nga ca përparimin, derisa më në fund u ndal në rrjedhën e lumit Kalamà. E goditur pastaj edhe nga luftëtarët e sapombërritur nga Labëria nën drejtimin e Mahmud bej Vlorës, ajo u shty rrëmbimthi mbrapsht. Gjatë luftimeve fyt për fyt, Mulla Qemali ra i vdekur pas disa plagëve nga goditje shpate.

Të xhuma më të xhuma,

glau e shkreta hata

mulla Qemali u vra

në Nartë, në këshëlla

vërvitej si ezhdërha.

Mulla Qemal Bejdeshati,

u bë si që deshi fati,

se të kish ardhur sahati.

U vërvit Qemal shehiti,

kordh’ e jatagan ç’i qiti,

«ilerí», fajkoj bërrtiti,

sa mori ibrret jeziti,

Grivë qen’ e çorroditi,

«rahmë-rahmë» ulëriti”

Përveç Artës, kryengritja shpërtheu gjithashtu në rajonet malore të Epirit, disa qytete ranë në duart e grekerve si Paramithia, Suli, Çamanta e disa fshatra rreth Janinës. Gjithashtu ishte hedhur në kryengritje edhe krahina e Thesalisë. Në Thesali shqiptarët udhëhiqeshin nga Abaz Lalioti nga Llalla, i cili gjatë revolucionit grek braktisi Llallën që gjendej në More dhe u shpërngul në Thesali. Njohja e terrenit i jepte mundësinë të luftonte kundër forcave greke duke e shfrytëzuar atë me mjeshtëri. Por mbi të gjitha ishte aftësia e tij për të komanduar, zotësia e tij nuk vihej në diskutim, e kishte treguar gjatë revolucionit grek duke iu shkaktuar atyre një sërë humbjesh, e tregoi dhe këtë rradhë në krye të forcave vullnetare shqiptare, duke disiplinuar një trupë të çrregullt detyroi grekët të ndaleshin deri në ardhjen e përforcimeve e më tej në shuarjen e lëvizjes në Thesali.

Në qytet kryesore të Greqisë u organizuan komitete lufte për të mbledhur fonde, vullnetarë, armë, kjo gjë ndodhte para syve të autoriteve greke të cilat nuk bënë asgjë për të ndaluar këto veprimtari. Ishin hapur burgjet në disa qytete si në Patra, Mesollongji etj., duke u dhënë mundësi të burgosurve që të kalonin në Çamëri e Thesali me qëllim që të shtohej numri i vullnetarëve, por duke liruar kriminelë ordinerë rritej edhe çorganizimi e krimet.

Qeveria turke morri masa qoftë diplomatike, qoftë ushtarake. Nga pikëpamja ushtarake derguan forcat e rregullta që ndodheshin në Janinë, u thirrën trupa të tjera nga Manastiri, gjithashtu u mobilizuan vullnetatët nga Labëria e Çamëria.

Dili shihni ç’asqer’ vinë?

Vjen Mahmuti me tri milë.

Një numër oficerësh grekë me prejardhje suliote (Nikola Zerva, Noti Boçari, Athanas Kuzonika, Kiço Xhavella, Llambro Ziko), dhanë dorëheqjen nga pozicionet e tyre në ushtrinë greke për t’iu bashkuar kryengritjes. Ndërkohe Arta u rrethua nga 4600 forca turke të ndihmuara nga artileria e rëndë.

U ngre Llaka, u ngre Suli,
kallaxhitë nga Baburi.
Llakë, Sul e Dumeqe,
zunë besë me More.
Jallah gjarpri që i zuri,
kaha Sulejman Behluli,

gjith’ skllev’ e skllava i zuri,
të tërë në kordh’ i vuri.
Vate hëna një mazdrak,
luan hëna me bajrak,
bën fanua në Sanxhak,

me Moskovin ram në gjak.
Ram në gjak me shqehërinë,
Karadakun e Serbinë,
na kërkojnë Shqipërinë,
raje, çiflik të na binë.
Rrahu teli për Janinë:

Llakat e Sulit u ngrinë,
u gënjien, u fëllijnë,
janë lidhur me Gërqinë,
ran’ e zunë Çamërinë.
Zunë mesn’ e vilajetit,
Fanarin e bregn’ e detit.

Në mes të marsit numri i kryengritësve i kalonte të 6000 trupa, kishin pushtuar disa fshatra, burgosnin banorët, vidhnin pronat, pasurinë, thesaret e grave duke i nisur në Greqi. Banorët e këtyre zonave për të mos rënë në duart e këtyre banditëve shpërnguleshin në qendrat ku ishin përqendruar forcat turke. Jo vetëm që sulmonin muslimanët, por edhe të krishterët.

Në fillim të marsit, Griva përparoi në drejtim të Meçovës, dhe e mori, menjëherë filluan vrasjet, vjedhjet e djegjet e shtëpive. Ja si i drejtohet populli Çelo Picarit që ishte një nga komandantët e forcave vullnetare labe:

Ngreu Çelo, bën zananë,

ngjesh pisqoll’e jataganë,

të bëç dufek me Junanë!

Kapetan Griva ka dalë,

mbushi vëndin me andarë,

zuri fshatërat me radhë,

u mori shpirtin e mallë.

Griva vet me vllezëri,

bëri vëndin paspurdhi,

e bëri shkrum’ edhe hi,

nekdo gjëmë, nekdo zi.

Ç’e bëtë Çelo Mehmenë,

që të dal’ si ç’kish adenë?!

Del, ore Çelo Mehmeti,

se këtu u bë gazepi

dolli Junani nga deti,

na përvëloi laneti!

Kur u derth Çelo Picari,

si purtek’u drroth Junani,

në More la vramn’i pari,

Grivë derri, kacidhjari.

Pashai i Janinës u nis shpejt drejt tij, në përbërje të trupave turke bënin pjesë edhe vullnetarët shqiptarë, luftimet zgjatën 48 orë. Në 27 Mars u detyrua të tërhiqej gjatë natës dhe kaloi në Thesali. Në krye të forcave shqiptare ishte Mahmud bej Vlora, i ati i Ismail Qemalit.

Erdhi kartë nga Mecova,

bën dufek Mahmut bej Vlora,

në male pa tretur bora,

e mblodhi Grivën sa dora.

Ose:

Dili shihni ç’asqer’ vinë?

Vjen Mahmuti me tri milë.

Mecovës seç’ ju vërvinë.

Mecov’ e zeza Mecovë,

vunë zjarrë e të dogjnë

Në 13 Prill, 6000 trupa turke të mbështetura nga artileria britanike e franceze, sulmuan shtabin rebel në Peta, në lindje të Artës. Pas një beteje të ashpër e pas humbjesh të mëdha, Kiço Xhavella me njerëzit e tij u tërhoq në kufijtë e shteti grek. Ndërkohë turqit u dejtuan në veri për të asgjësuar çdo lëvizje rreth Janinës. Në Plakë, 14000 trupa turke të ndihmuara nga 1500 vullnetrë shqiptarë luftuan kundër bandave të Karaiskaqit e të Zervës. Në këtë rast turqit u detyruan të tërhiqeshin, shqiptarët pësuan humbje të rënda.

Gjëndja filloi të përkeqësohej për grekët kur arritën përforcimet turke. Nga ana tjetër flota anglo-franceze bllokoi portin e Pireut dhe disa porte të tjerë, duke penguar furnizimin e kryengritësve dhe në të njëjtin moment ushtronte trysni mbi qeverinë greke të tërhiqte oficerët e saj.  Pas një numër betejash në Vulgarel, Skulikarë, e Kleidi në 12 Maj revolta u shtyp dhe trupat greke u tërhoqën brenda kufijve grekë.


Nëse artikulli ju pëlqen ndajeni me miqtë tuaj në Facebook

About these ads

Tags: , , , , , , , , , , , , , , , , ,

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


Follow

Get every new post delivered to your Inbox.

Join 289 other followers

%d bloggers like this: